Shaban Sinani: Komiteti Shqiptar i Helsinkit, dallëndyshja e parë e demokracisë në Shqipëri

697
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, sot kujton e nderon rrugën e vet 25-vjeçare të veprimit si organizatë për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve në vend. Ky komitet është organizatë e parë joqeveritare që u krijua në Shqipëri, pikërisht në ditët e para në kapërcyell prej shoqërisë së vigjilencës në shoqërinë e lirive themelore njerëzore. Ishin një grup intelektualësh të njohur: akademikë, gazetarë, regjisorë, diplomatë, që paraqitën me shkrim dhe zyrtarizuan për herë të parë në Shqipëri kërkesën për themelimin e një shoqate që do të merrte përsipër mbikëqyrjen dhe raportimin mbi gjendjen e të drejtave të njeriut dhe do të bënte të mundur marrjen e tyre nën mbrojtje qytetare, morale dhe ligjore, në kuadër të Federatës së Komitetit Botëror të Helsinkit. Nismëtarët e kësaj organizate meritojnë sot nderimin tonë, meritojnë nderimin e gjithë shoqërisë shqiptare, për këtë hap të rëndësishëm, që çonte drejt një koncepti të ri për liritë dhe të drejtat e njeriut. Do të merrte fund me këtë hap koncepti i mëparshëm, që liritë individuale burojnë e sigurohen prej lirive kolektive dhe që shteti vetë është garanti i këtyre lirive. Do të promovohej për herë të parë koncepti, se liria e një shoqërie përcaktohet jo nga pikëpamja e klasës, por nga liria e gjithsecilit. Me themelimin e të parës organizatë të të drejtave të njeriut, Shqipëria e asaj kohe, megjithëse ende nuk e kishte nënshkruar Aktin Final të Helsinkit për një Europë të Re, mbi bazën e së cilës do të krijohej OSBE-ja e sotme, do të hidhte një hap historik europianizues të mendimit qytetar. Komiteti Shqiptar i Helsinkit, qysh në ditët e para gjeti mbështetje dhe solidaritet të menjëhershëm prej veprimtarëve të mirënjohur të të drejtave të njeriut në Europë. Themelimi i tij u përshëndet menjëherë prej agjencive perëndimore të shtypit dhe emisioneve shqip të radiove dhe televizioneve europiane e amerikane, që kishin intensifikuar transmetimet e tyre për zhvillimet në Shqipëri. Homazhi ynë shkon sot tek të gjithë ata që inkurajuan themelimin dhe mëkëmbjen e tij, në mënyrë të veçantë tek aktivistja e njohur, studiuesja, humanistja dhe dashamirësja e shqiptarëve Berit Backer, fundi i së cilës edhe sot mbetet i errët; apo tek veprimtarja e vendosur Christine von Kohl, që me kohë ishte bërë një zëdhënëse e denjë e shqetësimeve të mëdha që kishte kaluar Shqipëria në kushtet e shoqërisë së kontrollit dhe të mosnjohjes së lirive individuale. Nderimi ynë u rezervohet gjithashtu veprimtarëve kurajozë, vullnetarë që iu bashkuan veprimit të Komitetit të Helsinkit në gjithë Shqipërinë, në kushtet kur emri i tij ishte ende i frikshëm dhe duhej guxim e qytetari për t’iu bashkuar. Pati prej atyre që bashkudhëtuan me Komitetin në kohë të vështira dhe më vonë ua lanë vendin aktivistëve më të rinj, por pati dhe nismëtarë që nuk iu ndanë asnjëherë Komitetit Shqiptar të Helsinkit për asnjë çast gjatë një çerek shekulli, duke dëshmuar se liritë dhe të drejtat qytetare për ta ishin një vokacion i brendshëm, si akademik Arben Puto dhe regjisori Kujtim Çashku, dhe mjaft të tjerë. Një nderim i merituar u drejtohet sot intelektualëve dhe aktivistëve të shquar të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, të cilët punuan me gjithë energjitë dhe dijet e tyre për të drejtat e qytetarëve derisa u ndanë nga jeta: studiuesit Jorgo Bulo, përkthyesit Jusuf Vrioni, shkrimtarit Dhimitër Xhuvani, juristëve Manol Konomi e Neshat Tozaj. Përgjatë 25 vjetëve, Komiteti Shqiptar i Helsinkut është shndërruar në një pikë reference themelore brenda dhe jashtë vendit si organizatë që vepron në mbrojtje të të drejtave dhe lirive qytetare. E nisi rrugën e vet mes vështirësish të mëdha e të jashtëzakonshme, u bë shumë shpejt një monitorues i vendosur i raporteve të njeriut me pushtetet e institucionet e tyre; i situatave të lirive dhe të drejtave të shtetasve në institucionet e mbyllura, si burgje, paraburgime dhe komisariate të policisë; mundësoi njohjen e pjesës më të errët dhe më rrezikuese të lirive qytetare duke i kthyer ato në çështje publike; bëri të ditur në botë dhe fitoi mbështetje dhe solidaritet ndërkombëtar për kauzat më të rëndësishme; përfaqësoi të pambrojturit; ofroi ndihmë juridike për grupimet më të rrezikuara, shërbeu si oponencë e procesit të ligjbërjes në Shqipëri; luajti një rol parësor për të formuar brezat e rinj me vetëdijen e lirive themelore; u bë një avokat i pazëvendësueshëm për grupimet më të ekspozuara ndaj përdallimit; u shndërrua në një partner të efektshëm të organizatave të mirënjohura europiane për mbikëqyrjen e proceseve zgjedhore dhe ushtrimin e lirive bazë që e bëjnë qytetarin pjesëmarrës në mirëqeverisje dhe në rrugëtimin e vështirë drejt shtetit të së drejtës – të vetmit ideal strategjik të shoqërive liberale. Ka pasur jo pak arritje në veprimtarinë e Komitetit Shqiptar të Helsinkut, por në këtë ditë jubilare le të veçojmë tri ngjarje-shenja të jetës së tij: 
1. Kërkesa për lirimin e të dënuarve politikë vetëm një ditë pas themelimit, duke rezultuar zëri më i hershëm i shqiptuar brenda vendit në mbrojtje kësaj shtrese që ishte privuar nga liritë dhe të drejtat ekzistenciale pikërisht sepse kishte ëndërruar për to;
2. Pjesëmarrja kontribuuese për konceptimin dhe përfshirjen e një kreu thelbësor për të drejtat e njeriut në Dispozitat Themelore, që luajtën rolin e një kushtetute në tranzicionin e parë drejt shoqërisë së demokracisë liberale; 
3. Roli i posaçëm për heqjen e dënimit me vdekje.
Në të tria këto çështje advokimi i KSHH, në sinkroni me faktorët europianë e ndërkombëtarë, ka qenë më se i rëndësishëm. Komiteti Shqiptar i Helsinkit prej kohësh nuk është më i vetëm, as si subjekt joshtetëror, as në kuadër të gjithë rregullimit shtetëror të jetës politike dhe shoqërore të vendit. Ka ndryshuar gjithashtu dhe pamja e përgjithshme e rrjetit europian të organizatave në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Mundësitë e veprimtarisë në këtë fushë janë gjithnjë e më të kufizuara, brenda dhe jashtë vendit. Roli i shtypit është rritur dhe asistenca juridike si marrëdhënie e qytetarit me institucionet gjithashtu. Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i mbështetur në përvojën e vet 25-vjeçare, si një organizatë me ndërtim vertikal dhe e pranishme në shkallën vendore e qendrore, me rrjetin e bashkëpunëtorëve dhe korrespondentëve kudo në Shqipëri, me ekspertizën e specialistëve të njohur nga disa fusha të së drejtës dhe të jetës publike, është në gjendje të përballet me sfidat e kohëve të reja dhe të kryejë detyrat e veta e të ushtrojë funksionet që i takojnë duke modernizuar edhe vetveten. Me modesti ai e sheh veten tashmë jashtë protagonizmave, si një aktor specifik i një rrjeti prej mbi 3500 subjektesh që veprojnë zyrtarisht në Shqipëri për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore njerëzore

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 09.12.2015
Sigal