Serbia të ndryshojë politikën për të arritur marrëveshje me Kosovën

269

Dr. Qemal Lame

(vijon nga numri i kaluar)

Qeveria e Serbisë dhe gjithë ultra-nacionalistët serbë janë të alarmuar dhe po dëshmojnë politikën e tyre antishqiptar, në kundërpërgjigje ndaj vendimit të drejtë të Qeverisë së Kosovës për taksën 100 për qind, Marrëveshjeve Kosovë Shqipëri për bashkëpunimin ekonomik dhe Projekti “Shqipëria, Kosova dhe rruga e bashkimit të shqiptarëve në horizontin e vitit 2025”. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç reagon me zemërim. Megjithatë, ai nuk dëshiron tensionime të mëtejshme. Kërkohen rrugëzgjidhje, bisedime e marrëveshje për të mënjanuar pasojat e rënda prej më shumë se 400 milionë dollarë në çdo vit në ekonominë, të ardhurat buxhetore dhe vlerën e dinarit. Shfrytëzohen çdo mundësi që krijohen nga disa mbështetës të Serbisë edhe në Bashkimin Evropian në dëm të interesave të ligjshme kombëtare të shqiptarëve dhe të ndarjes së Kosovës për të plotësuar e kënaqur pretendimet shoviniste serbe dhe anëtarësimin në bashkësinë evropiane. Kryeministri i Kosovës deklaron se bisedimet dhe marrëveshjet mund të arrihen vetëm pasi të njihet pavarësia e Kosovës. Ky është problemi themelor që kërkon zgjidhje.  Nuk mund të tolerohet më tej gjendja e bisedimeve pa fund dhe përdorimi i tyre për të sabotuar pavarësinë, ruajtur praninë e politikës serbe për dublimin e mënjanimin e pushtetit të Kosovës në komunat me shumicë serbë, aneksimin faktikisht të Veriut të Mitrovicës.  Tarifa ndaj mallrave serbe është mundësia e vetme që ka Kosova për të reaguar. Reagimet e politikanëve serbë tregojnë se ata janë vënë përballë një situata që nuk mund ta anashkalojnë. Nuk mund të imponohen duke përdorur presionet e deputetëve të Listës Serbe dhe dorëheqjen e 4 kryetarëve të komunave me shumicë serbe.

E kanë të qartë se nuk do të tolerohen. Po kështu, e dinë se partnerët ndërkombëtarë nuk do të mund të ushtrojnë presionin që pretendon Qeveria e Serbisë për uljen e taksës, pa reflektuar në politikën ndaj Kosovës. Politikanët serbë e kanë të qartë faktin se prej më shumë se 20 vjet ata e kanë humbur Kosovën. Ata shqetësohen edhe më shumë për të ardhmen e pushtetit të Serbisë në trojet shqiptare. Po të pranojnë realitetin e njohjes së gjendjes në Kosovë, natyrshëm do të rriten edhe kërkesat për referendum, autonomi e bashkim me shtetin mëmë edhe të shqiptarëve në trojet e tyre, sidomos në Luginën e Preshevës, Sanxhak e Novi Pazar. Marrëveshja me Serbinë vlerësohet nga Kosova dhe Shqipëria me kërkesat e drejta për përmirësimin e bashkëpunimit me barazi, respekt reciprok e me interesa të përbashkëta. Me të drejtë reagohet kundër marrëveshjes me rrezikun e ndarjes së Kosovës apo dhurimin e trojeve shqiptare si ndodhi me kufirin me Malin e Zi. Presidenti Aleksandër Vuçiç deklaroi se ai ishte ideatori i korrigjimit të kufijve dhe së fundi pranoi se ajo ide vdiq. Por theksoi me patos se nuk do të njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Qëndrimi i tij vështirëson reflektimet nga politika zyrtare dhe pengon konkretisht arritjen e marrëveshjes midis serbëve e shqiptarëve. Qeveria e Serbisë përballë forcës së vullnetit të shqiptarëve për bashkim, përpiqet të shprehë kundërshtimin me politikën e vjetër të rrezikut nga Shqipëria e Madhe. Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, tha se përfaqësuesit shqiptarë nuk e kanë braktisur kurrë projektin e një “Shqipërie të Madhe” e cila, sipas tij, nuk mund të arrihet pa dhunë dhe persekutimin e të gjithë popujve të tjerë nga Kosova. Vulin theksoi se “Shqipëria e Madhe” është një kërcënim për të gjithë rajonin, por është shqetësuese që BE-ja, NATO-ja, si dhe pjesa tjetër e botës nuk e kuptojnë ose thonë se nuk e kuptojnë “ne po ndjekim krijimin e një Shqipërie të Madhe”. Ndërsa një ditë më parë, po ky ministër deklaroi se ushtria serbe është gati për të ndërhyrë për mbrojtjen e serbëve të rrezikuar në Kosovë. Ky ishte një kërcënim i hapur arrogant e agresiv për një aventurë ushtarake. Inspirues dhe nxitës të luftës janë përfaqësuesit e ulta-nacionalizmit serb që kërcënojnë me pushtimin ushtarak brenda 24 orëve të Kosovës.

Këto kërcënime propagandistike nuk trembin shqiptarët dhe as partnerët ndërkombëtare. Ajo janë reagime në agoni të demaskimit dhe zhvleftësimit të politikës shoviniste dhe ideologjisë së hegjemonizmit serb në ndërgjegjen e njerëzve. Shqiptarët do të zgjidhin problemet dhe do të vendosin me përgjegjësi për të ardhmen e tyre. Qeveria e Serbisë është e domosdoshme të vlerësojë marrëveshjet Shqipëri Kosovë dhe të mos akuzojë padrejtësisht për shkelje të marrëveshjeve të bashkëpunimit rajonal. Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç ka reaguar pas deklaratave të fuqishme nga kryeministri i Shqipërisë: “Rama ka shkelur marrëveshjen regjionale të bashkëpunimit, hapësirën e bashkëpunimit ekonomik, të gjitha ato për çfarë kemi biseduar. E pakuptimtë është të mbajmë takime të tilla për bashkëpunim rajonal, pas asaj që ka thënë sot Rama së bashku me Haradinajn”, deklaroi Daçiç për mediat serbe. Marrëveshjet midis Shqipërisë dhe Kosovës u mbështeten nga ambasadori amerikan në Beograd. Megjithatë, ai rikujton se Kosova është multietnike dhe kërkohet edhe pëlqimi i Serbisë. Ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott, ka thënë se mbështet marrëveshjet e arritura në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo është hera e parë që një ambasador amerikan në Beograd përkrahë haptazi marrëveshje në mes të dy shteteve shqiptare, të cilat udhëheqin politikën shtetërore drejt një bashkimi.  Ambasadori Scott thotë se marrëveshjet e tilla nuk duhet të vendosen vetëm shqiptarët. Këtë e argumenton me mendimin se Kosova është shtet multi-etnik, duke lënë të kuptohet se kërkohet edhe marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë. “Ajo që vlen për popullsinë shqiptare në Kosovë, duhet të vlejë edhe për serbët dhe për të gjitha pakicat etnike. Besoj se Kosova duhet të jetë shtet demokratik multi-entik”, ka thënë Scott. Ai ka theksuar se taksa e vendosur nga Kosova ndaj Serbisë është diskriminuese. E mirëkuptojmë ambasadorin amerikan që do të ruaj edhe ekuilibrin në qëndrimet midis Serbisë dhe Kosovës. Është me vend të rikujtojmë se me të vërtetë Plani i Ahtisarit e përcakton Kosovën multi-etnike. Por nuk nënvleftësohet fakti se privilegjet u pranuan, me gjithë se vetëm 4 për qind e popullsisë janë serbë. Pakica serbe ka status dhe garanci kushtetuese të standardeve më të larta të njohura deri tani në marrëdhëniet ndërkombëtare. Qeveria dhe Kuvendi serb nuk pranojnë reciprocitetin dhe nuk u njehin të njëjtat të drejta shqiptarëve në trojet e tyre në Serbi.

Mendimi për taksën diskriminuese, ndoshta vihet në dukje për shkak edhe të reagimit të Bashkimit Evropian. Megjithatë, kjo mundësi e vetme e Kosovës është një mjet i njohur në praktikën ndërkombëtare dhe nuk mund të mbivlerësohet në krahasim me agresivitetin e politikës shoviniste serbe ndaj Kosovës dhe në tërësi ndaj shqiptarëve.  Departamenti i Shtetit të SHBA, nuk është deklaruar për tarifën 100 për qind të Kosovës ndaj Serbisë dhe Bosnje Herzegovinës. Sekretari i Shtetit, Pompeo nuk i bën thirrje Kosovës të heqë tarifat ndaj Serbisë . Ky qëndrim u shpreh në një deklaratë të zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, pas një takimi që Sekretari i Shtetit, Mike Pompeu pati të hënën, më 26 nëntor 2018, me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ku ai i bëri thirrje Kosovës të përfitojë nga rrethanat e krijuara për të arritur një marrëveshje historike me Serbinë. “Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është e vetmja mënyrë për t’u hapur rrugën të dy vendeve për integrimin e ardhshëm në komunitetin e vendeve perëndimore. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë dhe të mbështesin palët për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme, të zbatueshme dhe që të rrisë stabilitetin”, thuhet në deklaratë. Me mbështetjen e merituar nga Shtetet Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe partnerët e tjerë strategjikë, kemi besim se do të reflektohet në marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën.