Shenasi RAMA / Hidh Votën e Bardhë të ndihesh i lirë dhe me dinjitet

548
Sigal

Në vend të një replike

Çdo përpjekje për ndryshim, qoftë në formën e një programi politik, qoftë në formën e një pakete ndryshimesh ligjore, që nuk mban parasysh këto parime themelore, është e destinuar që të dështojë. Këto elemente janë pjesë e pandashme e çdo projekti për shërimin e përmirësimin e gjendjes. Këto janë edhe parimet që duhet të frymëzojnë një forcë politike të re. Kjo duhet të jetë një parti që punon për ndryshimin e sistemit dhe për zbatimin e një projekti i cili mban parasysh dhe punon për një rindërtim të menduar mirë të strukturave e të institucioneve shtetërore, për një afirmim të vlerave e të identitetit, për një përparësi të interesit shtetëror e kombëtar dhe të vënies së interesave të bashkësisë mbi interesat personale të parisë. Kjo rrugë është rruga e ndërtimit të shtetit kombëtar, e stabilizimit të sistemit demokratik dhe e strukturave partiake. Kjo është rruga e vendosjes së një ekonomie tregu të institucionalizuar, e një administrate që zbaton ligjin, dhe e kultivimit të një shoqërie civile shekullare që kontribuon aktivisht në jetën publike. Kjo është rruga e zhvillimit dhe e të lulëzimit të vlerave morale që duhen për të kultivuar një shoqëri të shëndoshë, të begatë dhe bashkëkohore. Më në fund, por më e rëndësishmja, baza e suksesit për një tranzicion është njësimi kombëtar, formësimi i ndërgjegjes kombëtare, d.m.th. një identitet i përbashkët i shtetasve. Në rastin shqiptar, për shkak të natyrës specifike të problemit, tranzicioni shqiptar nuk mund të shihet i shkëputur nga çështja kombëtare shqiptare. Zgjidhja e çështjes kombëtare shqiptare është parakushti për suksesin e çdo reforme dhe zbatimin e çdo projekti që do t’i vendosë proceset në hullitë e duhura.

A është e mundshme që të realizohet ky projekt?

Edhe pse duket se ka dalë e keqja mbi ujë, realiteti është shumë kompleks dhe shoqëria shqiptare nuk është as uniforme, e as e pajtuar me gjendjen. Mitingjet tregojnë një pamje të retushuar të sistemit. Kjo është pjesa e terrorizuar, dhe pjesa që i është shpëlarë truri, pjesa që dridhet për bukën e gojës, e për ndëshkimin që vjen nga paria. Përtej kësaj hipokrizie të pashoqe mitingashe, që lundron si plehrat në det mbi shoqërinë shqiptare, duke shkuar nga njëri shesh tek tjetri, gjendja është e ndryshme. Njerëzit e mirë janë aty. Po cilat janë grupimet e shtresat shoqërore që janë të interesuara për këtë ndryshim? Duke folur kështu përgjithësisht, në shoqërinë shqiptare ka tre grupime të mëdha që tashmë janë konsoliduar e kristalizuar bukur qartë. Të tre këto grupe jetojnë jetë paralele dhe shpesh janë të izoluar nga njëri-tjetri. Këto shtresa janë paria e Tiranës, shtresa e mesme dhe profesionale, dhe vegjëlia urbane dhe katundare.  Mbështetja për sistemin është në nivele të ndryshme.  Paria, një pjesë shumë e vogël e shoqërisë, që bëhen a s’bëhen tre mijë vetë, e sheh këtë gjendje si të natyrshme dhe si botën më të mirë të mundshme. Ka mjaft nga pjesëtarët e parisë që sinqerisht besojnë se kjo shoqëri është shoqëria ideale, pikërisht ajo shoqëri që shpresohej se do të ndërtohej në vitin 1990 e mbas. Këta janë paria dhe pinjollët e tyre, dhe shtresa e zyrtarëve të lartë, e spekulatorëve monopolistë dhe e klientëve të spikatur të familjeve mafioze të parisë, që u pasuruan shumë shpejt e me lehtësi duke bërë të 99-tat. Këta të flasin me sinqeritet mbi virtytet e kohës dhe mbi vlerat që ka kjo shoqëri. Por këta flasin nga maja e mullarit të tyre. Sepse gjithçka që kanë, këta e kanë marrë me një krim të pashembullt, me një mungesë skrupujsh që të frikëson, dhe me një urrejtje të thellë për popullin e vet. Vetëm një ligj i fortë e sjell në fije këtë pari. Mirëpo, në këtë pikë ligjin e bëjnë vetë këta. Prandaj duhet ndryshimi. Poshtë kësaj shtrese të ngushtë të parisë që kontrollon ekonominë, politikën, shtetin, kulturën, mjetet e komunikimit e vlerat, janë dy shtresat numerikisht masive që janë të ndara në grupe me bindje të papajtueshme dhe të paqartësuara si duhet. Me këta duhet punuar. Një numër i madh shqiptarësh e kanë pranuar gjendjen si normale dhe si të pashmangshme.  Në këtë grup çdo njeri e jeton jetën sipas rregullave të xhunglës së parisë, sepse nuk din tjetër dhe se ka rënë në grackën e parisë. Këtu hyjnë mjaft nga katundarët, të shpërngulurit, shtresat e vegjëlisë urbane si dhe ata që i janë bashkëngjitur sistemit për arsye pasurimi e arrivizmi si profesorët, mjekët, profesionistët, etj. Pra, këtu hyjnë edhe pjesëtarët e shtresës së mesme, kryesisht të inteligjencës, dhe me influencë direkte mbi popullin, pikërisht grupi nga ku duhet të fillojë ndryshimi i mendësisë sunduese. Këtu hyjnë edhe të mërguarit që mbetën në fund të shoqërive ku kishin emigruar, sepse këtë nivel ndyrësie e poshtërimi përjetuan për vite të tëra, dhe tashmë këtë e shohin si normalitet e si gjendje të pashmangshme. Këtu hyjnë edhe një masë e madhe e të rinjve që nuk kanë njohur shoqëri të tjera dhe që ndjekin modelet e parisë, kanë rënë pre e propagandës së saj, dhe e jetojnë jetën e tyre në këtë realitet absurd. Ky është grupimi më tragjik, sepse këta e dinë se ky është një realitet kriminal dhe absurd, por janë shumë të frikësuar e të terrorizuar që të veprojnë.  Këta bëhen veglat e parisë për një kafshatë buke, edhe pse ajo bukë është e ngjyer në krimin e jetës së përditshme. Po ashtu, ka një pjesë shumë më të madhe të shoqërisë, që e sheh këtë shoqëri dhe rregullat e saj të sjelljes si të papranueshme dhe jo si normale. Këta janë shumica e katundarëve shqiptarë, të urbanizuar ose jo, shumica e profesionistëve, e qytetarëve dhe e të rinjve të edukuar, apo të vetë-edukuar dhe masa e madhe cilësore e emigrantëve shqiptarë. Ka shumë në mërgim që flasin. Ka shumë nga këta që jetojnë në shtetin shqiptar e nuk flasin. Por këta, që nuk e hapin gojën sepse kanë frikë, duhet që shpejt të bëjnë zgjidhjen se me kë do të jenë. Niveli i terrorizimit të shoqërisë shqiptare ka arritur në nivele të tilla sa që njerëzit nuk guxojnë as të mendojnë e jo më të flasin dhe frika është me e prekshme në këtë grup se sa në cilindo grup tjetër.  Mirëpo, për këdo që hyn në politikë, ky është grupi i shtresës dhe i individëve me influencë lokale që mund e që duhet të bëjë ndryshimin. Këta janë ata që sot gjenden ndërmjet parisë sunduese dhe popullit. Këta e përçojnë ideologjinë, sjelljet, normat dhe vlerat e parisë në popull. Këta e ndjejnë dhembjen e shtypjen njëlloj si populli. E në të njëjtën kohë, këta janë grupi më i madh dhe më i ndjeshëm, grupi që mund të bëjë ndryshimin. Çfarë mungon? Mungon ndërgjegjësimi i tyre si shtresë. Mungon ndërgjegjësimi lidhur me rrugën që duhet të ndiqet. Mungon organizmi dhe udhëheqja e duhur. Edhe këta, kanë rënë pre e propagandës së parisë që gjithçka e lidh me njerëzit, me individët e jo me ideologjinë. Por njerëzit janë gjithmonë të gabueshëm e me të meta. E megjithatë, nga këto shtresa të gjëra do të vijë ndryshimi që na duhet.

Cilat janë rrugët?

Zotëria kërkon me ditë se cilat janë rrugët e daljes nga kjo gjendje. Hapi i parë është që të ndahesh moralisht e me ndërgjegje nga paria, nga struktura e sistemi që kjo ka krijuar e që e mban gjithë shoqërinë peng të mendësisë së Ferrit. Hapi i dytë është që të qartësosh mendjen, e të kuptosh se cila është rruga e zgjidhjes, që natyrshëm kalon nga parimet e rreshtuara më lart. Hapi i tretë është organizimi dhe kundërvënia ndaj parisë me të gjithë mjetet e mundshme në demokraci. E kështu do të ndërrojnë gjërat. Por hapi i  parë është të bësh bojkot, të ndahesh me sistemin. Hidh Votën e Bardhë. Futi një vizë. Futi një XXXX të gjithëve. Kur të dalësh nga qendra e votimit do të ndjehesh njeri. Do të ndjehesh i lirë dhe me dinjitet. Dhe me lirinë tënde fillon edhe liria dhe e ardhmja e të gjithëve ne.

 Në vend të përmbylljes

Në përfundim, do t’i thoja këtij zotnisë se për me arritë diçka, duhet me besue në diçka. Qëllimet duhet të jenë të mbështetura në këto bindje që duhet të jenë më të forta se shkëmbi. Rruga kalon nga ndarja me sistemin. Kështu si është ndërtuar ky sistem i shërben parisë së Tiranës e vetëm parisë së Tiranës. Ai që është në një ishull në mes të tallazeve duhet me mbijetue vetëm duke besue se është në një shkëmb e jo. Unë besoj se populli shqiptar është një popull me vlera të jashtëzakonshme. Unë besoj se shqiptarët janë një popull me një shpirt të lirë, krenar, me respekt për ata që iu japin nder e dinjitet. Unë besoj se shqiptarët janë një popull që e meriton që të kenë një qeveri të pakorruptueshme, politikanë të ndershëm, dhe një shtet-komb që të jetë i dobishëm për të gjithë e që të garantojë begatinë, sigurinë, mbrojtjen shoqërore e vlerat normale njerëzore.   Prandaj e shkuara me ndihmon mos me ba gabimet e të shkuarës, jo me luftue betejat e të ardhmes për me zgjidhë gabimet e të shkuarës. Qëllimi është gjithnjë që të mos përsëritet e keqja. Njeriu mund të zhgënjehet në gjithçka, por nuk mund të zhgënjehet tek nëna e vet. E pra, Nëna të vdes e të len jetim e Atdheu nuk të vdes edhe kur ta marrin, ta pushtojnë, ta dhunojnë e ta grabisin, siç po ndodh me parinë e Tiranës. Kur të vdes Atdheu, atëherë njeriu vdes përditë e përditë nga pak e më shumë dhimbje, sepse Atdheu jemi të gjithë bashkë e gjithsecili në vetminë e vet.