Shëndetësi: E ndjej veten të qetë me “mjekun tim të planifikuar”

Nga Miltiadh M. MUÇI

Mbresë e hidhur nga urgjenca e kardiologjisë së QSU “Nënë Tereza”, është titulli i një shkrimi në gazetën, “Telegraf”, më 6 qershor 2017. Një mbrëmje të javës së parë të muajit qershor u bëra pacient i shërbimit të saj. Sapo hyra sytë më shkuan në dhomën e mjekëve, ku mbi barelën e vendosur në dysheme ndodhej një i sëmurë me maskë oksigjeni në fytyrë dhe 3-4 të afërt me sy të përlotur, që më pas e shoqëruan me të qarë. U ndodha në dhomën përballë, dikur kabinet i personelit mjekësor i pajisur me monitor ku përveç krevatit për vizitë që mua më shtruan, ndodheshin dy lëvizës me të sëmurë që ndërroheshin ore pas ore, ndërsa për 24 orë më lanë në “krevatin” që kurrë i tillë s’mund të quhej. Nuk mund ta harroj pacientin e pa shoqëruar nga të afërt me dhimbje që i shtoheshin, i cili kërkonte mjekun me lutjet, “kam fëmijë të vegjël për të rritur, doktor!”, ndërsa një tjetër në gjendje kome i rrethuar nga disa mjekë, midis tyre reanimator që diskutonin me habi, pse nuk porositeshin nga drejtuesi i grupit për ta shoqëruar në reaminacion, por pritej me patjetër të takohej ndonjë familjar, sikur të mos kishte kohë më pas. 

Atë mbrëmje u binda se si kryhej shërbimi mjekësor. Kishte një procedurë pritëse 2-3 orë të përgjigjeve të analizave, mbi bazën e të cilave dhe “konsultës” me pacientin niste terapia. Pas EKO-s vendosën provën për “konvertim” të rrahjeve nga vetë zemra. Trajtimi nisi pasi iu drejtova Shefit të Urgjencës, ku më kishin harruar në atë krevat vizitash të dhomës së kabinetit, e kthyer në sallë “pritje” të të sëmurëve që ndërronin njëri-tjetrin. Ankesa bëri punën e saj dhe nisën ndërhyrjen e parashikuar 12 orë, por që zgjati 16 orë. Torturë të qëndroje i shtrirë me shpinë dhe agen në krah, që për fatin e keq ajo që dëshirohej nuk ndodhi. Por gjatë procesit me personelin e mbrëmjes së tretë ndodhën të papritura të tjera. Kulmi arriti kur infermieri nuk më dha ndihmën dhe një tjetër më habiti kur tha të “firmoste në kartelë që... kërkoj të dalë me dëshirën time”. Nga ky moment me vigonin në venë dhe fletën e elektrokardiogramës, që kërkova të më përsëritej vendosa të shkoj në pavion të kardiologjisë së gjashtëkatëshit, të më jepej shërbimi mjekësor i pa dhënë në urgjencë. Detyrohem të telefonoj Rajonin e Policisë, të denoncoj mjekun roje. Më pas bëra denoncimin mediatik, duke ngritur zërin ndaj personave që bënë sikur më shërbyen, edhe pse rrezikoja shëndetin. Mjeku roje donte ta ma ndalonte, kur tha “vetëm ti ke ankesa” dhe tentoi të ndalonte punonjësin e policisë të mbante denoncimin tim pranë shtratit. 

Kisha dëgjuar për shërbimin mjekësor dhe personelin indiferent, edhe nga kolegë të tyre, por u binda pasi e pësova në urgjencën e kardiologjisë. Drejtuesit e spitalit dhe shtetarë të mjekësisë justifikohen, si rast i shkëputur, ndërsa është një njollë më shumë për emrin e mjekut dhe të humanistes “Nënë Tereza”që mban ai spital. Kisha mësuar se spitali me emrin e “Hipokratit” është vlerësuar me pesë yje, midis spitaleve të Athinës, që tregon sa shumë të përkushtuar janë mjekët e tij të respektojnë emrin e simbolit të mjekësisë. Prisja reagime të institucioneve shtetërorë edhe pse kaloi pak më shumë se një muaj. Nëpërmjet një letre më duhej t’i kujtoja kryeministrit Rama atë që kurrë nuk e arriti “mjekësinë falas”, pa dyshim nuk është e lehtë, por e keqja më e madhe e mjekësisë tonë është “sëmundja e ryshfetit”. Historia e nisur nuk përfundoi në urgjencë, ku duhej të më kishin shtruar në pavion për diagnostikimin e sëmundjes, vazhdoi për t’u bërë më tronditëse. Pas diagnostikimit në pavionin e kardiologjisë, në shtator 2017 duhej përgatitur për ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa u ndodha, sa i zhgënjyer, aq i tronditur. Persona të afërt që kanë “kaluar” këto momente më parë më çuditën, duhej të përgatisja një grusht parash, që kurrë s’mund ta përballojë kushdo, kur duhej të përgatisja psikologjikisht edhe familjen, të cilës jo menjëherë i thashë, se do ndërroj valvulën. Shtrova pyetjen; si të veproj, të paguaj apo mos të operohem, “pa paguar nuk të prek njeri” më thanë, ose kalonin disa muaj nga koha ç’ishte rekomanduar, në fundin e vitit 2017. A mund të thuhet është “shaka”, aspak, e vërtetë. Si mund të kuptohet Neni 21 i Kushtetutës, Kreu II, Liritë e të drejtat vetjake, se jeta e personit mbrohet me ligj. Kurrsesi nuk do të dëshiroja ta besoja. Më 6 shtator mora përgjigjen e letrës, të cilës i kisha bashkuar edhe shkrimin e botuar në “Telegraf”, me titull “Mbresë e hidhur nga urgjenca e kardiologjisë së QSU Nënë Tereza”. Në përfundim të saj më thuhet “...të ndjek korrespodencën e çështjen pranë institucionit të sipërpërmendur (Ministrisë së Shëndetësisë), ndërkohë sapo të informohen prej tij do më informonin zyrtarisht”. Një përgjigje standard e Drejtorisë së Marrëdhënieve me Qytetarët, informale, mohim i të drejtës për t’u informuar”. Letra i ka kaluar për verifikim e ndjekje Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Me këtë përgjigje qytetari jo vetëm nuk e gjen zgjidhjen e problemit, por krijon konflikt me institucionin ndaj të cilit është ankuar, dhe më keq me persona të pa individualizuar, sikurse kështu edhe më ndodhi me letrën time. “Përgjigjen” jo vetëm nuk e mora nga Ministria e Shëndetësisë, por kur u takova me “mjekun tim”, që u planifikova në mes të muajit qershor për t’u operuar në muajin shtator, më 4 shtator shkoj për të më caktuar ditën e operacionit dhe më vë në dije, se aludohet emri i tij kur bëhej fjalë, se çfarë ka ndodhur në shërbimin e urgjencës, për të cilin bëra dhe kallëzim për “mos dhënie të ndihmës mjekësore”, neni 97 i KP. Në letër kam shkruar se jam “tronditur” nga bisedat e miqve të mi, vetë apo të afërt, pacientë të kardiokirurgjisë që iu është dashur të “japin ryshfet”, kur “mjeku im” absolutisht nuk më ka lënë të nënkuptoj diçka të tillë. Në bashkëbisedim e kuptuam mirë njëri-tjetrin, për të mbetur “pacienti e mjeku”. Pa hequr asnjë fjalë nga letra dhe shkrimi në gazetën “Telegraf” të 6 qershorit, duke ritheksuar çfarë ndodh në mjekësinë tonë, nuk mund të jenë fajtor një apo grup individësh, por sistemi i kalbur i shëndetësisë. Prandaj janë larguar qindra mjekë, të punojnë në Evropë, ndërsa sipas Urdhrit të Mjekut, 1200 të tjerë përgatiten të largohen. Përgjegjës janë deputetë e qeveritarë, pjesa më e korruptuar e shoqërisë, të cilët duke ditur gjendjen reale, ata apo të afërmit iu trajtohen nëpër klinikat private brenda ose jashtë vendit, midis tyre ish ministra të shëndetësisë. Disa herë miratohen edhe fonde shtesë. Ndërsa unë e ndjej veten të sigurt me “mjekun tim” të planifikuar, edhe pse drejtues të strukturave të shëndetësisë nuk e kërkojnë të keqen, në keqqeverisjen e sistemin që kanë zgjedhur. Është dobësi e tyre të aludojnë se “denoncoj” mjekun tim, kur kam kurajë të kërkoj largimin e tij dhe të kolegëve, të operohem sipas marrëveshjes së Ministrisë së Shëndetësisë në klinikat private me mjekë të huaj.