Rrugica e Çamëve….

1055
Adriatik Riza Dosti
Edhe pse emrin e saj të vërtetë ajo rrugë a rrugicë prej vitesh e vitesh e ka “Shyqyri Berxolli”, ma do mendja se zor të gjesh në Tiranë, por edhe në gjithë Shqipërinë, njeri që ta njohë me këtë emër… Ajo rrugicë e dashur për të gjithë kryeqytetasit e shqiptarët ka vetëm një emër dhe këtë të përjetshëm: “Rrugica e Çamëve” dhe këtë etiketim e ka marrë nga komuniteti martir shqiptar i Çamërisë, i cili u vendos këtu shumë vite më parë pas përzënies me dhunë, zjarr e hekur që monarko- sadistët grekë i bënë popullsisë së kësaj krahine shqiptare që edhe sot kullon gjak e dhemb në shpirtin e plagosur të Shqipërisë Mëmë si kurrë më parë… Eh, sa kujtime ruaj nga kjo rrugicë e nga banorët e mrekullueshëm të saj! Nga ata njerëz që nga shpirti e zemra u burojnë veç mirësi, mbarësi, patriotizëm, atdhetari, dëshirë për punë dhe besim tek i madhi Zot.

Sapo hyn, në krye të saj është Dinastia Nuri, ku dikur Babë Rexhepi, rahmet pastë, të uronte mirëseardhjen, tek rrinte ulur në atë stolin e tij të vogël e kuvendonte në anën tjetër të rrugës me Fadilin e djemtë e tij, me njërin prej të cilëve, Besimin kam bërë shërbimin ushtarak shumë vite më parë. E mes tyre, i miri Kadri, kampioni i madh i mundjes shqiptare dhe njeriu i rrallë i kësaj familjeje patriote, punëtore e fisnike. Dhe unë që ndaloja me dëshirën më të madhe e pija një kafe tek Nënë Hamideja e djemtë e saj, miqtë – vëllezër të mi Luti e Nusha, por edhe me Kadriun e djemtë e tij; Vinin e Denisin… E si relikt i rrallë aty në një kulm shtëpie me Nuret kanë qenë edhe Demnerët, shtëpia e të famshmit Rremë Demneri që meriton respekt të veçantë. Pas ’90-s, kjo rrugicë, falë Nurëve, por edhe familjeve të tjera çame që banojnë këtu u bë tregu – hambar i Shqipërisë, duke shfrytëzuar në kohën e momentin e duhur lidhjet tregtare me Turqinë, armiken e përjetshme të Atdheut të tyre të grabitur Greqisë. Këtu, jo vetëm që gjeje gjithçka që i duhej një njeriu e një familjeje për një jetë normale e që na kishin munguar deri në ekstrem e banalitet të gjithëve për dekada me radhë, por këtu u punësuan me të ashtuquajturën Tregti, tek tregu i çamëve, qindra e qindra njerëz. Dhe tregu çam gumëzhinte që në mëngjes herët e deri vonë në mbrëmje sikur të ishte një koshere bletësh punëtore, e natyrisht që njerëzia blinte me çmime shumë të leverdishme për kohën gjithçka që i duhej e i nevojitej. Këtu ishin çdo ditë miqtë e mi të mrekullueshëm, të thjeshtë, fjalëpakë e punëtorë, si Caci, Ben Keta, Liku , Kadri Pengili, Cen Mema, Besimi, Lani, Dyli, Gaspri, Beqiri, Shati, Nikja,Tosi, Qemoli, Fatlinda, Refua e motrat e saj etj… E në mes të rrugicës edhe e famshmja shkollë “Kristoforidhi” ku shpenzuam jo pak nga rinia e adoleshenca jonë duke luajtur në oborrin e saj futboll, derisa i bënim gjunjët gjak…Dhe ja më pas shtëpia e Memëve…-Arbana, nga ku shkëlqyen në sportin tiranas por edhe atë kombëtar; Haxhiu, Beqiri, Aliu, Osmani e, më pas edhe trashëgimtarët e tyre, Sula, Ardi etj, deri edhe tek i pafati i kësaj bote të mbrapshtë, super talenti i Memëve, djali i ndjerë i mikut tim të shtrenjtë, Cenit. Në vijim janë radhazi familjet e shumë respektuara të kësaj rrugice legjendë të Tironës sonë të shtrenjtë, Belitë, Kikët, Ferhatët, Hykët, Mezinët etj, që gjithashtu kanë nxjerrë emra të shquar të sportit shqiptar. Në të majtë, kur del për t’u kryqëzuar me rrugën “Myslym Shyri”, ende janë shtëpitë e miqve të mi të mirë e të hershëm. Llaq Gogës. Ferd Zerdjes, Qemolit të Cajes, Ed Dashit e deri poshtë në fund të rrugicës ku kanë qenë vëllezërit Mazreku..Trajneri i famshëm i peshëngritjes, Zyhdiu e kolegu im i punës së detyruar në Kombinatin Josif Pashko,Xhevdeti. Po aty ndodhet edhe shtëpia e famshme e Nallbanëve prej nga mori jetë në Shqipëri sporti i Tenisit, meritë e babës së tyre Saliut, të cilin Diktatura kurrë nuk e la të zhvillonte këtë lloj spoerti, se e quante sporti luks i borgjezisë. Sa histori, kujtime e ngjarje të bukura, prekëse e njerëzore ka kjo rrugicë, o njerëz! E pikërisht, pse protagonistë të saj kurdoherë vetëm për mirë kanë qenë banoret e saj të mirë, çamët. Çfarë nuk bëri ai regjim i urryer të hidhte baltë e llum, të villte vrer e mllef kundër çamëve për t’i fyer, ulur, përbuzur e denigruar ata dhe për të mos i quajtur kurrë pjesë të popullsisë shqiptare, sepse natyrisht më parë, si të pabesë lindur mes pabesisë komuniste, ua kishin tradhtuar e shitur tokën e tyre të shtrenjtë, Çamërinë, e çamët i kishin vrarë e prerë me thikë pas shpine. Por kurrë nuk ia dolën dot, pasi çamet mbetën ata që i ka njohur mirë historia jonë, por edhe ajo ballkanike; trima, punëtorë, fisnikë, patriotë, nacionalistë e besimtarë të zotit. Në vitin e zi ’97, kur Tirana ndodhej nën terrorin e kontrollin e bandave kriminale të rrugës që na i bëri peshqesh politika e mbrapshtë tradhtare e antikombëtare shqiptare, në rrugicën e çamëve nuk luajti vendit asnjë tullë a qerpiç, nuk u këput as edhe një degë peme, nuk u dëmtua e kërcënua askush dhe kjo krejtësisht për meritë të banorëve të saj e kurrë prej atij farë shteti shqiptar që çamët kurdoherë dhe fatkeqësisht e kanë pasur kundër tyre si thikë pas shpine. Dikur, diku, aty pranë edhe Sali Berisha pati inauguruar përmes një pllakate përkujtimore , Sheshin “Çamëria” e më pas si gjithë politikanë e tjerë shqiptarë para e pas tij, ”çuditërisht” u bë memecë për çështjen Çame e qepi gojën me karficë. Dola edhe sot tek tregu çam ashtu siç kam dalë kushedi sa herë për vite e vite me radhë, për të takuar e për t’u çmallur me miqtë e mi të shumtë… U lumturova kur dyer e dritare të këtyre njerëzve të mirë i gjeta sërish hapur për miq e shokë të mirë ashtu si përjetësisht në traditën e tyre fisnike të bujarisë prekëse e tepër njerëzore. Natyrisht që sot rrugica m’u duk edhe më e bukur, por edhe më e dashur dhe njerëzit edhe më të mirë e më të qeshur…natyrisht. Rikthehesha pas kaq e kaq vitesh dhe malli bën të vetën, ndaj edhe pa u merakosur fort se ç’mund të kenë menduar të tjerët për mua, ashtu siç e ndjeva, nga shpirti e zemra, u ula e putha me respekt gurët, asfaltin e kalldrëmin e saj… Flm, o njerëz të mirë të kësaj rrugice historike për gjithçka të mirë që bëtë e i dhatë Tironës sonë por edhe Atdheut tuaj! Zoti ju bekoftë, ju e tokën tuaj të shënjtë, Çamërinë tonë martire…!
Sigal