Shaban MURATI/ Njohjet e Kosovës si status subjekti të pavarur ndërkombëtar

520
Sigal

Në BE integrohen dhe pranohen  shtete të pavarura dhe jo etnitete apo provinca

Procesi i njohjes ndërkombëtare të Kosovës ka ndjekur një dinamikë pozitive, duke kapërcyer vështirësi, të njohura dhe të panjohura për shtete e tjera të reja. Ashtu si dhe njohjet e shteteve të tjera, që dolën nga shembja e ish- Jugosllavisë, edhe Kosova hasi pengesën e parë dhe kryesore nga shteti i ri, Serbia, e cila ishte e vetmja, që këmbënguli për ruajtjen, edhe me luftë, të Federatës Komuniste Jugosllave. Por ashtu, si shtetet e tjera të reja, që dolën nga ish -Jugosllavia, Kosova e lirë dhe e pavarur pati përkrahjen e fuqishme dhe inkurajimin e shteteve kryesore demokratike të botës.

6 vjet nga shpallja e shtetit të pavarur të Kosovës niveli i njohjeve ka arritur në 106 shtete, çka provon drejtësinë e aktit të madh historik të Kuvendit të Kosovës të 17 shkurtit 2008 për shpalljen e pavarësisë. Në historikun e shkurtër gjashtëvjeçar kemi dy momente të rëndësishme, të cilat kanë ndihmuar dhe duhet të ndihmojnë për rritjen e numrit të njohjeve ndërkombëtare të saj. Momenti i parë është vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë në 22 korrik 2010, e cila vendosi dhe sanksionoi ligjshmërinë ndërkombëtare të aktit të shpalljes së Pavarësisë. Momenti i dytë është marrëveshja e 19 prillit 2013 mes Serbisë dhe Kosovës, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Momenti i parë krijoi bazën legale të kërkesës dhe ofensivës diplomatike për njohjen e Kosovës nga shtete hezituese në kontinente të ndryshme. Momenti i dytë krijoi në planin diplomatik koniunkturën e re të favorshme për neutralizimin e pengesës serbe ndaj statusit të shtetit të Kosovës si subjekt i pavarur i së drejtës ndërkombëtare.

Angazhimi nëpërmjet një marrëveshje ndërkombëtare, të garantuar nga BE, se të dy vendet nuk do të pengojnë njëri- tjetrin dhe as do të inkurajojnë shtetet e tjera të pengojnë integrimin e tyre në BE, është njohja de facto e statusit të shtetit të pavarur të Kosovës. Në BE integrohen dhe pranohen si anëtarë shtete të pavarura dhe jo entitete apo provinca. Dhe është e kuptueshme se pa njohjen e Kosovës jetësohet pamundësia e anëtarësimit të Serbisë në BE.

Këto dy momente kanë qenë dhe janë një arsenal juridik dhe politik me shumë vlerë për diplomacinë e Kosovës në strategjinë e  zgjerimit të hartës së njohjeve ndërkombëtare të shtetit. Procesi i njohjes ndërkombëtare ka qenë dhe është jo i lehtë, për arsye dhe motive të ndryshme historike, politike, diplomatike, ekonomike, gjeopolitike, psikologjike, precedenciale, etj.. Disa elemente të grupit të vështirësive mund të kishin patur një menaxhim më të përshtatshëm me rrethanat vendore, rajonale dhe ndërkombëtare.

Ndër këto elemente mund të përmendim:

-Shdërrimi i çështjes së njohjes në një objekt të luftës politike apo elektorale të brendshme në Kosovë. Në disa etapa të jetës politike çështja e njohjeve është semplifikuar si garë shpejtësie, e cila do të kishte grafik të njëtrajtshëm drejt lartësive. Por diplomacia është shumë e pangjashme me sportin dhe një proverb i vjetër diplomatik e simbolizon nevojën e urtësisë me shprehjen “diplomacia është përtace”. Çështja e njohjes së shtetit është pjesë e interesit shtetëror dhe kombëtar të të gjitha partive të spektrit politik të vendit. Shndërrimi i saj në top elektoral krijon klimë jo inkurajuese si në grupin e shteteve, që nuk e kanë njohur, por edhe në grupin e shteteve, që e kanë njohur atë  dhe që sponsorizojnë njohjen e saj tek shtetet e treta.

-Personalizimi i strategjisë diplomatike të njohjes së Kosovës dhe margjinalizimi i parimit të rëndësishëm të njohjes së shtetit si meritë e institucioneve përfaqësuese, e popullit dhe e shtetit, që e kërkon dhe e meriton atë si subjekti i pavarur i së drejtës ndërkombëtare. Në etapa të ndryshme personalizimi ka shkaktuar friksione funksionale në veprimin diplomatik,  duke prodhuar disa herë një dukuri jodiplomatike të njoftimeve të njerës apo tjetrës njohje të Kosovës, ende pa u sanksionuar në kanale diplomatike dhe me dokumente zyrtare nga shtetet njohëse. Efekti është lehtë të merret me mend, sepse një shtet serioz nuk mund të presë me kënaqësi faktin që negociatat dypalëshe për njohjen, ende të papërfunduara, shndërrohen në produkt publik nga pala kërkuese. Shpallja e parakohshme e sukseseve të njohjeve ka shkaktuar lëvizje me efekt të pakëndshëm, sepse disa herë ka shërbyer si zile zgjimi për veprimtarinë e diplomacisë së Serbisë për të penguar apo bllokuar njohjen nga shtetet, për të cilat në Prishtinë njoftohej se do ta njihnin Kosovën.

-Qëndrimet e paqarta të lëshuara nga Tirana kanë marrë disa herë formën e bumerangut për procesin e njohjeve. Në qarqet diplomatike është përmendur se qëndrimet e nxituara dhe retorika nacionaliste e përfaqësuesve të ekzekutivit për “bashkimin e Kosovës me Shqipërinë” dhe për “bashkimin e gjithë shqiptarëve në një shtet” apo për prishjen e kufijve, kanë qenë kontraproduktive dhe shpesh herë frenuese në planin diplomatik ndërkombëtar për avancimin e njohjeve. Me dashje apo pa dashje, këto qëndrime kanë krijuar mundësinë për t’u përdorur si argument i diplomacisë së Serbisë dhe i disa shteteve të tjera, që nuk e njohin Kosovën, për të ndërmarrë veprimtari bllokuese në shtetet e treta, me tezën se përderisa Shqipëria dhe Kosova po bashkohen, nuk është nevoja të njihet Kosova si shtet.

Kur flasim për procesin e njohjes së Kosovës kemi parasysh dy drejtime themelore, njohjen nga shtete të veçanta dhe njohjen nga organizata ndërkombëtare. Nëse në trasenë e parë ka patur një dinamikë të suksesshme, në trasenë e dytë procesi ka patur një ritmikë më të ngadaltë. Ky zhvillim asimetrik ka arsye objektive, sepse në organizata ndërkombëtare kërkohet konsensusi i gjithë shteteve anëtare për pranimin e një anëtari të ri dhe është e qartë se, derisa Rusia dhe Kina, si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB do të përdorin veton e tyre, objektivi për anëtarësim të Kosovës në OKB do të presë një kohë të gjatë. E rëndësishme është që Këshilli Europian vendosi në 28 qershor të vitit të kaluar që të hapen bisedimet e Bashkimit Europian me Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE. Me rëndësi është edhe adoptimi nga Kosova i hartës rrugore për procesin e liberalizimit të vizave me BE. Këto janë arritje, sepse brenda tyre kanë një formë sanksionimi të procesit të njohjeve edhe nga shtetet anëtare të BE, që ende nuk e kanë njohur, por të cilët nuk bëhen pengesë në dinamikën e afrimit dhe integrimit të Kosovës në BE. Vazhdimi i hezitimit të grupit të pesë shteteve anëtare të BE për të njohur Kosovën, mund të ketë disa shpjegime në motive, si të brendshme të kompozicionit etnik, ashtu dhe të lidhjeve apo të detyrimeve subjektive apo nostalgjike të periudhave historike të vjetra. Është pozitive, që Kosova ka zgjeruar rrethin e njohjeve nga organizata ndërkombëtare duke u bërë anëtare e tyre si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, etj. Kosova është shtet i Ballkanit dhe roli i saj kryesor është në Ballkan. Përfshirja e saj në organizimet e çfarëdoshme të rajonit të Europës Juglindore është terreni i parë, por edhe më i përshtatshëm, për pranimin e Kosovës si shtet anëtar dhe që natyrisht kërkon një bashkërendim akoma më të madh mes diplomacisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.

Harta e madhe politike e njohjes së shtetit të pavarur të Kosovës është frut i një veprimtarie të madhe dhe intensive diplomatike ndërkombëtare, e përkrahjes nga shtete dhe forca demokratike në gjithë botën. Ajo i detyrohet sidomos mbështetjes nga aleati kryesor strategjik i kombit shqiptar, SHBA-të, i detyrohen mbështetjes nga shtetet e mëdha demokratike të BE dhe nga shtete miq në Ballkan, Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine. Kosova është konsoliduar dhe afirmuar si një shtet i pavarur dhe subjekt i pavarur i së drejtës ndërkombëtare dhe njohjet nga më tepër se gjysma e shteteve anëtare të OKB, e sanksionojnë subjektivitetin e saj të pakthyeshëm ndërkombëtar.