Shkëlqim Cani/ Si do të rritet performanca ekonomike me rishikimin e Buxhetit 2013

52

*Ministër i Financave

Buxheti i vitit 2013 është reflektimi i situatës, aspak pozitive, në të cilën gjenden financat publike të shtetit dhe ekonomia shqiptare. Akti Normativ që u diskutua shkurton me rreth 38.8 miliardë lekë Buxhetin Fillestar të këtij viti duke u mbyllur me 321 miliardë lekë ose 23.8% (23.4) të PPB. Të ardhurat totale të buxhetit për vitin 2013, me ritmin aktual, priten të jenë më pak se niveli i tre viteve më parë (më pak se viti 2010).Të ardhurat nga tatimet e doganat, të cilat përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave në buxhet dhe që varen në mënyrë më direke nga qeveria qendrore, priten të jenë sa 16.2% e PBB për këtë vit, më poshtë edhe se gati dhjetë vite më parë. Si pasojë e të ardhurave në nivele ekstremisht të ulëta, dhe e shpenzimeve të përshpejtuara, pa marrë parasysh detyrimet e papaguara të qeverisë, deficiti dhe borxhi tashmë kanë arritur nivele shumë negative për një ekonomi si e jona. Deficiti këtë vit pritet të kapërcejë në 6.2% të GDP, nga rreth 4.3% që ka qenë mesatarisht në dekadën e fundit apo nga 3.5% që ishte një vit më parë. Por duhet të kini të qartë që ky nivel shpenzimesh dhe deficiti buxhetor nuk përfshin rreth 9 miliardë lekë shpenzime tashmë të faturuara në Thesarin e Shtetit, të cilat kanë mbetur të papaguara prej muajsh për mungesë likuiditeti të qeverisë. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për fatura të zakonshme, por janë fatura urgjente. Pikërisht ky ka qenë edhe faktori kryesor qe na detyroi të ndryshonim ligjin e buxhetit 2013 nëpërmjet Aktit Normativ. Borxhi, pa përfshirë detyrimet e papaguara të qeverisë ndaj biznesit, të cilat vetëm këto vlerësohen në rreth 4% të PBB, niveli i borxhit publik në fund të këtij viti pritet të arrijë mbi 68% (69%). Pra, realisht borxhi publik qëndron rreth nivelit 72% të PBB. Edhe për vitin 2013, një prej faktorëve të këtij devijimi negativ të të ardhurave të realizuara kundrejt planifikimit, vijon të jetë parashikimi ndjeshëm më optimist i treguesve makroekonomikë e fiskalë. Buxheti fillestar 2013 u bazua mbi një rritje reale ekonomike të parashikuar në nivelin prej 3.1% dhe një rritje nominale prej 4.5%, ndërsa tashmë parashikohet që të dy këto tregues bazë makroekonomik për vitin 2013 të rezultojnë ndjeshëm më të ulët, përkatësisht në nivelet 1.9% dhe 3%. Ky buxhet i rishikuar bazohet në një parashikim prej 1.9% të rritjes ekonomike për këtë vit. Por në fakt, me shumë gjasa, rritja mund të rezultojë edhe më e ulët se kaq. Duke marrë në konsideratë edhe rritjen e tremujorit të dytë të 2013 prej 1.1% të publikuar së fundmi nga INSTAT (informacion i cili nuk ishte ende i disponueshëm në kohën kur u dorëzua në parlament ky rishikimi i buxhetit), ne tashmë parashikojmë se rritja reale për 2013 në tërësi do të jetë rreth 1.2%.

Kjo shmangie e parashikimeve makroekonomike (veçanërisht rritja nominale më e ulët e PBB) vlerësohet të ketë një efekt negativ prej afërsisht 4.7 miliardë lekë nga hendeku total prej 32.5 miliardë i grupit të të ardhurave me efekt në qëndrueshmërinë e buxhetit. Megjithatë, duket qartë që faktori kryesor që ka çuar në krijimin e këtij hendeku të thellë midis të ardhurave të buxhetuara fillimisht dhe atyre të pritura tashmë deri në fund të vitit 2013, është performanca ekstremisht e dobët e administratave tatim-mbledhëse, që janë përgjegjësit kryesor të gjendjes. Vlerësimi i punës së tyre ka për bazë këtë performancë tejet të dobët dhe duhet të përgjigjen sipas ligjit.

Të ardhurat totale të buxhetit fillestar ishin parashikuar me një rritje nominale prej 9.3% kundrejt 2012, ndërsa grupi i të ardhurave të cilat kanë ndikim në qëndrueshmërinë e buxhetit (tatime e dogana, fondet speciale dhe jo-tatimore) ishin parashikuar me një rritje prej 7.2%. Tashmë, kur mbeten edhe tre muaj në përfundim të vitit, këto dy tregues të të ardhurave pritet të rezultojnë përkatësisht në nivele negative prej -2.6% dhe -3.1% krahasuar me vitin 2012. Duke zhveshur efektin negativ prej rreth 1.4 miliardë lekë të ndryshimeve të disa taksave përgjatë pesë muajve të parë të 2013 (taksa e makinave dhe TAP me efekte të pa planifikuara në buxhetin fillestar), vlerësohet se efekti i përafërt i përkeqësimit administrativ në realizimin e të ardhurave totale me efekt në qëndrueshmërinë e buxhetit është rreth 26.4 miliardë lekë nga hendeku total i pritur prej 32.5 miliardë lekë. Buxheti fillestar supozonte një përmirësim administrativ neto (duke i marrë së bashku të tre zërat e të ardhurave me efekt në qëndrueshmërinë e buxhetit) përafërsisht prej rreth 2.7% kundrejt vitit 2012, ndërkohë bazuar në ecurinë e deri më tanishme si dhe në parashikimin për tremujorin e fundit të vitit, pritet që për të gjithë vitin 2013 të rezultojë një përkeqësim administrativ prej rreth -6.1% kundrejt vitit 2012. Kjo performancë e administrimit të të ardhurave për vitin 2013 është ndër më negativet përgjatë dy dekadave të fundit. Natyrshëm kjo bën me përgjegjësi dy institucionet bazë fiskale të vendit, tatimet dhe doganat. Deri në muajin Gusht, të ardhurat totale rezultuan me një mungesë prej rreth 16.2 miliardë lekë nga parashikimi i buxhetit fillestar të vitit 2013. Ndërsa totali i atyre të ardhurave të cilat kanë ndikim në qëndrueshmërinë e buxhetit (tatime e dogana, fondet speciale dhe jo-tatimore), rezultuan me një mungesë prej rreth 13.3 miliardë lekë kundrejt planifikimit për këtë periudhë të vitit. Duke iu referuar statistikave operative të administratave tatim-mbledhëse, për muajin Shtator, ky hendek vetëm për të ardhurat nga tatimet e doganat është zgjeruar me rreth 5 miliardë lekë. Për të gjithë vitin 2013 në tërësi pritet që të ardhurat totale të jenë rreth 38.7 miliard më pak se sa niveli i buxhetuar fillimisht, ndërsa grupi i të ardhurave me efekt në qëndrueshmërinë e buxhetit pritet të jetë rreth 32.5 miliard më pak se parashikimi fillestar. Nga ana tjetër, shpenzimet totale të buxhetit deri në muajin Gusht 2013 kanë qenë rreth 9.2% më tepër se e njëjta periudhë e një viti më parë. Ecuria e shpejtë e shpenzimeve, në drejtim krejtësisht të kundërt me ecurinë negative të të ardhurave, çuan në një rritje të lartë të deficitit prej rreth 129% më tepër se e njëjta periudhë e një viti më parë, ose rreth 15.5% më tepër se sa deficiti i planifikuar për këtë periudhë. Ky deficit në rritje kundrejt një viti më parë, u financua si prej të hyrave nga privatizimet prej rreth 12 miliardë lekë, ashtu edhe prej një huamarrje totale neto, e cila u përshpejtua gjithashtu ndjeshëm krahasuar me një vit më parë me një rritje prej rreth 27%.

Mbështetur në analizën e performancës së të ardhurave dhe shpenzimeve për 8 mujorin e vitit 2013, si dhe për t’ju përgjigjur risqeve të planit të buxheti 2013, është përgatitur rishikimi i ligjit të buxhetit 2013, i cili në pjesën e shpenzimeve siguron:

•Rishikimin e të gjithë treguesve të shpenzimeve të buxhetit qendror, buxhetit vendor dhe fondeve speciale.

•Sigurimin e financimit për ministritë e reja të krijuara dhe zhvendosjen e programeve të shpenzimeve, në përputhje me përbërjen e Qeverisë së re si dhe reflektimi i disa emergjencave të programit të saj.

•Reduktimin me rreth 16.2 miliardë lekë të shpenzimeve totale, si rrjedhojë e reduktimit prej 10.2 miliardë lekë të shpenzimeve korrente. Shpenzimet korrente në këtë projekt shkojnë në nivelin 24.2 përqind e PBB dhe shpenzimet kapitale në 5.5 përqind e PBB.

•Reflektimin e të ardhurave nga privatizimi i katër HEC-ve, si pjese e financimit të deficitit dhe përdorimit të tyre si shpenzime kapitale në masën 9.9 miliardë lekë, dhe si grante konkurruese (pjese e buxhetit vendor) në masën 2 miliardë lekë.

•Përdorimit të fondeve të kursyera nga shërbimet ndaj borxhit në vlerën 6.2 miliardë lekë, si dhe reduktimit prej rreth 712 milionë lekë të shpenzimeve operative.

•Rialokimin e fondeve nga projekte me performancë të ulët në projekte me performancë më të lartë, si për projektet me financim të brendshëm dhe ato me financim të huaj.

Nëpërmjet këtij ndryshimi ligjor është propozuar edhe sistemimi i një veprimi në vlerën prej 465 milionë lekë, lidhur me privatizimin e katër Hidrocentraleve, rrjedhojë e mospagesës në kohë të detyrimit tatimor që i lind shitësit nga rritja e vlerës së kapitalit, duke sjellë një kosto shtesë, e cila duhet të ishte mbuluar nga të ardhurat e privatizimit. Përsa më sipër, deficiti buxhetor rritet me 22.6 miliard lekë, përkatësisht nga 60.9 miliardë lekë në 83.5 miliard lekë, duke sjellë kësisoj një rritje të huamarrjes, pra të borxhit me rreth 24.8 miliardë lekë. Në këtë mënyrë, deficiti i përgjithshëm buxhetor arrin në 6.16 përqind e PBB-se. I shprehur si raport ndaj PBB, deficiti fiskal për vitin 2013 pritet të jetë rreth 6.2% e PBB, nga 4.3% i programuar në ligjin fillestar të buxhetit, duke përfshirë edhe përdorimin e të hyrave neto nga privatizimet prej rreth 0.9% të PBB. Rrjedhimisht, huamarrja totale neto në buxhetin e rishikuar pritet të jetë rreth 5.2% e PBB nga rreth 3.4% e programuar në ligjin fillestar të buxhetit 2013. Stoku total i borxhit publik në fund të vitit 2013, i shprehur si raport ndaj vlerësimit të rishikuar të PBB për këtë vit, pritet të shkojë deri në 68.6%, nga rreth 63.8% e PBB që ishte parashikuar fillimisht. Kjo rritje prej 4.8 pikë përqindje e stokut total të borxhit është rezultante e një rritje prej 2.4 pikë përqindje vetëm si rrjedhojë e ndryshimit të akumuluar të PBB nominal për vitin 2013 për kundrejt parashikimit fillestar (e ndarë në 0.7 pikë përqindje prej ndryshimit të PBB nominal për vitin 2011; 0.7 pikë përqindje për atë të vitit 2012 dhe 1 pikë përqindje për ndryshimin e PBB nominal të vitit 2013) dhe 2.4 pikë përqindje të tjera janë rrjedhojë e rritjes së stokut total nominal të borxhit publik. Ne jemi përpjekur te paraqesim një skenar buxheti sa me realist, duke synuar te mbyllim me sukses buxhetin e vitit 2013, pa krijuar probleme dhe detyrime te reja , mbi ato që tashmë janë bërë publike.