Ruben Avxhiu/ Filoserbët e djeshëm, antikosovarët e sotëm

208
Ata që deri dje kanë qenë kundër bashkimit kombëtar se nuk i shihnin dot shqiptarët e Kosovës me sy, tani kanë dalë me metodën tjetër, që ju kosovarët jeni tepër të mirë për t’u përzjerë me ne vulgun e Shqipërisë. Domethënë jam kundër bashkimit jo se nuk i dua kosovarët po se nuk jam në nivelin e tyre.
Mënyra më e bukur për t’i dëbuar duke u bërë lëvdata. Kjo nuk është ndonjë habi. Shumica e këtyre që kanë filluar të flasin me këtë gjuhë janë po ata filoserbë, të cilët në vitet 90, jepnin alarmin sesa të tmerrshëm janë kosovarët.

Tani, që kufiri pothuajse nuk është më dhe popujt nga të dy anët e kufirit u njohën me njeri-tjetrin dhe dashakeqësve e paragjykuesve antikombëtarë të Shqipërisë iu mbeti pa punë mjeti i frikësimit, ka filluar kënga tjetër. Në fakt, muzika e Kosovës më e mirë është bërë në vitet më të hershme, atëhere kur ende nuk meritonte respekt nga disa “elitarë” të Tiranës. Shkrimtarët më të mirë kanë qenë në atë kohë.

Mirëpo, “dashuria” e rigjetur po vjen tani. Sidomos pas disa lajmeve për sportistë të Kosovës që nuk do të përfaqësojnë më flamurin kuqezi. Kjo më shumë se çdo gjë tjetër ka entuziasmuar antikosovarët e pandreqshëm të Shqipërisë londinezë që urrejnë idenë e bashkimit kombëtar. Ky shpërthim sentimenti nuk u vjen nga dashuria për tjetrin, po nga dëshira për t’ua nxitur largimin. Pavarësia e Kosovës nuk është automatikisht kundër bashkimit kombëtar. Madje në një farë mënyre është një fazë e ndërmjetme e pashmangshme. Po kjo ndarje politike nuk ka sjellë ndarje kulturore e ekonomike përkundrazi shqiptarët po jetojnë më shumë bashkë se kurrë ndonjëherë dhe kur nuk u përçanë nga fyerjet dhe thashethemet, sigurisht që nuk do të ndahen nga lëvdatat hipokrite.

E vërteta është se shqiptarët andej e këndej kufirit janë shumë të ngjashëm me njeri-tjetrin. Kanë të meta dhe të mira, kanë probleme dhe avantazhe.
Ajo që duhet të mbetet e papranueshme është prirja për të gjykuar njerëzit në grup. “Kosovarët”, “shqiptarët andej” etj. Ka njerëz të mrekullueshëm e maskarenj, heronj e kriminelë, në çdo qytet, fshat e krahinë.

Nëse i do me zemër njerëzit e çdo qyteti, apo zone, qoftë edhe në shkallë të gjerë si Kosova, apo Malësia e Madhe etj. Atëhere, nuk ka nevojë t’i lavdërosh kot në grup. Vlerësojua dhe jepu forcë njerëzve që e meritojnë dhe që i ndihmojnë, dënojua dhe denoncojua ata që u bëjnë keq e i turpërojnë.
Akoma nuk është shpikur ai kufi shtetëror që të mund të ndajë njerëzit e talentuar nga të pazotët, të mençurit nga budallejtë e të sinqertët nga hipokritët.
Se jemi të gjithë ta papërkryer, andej e këndej kufijve, se kemi të bukurat dhe të shëmtuarat, se kemi ëndrra e zemra të thyera nga historia, me trastat të mbushura me keqkuptime dhe paragjykime, këto të gjitha e bëjnë më të bukur procesin e ribashkimit kombëtar, në mos si projekt politik, si një nga ngjarjet më të mëdha kulturore, ekonomike e sociale të Ballkanit modern.

Nuk e di se sa ia vlejnë rastet personale por gati 25 vjet më parë, më shumë kishim shqiptarë të Kosovës në shoqërinë tonë në Tiranë, sesa të Shqipërisë. Po nuk ishte se u takua “shqiptari” me “kosovarin” dhe lidhën miqësi, po se u takuan njerëz, në moshë të re, në udhëkryqe të jetës, pa paragjykime e ndjenja superioriteti apo inferioriteti. Sikur ajo mikrobota jonë anakronike të shërbente si model i shoqërisë së nesërme panshqiptare, ky do të ishte një komb me të vërtetë fatlum.