Shenasi RAMA/Bojkoti i zgjedhjeve: Hapi i parë drejt demokracisë së vërtetë

593
Sigal

Në shtetin shqiptar do të ketë zgjedhje, por nuk ka zgjidhje. Të gjithë këta janë pjesë organike e parisë së Tiranës. Ata përfaqësojnë interesat e një grushti oligarkësh ekonomikë e politikë të klaneve  të drejtuara nga Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta dhe të tjerët. Ja disa nga arsyet pse duhen bojkotuar zgjedhjet: Unë them se të gjithë këta nuk kanë pikë dashurie për popullin, nuk kanë pikë dhëmbshurie për të varfërin, nuk kanë mirëkuptim për të pamundurin, nuk kanë mëshirë për të mjerin, nuk kanë vetëdije shoqërore e mendësi shtetari. Ti mund të shkosh të votosh për cilin të duash nga këta, por asgjë nuk do të ndërrojë. Prapë do të jesh pjesë e një populli, që këta e quajnë “kokëpalarë.” Prandaj, duke mos ua dhënë votën këtyre, që të urrejnë e të përbuzin, që duan të të rrjepin e të të shfrytëzojnë, nuk bëhesh me vetëdije pjesë e krimit, që po luhet e që do të luhet edhe më me dhimbje mbi ty e mbi familjen tënde, pas këtyre zgjedhjeve. Unë them, se këta nuk punojnë për ta vënë shtetin në shërbim të të gjithë shqiptarëve, por vetëm për ta vjedhur e grabitur për veten e tyre. A nuk të mjafton ajo që sheh e përjeton përditë? A nuk i sheh se si i vodhën të mirat, që u prodhuan me aq mund e gjak e që u përkisnin të gjithëve, i rropën shqiptarët nga e mira publike e kolektive, i shitën pasuritë e vlerat, i shfrytëzuan si deshën vetë burimet e shtetit? A nuk e sheh se si na kanë zhytur në borxh publik, na kanë mashtruar, rrejtur, dhe grabitur? Në se ua jep votën këtyre, cilitdo prej tyre, do të bëhesh pjesë e krimit të pashembullt, që u luajt kundër shqiptarëve. Prapë do të jesh pjesë e një populli, që këta e urrejnë, e neverisin dhe e përbuzin. Por, do të jesh si ai që e lë pasurinë në dorën e hajnave. Prandaj, duke mos ua dhënë votën këtyre, që të urrejnë e të përbuzin, që duan të të rrjepin e të të shfrytëzojnë, nuk bëhesh me vetëdije pjesë e krimit që po luhet e që do të luhet edhe më me dhimbje mbi ty e mbi familjen tënde, pas këtyre zgjedhjeve. Unë them se këta do të bëjnë gjithçka që munden, që të vazhdojnë degjenerimin e zvetënimin e shoqërisë shqiptare. Këta, që nuk e lëvizën as gishtin, kur kriminelët e banditët më të fëlliqtë trafikuan çdo gjë të shenjtë që ne kishim, kur shoqëria shqiptare jetonte nën terrorin e bandave, që punojnë për ta nuk kanë ndryshuar. Këta që nuk kanë pasur mëshirë për asgjë, nuk do të kenë mëshirë për ty nesër. Unë them se këta kanë vetëm një Zot, që është paraja. Për para, këta kanë shitur shpirtin e tyre, për para këta do të bëjnë gjithçka që u thotë shpirti i tyre, i uritur e meskin, sepse skllevërit e zvetënuar e të ndërgjegjshëm të një sistemi nuk bëhen dot bukëdhënës e frymëzues për brezat e ardhshëm. Këta duan të pasurohen me çdo kusht. Tani që nuk kanë ku marrin, ku të vjedhin, ku të privatizojnë, ku të korruptohen, do të drejtohen të të hanë ty, me gjithë kocka, me gjithë atë pak mall që ke, gurë e tulla që i quan pasuri, me atë apartament ku fut kokën, me atë grusht parash, që i ke ruajtur për ditën e zezë. Sepse, këta nuk njohin gjë tjetër, veç erës së parasë. Prandaj, duke mos ua dhënë votën këtyre, që të urrejnë e të përbuzin, që duan të të rrjepin e të të shfrytëzojnë nuk bëhesh me vetëdije pjesë e krimit që po luhet e që do të luhet edhe më me dhimbje mbi ty e mbi familjen tënde pas këtyre zgjedhjeve. Unë them se këta duan të na skllavërojnë e të na bëjnë, që të punojmë për bukën e gojës. Këta e kanë sjellë punën që për bukën e gojës njerëzit shesin nderin. Ata që sot shesin nderin, nesër do të shesin jetën e fëmijët e tyre. Sepse këta e dinë shtegun se si të skllavërojnë njeriun. Sot të bëjnë të dalësh në miting, të kërcënojnë me vendin e punës, të mbajnë varur, të korruptojnë, të degjenerojnë si duan ata vetë. E mendon se do të ndryshojnë nesër? Duke mos ua dhënë votën këtyre, që të urrejnë e të përbuzin, që duan të të rrjepin e të të shfrytëzojnë, nuk bëhesh me vetëdije pjesë e krimit që po luhet e që do të luhet edhe më me dhimbje mbi ty e mbi familjen tënde, pas këtyre zgjedhjeve. Unë them se duke mos ua dhënë votën këtyre, je duke treguar karakter dhe virtyt qytetar. Këta duan të të kthejnë në kafshë me të drejtë vote. Këta duan të të kthejnë në injorant me diplomë. Këta duan të të kthejnë në pronar në tokën e paligjshme, por nën kontrollin e tyre. Këta duan të të kthejnë në njeri,, që shet nderin për paranë. Këta duan të të kthejnë në njeri që për jetën e vet, shet fëmijët e vet. Këta duan të të kthejnë në njeri, që kurvëninë e konsideron virtyt, që poshtërsinë e konsideron zgjuarësi, që maskarallëkun e sheh si sjelljen burrënore. Këta duan të të kthejnë në qorrshurdhmemec politik, që pranon vjedhjen masive e krimin që kanë bërë këta vetëm për të siguruar mbijetesën e ditës e bukën e gojës. Duke mos ua dhënë votën këtyre, që të urrejnë e të përbuzin, që duan të të rrjepin e të të shfrytëzojnë nuk bëhesh me vetëdije pjesë e krimit që po luhet e që do të luhet edhe më me dhimbje mbi ty e mbi familjen tënde, pas këtyre zgjedhjeve. Unë them se duke mos ua dhënë votën këtyre horrave e maskarenjve, ti po tregon se ende ka shpresë për shqiptarët. Sepse bojkoti nuk është qëllim në vetvete. Bojkoti është hapi i parë në rrugën e vështirë të ndryshimit, të fillimit të ri, të një rruge që do të bëjë një shoqëri normale. Bojkoti i këtyre zgjedhjeve ua heq lustrën shfaqjeve publike që kushtojnë miliona euro e që nuk bëjnë asgjë për ty. Bojkoti është hapi i parë, me pa rrotull e me kuptue, se ka të tjerë që nuk e duan këtë gjendje. Bojkoti është hapi i parë me u nda me të keqen. Bojkoti është momenti, kur ti shkëputesh nga kontrolli i ujkut, që të ka kapur për fyti. Sepse, ti mund të bësh ç’të duash, këta duan vetëm të pinë gjak. Po ta kuptosh se vota është plumb, atëherë nuk do të bësh vetëvrasje, duke ua dhënë votën këtyre, por do ta drejtosh votën-plumb aty ku duhet.  Unë them se kombi shqiptar ka shumë shembuj që duhen ndjekur, ka djem e vajza që duan të japin gjithçka. Kërkoji në rrugën tënde. Aty janë. Ata janë ti, motra, vëllai, djali e vajza, mbesa e nipi, shoku e shoqja, ata që ty nuk ta merr mendja, sepse janë edhe në kalimtarët e rrugës dhe në ata që ti nuk i njeh, sepse nuk të lë llapaqenëria mediatike. Ata që nuk ta mbushin mendjen, por që duan të punojnë për të mirën e shqiptarëve, për një shtet-komb normal, për një ekonomi kombëtare, për një shoqëri që e mbron nderin e dinjitetin e qytetarëve të vet, për një system shoqëror që mbron të pamundurin, të varfërin, fëmijët, gruan shqiptare janë aty me ty.  Ata njerëz janë e nesërmja jote. Duke mos ua dhënë votën këtyre, që të urrejnë e të përbuzin, që duan të të rrjepin e të të shfrytëzojnë, nuk bëhesh me vetëdije pjesë e krimit, që po luhet e që do të luhet edhe më, me dhimbje mbi ty e mbi familjen tënde, pas këtyre zgjedhjeve, por bëhesh pjesë e zgjidhjes që fillon me dështimin e me çjerrjen e maskës së kësaj parie kriminale. Unë them se edhe po nuk pate besim se diçka  me ndodhë, mos u bëj pjesë e të keqes. Shko e voto, por voto ndërgjegjen tënde. Vëru një vizë të gjithëve. Kur të dalësh nga salla, do të shohësh ata komisionerët e shitur, që rrinë aty gati për të vjedhur të ardhmen tënd,e por do të jesh i ndërgjegjshëm, se ata do të vjedhin votën, por nuk mund të vjedhin nderin e ndërgjegjen. Mos voto për sot, mendo për nesër. Sepse vota e jote vendos të ardhmen tënde dhe të fëmijëve tuaj. Sepse vota që hedh është plumb dhe mos ia drejto atë plumb fëmijëve tuaj. Drejtoja atyre që të urrejnë e të përbuzin, që duan të të shfrytëzojnë, e të të grabisin, të të rrjepin e të skllavërojnë. Sepse jemi një hap në buzë të greminës dhe çdo votë kundër parisë, çdo votë për bojkot, e mbush të ardhmen me shpresë. Vuri një vizë të shkuarës. Duhet një fillim i ri dhe çdo fillim i ri fillon me ndarjen nga e shkuara, sidomos kur ajo është kaq e zezë dhe e vuajtur, sa e shkuara e ne shqiptarëve.