Sejmen GJOKOLI/ Këngët e Bregovicit dhe “këmborët” e Fazllicit

629
Sigal

Kanë kaluar disa vite, nga koha kur këngëtarit boshnjak Goran Bregoviçit ju akordua nga ish kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, çelësi i kryeqytetit, një gjest simbolik ky, në nderim të njerëzve të shquar në fusha të ndryshme të jetës kulturore, shoqërore apo shkencore. Siç është edhe ky këngëtar i shquar, jo vetëm në interpretime, por edhe në krijimtarinë e gjerë muzikore, i njohur botërisht për performancën e tij të jashtëzakonshme. Në fakt, prej atëherë, s’kanë reshtur anatemimet dhe akuzat e megafonave të PD-sw ndaj zotit Rama, se thua na qenka bërë nami e na paska nderuar një njeri që me këngën e tij i ka dhënë zemër Milosheviçit, çetnikëve serbë e gjenocidit në Kosovë. E kishim harruar ca kohë këtë akuzë, por u desh vizita e Kryeministrit të ri të Shqipërisë në Kosovë që ta dëgjojmë përsëri, e ndonëse përsëri me mendjen e Berishës të artikuluar me gurmazin e deputetit Bogdani. Siç duket për shpurën demokratikase vizita e menjëhershme e Kryeministrit Rama në anën tjetër të Drinit, në Kosovë, duket se i ka zënë keqas në befasi. Një vizitë jo vetëm e merituar, por tejet e mirëmenduar dhe nëse kryeministri i ri i vendit përpara akreditimit pati rastin të vizitojë shtete me fuqi të mëdha europiane e botërore, pas akreditimit, të parën vizitë e zhvilloi në shtetin e vëllezërve të një gjaku e të të njëjtave troje. Vizitë sa simbolike po aq edhe vizionare për të sotmen dhe të ardhmen e dy shteteve të një kombi. Vizitë me një agjendë të qartë e të saktë ku u dhanë mesazhe të jashtëzakonshme, jo thjesht e vetëm bashkëpunimi, por ku u publikuan edhe disa prej piketave të një rruge të përbashkët zhvillimi, unifikimi e europianizimi. I kuptueshëm ky egërsim dhe balta, e anatemimet, që vijnë prej kampit të mbetur të PD-sw për kreun e ri të ekzekutivit përballë vizitës shumë të suksesshme në Kosovë. Sulmet vijnë pikërisht nga ata, që deri dje Kosovën e trajtonin si të përgjëruarën për “Skënderbeun” Berisha dhe se , sipas tyre, dashuria për kosovarët duhet të kalonte e të kalojë ende nga lesa e vathës së selisë blu. Cinik dhe e paprecedentë kjo mënyrë sjellje kur në vend të përshëndetjes, apo një fjale të mirë për këtë veprim të mençur të kryeministrit Rama, gjejnë përsëri “vjegën” e Bregoviçit për të varur “thesin” e tyre të tejmbushur me akuza e sharje. Në këto radhë nuk marr përsipër të komentoj repertorin e këtij këngëtari të adhuruar nga miliona fansa anë e mbanë botës, por, marr guximin të them se me ndonjë këngë të tij mund të ngrohen ca zemra, por kurrsesi nuk mund të ndizen e të ecin tanke lufte, siç ndodhi me naftën që udhëheqësi i deridjeshëm i demokratëve Berisha furnizoi makineritë luftarake të Milosheviçit, duke thyer embargon e vendosur prerë nga komuniteti ndërkombëtar. Ky që po them është një fakt i njohur ndërkombëtarisht, dhe nga të gjithë, për kohën e luftës së Kosovës dhe të lësh mënjanë këtë akt tradhtie e të kapesh pas një kënge kjo është sa e turpshme aq edhe qesharake. Vetëm drejtuesit e kësaj force politike vazhdojnë ta trajtojnë popullin si pa memorie e pa vetëdije. Dhe, nëse dikush duhet të heshti për këtë fakt të pakundërshtueshëm si dhe për   sjellje të tjera në raport me luftën e Kosovës, e luftëtarët e saj, ky duhet të jetë lidershipi i vjetër dhe i ri i Partisë Demokratike. Po ndërsa dëgjoj që, zëdhënësit e opozitës së re të vendit, anatemojnë Ramën për mirësjelljen ndaj një këngëtari si Bregoviç më fanepset menjëherë një tjetër patriot i këngëtarit, Damir Fazlliç. Kënga e Bregoviçit s’është gjë fare përpara “këmborëve” të Fazlliçit, një mik e bashkëpunëtor me bashkëpunëtorët e Milosheviçit, i cili pasi bëri e çnuk bëri në këtë tokën shqiptare “një euroshe” kulmin e arriti kur ju desh të drejtojë edhe mbledhje qeverie. Kësaj i thonë, ku Bregoviçi e ku Fazlliçi e po të zgjatemi dhe një çikë, ku embargoja e thyer për furnizimin e tankeve të Milosheviçit.