Sejmen GJOKOLI*/Listat, manjet apo tërmet…

599
Sigal

Ka ditë që, çështja e listave të kandidatëve për deputet për legjislaturën e radhës ka pushtuar gjithë bisedat e shoqërisë e, në jo pak raste, takimet apo bisedat mes njerëzve hapen dhe mbyllen me to. Duket se listat e borxheve nëpër dyqane a subjekte të ndryshme shërbimi edhe pse shtohen nga dita në ditë janë lënë mënjanë. Mënjanë duket se janë lënë edhe vet listat zgjedhore që, të paktën nisur nga kërkesat e ligjit zgjedhor, tani duhet të flitej më shumë për to. Kur flasim për punën  e listave për deputetë na duhet të theksojmë se zhurmat më të shumta vijnë nga krahu i opozitës e më saktë nga mazhoranca e saj, Partia Socialiste. Nga krahu tjetër s’ka zhurma, vazhdon ende e pandryshuar komanda “… eja në rresht…”. Mund të gjenden shumë arsye por, personalisht, këto zhurma do t’i klasifikoja në dy drejtime: nga njëra anë ata që shprehin një shqetësim real e që lidhet me një merak të sinqertë rreth efektit të tyre në elektorat, sikundër jo pak të tjerë që synojnë ta përdorin çështjen e listave si shantazh apo si një mjet për të çoroditur e cenuar sado pak solidaritetin e socialistëve e mbështetësve të saj në këtë prag fushate. As nuk ja vlen e as kam ndërmend të harxhoj kohë me shantazhet e shashkat që mazhoranca hedh në treg për listat mbasi disa prej tyre si bie fjala ato që thonë për zëvendësimin e Ruçit në krye të listës së Fierit apo kur i thuhet Braçes se “ të është prerë koka” janë aq të pa themelta sa edhe ata që i artikulojnë as vetë si besojnë. Në analizën time dua vetëm të vlerësoj shqetësimin që kanë plot njerëz të mirë e që presin që këto lista të jenë sa më shumë bashkuese, thithëse, si manjet, e jo të shtyjnë apo ca më tepër të shpërthejnë si lëndë plasëse apo të tronditin si tërmet. Është koha që Partia Socialiste edhe si forca kryesore e opozitës, ka marrë përsipër një mision sa kombëtar aq edhe historik për të shpëtuar këtë vend nga rrokopujë përmes rotacionit politik të pushtetit e që kjo mund të vijë e të realizohet vetëm përmes votës së lirë në një proces zgjedhor të besueshëm e transparent. Ka plot arsye për ta minimizuar çështjen e cilësisë së listave sidomos të mendosh derexhenë ku e ka zhytur vendin kjo qeveri. Në këtë kontekst në shumë votues ende gjen mëshirim ajo shprehja e famshme që edhe një “dru” të vendosë partia  votat i ka të sigurta. Kjo do ishte rruga më e shkurtër dhe më e lehta për ata që kanë përgjegjësinë e hartimit të listave por e vërteta është krejt tjetër. Rëndësia që kanë këto zgjedhje detyron që më shumë ta vësh veshin tek “altoparlanti” i skeptikëve se sa tek euforikët apo tek ata që llogaritë i bëjnë me një të rënë të kalemit. Ca më tepër që kjo është një thikë me dy presa. Mbasi siç mund të gjenden lehtë votues të tillë, që as duan t’ia dinë për cilësinë e listave, janë jo pak ata që presin lista cilësore e sa më shumë motivuese. Ndoshta kryetari i opozitës Edi Rama synon një transformim të listës zgjedhore, një përmirësim rrënjësor të saj dhe duket se kjo ka nisur. Prezantimi i herë pas hershëm i disa prej atyre që i shtohen ekipit ballafaques tregon se kjo është një axhendë e mirë menduar e kryetarit socialist e jo me “të dalë , ç’të dalë…”. Por duket se prej kësaj praktike kanë nisur edhe komentet e shqetësimet e para të shoqëruara me zhurma e hamendësi jo sikur të ishin prezantuar  katër apo pesë të tillë po sikur të ishin deklaruar në këtë mënyrë  të njëqind e dyzetë kandidatët. Duket se kjo është një risi për partinë në të madhe të opozitës dhe si e tillë mbart edhe mosbesim, sidomos me ndonjë kandidat të prezantuar, të cilit i ka munguar lidhja shpirtërore dhe historike me këtë forcë politike, ndërkohë që nga lidershipi me siguri përfshirja në ekip është parë në një plan më të gjerë. Nuk do të isha i saktë nëse do të thoja se nuk ka vend për ndonjë rezervë për ndonjë prej tyre por në tërësi duhet thënë se janë emra që nuk vijnë nga humbëtira. E them këtë mbasi po dëgjojmë këto ditë gjithfarë emrash që u është hapur oreksi për tu futur në lista. Dhe në një vështrim të përgjithshëm duket se ndërsa ca me thonj duan të mbërthehen për të mos u shqitur, ca të tjerë po me thonj duan të ngjiten në lista. “E shikon atë atje”- më tha një miku im në një nga ditët e Konventës së PS-së, në Tiranë, dhe më tregoi njërin që me këmbë e me duar po fliste me një nga drejtuesit në qendër. “Është filani, kërkon me se s’bën të futet në listë për deputet”- më thotë kolegu im delegat. I thirra kujtesës se mos ishte ndër themeluesit e PS-së, jo. Mos ja kisha dëgjuar emrin si të shquar në profesionin e tij a diku në shoqërinë civile, jo. Diku tjetër, jo edhe jo. Vërtet s’kishte asgjë nga ato që mendoja por mora vesh se e vetmja “meritë” ishte miku, atje lart. Sa të tillë ndeshen rëndom këto kohë e këto ditë…

Më vjen mirë që deri sot asnjë si ky tipi nuk po na prezantohet e kam bindje se në Partinë Socialiste as do të ndodhë. Më duket normale që, në përgjithësi, deputetët aktualë të pretendojnë të jenë përsëri pjesë e Parlamentit të ri. Madje më duket edhe njerëzore kur mendoj se katër vite u kaluan sa në përballje, sidomos disa prej tyre, dhëmbë për dhëmbë me mazhorancën e dhunën e kartonit po aq të tjerët në çadrat e bulevardit apo mbi gardhet policore të KQZ… Por si në çdo legjislaturë ndryshimet dhe freskimet në ekip janë veprime krejt normale e të domosdoshme. Veçse për lidershipin e Partisë Socialiste, sidomos, këto prurje duhet të jenë të mirë menduara e të peshuara në “balancë farmacie”- që thonë. Ndoshta Edi Ramës, jo thjesht si dëshirës por edhe si domosdoshmëri i duhet që të ketë një ekip sa më të ri e në tërësi teknicien, por patjetër duhet të marrë parasysh rrethanat dhe kushtet. Është e vështirë të eksperimentosh, pale të promovosh, ide apo praktika, qoftë edhe nga më bashkëkohoret duke pasur një njeri si kryeministri ynë në karrigen e kryepushtetit. Edi Rama të paktën edhe në këtë përballje elektorale është i dënuar të veprojë me shumë kujdes e maturi duke ruajtur ekuilibrat dhe sidomos solidaritetin që gjatë gjithë kësaj kohe të gjatë në opozitë kanë krijuar e ruajtur socialistët e mbështetësit e tyre. Ndryshimet kushtetuese të lejuara nga lideri i opozitës për tu bërë duke qenë Berisha në pushtet është mësimi më i madh që duhet të jetë për Edi Ramën në këto kohë. Jo çdo gjë e të gjitha mund të zgjidhen në një kohë. Tani Partia Socialiste dhe opozita e bashkuar kanë përpara një mision të madh e historik për të realizuar: pas tetë vitesh qeverisje tejet problematike duhet të realizojnë patjetër rotacionit politik të pushtetit. Ndaj listat e kandidatëve për deputetë duhet të bashkojnë e në asnjë rast të mos ndajnë… Manjet, jo tërmet.

*Kryetar i shoqatës  polifonike “Aulona” Vlorë