Sejmen GJOKOLI/Një rast për të patur Presidentin e të gjithëve

558
Sigal

Firma e hedhur nga Presidenti i Republikës në një vendim të qeverisë që ka dy muaj që ka humbur të drejtën e qeverisjes, të bën më e pakta të mendosh se si qeveria ashtu dhe Presidenti kanë të njëjtën filozofi kuptimi ndaj votës së popullit.

Kjo do të shkonte për cilindo vendim që do të kërkonte firmën e Presidentit të Republikës gati dy muaj mbasi populli, me votë plebishitare, i ka hequr qeverisë të drejtën e qeverisjes.

Por veprimi i Presidentit duket edhe më skandaloz kur mëson se pikërisht kjo firmë hidhet pas një vendimi tërësisht tinëzar të qeverisë dhe në kapërcim të hapave ligjorë, e në mungesë të hierarkisë së firmave paraprake.

E dhimbshme, por dhe e pa kuptueshme njëkohësisht bëhet kjo firmë kur as më pak e as më shumë por Presidenti i Republikës vjen nga radhët e asaj ushtrie në juridiksion të së cilës është objekti me emrin : Shtëpia Qendrore e Ushtrisë.

Veprimi i fundit i Presidentit me firmosjen e këtij akti tejet armiqësor me vlerat më të mira të ushtrisë shqiptare në shekuj tregon edhe një herë se më së paku atij i mungon një nga cilësitë dhe detyrat kryesore kushtetuese siç është garanti i bashkimit dhe unitetit mbi palët.

Ndërkohë që palët e interesuara direkt siç janë forcat ushtarake aktive po dhe ato në rezervë e dhanë të fortë sinjalin se kjo nuk duhej lejuar të ndodhë.

 Reagimi i menjëhershëm i armatës së ushtarakëve në rezervë dhe në pension duhej të, të paktën, të ishte një këmbanë për Presidentin e Republikës dhe një motiv për të mos e hedhur atë firmë.

Në qoftë se Presidenti me ndërgjegje e injoroi thirrjen e maxhorancës së re dhe kryeministrit të zgjedhur si një thirrje partie,  kurrsesi nuk mund ta bënte këtë me armatën e ushtarakëve, këtyre njerëzve që në çdo kohë kanë qenë nën urdhrat e Atdheut.

Po sikur kjo të ishte me kaq mbase do të gjendeshin shtigje justifikuese për të dalë por kur mëson se ky akt jo vetëm që nuk është miratuar por përkundrazi është argumentuar mos tjetërsimi i objektit jo nga një strukturë do si do por bash nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë kjo merr përmasa të frikshme.

Kamandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës, hapur dhe pa ju dridhur dora, injoron argumentet e Shefit të Shtabit të ushtrisë anëtare të NATO-s dhe Atlantikut.

Besoj se s’mund të gjendet kandar ta mbajë këtë gafë presidenciale.

Dhe kur mendon që po nga ky institucion , pak kohë më parë u artikulua ndërprerja e dialogut me të përndjekurit politikë , veprim i cili solli deri humbje jete të një prej të ngujuarve në grevë, tregon se më shumë se President i të gjithëve po tregon qartazi njëanshmërinë e vet partiake.

Për hir të së vërtetës jo pak komente e analiza ka patur prej emërimit të kësaj figure si President Republike, por personalisht kam besuar që punë të paqme e të mira mund të bëjnë edhe personat me aftësi fizike të kufizuara.

Madje duke qenë që vet kam shërbyer jo pak në fushën e problematikave sociale gjithmonë kam qenë sensibël ndaj kësaj kategorie.

Por deri këtu. Akti i fundit i Presidentit të vendit tim duke ia lejuar vetes që për interesa dukshëm klanore dhe partiake dhe aspak për interesa madhore të Atdheut të krijojë një precedent të rrezikshëm është e pa falshme.

 Në axhendën e maxhorancës së re besoj se tani duhet të shtrohet edhe një pikë tjetër që duhet të zgjidhet.

Një rast më shumë për ti dhënë vendit Presidentin normal, të të gjithëve.