Ruben Avxhiu/ Lufta e Kosovës dhe Gjykata Speciale

523
Sigal

Kosova e ka zemrën e vrarë. Me duart e saj ka votuar një gjykatë te e cila nuk ka besim. Ka pranuar të gjykojë të akuzuar të cilët nuk i di se kush janë për krime të cilat nuk i di se si, ku dhe kundër kujt kanë ndodhur. Ka një shprehje në anglisht që thotë “to take a leap of faith” dhe në shqip: “të hidhesh me sy mbyllur”. Si i tillë ky hap nuk do të ishte i lehtë për askënd. Aq më pak për një popull që ende i ka plagët e hapura, që ende ia mohojnë vuajtjen dhe ia përqeshin tragjedinë, pikërisht ata që ia shkaktuan. E megjithatë, shanset janë që pranimi i kësaj gjykate të ishte rruga e vetme përpara. Kjo nuk është hera e parë që Kosova “hidhet symbylltas” duke i besuar Amerikës dhe Perëndimit. Deri tani nuk është zhgënjyer asnjëherë. Nuk filloi luftën në fillim të viteve 90 duke i besuar premtimit se nëse do të kishte luftë në Kosovë, nuk do të ishte vetëm përballë Serbisë. Pranoi përjashtimin nga Marrëveshja e Dejtonit duke besuar premtimin se çështja e saj nuk do të mbetej pa u zgjidhur. Nënshkroi Rambujenë duke hequr dorë nga pavarësia (padyshim veprimi më i vështirë edhe se ky i sotmi) duke besuar se statusi do të rikthehej në tavolinë. Pranoi të dorëzonte armët e UÇK-së me besimin se do të mbrohej me armë nga ndërkombëtarët. Pranoi reformën e standarteve para statusit, duke besuar se statusi do të diskutohej shumë shpejt. Pranoi negociatat me Serbinë, me besimin se nuk do të përdoreshin për t’ia mohuar vullnetin popullit të Kosovës. Pranoi Pakon e Ahtisaarit, me besimin se integriteti i vendit nuk do të vihej në dyshim.
Të gjitha këto ishin kërcime me symbyllur, sepse Kosova nuk mund ta dinte se çfarë do të ndodhte më pas. Nuk mund ta dinte nëse SHBA dhe aleatët do të përmbushnin premtimet e tyre. Në fund të fundit, premtimet në politikë shkelen çdo ditë. Bota është e mbushur me popuj që nuk fituan kurrë pavarësinë. Po e vërteta është se NATO, të vetmen luftë në historinë e saj, e ka bërë për të çliruar Kosovën. Shumë përpara Gjeorgjisë dhe Ukrainës, SHBA dhe Europa u përplasën me Rusinë ballë për ballë për punën e Kosovës. E vërteta është se sot Kosova është çliruar nga Serbia dhe pavarësia e saj është njohur nga gati 110 vende të botës. SHBA dhe europianët kanë shpenzuar kaq shumë para, prestigj diplomatik, mjete ushtarake dhe angazhim gjeopolitik, saqë ato nuk mund të lënë më Kosovën në rrugë. Zërat që duan që Kosova tani të ecë me këmbët e saj janë legjitimë dhe kanë të drejtë. Por realiteti është ai që është. Po e përmbledh me pak fjalë këtu:

Pa ndihmën e KFOR-it, Serbia mund ta pushtojë Kosovën në pak ditë. As Kosova dhe as Shqipëria nuk ka aftësitë ushtarake që ta pengojnë këtë. UÇK nuk do ta çlironte dot vetëm Kosovën. Do të ishte më keq se një lloj Palestine europiane, po të paktën Izraeli në teori e pranoi një zgjidhje me dy shtete. Serbia as në teori nuk e pranoi kurrë një ekzistencë të Kosovës. Kjo nuk do të thotë se nuk kishte trima në UÇK, po diferenca në mjetet ushtarake ishte dhe do të mbetej e pakapërcyeshme. Që kur është çliruar, Kosova nuk ka mundur të gjejë zgjidhje totale ekonomike. Ajo mbetet në kurrizin e taksapaguesve europianë. Njohja ndërkombëtare e Kosovës është në radhë të parë punë e diplomacisë amerikane, turke, britanike, arabe e franceze. Pa ia hequr kontributin e shumë diplomatëve kosovarë si dhe mijëra të rinjve të angazhuar si luftëtarë të vegjël digjitalë në internet, pa ndihmën e diplomacive të lartpërmendura, Kosova nuk do të ishte askund.

Të shpallësh pavarësinë ka vlerë vetëm nëse atë ta njohin edhe të tjerët. Kosova e shpalli një herë në vitin 1992, po simbolika dhe realiteti janë dy gjëra të ndryshme.
Sot, kur SHBA dhe aleatët thonë se kjo Gjykatë do t’i shërbejë Kosovës, unë nuk gjej arsyetim të mjaftueshëm për të rënë dakord. Po kjo as që krahasohet me ndjenjat e mia në kohën e Dejtonit dhe të Rambujesë. Te kjo e fundit me duart tona firmosëm heqjen e statusit nga diskutimi. Historia e këtyre dy dekadave na ka mësuar se në botën ku jetojmë, nuk fitohet më dot vetëm. Edhe një superfuqi si SHBA po pranon të mos luftojë më vetëm. Kosova ka nevojë jetike për mbështetjen perëndimore. Për fat të mirë, kësaj here kemi prova plot që frymëzojnë besim. Ashtu si shqiptarët në gjithë botën, unë nuk do të pranoj ndonjëherë përbaltjen e figurës së UÇK-së. Po e vërteta është se kjo figurë tashmë është përbaltur nga akuza për individë. Ka vetëm një mënyrë për ta luftuar këtë përbaltje. Të keqes i duhet shkuar përballë. Ashtu siç i shkuam në fund të viteve 90.

Le t’i tregojnë pra çfarë akuzash kanë. Çfarë provash e çfarë dëshmish. Shumë shqiptarë dhanë jetën të veshur me uniformën e UÇK-së. Nëse dikush e ka përdorur atë uniformë për të vënë pasuri personale, për të dhunuar njerëz të pafajshëm, nganjëherë edhe shqiptarë, për t’iu treguar trim ndonjë plake copë copë, ndërkohë që nuk ka guxuar të dalë në përleshje me ushtrinë serbe etj, ai është përdhosës i luftës tonë. Do të kishte qenë më mirë madje që Kosova vetë ta kishte dënuar. Po le ta shohim hapur, që nga çlirimi dhe pavarësimi, shumë e shumë njerëz kanë vënë farefisin përpara kombit, pasurimin familjar përpara thesarit të shtetit, interesat e miqësisë dhe nepotizmit përpara drejtësisë. Sot, kemi ish-ushtarë të UÇK-së që kanë vrarë veten nga turpi i varfërisë dhe skamjes si dhe ish-ushtarë që janë bërë më të pasur se ç’mund të pranojë logjika e tregut. Drejtësia në Kosovë nuk ka funksionuar. Po të kishte treguar Kosova në paqe guximin dhe sakrificën që tregoi në pushtim e në luftë, nuk do të kishte nevojë për gjykata speciale. Le të vijë pra, kjo Speciale, ashtu, me dosjet e fshehta e me sekretet e turpshme. Do t’i dëgjojmë dhe vlerësojmë, një e nga një.

Mjaft me akuza, ku dëshmia rri e fshehur, me citime anonime e me thika pas shpine. Mjaft më me politikanë që mbeten peng të frikave nga akuza. Le të hapen dyert e të ngrihen siparet. Rrota e historisë nuk do të kthehet pas. Kur edhe një figurë tashmë e rrëzuar nga piedestali si Karla Del Ponte e pranon se vetëm individë dhe jo UÇK-ja do të përballet nga akuzat, kjo dëshmon se lufta e Kosovës do të mbetet e pastër sido që të shkojë gjykata speciale. Nuk do të ketë më kthim pas, sado keq të biem e të rrëzohemi nga ky kërcim i radhës me sytë mbyllur. Kemi shkuar kaq larg tani edhe për një arsye të vetme, se kemi pasur një mbështetje ndërkombëtare, të fortë e vendimtare. Një mbështetje që është ushqyer pandalshëm pikërisht që këtu nga diaspora shqiptare në SHBA, por që ka pasur në themel të vërtetën dhe aspiratat legjitime të shqiptarëve dhe njerëzve paqedashës të Ballkanit.
Do të biem në këmbë edhe kësaj here. Dhëmbët sonte i kam shtrënguar. Por, kam besim.