Serri ALLUSHI/ Jo reformë territoriale klienteliste

142

Ndarja territoriale, prej shumë kohësh shkaktare e debateve dhe polemikave, të cilat nuk po gjejnë zgjidhjen e duhur për të gjithë

*Shoqata Dukati

Historia e Shqipërisë qysh nga kohët më të hershme, ka qënë e mbushur me konflikte e luftra botërore e rajonale, por edhe nga luftëra të brëndshme, midis principatave që sundonin në zona e krahina të ndryshme të vëndit. Këto konflikte u shfaqën si dukuri karakteristike edhe pas vitit 1990, që siç dihet jeta politike e vendit është karakterizuar nga konflikte pa fund midis partive politike e drejtuesëve të tyre, duke u bërë shqetësim jo vetëm brënda vendit, por edhe për politikën ndërkombëtare. Për rrjedhojë edhe qeverisja dhe reformat politiko-ekonomike, kanë qenë të padrejta e klienteliste. Ato kanë ushqyer korrupsionin dhe padrejtesitë, duke krijuar një situatë sociale konfliktuale e të pashpresë për mbarë popullin. Në këto kushte drejtimi administrativ i vëndit, ka qënë spontan ç’ ka është reflektuar në një zhvillim ekonomiko-shoqëror midis rajoneve apo krahinave të ndryshme, të diferencuar e me probleme të mprehëta sociale. Në këtë situatë është bërë imperative nevoja për të bërë një Reformë Teritoriale, e cila do të synonte të zgjidhte problemet që lidheshin me drejtimin më efikas, duke siguruar një zhvillim ekonomik e shoqëror të barabartë të rajoneve. Por duke patur parasysh historinë shekullore, si dhe ndryshimet e thella ekonomike, kulturore e zakonore nga një zonë në tjetrën, realizimi i kësaj reforme merr një rëndësi të vecantë dhe kërkon një vëmëndje e një strategji të mirëstudiuar. Dihet nga të gjithë se Reforma Territoriale prek ndjenjat dhe interesat e popullatës së çdo rajoni, krahine, fshati e individi. Dihet gjithashtu që reforma territoriale, nuk mund të bëhet me urdhëra e as me ligje, por ajo duhet të marrë konsensusin e çdo komuniteti, përndryshe ajo është e destinuar të dështojë e të mos pranohet nga komunitetet përkatëse. Për këtë populli jonë, e ka eksperiencën e nevojshëme nga kolektivizimi (bashkimi i fshatrave ) në një kooperativë, i cili dështoi, por edha nga ligji 7501, i cili gjithashtu deshtoi dhe për shkak të tij deri sot janë vrarë mbi 8000 njerëz. Prandaj, për të realizuar Reformen Territoriale, më parë duhej të ishin përcaktuar kritere të drejta e të mbështetura në gjeografinë, historinë, traditat, kulturën, marrëdhëniet e ndërsjellta, karakteristikat ekonomike dhe perspektivën e zhvillimit etj, për çdo krahinë e zonë, sepse ajo nuk mund të bëhet e ndryshohet sa herë që ndryshohen qeveritë, por edhe sepse në bazë të kësaj ndarje ndërtohet gjithë puna organizuese e drejtuese e shtetit, hartohen strategjitë e programet e zhvillimit, statistikat, analizat etj. Por, projekti i deritanishëm, i ashtuquajtur “studim”, u drejtua e u realizua nga njerëz me njohje të pamjaftueshme të historise, kulturës dhe traditave të krahinave dhe fshatrave të mbarë shqipërisë, njëherësh u bë me nxitim dhe nuk i’ u dha koha e mjaftueshme për të diskutuar e marrë konsensusin e çdo komuniteti. Kjo ndarje territoriale të krijon përshtypjen sikur është bërë mekanikisht duke punuar mbi hartën e shqipërisë në mënyrë spontane, duke ndarë e bashkuar krahina, fshatra e copëza të tyre, pa u thelluar në faktorët më të arsyeshëm e duke mosmbajtur parasysh afinitetin e krahinave e fshatrave, që përfshihen në një njësi vendore. Duke i hedhur një vështrim variantit me 61 Bashki, kupton menjëherë se në këtë çështje jo vetëm që nuk ka një studim të mirëfilltë, të thelluar e të bazuar në kritere të mirëstudiuara, të diskutuar e pranuar në komunitetet përkatëse, por është bërë tërheqje litari e si rezultat janë plotësuar dëshirat e partive e të politikanëve, duke luajtur me ndjenjat e fshatrave e të krahinave të ndryshme, të cilët në shekuj e kanë mbrojtur identitetin e tyre me gjakun e dhjetra e qindra martirëve, kurse sot identiteti i tyre ndryshohet e përcaktohet shpejt e shpejt me një të rënë të lapsit. Në listën e bashkive të propozuara me logjikë të thjeshtë, mund të konstatohet se në mjaft raste ka subjektivizëm në vlerësimin e tyre. Kështu në listë, gjen mjaft bashki që nuk meritojnë të jenë të tilla përpara Orikumit dhe gjithë krahinës së Dukatit. Së pari, si mund të vlerësohen me të njëjtat kritere edhe zonat turistike me perspektiva të mëdha e konkrete zhvillimi. Si mund të gjykohet kështu për një zonë që përveç qytetit të Orikumit, ka mbi 100 km vijë bregdetare e turistike të virgjër që pret të investohet në të, që ka parkun kombëtar të Llogorait, ka një shtrirje turistike që nga Uji i Ftohtë Vlorë e deri në Palasë, si dhe një sipërfaqe (vetëm fshati Dukat, pa përfshirë Tragjasin dhe Radhimën ), prej mbi 260 km2, ku zhvillohet turizëm gjithë vjetor malor e detar, me masive pyjore e kapacitete kullosore të konsiderueshme, si dhe resurse të tjera që e barazojnë edhe me rrethe të kategorisë së parë. Varianti për ta suprimuar Bashkinë e Orikumit dhe ta bashkojnë atë me Vlorën është goditja e radhës për Krahinën e Dukatit mbas Ligjit katastrofik 7501. Komuniteti i Krahinës së Dukatit, është i ndërgjegjshëm se Bashkia e Orikumit suprimohet për qëllime e interesa të mbrapshta. Prandaj, duhet të kuptojmë të gjithë ne Dukatasit, se klasa politike shqipëtare e të dy krahëve, e cila për gati çerek shekulli po sundon jetën e vendit dhe fatet e popullit, fshatin tonë e kanë gjymtuar rast pas rasti. Kështu për tokat bujqësore e kanë futur në konflikt të përjetshëm me njëri tjetërin, tokat e ish fermës së Dukatit i’ u ndan puntorëve, valltua u konsiderua pronë shteti, për kullotat përfshirë Karaburunin e malet përqark, u thonë nuk j’ ua njohim si prona se nuk keni dokumenta, për Llogaranë është park kombëtar, për bregdetin nga Orikumi në Palasë është pronë e të gjithë popullit, athere çfarë i mbeti Dukatit, kur dihet se të gjitha këto kanë qënë pronë e familjeve Dukatase? Ndërkohë me këtë ndarje territoriale, krahina e Dukatit humbet tërësisht edhe identitetin e tij historik, që të parët tanë e kanë mbrojtur me luftëra të përgjakëshme nga hordhitë e huaja. Me këtë rast i bëj thirje publike deputetëve të Qarkut të Vlorës, që të rivlerësojnë e bëjnë edhe njëhërë përpjekjet e nevojshme për problemin e Bashkisë së Orikumit. Njëherësh i bëjmë thirrje të veçantë publike deputetit të LSI-së, birit të Dukatit, Zotit Shkëlqim Selami, që në mënyrë të veçantë, të ndikojë e të bëjë më të mirën e mundshme, që krahina e Dukatit të mbetet në listën e Bashkive, në mënyrë që të mos nëpërkëmbet si deri më sot.