Sadedin Çeliku/ Shqipëria e mbytur në borxhe

645
Fjala “ borxh “ tashmë është bërë e zakonshme dhe kryefjala e ditës. Kur e dëgjojmë na duket sikur na i falin paratë dhe askush nuk bëhet merak se një ditë do të duhet të kthehen madje dhe me interesa të larta. Të gjitha qeveritë, që kanë pasuar njëra-tjetrën, e kanë parë shpëtimin tek borxhi, madje tani kanë filluar ta kthejnë kokën drejt borxhit edhe bashkitë. Shqipëria dhe qeveria, që e drejtoi atë deri në vitin 1991, kishte një borxh rreth 1 miliardë dollarë, kurse sot këto qeveri kanë një borxh mbi 10 miliardë, që Zoti e di se ku do ta shpien vendin me këtë strategji. Deri në vitin 1990 u ndërtuan shumë hidrocentrale, atje ku spikasin ato në Vaun e Dejës, Komanit, Fierzës, Shkopetit, Ulzës, Bistrica 1 dhe Bistrica 2, Lanabregasi, Banja etj. Ndërkohë mjaft hidrocentrale, të cilat vazhdojnë sot nga kompani të huaja dhe vendëse, janë projektuar nga institutet e projektimit para vitit 1990. Por u ndërtuan dhe 18 mijë kilometra rrugë dhe qindra e mijëra ndërmarrje, kombinate e uzina pa fund. Për çerek shekulli, nga viti 1990, jo vetëm nuk u ndërtua gjë, por edhe ato ferma bujqësore, sera, uzina e kombinate që ishin i prishëm. Sot, edhe pse u bënë 25 vjet qeverisje e demokraci, Shqipëria ka po 18 mijë kilometra rrugë, po ato hidrocentrale, po ato shkolla dhe po ato çerdhe gjithashtu. Kjo do të thotë se vendit i kemi bërë një dëm ekonomik të madh e të pallogaritshëm, pa llogaritur borxhin e madh që po u faturojnë shqiptarëve. Treguesit ekonomikë dhe analiza e tyre janë radiografia që tregon sëmundjet e ekonomisë shqiptare. Kështu kërkesa agregate është e barabartë me Konsum + investime + shpenzime publike + eksport-importe mallrash. E shprehur ndryshe, kërkesa agregate paraqet sasinë e përgjithshme të mallrave dhe shërbimeve që konsumatorët, kompanitë e firmat, qeveria e të huajt, janë të gatshëm të blejnë për çdo nivel të çmimit. Kërkesa agregate është raporti në mes shpenzimeve agregate, apo shpenzimeve totale dhe të nivelit të çmimeve. Janë të shumtë faktorët që determinojnë zhvillimin, ose jo, të ekonomisë shqiptare siç janë konsumi, shpenzimet qeveritare, normat e interesit, efekti i tregtisë së jashtme, niveli i çmimeve, kostot e të mirave kapitale, tatimet, shkalla e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese, teknologjia, faktorët demografikë, ekuilibrat e kërkesës e ofertës, si dhe mjaft tregues të tjerë, të cilat janë mjaft të rëndësishëm për analizën që po bëjmë. Sigurisht nuk marr përsipër të bëj një analizë analitike sepse janë bërë mjaft, por kam dëshirë të shkruaj për fenomenin e borxhit, të cilët qeveritarët tanë e kanë qejf, pasi qeverisin në kushte komode dhe në kushte rehatllëku. Ajo që bie në sy është papunësia masive, varfëria që shkon deri në kufijtë e mbijetesës, ulja e konsumit, rritja e taksave dhe ulja e prodhimit për eksport. Aktualisht po bëhen politika të nxitjes së punësimit, një metodë e përdorur qysh në vitin 2003 e më pas që ka rezultuar e dështuar. Miliona dollarë shpenzime pa efektivitet për arsye se firmat përfitojnë miliona para fonde nga shteti dhe s’bëjnë asgjë. Raportimet për nivelin e pagave dhe punësimit shpesh janë fiktive, sepse janë mjaft firma që ende nuk paguajnë sigurime për punonjësit dhe ju japin paga nën nivelin e dyshemesë. Shkurt, kjo politikë është e provuar dhe sëmundja e papunësisë ka mbetur ajo që kemi. Nga kjo mesele, të vetmit përfitues kanë qenë shërbimi kombëtar i punësimit që ka rikonstruktuar ambientet dhe i ka bërë ato moderne me paratë tona. Kjo lloj sëmundje ka përfshirë gati të gjitha institucionet shqiptare. U rikonstruktua kryeministria, Ministria e Kulturës dhe ajo e mbrojtjes, si dhe disa komisariate policie. Jo vetëm kaq, por u rikonstruktuan dhe disa nga zyrat rajonale të sigurimeve shoqërore, klinikat dhe qendrat shëndetësore, si dhe ambientet e drejtorisë së përgjithshme të sigurimeve shoqërore. Më tej akoma, janë paguar miliona dollarë për ambiente me qira nga Banka e Shqipërisë, sigurimet shoqërore dhe mjaft institucione të tjera. Nëse do të quhen investime për interes publik këto i bie që sipas përllogaritjeve të derisotme Shqipëria të dalë me rritje ekonomike edhe pse shqiptarët janë më të varfër se dje. Dhe kjo konsumojnë më pak, por edhe sepse buxheti familjar është më i rrudhur se kur. Rritja e deficitit, ulja e remitancave, kreditë e këqija, borxhi i madh publik, i shoqëruar dhe me rritjen e borxhit të huaj, reduktimi i kredive, mungesa e likuiditetit, mungesa e investimeve direkte, papunësia në nivele të larta, kriza rajonale dhe ndikimet në ekonominë tonë e bëjnë Shqipërinë një vend me rrezik të madh.. Një në tre shqiptarë është me borxh, rritja e huave jashtë bankave nuk dihet sa është. Thuhet se është mbi 60 përqind. Janë qindra e mijëra familje shqiptare që blejnë me lista në mini-marketet sepse i mungojnë të ardhurat minimale të jetesës. Sipas përfaqësuesit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Xhens Reinke, ekonomia shqiptare do të vazhdojë të njohë rritje mjaft të vogël gjatë këtij viti. “Rritja – vazhdon ai – do të nxitet nga eksportet dhe investimet direkte. Sigurisht që janë marrë dhe po merren disa masa të cilat do t’i japin efektet vitin e ardhshëm, siç janë reformat e sigurimeve shoqërore dhe ne energjetikë, atje ku debitorët privat e shtetëror po reduktohen në maksimum. Rritja mbetet nën potencialin e vet dhe kjo është evidente në shifrat e papunësisë, të cilat janë në nivele të larta. Kreditimi vazhdon të mos stimulohet, por problem mbeten dhe kreditë e këqija. Deficiti tregtar do të thellohet dhe qeveria duhet të marrë masa për konsolidimin fiskal, reduktimin e borxhit publik, që është mbi 72 përqind të prodhimit përgjithshëm bruto. Borxhi ka marrë formën e fajdeve, pa marrë parasysh shlyerjen ose riciklimin e saj për shkak se prioritetet e investimeve shkojnë në sektorët e pariciklueshme”. Ambasadori amerikan, Donald Lu, paralajmëron investitorët e vendit tij se në se vini të investoni paratë në Shqipëri do të përballeni me korrupsionin. Më 1 shkurt 2015, Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë në raportin e saj deklaroi krahas të tjerave se niveli i kredive me problem vazhdon të jetë në nivele të larta. Pavarësisht se disa tregues tentojnë të shkojnë drejt përmirësimit, vërehet se risku i veprimtarisë dhe sistemit financiar dhe struktura e saj mbeten të pranishme. Risku i kreditimit mbetet shqetësim kryesor. Ekonomia shqiptare ka mbetur ne tranzicion dhe për të kaluar këtë fazë asaj i duhet të punojë mjaft me reformat që forcojnë shtetin dhe administratën që pason atë. Protagonizmi i tepruar në huamarrje i vë në gjumë drejtuesit e shtetit, frenon iniciativën për zbatimin e politikave që prodhojnë zhvillim ekonomik, si dhe ngarkon çdo shqiptar me borxh që në stadin e tanishëm përballë varfërisë. Dhe për shkak të papunësisë janë të pazot ta shlyejnë atë. Dhe për t’i përmirësuar treguesit e për ta futur Shqipërinë në rrugën e zhvillimit duhet shumë punë. Nuk mjafton prezenca çdo ditë në radio-televizionet shqiptare, të cilat shpesh lënë shije të hidhur përpara publikut hallexhinj. Nëse do të bësh një xhiro rrotull ministrive dallon se dritat janë të fikura nga zyrat e ministrave e deri tek roja, i cili qëndron me dyer të mbyllura. Kjo do të thotë se një ministër punon më pak se katër orë. Me përjashtim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Brendshme, të cilat e fillojnë punën në orar, asnjë ministri tjetër nuk e fillon atë para orës 09:00 të mëngjesit. E shkak për këtë është se ministrat shkojnë në aparat kur ju do qejfi. Kjo virozë me sa duke është ulur këmbëkryq vertikal dhe horizontalisht në të gjitha njësitë e administratës shtetërore. Ndoshta ka ardhur koha e ndryshimeve në qeveri, e cila me siguri do të rrisë efektivitetin në qeverisje. E pra shpëtimin nuk duhet ta kërkojmë tek huamarrja, që po i zë frymën shqiptarëve, por tek puna, rendimenti, efektiviteti, ndryshe të mos flasim më për shpresën dhe të ardhmen tonë.
Sigal