Sali Mandrri/ Dy dosje të harruara, peng i drejtësisë apo i politikës?!

531
Sigal

Rrugëtimi ynë drejt demokracisë do të jetë ende i penguar sa kohë që shteti dhe institucionet e tij nuk janë plotësisht të distancuara, jo vetëm me fjalë, por mbi të gjitha me akte institucionale, veprime të përgjegjshme ligjore,  të ndarë me thikë nga bota e krimit. Ende këtë vend e mbajnë peng krime me përmasa masakrash, që janë kryer nga segmente të shtetit, nga piramida në majë të tij dhe kanë mbetur dosje të harruara, të mbuluara nga pluhuri dhe retorika podiumale. Flitet shumë për rrethin vicioz ku përpëlitet drejtësia shqiptare nën tutelën e politikës bunker, por nuk mund të ndodhë një çlirim i organeve të saj, pa vënë nën përgjegjësi ligjore fajtorët në majën e politikës së mbrapshtë, që ushqejnë me akte sindromike mbijetesën e drejtësisë që përcillet poshtë në bazë, si padrejtësi.  Dy dosje të krimit shtetëror mbajnë peng realitetin e presupozuar demokratik në Shqipëri, duke bërë që njerëzit të humbasin besimin e tyre tek drejtësia, e cila gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë nën presionin e fortë të politikës inatçore dhe të llogoreve neokomuniste. Dosja e pare është ajo e 2 prillit 1991, ku mbetën të vrarë katër dëshmorë të demokracisë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka e Nazmi Kryeziu dhe dosja ende e freskët e 21 janarit 2011, ku tytat e nxehta të armëve të dala nga frëngjitë e kryeministrisë, vranë ditën për diell katër demonstrues.  Për të rënët e 2 prillit janë bërë memorialë, janë dhënë tituj e medalje, por e vërteta nuk u zbardh kurrë, krimi mbeti i pa adresuar, duke iu faturuar klasës ish komuniste, por protagonistët e të cilës, megjithë zhurmën e bujën e oborrit blu, gjatë këtyre njëzet e tre viteve, nuk rezultuan të implikuar në këtë krim shtetëror! . Drejtësia nuk i ka vënë kurrë pikat mbi “i” mbi këtë krim të rëndë me përmasa politike dhe shtetërore, siç nuk ka vënë pikat mbi “i” mbi shumë dosje të krimit të organizuar, duke bërë që shqiptarët t’i përjetojnë organet e drejtësisë jo si mekanizma të së drejtës, por si ingranazhe  të “djallit”, të padrejtësisë së ngritur në sistem. Më shumë se prova e fakte, në lidhje me masakrën e 2 prillit 1991 kanë qarkulluar tash e sa kohë barsoleta, sajime kafenesh, alibi të pushtetarëve, që janë ndier komod në revanshin e tyre shpatëzhveshur, duke pasur si një nga qindra pretekstet edhe ngjarjen e rëndë të atij fillimprilli të largët në Shkodër. Aktorët pjesëmarrës dhe dëshmitarët okularë nuk janë thirrur në kohë nga drejtësia, ndërkohë që janë larguar në drejtim të paditur, duke bërë që kjo dosje të mbulohet me pluhurin e trashë të indiferencës fatale të një kohe të papërgjegjshme. Lidhur me dosjen e 21 janarit, po mbushen katër vjet që kur tragjedia u projektua dhe u realizua në Tiranë, në kryeqytetin shqiptar, gjatë një demonstrimi të ish- opozitës socialiste. Edhe pse ata që demonstronin me aq tone të forta proteste (dhe me të drejtë) sot janë në pushtet, hija dhe misteri i asaj dite të kobshme nuk janë zhdukur. 21 janari nuk mund të jetë një dosje e mbyllur, për sa kohë që krimi nuk është zbardhur dhe dy kahet e politikës vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën. Kahu që u detyrua nga vota plebishitare të lerë pushtetin, nuk ka asnjë argument, përveç retorikës së radhës. Megjithatë drejtësia ende nuk ka thënë fjalën përfundimtare për çfarë ndodhi në demonstratën e 21 Janarit. E ashtuquajtura e “Premtja e Zezë” e Shqipërisë ende nuk ka emra fajtorësh, nuk janë zbardhur emrat e atyre që shkelën këmbëzën e automatikëve, nuk janë mbyllur në dosje emrat e atyre që urdhëruan masakrën. Drejtësia është ende larg zbardhjes së plotë të kësaj ngjarje dramatike, duke lënë pas shumë pikëpyetje, enigma dhe mister.Një komision hetimor parlamentar u lind e u etiketua nga ish opozita e djeshme si një krijesë e paligjshme e qesharake dhe nuk prodhoi asgjë serioze, vetëm gradimin e kryetarit të tij në postin e ministrit të Drejtësisë. Sot, disa vite pas masakrës, kur ish- opozitarët janë kthyer në pushtet, ka vetëm një numër demonstruesish të dënuar nga drejtësia dhe asgjë më shumë. Në kohën kur ndodhi, 21 janari dukej si një makth që nuk mund të na ndodhte sërish ne, nuk mund t’i ndodhte shqiptarëve, dukej diçka e pabesueshme; turmat e irrituara thërrisnin për drejtësi; lëvizja e turmave shoqërohej me britma, vrapime me panik dhe kthime sërish para Kryeministrisë. Skenat transmetoheshin direkt në të gjitha televizionet, por tmerri dhe paniku ishte më i madh tek ata që ishin në shesh, tek demonstruesit. Dhe më pas, në kohën kur njerëzit po largoheshin e mendohej se gjithçka mbaroi, të shtënat tmerruan demonstruesit. Pastaj, një njeri u shtri përtokë, pas tij një i dytë, ndërsa dikush nga mesi i turmës thirri me zë të lartë: “Na vranë”. Trupi i një 40-vjeçari u mor në krahë nga disa burra, ndërkohë që në gjoks i dukej një vrimë plumbi, pasi këmishën e kishte gjysmë të zbërthyer. “Po na qëllojnë me plumba të vërtetë”, tha një tjetër. E ashtu ndodhi, atë ditë u vranë tre demonstrues, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Pak ditë më vonë, ndërroi jetë në spital edhe Aleks Nika, i cili kishte marrë një plumb në kokë. Jo pak të lënduar pati dhe në radhët e policisë, që u përball me agresivitetin e demonstruesve të zemëruar. Ajo çfarë ka ndodhur është thënë e stërthënë në mediat televizive e shtypin e shkruar, por personazhet që kanë ndodhur aty me shërbim, mund të hedhin dritë mbi të vërtetat në hije të asaj dite. Njëri prej tyre, Alban Ibërhasaj që ka qenë me 21 janar në detyrë  si nënoficer i Sigurisë së Jashtme të Selisë së Kryeministrisë, është thirrur nga Prokuroria e Tiranës, për të dëshmuar për këtë ngjarje. Të gjithë ish nënoficerët, oficerët dhe punonjësit e Gardës që ishin me shërbim atë ditë duhet të japin dëshminë e tyre, me përgjegjësi ligjore, që dosja e 21 janarit të mos mbulohet nga pluhuri, harrimi dhe keqpërdorimi politik. Po kështu duhet të japin versionin e tyre ish- deputetët e opozitës së asaj kohe, gazetarët, fotoreporterët dhe kameramanët, që mund të cilësohen heronj të asaj dite kobzezë, pasi ia dolën të informonin me vërtetësi mbi tragjedinë e 21 janarit, përkundër korit pushtetar që fliste për “puçe shteti” e “grushte shteti” fantazmë.

Kanë kaluar njëzet e tre vjet që kur ndodhën vrasjet e 2 prillit në Shkodër dhe drejtësia asnjëherë nuk e ka thënë fjalën e saj, të plotë dhe pa ekuivokë se çfarë ka ndodhur atë ditë të largët, në fillimet e një udhëtimi të vështirë të shqiptarëve drejt demokracisë së munguar.

Por akoma e trishtë është dosja e 21 janarit, kur tytat e nxehta të armëve dolën nga selia e Kryeministrisë dhe askush nga ata që projektuan dhe realizuan këtë masakër nuk është dënuar.  Po mbushet një çerek shekulli që kur ne shqiptarët, pas një nate të gjatë pesëdhjetëvjeçare, nën thirrjet “liri-demokraci”, rrëzuam muret e izolimit të gjatë e të lodhshëm, idhujt e rremë të një kohe absurde dhe ndërmorëm kursin e ndryshimit të madh politik drejt Europës. Kryedeviza e shoqërisë së re e të hapur ku u përfshimë ishin dhe mbeten të drejtat njerëzore, garantimi i tyre kushtetues, juridik dhe veprues në të gjitha shtrirjet e funksionimit të demokracisë dhe të pushteteve në Shqipëri. Por ende sot, pas më shumë se dy dekadash, të drejtat e njeriut janë nën vëzhgimin dhe presionin e grupeve të interesit, pranë Oborreve partiake; moszbardhja e dosjes së 2 prillit 1991 ku u vranë katër persona, midis të cilëve njëri ishte lider politik i së djathtës në kryeqendrën e veriut,  dhe ajo e 21 janarit 2011, ku mbetën të vrarë katër demonstrues, është kulmi i këtij neglizhimi institucional, janë krime shtetërore që akuzojnë.

Ajo që ka ndodhur këta njëzet e ca vjet dhe që vijon të ndodh me një simetri gërricëse ndaj të gjitha shtresave të shoqërisë shqiptare, provon se tranzicioni i tej ngarkuar dhe tejet problematik në vendin tonë ishte dhe mbetet një iluzion pa krye e pafund, mbushur me pritje e shpresë, me premtime e zhgënjime të njëpasnjëshme mbarëpopullore, por veçanërisht “njolla të e zeza”, njolla ulëritëse dhe paditëse janë këto dy tragjedi të mbetura pa autorë.  Më në fund, duket se ka një tendencë hapjeje dhe përgjegjshmërie të institucioneve të larta ndaj qytetarëve të këtij vendi; heqja nga ana e Kryeministrit Rama të murit mes selisë së Kryeministrisë dhe rrugës nga kalon populli është një heqje e drejtë, me një simbolikë të fortë, që premton një mënyrë të re të drejtimit të vendit. Por kjo nuk mjafton, pa u zbardhur plotësisht dosja e 21 janarit, asaj dite të zezë kur derdhën gjakun katër demonstrues të pafajshëm, por edhe dosja e largët e 2 prillit, që nuk mund të jetë kurrë një dosje e mbyllur përgjithmonë…