SHBA rikthehet te dinjiteti tradicional

554
Sigal

Ruben Avxhiu

Çfarë na kujtuan Trump
dhe Klinton? Kjo fushatë zgjedhore është konsideruar si nga më të ndyrat në
historinë moderne të SHBA. Madje u fol hapur se demokracia amerikane kishte
marrë një goditje të pariparueshme. Mirëpo, sot, kur gjithçka ka mbaruar dhe
fituesit janë shpallur, nuk ke si të mos ndihesh krenar që të gjitha traditat
zgjedhore amerikane janë respektuar. Trump shpalli fitoren, duke lavdëruar
rivalen e tij e duke thënë se i detyrohemi shumë për kontributin që ka dhënë. Klinton
pranoi humbjen, duke i uruar sukses në punën e tij Presidentit të zgjedhur
Trump. “Gjatë natës që iku, përgëzova Trump dhe i ofrova të punoj me të për të
mirën e vendit tonë”, tha ajo. “Shpresoj që ai do të jetë një president i
suksesshëm për të gjithë amerikanët. Ky pranim nga kandidatja demokrate dhe
para saj nga Presidenti në fuqi i SHBA, Obama shënojnë respektimin e traditës së
madhe amerikane të përcjelljes së pushtetit në mënyrë paqësore dhe të ligjshme.
Si askund në botë, këtu në SHBA, duhet të kalojnë tre muaj përpara se presidenti
i zgjedhur të ngjitet në pushtet. Këto tre muaj shërbejnë për një dorëzim të
kujdesshëm, të përgjegjshëm e të shkallëzuar të pushtetit për hir të
qendrueshmërisë së vendit. Kjo nuk ishte një fushatë për t’u krenuar, por
Amerika ende ka shumë çfarë të na mësojë për mënyrën se si sillemi në fitore e
në humbje. “Trump do të jetë presidenti ynë. Ia kemi borxh një mendje të hapur
dhe një shans që të udhëheqë, tha Klinton. Dhe kur e thotë ajo, që ishte
humbësja më e madhe e natës së kaluar, kush jemi ne të tjerët që ta vëmë në
dyshim.

Fjalimi i Trump

Vetë njeriu që do të
marrë pushtetin në 20 janar, foli gjithashtu me tonin që flasin rregullisht
fituesit në Amerikë. “Të gjithë Republikanëve dhe Demokratëve dhe të pavarurve
në mbarë këtij vendi, u them se kjo është koha për t’u mbledhur bashkë, si një
popull i bashkuar”, e nisi ai fjalimin e fitores. “Ka ardhur koha. Unë i
betohem çdo qytetari të tokës sonë se do të jem president i të gjithë
amerikanëve dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua. Duke iu drejtuar atyre
që nuk kanë votuar për të, Trump tha se “po ju kërkoj udhëzimin dhe ndihmën
tuaj për të punuar së bashku që të bashkojmë këtë vend të madh”. Në politikë,
idealistët dhe optimistët duhet të kenë zemër të fortë përndryshe janë përjetë
të nëmur me zhgënjime. Nuk ka dyshim se pas fjalimeve të bukura, ky mbetet po
ai vend i përçarë dhe se këtë radhë fitues doli ai që theu zakonin e fjalorit
etik në publik. Nuk ka dyshim që Demokratët do ta sabotojnë Presidentin Trump
ashtu si Republikanët sabotuan për tetë vjet Presidentin Obama. Nuk ka dyshim
që nga vetë natyra e tij, presidenti i sapozgjedhur do të kërkojë të
anashkalojë pengesat që i vë vullnetit të Shtëpisë së Bardhë, Kushtetuta
amerikane. Po kjo nuk do ta bëjë atë shumë të ndryshëm nga të gjithë
presidentët e tjerë, përfshi edhe atë të sotmin. Shpresa është që hapësirën që
kanë krijuar politikanët për zyrën e presidentin, duke devijuar nga skema e
ngurtë e baballarëve të Amerikës, Trump të përpiqet ta përdorë për të mirën e
vendit dhe të demokracisë. Disa nga frikërat që kanë shoqëruar ngjitjen në fuqi
të Trump janë të tepruara. Disa për fat të keq bazohen mirë në deklaratat e tij
të papërgjegjshme gjatë kësaj gare. Ajo që ka ndodhur nga ana tjetër në histori
ka qenë që pesha e institucioneve në fund e lëmon ekstremitetin e udhëheqësve.
Ndryshe nga Italia e Musolinit, Gjermania e Hitlerit apo Rusia e
Lenin/Stalin/Putinit, tradita demokratike në SHBA ka peshë shumë më të rëndë
dhe pengon ndryshimet e këqia po me atë sa pengon ato të këqia. Amerika ka
treguar shpesh se është vendi ku Kasandrat nuk besohen me të drejtë. Tetë vjet
më parë, komentuesit në SHBA dhe në botë ishte në ekstazë për epokën e re që po
agonte me Presidentin Obama. Mirëpo, ndërsa ekonomia amerikane është
përmirësuar shumë dhe shumë padrejtësi janë vënë në vend, SHBA ka njohur kriza
të reja shumë të forta të besimit ndaj institucioneve, si nga e majta ashtu
edhe nga e djathta. As nuk patëm shoqërinë post-racore që u përfol aq shumë. Në
fushën e jashtme, Presidenti Obama e nisi me një fjalim historik në botën arabe
dhe një shpallje rifillimi nga e para të marrëdhënieve me Rusinë. Sekretarja e
Shtetit që zgjodhi, Klinton, paralajmëroi kthimin e interesit amerikan drejt
Azisë. Asnjë nga këto nuk u materializuan në ndryshime pozitive. Lindja e Mesme
pa daljen në skenë të ISIS, shkatërrimin e dy-tre shteteve nga lufta civile,
rifuqizimin e talibanëve, dështimin e Pranverës Arabe dhe rrëzimin e
demokracisë në Turqi. I vetmi rifillim me Rusinë, duket se ka qenë kthimi i
Putinit në politikat e shekullit të 19, ku pushtimi i territoreve dhe jo
ndikimi ekonomik e kulturor masin forcën e shteteve. Ai sot kërcënon në Europën
Lindore përfshi edhe Ballkanin. Në Azi, Kina po kërcënon një stabilitet
gjysëmshekullor në Detin e Kinës së Jugut, duke nervozuar në maksimum fqinjët
që tani rrezikojnë të rrëshqasin në një garë të re armatimesh. Edhe vetë BE,
një gur themelor në rendin e ri botëror po shënon krisje shumë shqetësuese, që
kurorëzohen me largimin e Mbretërisë së Bashkuar. Nëse kaq shumë gjëra negative
ndodhën pas një momenti aq të gëzuar që u konsiderua si fillim i një epoke
pozitive, kemi arsye të besojmë se në mnyrë të ngjashme, gjëra të mira mund të
ndodhin kur ndodh diçka që shihet si apoliptike.

Shqetësimi i
shqiptarëve

Shqiptarët kanë të
drejtë të mërziten se te H. Klinton kanë pasur një udhëheqëse që e njihte botën
e tyre dhe që sillte një kuadër diplomatësh dhe ekspertësh që kishte njohuri e
familjaritet për shqetësimet shqiptare. Mirëpo, shqiptarët janë mërzitur njësoj
për fitoret e të gjithë presidentëve të fundit, nga B. Klinton, Xh. Bush dhe
Obama. Ndërsa, në fund të mandateve të dyta të këtyre presidentëve, shqiptarët
kanë parë me shqetësim largimin e tyre. Në politikë, parashikuesit e fatit janë
një profesion të ngjashëm me atë të bastexhijve të sportit. Gazetari Kevin
Williamson ka postuar një anektodë të vjetër që përmbledh fare mirë urtësinë me
të cilën njerëzit duhet të presin kthesat në histori. Babë e bir kishin një
kalë të mirë me ndihmën e të cilit punonin për të mbajtur fermën e tyre. Një
ditë kali ia mbathi dhe u iku nga ferma. U thanë bashkëfshatarët: “Mos, çfarë
fati i keq”. Plaku i fermës tha: “Mbase po, mbase jo. Të shohim”. Pas pak
ditësh, kali u kthye bashkë me disa pela që i kishin ardhur nga pas. U thanë
bashkëfshatarët: “More, sa mirë që ju doli vërtet”. Plaku i fermës tha: “Mbase
po, mbase jo. Të shohim”. Të nesërmen, i biri u përpoq të lidhte një nga pelat,
mirëpo ajo e goditi me shqelm dhe i theu këmbën. I thanë bashkëfshatarët: “Mos,
çfarë fati i keq”. Plaku i fermës tha: “Mbase po, mbase jo. Të shohim”. Pak
ditë më pas, ushtria mbërriti në fshat dhe mobilizoi për në luftë të gjithë
djemtë në gjendje të mirë fizike. I thanë bashkëfshatarët plakut: “Të shpëtoi
djali nga lufta, çfarë fati i mirë”. Dhe plaku i fermës tha: “Mbase po, mbase
jo. Të shohim”. Nganjëherë rreziku më i madh për të gjithë nuk janë edhe aq kthesat
historike sesa janë entuziazmi i tepruar apo paniku i panevojshëm me të cilin
reagojmë. Historia na jep plot arsye për t’u trembur por edhe për të pasur
besim. Për ata që janë tmerruar nga fitorja e Trump dhe presin fundin e botës
dhe për ata që janë të ekzaltuarit e radhës e presin një botë të re (apo në
këtë rast të vjetër), ai plaku proverbial i mësipërm ka vërtet përgjigjen më të
mirë.