Shefqet Saliu/ Dordolecët e politikës

770
Sigal

Shqiptarët të kudondodhur kanë muaj e muaj të tërë që nuk i zë gjumi, janë të mërzitur. As hanë e as pinë, bile ndonjëherë harrojnë të marrin edhe ajër. Hall i madh i ka gjetur. “Baballarët e Kombit” në Maqedoni (deputetët shqiptarë atje) u zunë me grushte në parlament, sa lanë nam; ata të Kosovës nuk donin të qeverisnin, e lanë shtetin pa qeveri dhe pa parlament; këta në shtetin amë u grindën si qentë, u bënë koqe-koqe, por të gjithë “për të mirën e popullit”. Eh ç’hall i madh, ‘Baballarët e Kombit’ u sfilitën për të gjetur rrugët e zgjidhjes, shtegun e shtrungës nga mund të dilnin. I kaluan me ankth të plotë shqiptarët këto fenomene, prisnin me padurim me sy hapur e veshët pipëz të gjithë, nga 1 deri tek 90-vjeçarët, atë se çfarë do të ndodhte. Por, ja erdhi koha, një natë para asaj të lindjes së idhullit të Krishtërimit, natën e shenjtë të 23-24 dhjetorit 2014, qielli shndriti, dielli u ul në tokën shqiptare. U përgatit dhe u firmos një marrëveshje mes partive kryesore të shtetit shqiptar. Lajmi bëri shpejt xhiron e botës (kupto të rrotës). Shqiptarët “rilindën”, pikat e kësaj marrëveshje janë jashtë çdo norme, parimi e ligji, ajo përdhos Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Parlamentin e vërtetë, Presidencën dhe mbi të gjitha vetë sovranin popull. Ajo përçmon dhe injoron gjithçka. Kur u dha lajmi, pas mesnatës, se marrëveshja u firmos, “fishekzjarrët shpërthyen në të gjithë trojet shqiptare, bile edhe në vendet, ku kanë emigruar shqiptarët, deri në Australinë e largët”. Gojët e liga thanë se “të gjithë derrat një turi kanë”, dikush tjetër “ai stan atë bulmet ka”. Po të shohim ç’ndodhi më tej…

Morën frymë lirisht shqiptarët. U hoqën mbi 45 familje deputetësh, që kishin kohë që nuk merrnin rrogat, as para komisionesh, as dieta, nga lista e atyre që jetonin nën nivelin e mundshëm të jetesës. Nuk i shikonim dot ashtu deputetët që kishin bojkotuar Parlamentin, që “sakrifikonin” për të mirën e popullit dhe kishin dalë e shisnin një arkë banane ose paketa cigaresh, që ishin punësuar si pastrues shkallësh të pallateve ose në lavazhe makinash tërë ditën me këmbë në ujë, që i kishte punësuar bashkia në pastrim-gjelbërim dhe prisnin ferrat tek kodrat e liqenit, apo që pastronin VVC-të publike në qytet dhe mblidhnin kanoçe. Kishte edhe nga ata që nuk kishin ç’të bënin, zinin ndonjë rrëzë muri dhe vrisnin morra gjithë ditën. Më tepër populli ligështohej kur i shikonte deputetët e tij që shkonin në mensat e të vobektëve dhe hanin një supë sa për të qëndruar gjallë e që thaheshin e thaheshin nga dita në ditë. Vuanin të shkretët, se nuk kishin para të lëpinin flokët, të furnizonin makinat me gazoil, bile edhe selitë shtetërore i kishin braktisur dhe mblidheshin në restorantet me pronarë të huaj. Eh ç’i kishte gjetur! Po e keqja nuk mbaron këtu… Kur të zë hapi derën. Me ndonjë kacidhe që fitonin duke punuar turni i trete ose gjatë ditëve me shi e ngrica, deputetët që nuk shkonin në Parlament, sa mbaronin punën, shkonin me vrap dhe blinin bukë për fëmijët, ndonjë qiri të lirë për ndriçim, apo ndonjë kile grosh dhe ndonjë shishe me dhallë. Ashtu të mbështjellë me batanije copë-copë nën flakët e qiririt, pa ngrohje, meditonin dhe luteshin për të vobektët dhe kërkonin të gjenin çfarë duhet të bënin për popullin që përfaqësonin, se për t’i bërë deputetë i kanë bërë partitë e tyre. Pinin ndonjë kafe turke, të mjerët, nga ajo që u falnin kalimtarët, atje në shtëpitë e tyre pa dritë, ku frynte era nga të katër anët, që ç’binte jashtë futej brenda. E përmbysnin filxhanin dhe me ankth dëgjonin e lexonin fjalët e shkruara në muret e tij. Ah, sikur të kishin 1 000 lekë; 100 do të mbanin për fëmijët e tyre, të tjerat do t’ua shpërndanin të vobektëve, jetimëve. U duket sikur nga qielli po afrohet një kolonë e madhe me gjela deti të pjekur. Ah, shampanja dhe vera nuk duket gjëkundi. Kufoma vërtet nuk ka xhepa, po deputetët kanë pasardhës dhe e pranojnë nga halli çdo lloj dhurate.

Ndryshon puna me ata deputetë gojëmbyllur, që kanë marrë frenat e qeverisjes. Ata mendojnë si ta justifikojnë votën që u ka dhënë populli, janë gati ta ndajnë me opozitaret edhe karrigen, vetëm e vetëm që ata të kthehen në Parlament se u sfilitën, se kanë mbetur vetë dhe u është dashur të bëjnë edhe rolin e opozitës. Eh! Halle-halle kjo dynja, po halli hallit nuk i ngjan.

Ndryshon puna në popull. Kudo shikon njerëz që u është rikthyer buzëqeshja, të cilën ua ngriu ai i pari. Vërtet u plasi xhani njerëzve me ato qeveritë e mëparshme, por ja po ua shikojnë lezetin ndryshimeve që kërkuan. Vërtet u dhanë 84 vota këtyre të rinjve, por edhe këta po e mbajnë fjalën, e kanë kapur demin nga bishti. Kanë evidentuar të korruptuarit, kanë dhënë për ndjekje penale ata që shkaktuan Gërdecin, ata që vodhën në rrugën e Kombit, ata që vaditën bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me gjak, ata që tentuan të shisnin trojet shqiptare. Si asnjëherë më parë i ulën taksat, i shtuan pensionet. Korrupsioni tash i takon historisë “na ishte një herë”. Sa shkon për një hall në zyrat e shtetit, të presin me krahë hapur, të lusin për të filluar punë. Janë kthyer nëpunësit e shtetit dhe të fusin nga një 500 lekësh në xhep. Shefat e pavioneve të kirurgjisë dhe gjithë mjekët që punojnë në shtet, i kanë mbyllur ato të tyret. I kanë prerë rrugën çdo abuzimi, bile kanë filluar të hanë ushqim një herë në ditë; vetëm mëngjesin, drekën e darkën ua falin të vobektëve. Në pararojë të kësaj ndërmarrje janë ministrat dhe të paktën 30 % e administratës që ishin në funksion, edhe me qeverinë e mëparshme, se atëherë nuk e lyen rrotën, përvoja nuk u mungon.

Ja fusin kot ata qytetarë që thonë nuk hahet buka, se na griu stomakun majaja, po edhe gojët e liga që thonë hamë ushqim të pakontrolluar, kot flasin. Janë mësuar me bar e gjethe dhe nga kjo, çdo ushqim modern i kohëve të sotme u duket burim sëmundjesh. Ku di qeni të mbajë b…. . Dinë katundarët të ecin në qytet me e pa semaforë, me e pa puseta, pa vizime, ç’është energjia elektrike? Jo, nuk dinë, po të tillë janë bërë edhe ata që kanë lindur në qytet, ose qe kanë parë botën me sy. E na ngrihen e protestojnë për hidrocentralet që po bëhen në çdo vend. I miratoi ajo vroma, që theu qafën, po edhe këta kanë merita se “i verifikuan” të gjitha siç premtuan në fushatë dhe i gjetën të rregullta, sidomos ato qe ishin blerë (kupto dhuruar) investitorëve të huaj. Të gjithëve atyre që kanë qenë korrekt me pagesat e energjisë, Kryeministri u ka dërguar dhuratë për festat e fundvitit nga një fletë lavdërimi, shtëpi më shtëpi. Këta njerëz nuk shikojnë botën që zien, ndërsa ne flemë mbi dafina.

Kush do ta bënte këtë që kanë bërë këta që sundojnë sot?! Ndryshe nga sunduesi i parë, që e kishte familjar e lokal qeverisjen, krahinor pushtetin, këta të rinjtë ‘i kanë rrënjët në popull’. Është njëri ministër, asnjë tjetër nga fisi i tij nuk është në punë të shtetit. Atyre të partisë së qendrës është për t’u pirë dollinë, miqtë dhe simpatizantët e tyre nuk i lënë në rrugëkryq, që nga lindja deri sa i përcjellin në botën tjetër.

Duke dremitur me sy hapur, pas gjithë atyre ëndrrave që thamë më lart, të mjerët deputetë të listës së PD-së, panë një ëndërr e cila i zgjoi nga gjumi në momentin e fundit, kur po vajtonin humbjen e mandatit të deputetit. Për çudi, të njëjtën ëndërr e panë edhe ata të listës së PS-së e LSI-së. Doli profecia e njëshit të tyre se “padronët e tyre nuk do t’i lënë në baltë, fuqia e tyre është magjepsëse, e plotfuqishme, një goditje e tavolinës me grusht prej tyre, bën të futen nën tavolinë edhe më trimat, bile të lagen dhe të pyesin se çfarë ere ka gjaku”.

Dy jashtëtokësorë, njëri pas tjetrit, të nisur nga një planet tjetër po zbrisnin në tokë me një mesazh për ta. Mbërritja e dy deputetëve europianë në Tiranë (18-22), në kohë të ndryshme, takimi për disa minuta me Ramën, Metën dhe Bashën, prodhoi pajtimin, marrëveshjen e rezolutën. Bëri që deputetët si kopetë të shkojnë në Parlamentin Shqiptar (24 dhjetor) dhe jashtë rendit të ditës të miratonin një marrëveshje me unanimitet (126 deputetë), të bardhë e të zinj, të majtë e të djathtë, për pak minuta. Sa e thjeshtë paska qenë! Europa rospi plakë, elita e politikës shqiptare arrogante dhe servile deri në përulje spektakolare. C’turp, ç’fatkeqësi, elitë mjerane, padronë arrogantë!

O njerëz, o shqiptarë, paçi fat dhe të mos sëmureni kurrë, sidomos ju që nuk jeni të moshës 45-65 vjeç; mos kaloni nga një trotuar në tjetrin, se nuk ka fonde për të bërë vijat e bardha, u ndihmoftë fati të mos të keni punë me zyrat e shtetit, gjykatat, me zyrat e pensioneve, etj., etj.. Politika në çdo vend të botës virane, por këtu tek neve ajo e kalon çdo cak. Fshati digjet dhe politikanët tek neve krihen. I zoti duhet të nxjerrë gomarin nga balta, por tek ne i thonë “hajde më qaj burrin, se do të shkoj në dasmë”. Bëni më të mirën për vete dhe familjen tuaj, se tek neve drejtuesit ndërrojnë qimen, por zakonin nuk e harrojnë. Vendi ynë ka shumë pleq, kujt t’ia prishësh e kujt t’ia ndreqësh. Fitore e madhe e quajtën të huajt këtë marrëveshje të shtirë e të pështirë, sa e miratoi Parlamenti Shqiptar: Jermani: “Dita e djeshme një ditë e madhe për shqiptarët”; “Misioni mbaroi me sukses”, tjetri?! Ah! Fara e mbjellë në fillim të viteve ‘90 është farë e keqe, kjo elitë politike nuk di të falë pak dashuri për popullin fisnik shqiptar, ajo ndjell vetëm kriza e zi. Tiranë.

Historia fillon me të zgjedhurit e “1 milion shuplakave”

Vërtet u dhanë 84 vota këtyre të rinjve, por edhe këta po e mbajnë fjalën, e kanë kapur demin nga bishti. Kanë evidentuar të korruptuarit, kanë dhënë për ndjekje penale ata që shkaktuan Gërdecin, ata që vodhën në rrugën e Kombit, ata që vaditën bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me gjak, ata që tentuan të shisnin trojet shqiptare. Si asnjëherë më parë i ulën taksat, i shtuan pensionet. Korrupsioni tash i takon historisë “na ishte një herë”. Sa shkon për një hall në zyrat e shtetit, të presin me krahë hapur, të lusin për të filluar punë. Janë kthyer nëpunësit e shtetit dhe të fusin nga një 500 lekësh në xhep. Shefat e pavioneve të kirurgjisë dhe gjithë mjekët që punojnë në shtet, i kanë mbyllur ato të tyret. I kanë prerë rrugën çdo abuzimi, bile kanë filluar të hanë ushqim një herë në ditë; vetëm mëngjesin, drekën e darkën ua falin të vobektëve. Në pararojë të kësaj ndërmarrje janë ministrat dhe të paktën 30 % e administratës që ishin në funksion, edhe me qeverinë e mëparshme, se atëherë nuk e lyen rrotën, përvoja nuk u mungon…