Sejmen GJOKOLI/ Dy muaj sa dy mandate…

616
Sigal

Vendimet e marra shpejt e shpejt, disa tinëzisht e të tjera tejet të kamufluara, janë një batërdi e vërtetë mbi prona publike

S’besoj të ketë mbetur njeri pa i rënë në sy intensiteti dhe vendimmarrja e qeverisë në detyrë në këta dy muaj të pas 23 Qershorit. Ndërkohë që, populli me votë të pastër plebishitare, kësaj qeverie, i hoqi pikërisht të drejtën e qeverisjes e për rrjedhojë të vendimmarrjes deri në uljen në tavolinën e punës të qeverisë së re duket se nga vetë qeveria kjo votë u “përkthe” në vazhdimësi, madje me intensitet të paparë më parë. Dhjetëra mbledhje e qindra vendime mbajnë vulën pikërisht të kohës kur fryma e Kushtetutës dhe morali e ngarkojnë atë si një qeveri kujdestare. Kaq shumë ka rënë në sy intensiteti i këtyre mbledhjeve e vendimeve sa duket sikur kaq shumë s’janë realizuar as në të dy mandatet bashkë.  Jam i sigurt se më shumë se numri i mbledhjeve këtë ndjesi për qeverinë në detyrë e krijojnë titujt dhe qëllimet e vendimeve të marra. Asfare nuk do krijohej kjo përshtypje nëse vendimet, qoftë edhe në pakicë, do të kishin karakter social apo infrastrukturor në dobi të shtresave në nevojë apo nevojave imediate të vendit. Vendimet e marra shpejt e shpejt, disa tinëzisht e të tjera tejet të kamufluara, janë një batërdi e vërtetë mbi prona publike, pasuri natyrore apo institucione të ngritura me djersën e popullit. Vetëm një qeveri e papërgjegjshme dhe aspak në dashuri me popullin e vet mund t’ia lejojë vetes të tjetërsojë, si pa gjë të keqe, prona e kapitale të ndryshme duke i kthyer ato nga me interes publik në prona e kapitale për interesa klanore apo të një grushti njerëzish klientelistë. Mes tyre shkëlqen në dritën e diellit Shtëpia Qendrore e Ushtrisë, ku si pa të keq dhe me një të rënë të lapsit, totalisht në shkelje të hapur ligjore, ju hoq flamuri kombëtar dhe triumfalisht, në të njëjtin vend, ju vendos flamuri i partisë.

Dhe jo të një partie sido kudo, por pikërisht të asaj force politike që populli e “dënoi” rëndë me votën e 23 Qershorit. Karshillëk më i madh nuk ka ku gjendet. Një vend dhe institucion simbol i vlerave më të mira të ushtrisë shqiptare, me vendim të një qeverie në detyrë, shndërrohet në një simbol partie. Tamam për të krijuar një sherrnaje e konflikt të pa nevojshëm e aspak të domosdoshëm në një kohë që shqiptarët, kudo që janë, presin qetësi e mirëkuptim për të përmbushur ëndrrën e madhe europiane.  Por siç duket qeveria në ikje ka parasysh “gozhdën” e Nastradinit dhe, tamam si Nastradini, secili nga ministrat, me turravrap se po bie perdja e pushtetit, përpiqet të lërë “gozhdën” e vet. Ndërkohë që, gozhdët më të forta i ngul vetë Kryeministri- Nastradin. Jo më pak problematika mbartin edhe vendimet e tjera të nxjerra si “simite” nga sirtarët e ca ministrave agallarë që asetet e ministrive të tyre i nxorën në pazar si në tregun e gjësë së gjallë. Dhe kur pyeten e u thuhet se pikërisht këto pazare (vendime) do të jenë objekt i rishikimit e rivlerësimit nga Qeveria e re marrin guximin e thonë se, për anulimin e këtyre vendimeve ka punë vetëm Gjykata Kushtetuese. Besoj kështu duhet të kenë menduar edhe për më të fundit vendim në radhë, kalimin e konviktit të Shkollës së Gjuhëve të Huaja për një subjekt privat. Prapë në mes të ditës, në mes të Tiranës. Batërdi, tregti, nëmë, mere, ik. Me pronën e popullit si në  “mall të babait”. Dhe ky veprim bëhet hapur, pa u dridhur askujt qerpiku edhe pse, siç thonë, më parë këtë objekt e ka kërkuar universiteti shtetëror i kryeqytetit. Dhe, ndërsa çdo ditë po merr veç vendime që s’kanë asnjë  lidhje me popullin, qeveria në detyrë, çdo ditë anatemon e shantazhon qeverinë e Edi Ramës që pret të marrë detyrën, por që akoma s’është ulur asnjë sekondë në poltronin e qeverisjes së vendit. Po le mos t’ja hamë fare hakun. Tek, tuk ka “marrë” dhe ndonjë vendim për popullin. Si njërin prej këtyre të fundit, trajtuar pak ditë më parë. Tani që qeveria do të dorëzojë çelësat vendosi  të publikohen edhe emrat e subjekteve dhe sipërmarrësve të distributorëve të karburanteve që tregtojnë produkte jashtë standardit. Të gjorët, s’e dinin më parë që një vendim i mëparshëm ndalonte transparencën në këtë sektor. Por aman dy ditë përpara se, të dorëzojnë zyrat e mësuan. Si po ndodh këto dy muaj në këtë Shqipërinë tonë të drobitur, as parë e as dëgjuar. Vendimet dhe paloqeverisjen vazhdon ta bëjë qeveria në detyrë, e zbuar keqas me votën e 23 Qershorit, “kopaçet” i ha Qeveria që ende s’është ulur të qeverisë, e ardhur në fuqi me votën plebishitare të popullit. Dhe qeveria në detyrë po punon në të dy frontet: ditën merr vendime e bën ndere për klientët e vet e për vete, pasdite i bën opozitë qeverisë që ende s’ka asnjë lidhje me qeverisjen për shkak të kushtetutës. Kushtetutës që po i kushton jo pak këtij vendi.