Sali Agaj: Raportet institucionale Kuvend-KLSH

675

“Zhvillimi i marrëdhënieve efektive me Kuvendin,
përparësi e KLSH-së”

 

Në një sistem të fortë të llogaridhënies financiare
publike në demokraci, personat përgjegjës për zhvillimin e veprimtarive të
publikut dhe përdorimin e burimeve publike japin llogari përpara atyre që përdorin
shërbimet e ofruara. Kuvendi autorizon buxhetin e qeverisë dhe i kërkon asaj
llogari për shpenzimet e buxhetit. Në emër të qytetarëve dhe përdoruesve të
shërbimeve publike ka për detyrë të japë garanci se qeveria i përdor burimet në
mënyrë ligjore dhe me përgjegjësi, për qëllimet e përcaktuara. Për ta bërë këtë
në mënyrë efektive, anëtarët e Kuvendit kanë nevojë për informacion objektiv
dhe të bazuar në fakte se si qeveria mbledh dhe shpenzon fondet publike.

Në dokumentin fondamental të Institucioneve Supreme
të Auditimit, të njohur si Deklarata e Limës (ISSAI 1, Seksioni)[1]
thuhet: 
“Koncepti
dhe ekzistenca e auditimit është një element i natyrshëm në administrimin
financiar publik, pasi menaxhimi i fondeve publike përfaqëson një besim.
Auditimi nuk është një qëllim në vetvete, por është komponent i domosdoshëm i
një sistemi rregullator, i cili ka për qëllim të zbulojë devijimet nga
standardet e pranuara dhe shkeljet e parimeve të ligjshmërisë, efikasitetit,
efektivitetit, ekonomisë së menaxhimit financiar në një fazë të hershme që
është e mjaftueshme për tё bërë të mundur ndërmarrjen e veprimeve korrigjuese
në raste të veçanta, për t’i bërë ata që duhet të japin llogari, që të pranojnë
përgjegjësinë, për t’i zhdëmtuar, ose të paktën për t’i bërë më të vështira –
shkeljet e tilla”.

 

Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Kuvendi janë dy lojtarët
më të rëndësishëm për t’i kërkuar llogari qeverisë për përdorimin e fondeve
publike. Kuvendi nuk e ka kapacitetin ose ekspertizën e mjaftueshme për të
kontrolluar përdorimin e fondeve publike nga qeveria. Ai mbështetet në
pikëpamjet objektive dhe profesionale të KLSh-së për t’u dhënë atyre siguri dhe
informacion në lidhje me besueshmërinë e raporteve financiare dhe përdorimin e
burimeve publike. Në këtë mënyrë, auditimi i sektorit publik kontribuon në
përmirësimin e standardeve të qeverisjes, në menaxhim dhe vendimmarrje më të
mirë, dhe në përdorimin më efektiv të parave publike.
Nisur nga rëndësia e marrëdhënieve të Institucionit Suprem të
Auditimit (SAI) me Parlamentin  nën
drejtimin e Gjykatës Evropiane të Audituesve (ECA), më datën 8-9 nëntor në
Ankara të Turqisë, për këtë çështje u zhvillua një Konferencë e nivelit të
lartë, të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve kandidate, vendeve të
mundshme kandidate, ku mori pjesë edhe një delegacion i KLSH, i kryesuar nga
Kryetari z. Bujar Leskaj dhe deputeti i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave
të Kuvendit, z. Erion Koçi . Kjo Konferencë miratoi një dokument bazë të
hartuar me kontributin e të gjithë SAI-ve, pjesëmarrës dhe ekspertizën e SIGMA-s,
që do t’i ndihmojë SAI-ve për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Parlamentin
bazuar në standardet ndërkombëtare dhe përvojën e përparuar të  SAI-ve të BE-së.
Standardet ndërkombëtare
të auditimit dhe dokumenti i miratuar në Konferencën e lartpërmendur, kanë
vendosur pritshmëri të mëdha për Kontrollin e Lartë të Shtetit, për raportimin
në Kuvend në lidhje me punën audituese dhe përpjekjet për të ndihmuar anëtarët
e Kuvendit për të kuptuar dhe përdorur raportet e auditimit. Në këto
marrëdhënie ndikojnë një numër faktorësh që formësojnë këto marrëdhënie siç
janë: sfondi kushtetues dhe historik i Kontrollit të Lartë të Shtetit, sistemi
parlamentar, organizimi qeveritar, sistemi i buxhetit dhe i kontabilitetit,
etj. Themeli i marrëdhënieve ndërmjet Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe
Kuvendit janë raportet e auditimit që KLSH dërgon në Kuvend, gjë për të cilën
KLSH praktikat më të mira të implementuara nga Institucionet Supreme të
Auditimit si:

·        
Njohja e Kuvendit
me raportet e auditimit dhe publikimi i tyre në të njëjtën kohë;

·        
Ofrimi i
prezantimeve dhe i informimeve mbi raportet;

·        
Përdorimi i
njoftimeve për shtyp për të nxjerrë në pah çështje të rëndësishme të përfshira
në raporte;

·        
Shqyrtimin e
raporteve tematike që përmbledhin rezultate nga auditimet e mëparshme dhe
zbatimin e rekomandimeve, etj.

KLSh ka shkuar përtej pajisjes së Kuvendit me
raportet e auditimit për rritjen e ndërgjegjësimit për rolin e KLSh-së dhe ka
krijuar marrëdhënie të mira pune në përgjithësi me Kuvendin dhe Kryetarin e
Kuvendit si dhe në veçanti  me Komisionin
parlamentar të Ekonomisë dhe kryetarin e këtij komisioni. Kryetari i KLSh-së z.
Bujar Lekaj duke raportuar në Komisionin e Ekonomisë me dt. 28.06 2016 mbi
Performancën e KLSh-së gjatë v. 2015, duke
folur për këto marrëdhënie theksoi: “Kolona e Dytë e Kornizës së Performancës së SAI-t”B. Pavarësia dhe Kuadri Ligjor”, e
cila perceptohet si mjedisi ligjor, i krijuar nga Legjislativi dhe Ekzekutivi,
ku vepron SAI dhe që perfshin:

 1. Pavarësinë
e SAI-t,

2. Pavarësinë e Kreut dhe të punonjësve të SAI-t dhe

3. Mandatin
e SAI-t, është sot më e plotë se kurrë ndonjëherë më parë, në sajë të
mbështetjes së dhënë nga Kuvendi me
miratimin e ligjit të ri organik të KLSH-së, në radhë të parë në sajë të mirëkuptimit dhe ndihmës Suaj, të
deputetëve të Komisionit të Ekonomisë, gjë për të cilën Ju falënderojmë.”

Sigal

Marrëdhëniet e mira
të zhvilluara vitet e fundit, në zbatim të standardeve ndërkombëtare të
auditimit dhe praktikave të mira të Institucioneve Supreme të Auditimit
ndërmjet Kuvendit dhe KLSh-së, gjejnë pasqyrim konkret në Rezolutën e datës
20.10.2016 të miratuar nga Kuvendi “Për
vlerësimin e Veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2015” si
në vlerësimin e punës së KLSh-së, shqyrtimin e zbulimeve të auditimit dhe
rekomandimeve, rekomandimeve për përmirësimin e veprimtarisë dhe “…shprehjen
e angazhimit të tij maksimal, me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit dhe
ushtrimin e kontrollit parlamentar për zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së….
Në këtë Rezolutë gjithashtu
Kuvendi i Shqipërisë,
vlerëson
rolin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si institucioni kushtetues i pavarur i
kontrollit të jashtëm ekonomiko-financiar, që auditon procedurat dhe zbatimin e
ligjeve që rregullojnë menaxhimin me efiçencë dhe dobishmëri të fondeve dhe
pronës publike e shtetërore; si dhe mbështet dhe nxit Kontrollin e Lartë të
Shtetit për të punuar dhe kontribuar për një qeverisje të mirë, nëpërmjet
parandalimit dhe luftës pa kompromis kundër korrupsionit dhe abuzimeve në
administrimin e pronës publike, rritjes së besimit të publikut dhe nxitjes së
përdorimit me ekonomi, efiçencë dhe efikasitet të fondeve publike, në përputhje
me kuadrin ligjor në fuqi dhe praktikat më të mira të BE-së e standardeve
ndërkombëtare INTOSAI;

Gjithashtu Kuvendi nëpërmjet kësaj Rezolute,
angazhohet
të shikojë mundësinë e krijimit të Nënkomisionit
parlamentar brenda Komisionit për Ekonominë dhe Financat për të monitoruar në
mënyrë sistematike aktivitetin e KLSH-së dhe zbatimin e rekomandimeve.

 

 

 



[1]               ISSAI 1, Deklarata e
Limës (1977
) http://www.issai.org/media/12901/issai_1_e.pdf.