Sejmen GJOKOLI/Me apo pa LSI-në, dilema që shpejt do zgjidhur

556
Sigal

Ka kohë që jo vetëm për partinë socialiste e, në tërësi, opozitën e vendit por edhe tek qytetarë të shumtë të interesuar për fatin e zgjedhjeve që u është prerë dita, vazhdon të qëndrojë pezull raporti i koalicionit opozitar me LSI-në.

Siç vërehen qëndrime që do ta dëshironin edhe këtë parti në koalicion, jo pak kanë mendimin se, përkundrazi, një koalicion me të do ta dëmtonte rëndë, të paktën, moralin e vet koalicionit.

Partia socialiste dhe lidershipi i saj, nisur edhe nga përgjegjësia tejet e madhe që kanë si prijëse e koalicionit, vazhdojnë të bëjnë të duruarin e madh dhe mese një herë e kanë thënë se tanimë LSI-ja duhet të zgjedhë midis të qenit “në krahë të opozitës” apo të vazhduarit  si “patericë e pushtetit”.

E  thotë kryetari i PS po e thonë edhe të tjerë anëtarë të udhëheqjes së kësaj force politike në takime apo intervista, kudo në medie apo takime direkte me qytetarët: dera për LSI-në është e hapur.

Sikundër disa parti të tjera të rreshtuara historikisht në frontin opozitar që argumentojnë se LSI-ja nuk ka më asnjë punë me frontin opozitar. Madje këtë e thonë prerë.

Shumë qytetarë syresh, sidomos ata që pushteti direkt i kësaj force politike në bazë i ka goditur apo nxjerrë në rrugën e madhe, janë kategorikisht hapur në favor të qëndrimit të dytë.

Për të mos thënë për ata që LSI-së, prej ditës që u bë njësh me PD –në në qeverisje, as duan t’ia dëgjojnë më emrin dhe për gjithçka të keqe në këto vite qeverisje e bëjnë atë përgjegjëse edhe më shumë se PD-në.

Por çdo të bëhet, cila rrugë duhet të ndiqet për sjelljen e koalicionit opozitar me këtë parti vërtet të pa shoqe për mënyrën se si arriti ta marrë votën e shqiptarëve e si në fakt e tjetërsoi besimin e tyre.

Nga votë për të larguar e nxjerrë në pension politik Sali Berishën deri ditën e votimit, menjëherë pas kësaj dite, votën e tjetërsoi në votë që i dha mundësi këtij të fundit të ulet në karrigen e kryeministrit.  Dhe jo për të qeverisur ( kjo mund të ishte normale) por për të sunduar siç po vërtetohet dita-ditës në çdo kolonë që mban shtetin. S’ka nevojë për laps të mprehur mirë kur është fjala për të bërë analizën e bashkëqeverisjes së sotme e për të gjetur argumente sepse LSI-ja nuk ka as më të voglin moral të jetë e pranueshme për një koalicion opozitar që kërkon të realizojë me votë rotacionin e pushtetit. Përkundrazi, janë “det” e “mal” bashkë argumentet që vërtetojnë se LSI-ja është njëlloj përgjegjëse për këtë derenxhe ku kjo qeverisje e ka zhytur vendin dhe nuk ka vendim apo zullum të qeverisë pa “patericën” e saj. A, po, e ka një dallim; vetëm atë që e lidh me nderimin për dëshmorët dhe luftën për çlirim, por dhe kjo kur mendon se votat që u dhanë pikërisht për këtë qëndrim u bashkuan me varrmihësit e këtyre vlerave, me ata që edhe heronjtë e Vigut i përçudnuan e i tejflakën nga mesi i qytetit e në mesin e ditës, bie si gjethe vjeshte.  Megjithatë thonë se në politikë ndodhin të gjitha dhe është vërtetuar më se një herë që edhe ekstremet puqen. Dhe kjo diktohet nga kushtet dhe kryesorja realizimi i misionit e objektivit që një forcë politike apo një koalicion partish i kanë vënë vetes.

23 Qershori 2013 ka shtruar përpara PS dhe gjithë opozitës shqiptare një imperativ sa të domosdoshëm po aq edhe historik: rotacionin e pushtetit. Nuk është rotacion i zakonshëm, as ngjan fare me atë që PD dhe koalicioni i saj realizoi në vitin 2005. Atëherë bëhej fjalë për largimin e një qeverie që ndonëse ringriti institucionet e shtetit pas 97-ës, bëri edhe gabime por gjithçka u dorëzua me dosje, me inventar. E kundërta këtë herë. Dosjet janë hapur për gjëmat që kanë ndodhur në këtë  vend në këto 8 vjet qeverisje. Thënë ndryshe qeverisja e PD-së me LSI-në është ngjizur keq. E megjithatë politika mbetet politikë. Tani ditët drejt 23 Qershorit po rrokullisen shpejt dhe shumë duan të dinë se si do të vejë puna me LSI-në, deri kur do pritet fjala e saj. Dikush thotë duhet të presim deri në fund, dikush tjetër thotë përpara zgjedhjeve, e dikush tjetër pas zgjedhjeve. Dua të ndaj mendimin pse qëndrimi i PS dhe opozitës ndaj LSI-së duhet të deklarohet sa më shpejtë, sot, nesër, shumë shpejt duhet të zgjidhet dilema.

Kush mendon se LSI-ja duhet të shprehet pas përfundimit të zgjedhjeve duhet të dijë se ndërkohë kjo forcë politikë, me pragmatizmin që lidershipi ka si moto të sjelljes së vet, por edhe me mundësinë që të jep qenia në pushtet, ka arsye që të rritet e të shtojë votat duke u bërë një faktor edhe më determinant se sa është sot. Qysh tani, hapur, shumë prej atyre që aderojnë apo i janë qasur LSI-së mendojnë se si do që të ndodhë ata do të jenë në pushtet, në vazhdimësi me PD, në rast se do përtërijë fitoren apo edhe me PS nëse do të rezultojë ajo fituesja.

Pra në rast se koalicionit me LSI-në do t‘i lihet litari, pra ta japë fjalën edhe pas zgjedhjeve, kjo do të thotë që shumë votues të majtë të rendin pas saj dhe natyrshëm fuqia e saj zgjedhore të jetë evidente. Nëse nga PS dhe opozita e bashkuar nuk do t’i kërkohet sa më shpejt dhe prerë pozicionimi i saj ekziston mundësia që përveç të punësuarve apo edhe atyre që për gjithfarë arsyesh janë të pakënaqur me PS, LSI-së t’i japin votën edhe ata që mendojnë se më mirë të votojnë për të se për PS që është një forcë e madhe  e, natyrshëm, e ka më të vështirë shpërblimin për të gjithë.

Ideja se sido që të vijë puna LSI-ja do të jetë në pushtet, me PD apo me PS, është tejet e rrezikshme për këtë të fundit. E kundërta ndodh nëse PS dhe opozita e bashkuar e ndan përpara zgjedhjeve, madje shumë më shpejt qëndrimin që do të ketë me LSI-në. Atëherë, përveç rrogëtarëve dhe atyre që prej qenies në këtë forcë politike kanë fituar në këto vite, askush tjetër nuk mund të bëhet pjesë e saj e as të votojë për të. Përkundrazi shumë njerëz që në atë parti aderojnë për ideale të pastra e të qenësishme nuk do ta bashkojnë kurrsesi votën me një parti që mbas zgjedhjeve se ka problem të vazhdojë koalicionin me PD-në. Në rast se PS dhe opozita gjykon se LSI-ja nuk ka më shans për koalicion as pas zgjedhor atëherë LSI nuk mund të mashtrojë më qytetarët duke marrë vota majtas për të kaluar djathtas si katër vite më parë. Dhe në këtë dyzim qëndrimesh LSI-ja duhet të zgjedhë. Por lidershipi i saj tani e ka të qartë që askush nuk e beson më me fjalë, madje as me deklarata apo marrëveshje të shkruara. E vetmja provë e besueshme për të është dalja nga qeveria dhe bashkimi me opozitën e të gjithë faktorët që kërkojnë rotacion të pushtetit përmes zgjedhjeve të lira e me standarde.  Për LSI-në tani ka vend shprehja: “ja sheshi, ja mejdani”,  e cila fillon të marrë kuptim në momentin që PS do t’i drejtojë kërkesën e prerë e pa ekuivoke: me opozitën  apo me qeverinë.

Sot, mbasi nesër është vonë.