Shahin Matraku, sipas epikës historike

3477
Nga Gëzim ZILJA
Është një nga ato figura që më ka ngelur në mendje qysh në fëmijëri nga piktura e famshme e vitit 1930, e piktorit Spiro Xega. Më tërhiqte shumë veshja, armatimi, peizazhi, pylli, vetë Shahini me atë mjekër deri në gjoks, të tjerë luftëtarë, mishi në hell, etj, etj. Fantazoja për jetën e këtyre njerëzve në luftë me natyrën e “armikun”, që ia dilnin të mbijetonin dhe merreshin madje edhe si shembull. Më vonë, nga dokumentet, kujtimet e ndryshme të bashkëkohësve dhe të atyre të mëvonshëm dhe këngëve historike, mësova shumë të vërteta dhe të pavërteta. Gjithsesi në tablonë romantike të Xegës, më dilte mangët figura e Silës, gruas apo dashnores së Shahinit: Do ta prish shtëpinë, do ta bëj lëndinë/do ta marr moj dado, kapedanë Shahinë/Tyke shkuar rrugës, poqa më Shahinë/ Tyke shkuar rrugës, seç më tha një fjalë/Te lumi Osojës, ç’u hodha matanë/Do ta marr moj dado, Shahin Kapedanë.

Mjaftojnë këto vargje të kuptojmë se cila ishte Sila dhe sesi ajo vendosi të prishte (të largohej) shtëpinë dhe të jetonte maleve e lëndinave me hajdutin e famshëm. Po dashuria e Shahinit për Silën është e aq madhe sa kapërcen çdo vështirësi e pengesë. Dhe Shahini me Silën: Merrëm Shahin merrëm, merrëm mos më ndaj?/ Rri moj Sile rri, se unë jam firar (kaçak, më kërkojn koshadhja)/ Po këmbëngulja e vajzës të habit dhe të bën të ndjesh një admirim të pafund kur kujton kohën dhe vendin ku zhvillohet ngjarja : Merrëm Shahin, merrëm, se jam fukara/ Në daç me kurorë, në daç me nigja’. Sidoqë të jetë ti më merr mua me ose pa kurorë me pajë apo pa pajë. Hajde Shahin hajde, që sot’ ta pjekim/ Rri moj Sile rri, se mua më ndjekin…”. Si thotë dhe kënga Shahini i ka dhënë karar dhe jo vetëm e ka darovitur nusen e vet por është martuar si e do zakoni e tradita: Dy tre bylezikë ç’ja kanë vënë dorës/Më more më qafë kaurkë e Osojës/Ky prifti i Kucakës të shtiri kurorë.

Ky fakt ndoshta e bën më interesante jetën e Shahin Matrakut. Të tjerat janë pak a shumë njëlloj. Refuzoi të shkonte nizam dhe u burgos në Korcë bashkë me të vëllanë. U dërgua në burgun e Manastirit ku kreu dënimin 5 vjet dha pastaj u lirua. Nga ky çast doli kacak dhe formoi një çetë, që në raste të veçanta thonë se arrinte 20-25 vetë!? Nga Korça na vjen fermani/Lipset Shahin Kapedani/Shahinin e mban Opari/në një pyll në një errcirë/Bën dyfek xhaxha Shahini/Bën dyfek e s’tundet trimi. Shahini ishte nga fshati Popçisht siç e thotë dhe kënga. “Tek kisha, majë Gavlishtit /Lufton Shahini i Popçishtit”. Vendet që strehohej çeta po edhe ku zhvilloi luftimet ishin krahina e Gorë-Oparit, Pylli i Gavlishtit dhe i Bakullit, fshatrat Gribjen, Babjen, Dërdush, Gjinikas, Osojë etj. Dy herë do të kallëzohet vendqëndrimi i kaçakut të famshëm, një herë nga një farë Mete, që del se ishte kushëri i parë me Shahinin. Çeta arrin të çajë rrethimin si gjithmonë duke lënë pas vetes gjurmë gjaku. Ka një keqardhje në këtë rast për ‘’spiunin Mete ’’ gjë që duhet thënë se nuk vihet re në këngët e kaçakëve në Jug dhe në Veri të Shqipërisë. Ky Marjani i shkretë, mbushur plot nizamë/ Bini moj muzika, bini në të qarë/ Lufton me Shahin’ kushëriri i parë/Nga dritarja e shkëmbit, dy martina ranë/ O të shkretin Mete, ç’e zuri në ballë/ Hodua i Gribecit:- ta zëmë të gjallë/ Ky Kajo Babjenji; mos se janë shqiptarë… Gjithsesi plumbi Meten e ka marrë në ballë, duke mos i dhënë shans për të parë më dritën e diellit. Për vrasjen e Shahin Matrakut, thuhet se Porta e Lartë përhapi lajmin fals se e kishte falur. Një farë Muharrem, me këtë rast e ftoi për darkë në teqenë e Vërpckës. Sapo ka kaluar derën e teqes koshadhja i është hedhur sipër dhe i ka prerë kokën. Voskopojë e shkretë mbuluar me plloça/ik o Shahin ik, se t’arrinë nga Korça/Kapedan Shahini me një zë të trashë/O burra o shokë t’i presim me pallë/ ….. Brenda Voskopojë/ dy martina ranë/ bën dyfek Shahini / me treqind nizamë/ Ju sosnë fishekët, forra, jataganë!/ Kapedan Shahini, Kapedan me pallë/ Ky Beqo Gjobabsi/ Seç mori përruanë/ S’kish zanat dyfeknë/ Kish zanat cekanë…” Mendoj se do të ketë pasur një këngë vaji për Shahin Matrakun në mos nga krahina e tij, nga Sila, gruaja apo e dashura e vet. Mjerisht nuk kam gjetur një varg të vetëm megjithëse jam përpjekur të lexoj gjithçka që është kënduar e folur e shkruar për të.

Post Scriptum
Më 12.11.1884 çeta e Shahin Matraku rrëmben (merr peng) patriotin e njohur Gjerasim Qiriazi, vëllanë e motrave Qiriazi, të njohur për veprimtarinë e tyre patriotike sidomos për përhapjen e arsimit shqip. E mbajtën peng gjashtë muaj deri sa pagoi detyrimin e caktuar. Gjerasimi (1858- 1894) lidhur me këtë ngjarje shkroi një libër me titull “Pengu i Kaçakëve”, ku përshkoi jetën që kaloi si peng. Me gjithë trysninë e ushtruar mbi të nga Shahini, Gj. Qiriazi i betohet, se kur ta lirojnë, ai do të tregojë të vërtetën. Shahin Matraku në një ligjërim të gjatë, midis të tjerash, i drejtohet tepër i zemëruar: … A ka ndonjë që nuk vjedh, nuk gënjen e nuk lakmon? Gënjeshtra, hajdutëria dhe lakmia maten me kute të ndryshme dhe shpesh fajtorët rrinë rehat në shtëpitë e tyre e gjëllojnë në mes të atyre që gërthasin për drejtësi. Tërë bota e di se ne vrasim, plaçkitim dhe mashtrojmë, kështu që njerëzit ruhen prej nesh. Prandaj, ma do mendja, që nuk jemi aq të rrezikshëm sa të tjerët. Kush ia vë veshin atij që thotë të vërtetën? Si në kohët e vjetra, ashtu edhe tani, të ligjtë duan t’i fshijnë nga faqja e dheut ata që punojnë për drejtësi. Në sytë e botës të ligjtë mbahen për shenjtorë, por përbrenda janë plot hilera e ligësi…’’

Marrë nga libri, Pengu i Kaçakëve
Sigal