S’dua tjetër dekoratë, s’dua jargë pushtetari…!

954
Nga Agim JAZAJ 
*Prof. Arqile Teta, një njeri i shquar i vendit dhe mik i çmuar i yni, me rastin e “Kurban Bajramit”, bëri urimin dhe më ngau në ngasjen time të ditës… “Kam kohë pa u takuar dhe pa e pirë kafen te vendi, ku e kemi pirë me Kristo Mërtirin”. Profesori edhe në këtë moshë po merrej me redaktimin e një fjalori të gjuhës polake dhe ndihej i vlerësuar nga ai vend, ku ka bërë studimet në kohën e tij të rinisë, për inxhinieri. 

Shoqëritë e emancipuara dhe të civilizuara; çmojnë dijen, të diturit, ndërsa ne çmojë padijen, gradojmë të paditurit! “Pa dituri nuk bën prokopi”- thotë profesor Teta. 
Po meraku i tij ishte i përbashkët… 

Lexuesit do të ruajnë gjatën memorie, të vendosur dhe në dy “sepete” vargjet që pa pushim, u botuan për gati dy vjet në faqet e gazetën “Telegraf”; një në Dushkarak dhe tjetra në Peshtan. 
“Dy sepete plot me bejte,
I bie Vjosa nëpër dete”…
Të arkivuara në arkivat e kësaj gazete, në arkivin qytetare, të skalitura fort në kujtesën e lexuesve, deri në Kanada, ku i lexonte dhe shkruante që andej edhe Velo Veleçiku, duke nderuar gazetën “Telegraf” dhe autorët!

*Nuk ka rënë llohë, nuk kanë dalë lumenjtë, përrenjtë e rrëketë, as këtu lart në grykën e Këlcyrës dhe Mezhgoranit, por zjarret kanë bërë hata, shkrumb e hi – mijëra hektarë pyje e kullota. Në konakët dhe sokakët, njerëzit e atjeshëm pyesnin dhe prisnin nëpër udhët e Peshtanit, të shihnin dhe të piqeshin me Kiço Peshtanakun, alias birin e tyre, pendëhalin Kristo Mërtirin. Të çmalleshin me djalin, rrënjëdalin e tyre! Kemi kohë, nuk i kemi dëgjuar zërin, si kemi lexuar as penën, për kaq kohë. Kë nuk kemi pyetur? Edhe zogjtë… Me pëllumbat kemi dërguar kartë! Ka kaq kohë, që nuk i ka shkelur këmba këtu, ku i ka bërë koka dëng!: “Pse po dimëron kaq gjatë”?!

Edhe në Vlorë iu ishte tharë pështyma, miqve të shumtë të tij, si Anest Bezhani, Arsim Canaj, Isuf Danaj, Lefter Marta…duke pyetur e pritur me veshët pipëz. Topi 160 mm, i gazetarisë së shkruar, pse nuk po shtie më? Është vajosur e grasatuar trashë, është hedhur mbi shtratin e tij”-përhapi dikush llafin… 

Autori Kristo Mërtiri, një emër jo pak i njohur në tri kohët. 

Në kohën e sistemit socialist, në këtë të katrahurë- demokraturë, të kapitalizëm-kanibalizëm-kanabizëm, po edhe në atë të kurbet lumit… Ka bërë një vepër gjysmë shekullore dhe e ka lënë një emër… Kurrë nuk është bërë emër, në gjithë këtë kohë këllirë, përpara pusht-pushtetit dhe parasë së pistë, joshjeve, ofiqeve, postiqeve dhe çifliqeve… 

Po gjuha shkon aty ku dhemb dhëmbi. Ata dinë të flasin pa doreza e çamçakiz në dhëmb, të qesëndisën, leqendisën, të zbrazin hallet e zjarret për këtë derexhe që ka pllakosur përgjatë këtij mbi çerek shekulli të marrë. Krimi ka këputur frerët. Njeri hidh e tjetri pirdh. Fajin e ka sistemi,vetingu! Qytetarët në gjithë botën shkojnë në votime dhe zgjedhin shtetin, t’u dalë për zot shtetasve. Shihni, në shtetin tonë janë vendosur e vidhosur në poltronet zyrtare; puthador e këpucëfshirës të regjur!

Njerëzit e pa heberosur dhe ata me haber të cunguar, i keqpërdorën për punë të liga. Edhe Napoloni për punë të liga, gjente njerëz të ligj. 

Po ku është gjendur ky sistem, kjo mënyrë jetesë, në cilin cep të botës xhanëm- të kam rixha?! Mirëpo disa miq të mi të ngrenë deri dhe kukujset e kokës. “Janë pjesë e sistemit”-arsyetojnë. Sipas kësaj rradakja, e ka fajin sistemi dhe jo njerëzit. “Ore babam: Njeriu bën sistemin, apo sistemi bën njeriun? Njeriu bën shkencën, apo shkenca bën njeriun? 
Të mos largohemi nga muhabeti, plaga që na dhëmb në trupin e robit të drobitur-hedh në pendën e vet publicisti i njohur Kristo Mërtiri. 
“Të ndjesh dhimbjen tënde, je i ndjeshëm, të ndjesh dhembjen e të tjerëve, do të thotë të jesh njeri”…Politikanët tanë ndjejnë vetëm dhimbjen e tyre. Meazallah të të tjerëve! 
I kokolepsin gjërat e thjeshta, nëpër nene si kulpëri i KLPGJ-ve, KLGJ-ve, KLËP- ve, KAPELERË-ve.
Miku im më dëgjo pak me vesh, më shoqëro me sy dhe më ndje me shpirt. Sepse t’i je atje lartë, pranë burimit- këllirëmadh, te kuberna, që gurgullon nëpër përrenjtë e turbullt. Më qafsh, më thuaj: Politikanët ordiner, hajdut me opinga e pa opinga, me kollare e brilantina të kastrepsur rëndë, nuk qederosën aspak për këtë popull barktharë, të varfër në kokë, që i rrjepin kokën dhe lëkurën! U bënë pasunar sa të hapësh e të mbyllësh sytë, duke vjedhur e pjerdhur, mashtruar e ngatërruar pronat, të lidhur me poture dhe ushkurë, me të paudhët e drejtësi-padrejtësisë. Ngrysen brekë grisur, gdhihen të kollarisur! E kush e ka thënë më shkoqur se poeti i Labërisë, vlonjati, Ali Asllan vetëtima: 
“Hani pini dhe rrëmbeni, 
mbushni xhepe, mbushni arka, 
të pa brekë ju gjeti dreka, 
milioner ju gjeti darka”.

Për hir të realitetit, të hidhur farmak dhe të ironisë, këta delenxhinj që dinë të “qeverisin” shqiptarët, sa një lagje e Stambollit, kakarisin si gjeli në majë të plehut, të shesin moral me okë përpara ekraneve dhe pasqyrave, për të thënë atë që duan, dhe jo atë që duhet dhe u kërkon edhe drejtuesi i emisionit!

Tashmë plaga ka mbuluar gjithë trupin dhe asnjë kurë nuk besojë t’i bëj derman! Më dëgjo një llaf- të kam rixha: I bëjnë fajde inxheksionet të vdekurit?!…

Po melhemi dhe penda e Kristo Mëtirit?!…
Ku s’ka shkelur këmba e publicistit të njohur, ku s’ka vënë buzët; në burimet e Tepelenës e Përmetit, Gjirokastrës, në Shkodër, Korçë, në Lezhë, Dibër, Tiranë, Elbasan, ku nuk ka lënë vlagën?! Edhe në stanet e motshme të Tragjasit e Dukatit, nëpër rrugicat duke shkuar në tufat e bagëtive me motoçikletën e Shate Gjondedës. Bëmë përpjekje për të gjetur adresën e Shate Gjondedës, për te sosur amanetin e mikut. Në Orikum po shkon pleqërinë.

Pas 40 viteve të shkuara dhe të pa harruara, u lidhën me celular një ditë vjeshte. Vitet kishin bërë të tyre, por kujtimet, vlera dhe malli ishin bërë mal. Shatja, shkuar të 90 tave, u kthye pas në vite dhe molloiste gazetarin e shquar, i miqësuar përjetësisht me të…

Ku nuk i gjen gjurmët e tij? Edhe jashtë vatanit. Në kafen “Kasteli” në qendër të “Omonias”, ku rrëkëllente thatë një kafe, me dengun e gazetave shqiptare dhe të emigracionit shqiptar, përpara!

Njerëzit që uleshin në atë lokal, e kishin marrë vesh kush ishte ky njeri: Prodhim jashtë serie dhe respekti për të nuk ishte radhiko. 

Shoqëritë e emancipuara dhe të civilizuara, vlerësojnë dijen dhe jo paranë. Ndaj atje udhëheqin të diturit, investojnë të pasurit, mësojnë të pa diturit, ndëshkohen fajtorë, shenjtërohet e ligjshmja! 

Krahasimi shumë drithëronjës: 
Kudo respektojnë dijen, shenjtërojnë të ligjshmen, përulen përpara të diturit; e çojnë në qosh dhe i dëgjojnë llafin!

Botën e udhëheqin të diturit dhe jo të marrët- or mik lumi, më thoshte këto ditë një burrë i moçëm nga Labëria. 

Këtu: Udhëheqin të marrët, investojnë, rripen të varfrit, japin mësim të pa diturit, ndëshkohen të pafajshmit, ligjërohet e paligjshmja!
Një ditë nga kurbet lumi, plot halle e derte i bie telefoni. Ishte Musa Ulqini. I bëri ftesë dhe ofertë, të vinte në vatanin e tij, të niste punën në kryeministri!… Në mes të halleve, në mes të Athinës! Po ku të linte familjen? Shtëpinë e katandinë, i kishte humbur në Firmat Piramidale. Ku të fuste kokën? Në qiell të hapur?…

Kalvarit të padrejtësive dhe paudhësive, si gjithë shqiptarët nuk ka mundur t’i shpëtoj edhe ky njeri! Me vendime të formës së prerë në xhep, po pijnë ujë te “Çezma e Thatë”! Nuk kemi shtet, ndaj jemi të shkretë! Po këto duan molloisur gjatë, nuk mjafton asnjë natë shëndreu, të rrefehen atje pranë oxhakut, në Peshtan e Dushkarak. 

Në emigracion penda dhe mendja e tij ishin në ballinën e shtypit të emigracionit.
Pa pritur një ditë, i ofruan detyrën e kryeredaktorit, një ndër gazetat e emigracionit. Por ai, kurrë nuk e vendosi emrin e tij nën këtë ofiq, pasi e dallonte edhe ndonjë hile, ligësi që mund të fëlliqte. Ballina e gazetës me shkronja të mëdha, korsive, e ngacmonin botuesin, saqë e vinte deri në siklet. 

“Unë ha gurët e “OMONIAS, po kombin kurrë s’e shes”- i tha një ditë prerë Kristo Mërtiri. Dhe… u largua andej nga ku gatuhej gënjeshtra dhe kontrabanda, vinte era e ligësisë dhe e komprometimit…

Bashkë, me emigrantë shqiptarë nga gjithë harta e kombit, nëpër rrugë e Athinës, protestonim përpara rezidencave Evropiane, kundër masakrës serbe, në përkrahje të bashkëkombësve tanë, të Kosovës…. 

Klithmat e autorit Kristo Mërtiri, qoftë nga kurbet lumi, kumbojnë edhe në vargjet e tij, të recituara nga aktori dhe gazetar i RTSH, Xhelil Aliu. Ato ruhen si thesar: 

“Ku më lë mua të zinë,
Lartë e poshtë nëpër Athinë,
Si guri në rrokullimë”… 
Lexuesit e ruajnë në sepetet e tyre për gati gjysmë shekulli komunikim, ku ka mundur të udhërrëfejë e frymëzojë kalimtarët, lexuesit, bashkëqytetarët, bashkëkombësit e tij, ky yll karvani! Disa nga veprat e tij publicistike janë skalitur dhe ruhen në sepetet e moçme. Ato- ore lum miku janë shumë, ne do të përmendim fare pak si: ”Mos më kërkoni më në sheshin “OMONIA”, “Nuk e vras veten para Ministrisë së Drejtësisë”, “Babai yt nuk më la të beja të pa bërën, o Lirak Bejko”, “Më i bukuri urdhër” nga Vlora, profesor Arben Puto dhe administrata memece”, “Ç’u thotë Agim Jazo zyrtarëve të lartë në Vlorë e Tiranë”, “Një gjel mbi helmetë, hodhi në rrugë fotoreporterin Niko Xhufka”, “Politikanët zengjinë nuk e duan Shqipërinë si Sejfulla Malëshova”, “Ç’i thotë Xhevat Hana prokurorit të Përgjithshëm”, “Leri dënglat Fullan”, “Faqezinjtë e tritolit kërkojnë, o jetën, o kuletën”, “Arkivi i gjallë i Sarandës”, “Faleminderit Baba, Faleminderit Tepelena Jonë”, “Drejtësia nuk mund të pastrohet nga “halimxhafëria”, “Zyrtarët këllira që shesin fytyra e pasqyra”, “Në Dushkarak të Vlorës, ua heqin dushkun fjalëve”…

Njerëz të tillë pa spaleta pushtetari, por me grada qytetari, kalojnë ndoshta në heshtje, por pas kanë lënë veprën dhe vlagën gjatë. 
Lexuesit do të ruajnë gjatë, të vendosur dhe në dy sepetet me vargjet pa pushim, për gati dy vjet në gazetën “Telegraf”, një në Peshtan dhe tjetra në Dushkarak. 

“Dy sepete plotë me bejte,
I bie Vjosa nëpër dete”… 
Këto thesare dhe visare, kanë prekur e frymëzuar edhe kryebashkiakun e zgjedhur nga Labëria, lavdimbuluar, Përparim Shametaj, i Selenicës, për të ngritur një muze në vendlindjen e tij, aty ku i ka bërë koka dëng, ku ka lindur dhe është selitur. Të futen dhe të vizitohen edhe këto thesare, në atë muze, si pjesë e memories kombëtare: “Dy celularë me Bejte”. 

Autori Kristo Mërtiri ka lënë aty një postulat kuptimplotë, në sepeten kapakhapur, të shënuar fortë dhe në faqen e parë të kopertinës së librit: “DUSHKARAKU YNË”:

“S’dua tjetër dekoratë,
S’dua jargë pushtetari,
Një qoshe në Dushkarak,
Ngre të vdekurit nga varri”… 
Sigal