Rustem Peçi/ Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare – histori faqendritur që ka ndriçuar e do të ndriçojë në të gjitha kohërat

1703
Sigal

 Sa më shumë afron 29 Nëntori, dita e madhe e çlirimit të vendit, aq më shumë veteranët e LANÇ dhe gjithë populli shqiptar ndiejnë madhështinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, aq më shumë ndiejnë krenari të ligjshme për këtë kryevepër popullore, që solli lirinë dhe risolli pavarësinë e Shqipërisë. Por në këtë vit jubilar të 70-vjetorit të çlirimit dhe triumfit mbi nazifashizmin janë shtuar edhe më shumë shpifjet e ligësitë poshtëruese të ballisto-zogistëve e pinjollëve të tyre për të hedhur baltë mbi LANÇ, ashtu siç ka ndezur akoma më shumë ambiciet djallëzore të tyre për të qenë pjesëmarrës në sjelljen e lirisë dhe këtë e bëjnë për t’iu fshehur historisë dhe për të mashtruar popullin. Por asnjë kohë, shekull pas shekulli, s’ka për ta zbehur Historinë e LANÇ ashtu si askush, përveç partizanëve trima, s’ka për ta njohur autorësinë e Ditës së Çlirimit. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e njohur botërisht, nuk ka lënë hapësira për ta trajtuar nëpër “konferenca shkencore” si “Luftë siç nuk  e kemi njohur”…

    Dhe le ta kuptojë kushdo, ata që dalin hapur e ata që i bien tërthorazi, se ajo luftë popullit shqiptar (1939-1944), është epopeja më e ma madhe dhe më e lavdishme e popullit shqiptar gjatë gjithë historisë së tij çlirimtare kombëtare dhe shoqërore. Ajo ishte luftë çlirimtare, antifashiste dhe antiimperialiste që u shndërrua në revolucion popullor nëpërmjet kryengritjes së armatosur u bë që në krye të erës pjesë përbërëse e Luftës II Botërore Antifashiste. Aleatët tanë të mëdhenj, drejtuesit e koalicionit antifashist botëror, BS, Angli dhe SHBA, qëndresën antifashiste të popullit shqiptar e njohën, e pranuan qysh në dhjetor të vitit 1942, e mbështetën dhe e përshëndetën luftën tonë për të fituar lirinë dhe pavarësinë e vërtetë.

Askush s’ka të drejtë ta vërë në dyshim se LANÇ u organizua dhe u udhëhoq nga FNÇ dhe PKSH që, në qëndresën e parë ndaj agresionit fashist të 7 Prillit 1939 e deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë dhe vendosjen e pushtetit popullor  demokratik, më 29 Nëntor 1944. Sepse gjatë kësaj Lufte populli heroik shqiptar luftoi dhe fitoi kundër dy superfuqive pushtuesve: Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste që pushtuan vendin njëra pas tjetrës. Në periudhën 1939-1941 qëndresa antifashiste u udhëhoq nga patriotë të mëdhenj e të shquar në shumë krahina si Pezë, Kurvelesh, Mallakastër, Skrapar, Mokër, Opar, Dibër e gjetkë,  etj. të cilët i treguan botës se ky vend kishte zot. Por pas formimit të PKSH dhe Konferencës Historike të Pezës, me krijimin e FNÇ, lufta ANÇ e popullit shqiptar hyri në një fazë të re, e drejtuar dhe e bashkuar në të gjithë vendin me një program politik e ushtarak për bashkimin e popullit dhe hedhjen në luftë pa kompromis, në mënyrë të organizuar, pa dallim feje, krahine e ideje kundër pushtuesve dhe tradhtarëve të vendit që u lidhën me pushtuesit dhe formuan organizatat reaksionare siç ishin Balli Kombëtar dhe Legaliteti.

   Populli shqiptar, në udhëheqjen e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar dha një kontribut të çmuar në Luftën e Dytë Botërore kundër pushtuesve nazifashistë. Ajo u zhvillua e pandërprerë, me një intensitet përherë e më të madh dhe u rrit shkallë-shkallë nga aksionet e njësiteve guerile në qytet e fshat e të çetave partizane në veprime luftarake të batalioneve, brigadave, divizioneve e të korparmatave partizane. Krijimi i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH dhe Komandës së Përgjithshme sollën një risi në luftën e popullit shqiptar kundër pushtuesve dhe tradhtarëve të vendit, ajo u shndërrua në Kryengritje të Armatosur. Kjo solli që njësitë dhe repartet e UNÇSH të gozhdonin në luftë mëse 15 divizione italiane e gjermane, të përballonin me vetëmohim e heroizëm, në kushte të pabarabarta, operacionet dhe veprimet luftarake të tyre, ndër to dhe dy operacionet dhe mësymjet e përgjithshme të tyre gjermano-balliste të dimrit 1943-1944 dhe të verës 1944, të cilat u shkaktuan atyre humbje te ndjeshme në njerëz dhe teknikë luftarake. UNÇSH nën drejtimin e Shtabit dhe Komandës së Përgjithshme ndërmori operacione në shkallë të gjerë për çlirimin e Shqipërisë së  jugut, Shqipërisë së mesme e të veriut, të  të gjithë territorit të Atdheut tone e përtej kufijve shtetërorë. Shqipëria është i vetmi vend në Evropën e pushtuar nga nazifashistët që realizoi çlirimin e plotë krejtësisht me forcat e veta. Udhëheqja e Frontit NÇ e PK dhe e Shtabit të Komandës së Përgjithshme me në krye Enver Hoxhën ishin vendimtare ne mobilizimin e popullit ne luftë, organizimin dhe drejtimin e UNÇSH në të tri etapat e zhvillimit të luftës popullore.

   Sakrificat e mëdha të popullit tonë, gjatë pesë vjet e gjysmë të Luftës Nacionalçlirimtare, vuajtjet, mjerimet dhe gjaku i 28 mijë dëshmorëve na japin mesazhin e madh: të mos harrojmë kurrën e kurrës amanetin e të rënëve, ta vlerësojmë LANÇ si epopenë më të lavdishme të popullit tonë që solli lirinë dhe pavarësinë e vërtetë. Tërë LANÇ është periudhë e lavdishme pa asnjë gabim. Sado që të mundohen përfaqësues të veçantë të kolaboracionizmit për të trajtuar ndryshe LANÇ, historia e LANÇ është shkruar me gjak nga ata që e bënë atë. Fitimtarët nuk  gjykohen. Bashkëpunëtorët me pushtuesin mbeten përjetë tradhtarë të atdheut.

     Në këta muaj që kanë mbetur nga kremtimi me madhështi  i 70- vjetorit të çlirimit të Atdheut, Komitetet e Organizatave të Veteranëve të LANÇ në rrethe, lipset t’i ndezin të gjitha “turbinat” e veprimtarive. Të organizojnë sa më shumë takime, biseda, mbledhje përkujtimore ceremoniale, ku të flitet për LANÇ, për fitoren që solli ajo, për dëshmorët dhe sakrificat e tyre, për lavdinë dhe mesazhet që dalin nga pastërtia e idealeve të LANÇ. Është koha që ti themi rinisë e kujtdo që ta duam dhe ta ruajmë Atdheun tonë si sytë e ballit, të njohim e kujtojmë me krenari LANÇ, epopenë tonë të lavdishme, të luftohet me forcë, me argumente bindëse çdo tendencë për të errësuar lavdinë e asaj epopeje apo për të ndryshuar historinë, nga ndonjë pseudohistorian a pseudopolitikan. Plotësimet që mund të dalin nga dokumente akriviale le t’i bëjnë historianët rast pas rasti dhe jo t’i bëjnë politikanët dhe aq më keq pinjollët e Ballit e të kolaboracionistëve. Të mos ngatërrohen periudhat historike.

   Ndërkohë jo vetëm një, por as qindra konferenca shkencore që mund të organizohen, nuk mund të sjellin “studime shkencore dhe kërkime në interes  të ndriçimit shkencor të periudhës së Luftës Dytë Botërore në tërësi dhe të trajtave që ajo mori në Shqipëri”. Studimet shkencore për LANÇ i kanë bërë institute dhe historianë prestigjiozë, me nivele të larta që kanë ndriçuar jo vetëm epopenë e luftës, por gjithë historinë e popullit tonë.