Rrumpallhania e këshilltarëve të djathtë

634
Nga Gëzim Zilja

Është fjala për të zgjedhurit e PD-së, në Këshillat Bashkiakë të qyteteve dhe kryeqytetit. Teorikisht janë përfaqësuesit e qytetarëve përkrahës të së djathtës në të gjithë Shqipërinë. Parimisht duhet të jenë njerëzit më të përgatitur të opozitës, luftëtarë të vijës së parë në parlamentet e bashkive, ku administrohen e përdoren paratë publike. Pozicioni i këshilltarve të opozitës është i rëndësishëm për të nxjerrë në dritë çdo manipulim e shkelje ligji që bëhet në kurriz të qytetarëve. Mbi këtë bazë zgjidhen njerëzit më të ndershëm, e më të përgatitur të opozitës, gardianë për zbatimin e ligjeve, për të sqaruar e ndaluar shpërdorimet e harxhimet pa kriter të parave publike në qeverisjet vendore. Le të marrim një ose dy shëmbuj në punën e këshilltarëve të qyteteve të Vlorës të Durrësit rreth dy problemeve të thjeshta: Atë të largimit padrejtësisht nga puna të anëtarëve të PD-së dhe shpenzimeve të parave publike në ndonjë një rast të veçantë. Pas fitores së PS-së në zgjedhjet e vitit 2013, një pjesë e madhe e punonjësve të administratës, drejtues dhe jo drejtues u zëvendësuan me anëtarë të PS-së. Gjithë këto pesë vjet sidomos në arsim janë punësuar (Portali çuditërisht nxjerr fitimtarë vetëm mësues socialistë!?), anëtarë të partisë socialiste. Asnjë listë e asnjë studim nuk ka në zyrat e PD-së në Qendër e në rrethe. Gjithë këta njerëz u braktisën dhe ende sot e kësaj ditë branisen gjyqeve për të fituar të drejtën e mohuar. Aso kohe, Eduart Halimi u betua se do të hapeshin zyra të posaçme në rrethe, që do të merreshein me këtë dukuri të tmerrshme, që shfaqet sa herë në pushtet vjen njera ose tjetra parti. Edhe PD-ja e “madhe” edhe ato “të voglat” edhe juristi i PD-së gënjyen. Të tjerë “atje lart” aryetojnë idiotësisht: Këta që pushohen s’kanë nga venë, janë kontigjenti ynë. Ka ca kohë që në Vlorë janë kryer punime të rëndësishme dhe rregullime në infrastrukturë (pas 15 vjet shkatërrimesh e rrënimesh) dhe kjo është një gjë e mirë, sigurisht. Por kurrkush nuk e di, se sa është fatura dhe sa herë më tepër është paguar mbi vlerën reale të këtyre rregullimeve. Nëse ata shtatë këshilltarët e PD-së, (thonë që dy s’janë më të PD-së), nga dyzet e tre gjithsej që ka Kwshilli Bashkiak, bashkë me njerëzit e mençur të PD-së, do të ishin në krye të punëve do të kishin sqaruar vlonjatët, se rregullimet në qytet kanë kushtuar tre-katër fishin e kostos reale. Do të thonë se investimet janë bërë nga lart, nga qeveria, se gjithnjë justifikohen këta të PD-së. E po pastaj? Kush ua heq të drejtën të kërkojnë llogari e të informohen edhe për shpenzimet e ministrive apo të Kryeministrisë? Do të përmend edhe rastin e velierës së Durrësit, një krim, i kryer mbi trashëgiminë kulturore. E lanë Sazan Gurin (këtij bravo i qoftë!) vetëm me anëtarët e Shoqatës. Thjesht si qytetarë të Durrësit, këshilltarët me ca miq të tyre a nuk mund të jenë të pranishëm ditën kur zhvillohen seancat gjyqësore? Ka dhe dhjetëra e qindra raste, që mund të bëhet opozitë, duke bashkuar njerëzit e prototestuar për padrejtësi të tjera. Po këshilltarët e PD-ve në rrethe as ua ndjen se ç’ndodh në qytetet e tyre. Shullëhen në diell, kruajnë hundët me gishtin tregues, e presin kur të vijë në pushtet PD-ja. Mbajnë në xhep lista (ashtu si dhe ata në Tiranë) se kush do të bëhet drejtor, shef i madh në polici e dogana, kur të vijnë në pushtet. E ëndërrojnë, e ëndërrojnë, duke pirë kafe e prishur paratë, që nuk dihet nga u vijnë e që nuk u mbarojnë kurrë!? Ndërkaq numri i njerëzve, që u vijnë rrotull (në orbita jo të rregullta si planetët rreth diellit) ca përtacë, servila e llapaqenë që s’u mbyllet goja as kur flenë gjumë, mbetet i pandryshueshëm; të tjerët janë larguar me kohë se u duhet të sigurojnë bukën e gojës. Nuk di asnjë rast këto pesë vjet, që këshilltarët e PD-së në Qendër e rrethe të kenë marrë ndonjë nismë a t’i kenë shkuar deri në fund ndonjë çështjeje të drejtë edhe kur e kanë ngritur si problem. (Lodhen shpejt këta të PD-së, më tha një miku im socialist në Vlorë!) Anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës janë edhe më gallatë se “bojkotojnë” mbledhjet, duke lënë Kryetarin e Bashkisë të bëjë pallë me Tiranën e paratë publike. Pse duhet të bojkotojnë mbledhjet, kur janë zgjedhur për të “kënduar”, për të sqaruar se ç’ndodh e ç’po bëhet me paratë e popullit!? Le të vazhdojnë diskutimet e argumentat dy, tre, pesë ditë, një muaj se kjo është detyra e tyre. Edhe po u “mundën” me vota, e kanë bërë detyrën! Populli dëgjon, mendon, kthjellohet dhe kupton. Po nëse bojkotojnë dhe kjo është shumë komode, çfarë zgjidhin këshilltarët opozitarë? Atje në kafene, restorant apo mejhane, ku përfundojnë zakonisht pas bojkotit, pa harruar të marrin “viktimën” e rradhës që do të paguajë faturën, asgjë nuk ka vlerë veç stomakut të tyre të lumtur. Këshillat bashkiakë duhet të jenë shkolla eksperience për politikanët e ardhshëm të partive, ku ata bëjnë pjesë, sidomos për të rinjtë. Po nëse vazhdojnë të zgjidhen sipas lidhjeve vertikale, që kanë me njerëz në qendër, me dhurata, dreka, darka e premtime dhe jo, sipas vlerave dhe me votim të hapur, puna në qendër e rrethe do të fiket fare. Beteja për të marrë pushtetin fillon atje në bazë, duke faktuar se ç’po bëhet nëpër qytete me miliardat e Rilindjes, të hedhura për sheshet, për koncesionet, për korrupsionin galopant etj., etj. Detyra e këshilltarit ashtu si ajo e deputetit është detyrë e shenjtë, por, nëse do të vazhdohet të dalin nga listat e xhepave të shefave të mëdhenj, zi e më zi do të shkojnë punët për PD-në e Shqipërinë. Zgjedhjet vendore tashmë janë fare pranë!
Sigal