“Rruga e Kombit” dhe jo vetëm, a janë marrë vendimet në “bashkëqeverisje me qytetarët”?

798
Nga Miltiadh M. Muçi 
Tashmë shqiptarët kanë nisur të ndërgjegjësohen, të dinë si të protestojnë dhe këtë e tregojnë ngjarjet më të fundit të banorëve të Kukësit, Hasit e Tropojës, edhe pse është vetëm fillimi. Ishte një protestë e vërtetë qytetare, pas 21 vite të protestave të ndodhura në jugun e vendit, të vjedhjes që pushtetarët e politikanët iu bënë kursimeve të para të shqiptarëve, depozitave në firmat mashtruese piramidale të krijuara prej tyre, të cilat rrezikuan të shkaktonin një luftë civile. Protesta e “Rrugës së Kombit” për herë të parë u organizua nga vetë qytetarët me nismën e përfaqësuesve të tyre në Këshillin Bashkiak, edhe pse nuk përfundoi sikurse e dëshironin, pa djegie, shkatërrime e dëme materiale më shumë sa mund të duhej, sepse me banderolat e thirrje, në këmbë apo ulur për të bllokuar rrugën askush nuk do t’i përfillte, si ka ndodhur shpesh në protesta të tjera. Por ajo që i rriti vlerat e saj ishte pjesëmarrja e gjerë e qytetarëve, me bindje të ndryshme politike. Meritë të veçantë duhet pranuar se kishin protestuesit e majtë, të cilët ndoqën shembullin e këshilltarëve të tyre, edhe pse protestonin kundër qeverisjes së keqe të përfaqësuesve socialistë. Por në atë protestë kishte edhe qytetarë të rretheve të tjerë, të Hasit e Tropojës, dhe qytetarë të Vlorës e Tiranës, Durrësit e Shkodrës, që u ndodhën në rrugëtim për të shkuar apo duke u kthyer nga Kosova. Pjesë e protestës u bënë dhe kosovarët, më të interesuarit e shqiptarëve nga ka marrë emrin edhe “Rruga e Kombit”, për të cilën në rreth dy dekada kanë kontribuar të gjithë shqiptarët e jugut dhe veriut, të lindjes dhe perëndimit, gjithkush që ka pasur në përdorim një automjet. Vlerat e protestës i rritën edhe kërkesat e protestuesve dhe jo vetëm, të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen brenda e jashtë vendit, për tarifën që do të paguhej për të lëvizur në këtë rrugë, të cilat sipas llojeve të automjeteve ato ishin të larta, krahasuar edhe me të vendeve fqinjë apo evropiane. Revoltën e protestuesve e shtonin dhe më shumë tarifat për banorët pranë vendkalimit të ndërtuar për t’i vjelë ato. Dhe kjo ndodhte kur pushtetarët socialistë po propagandonin sloganin për “bashkëqeverisje me qytetarët”, që në themel të saj ka dëgjimin e respektimin e zërit të qytetarit. Tarifat e vendosura nuk u diskutuan as në vizitën më të fundit të kryeministrit Rama në rrethin e Kukësit, jo larg nga dita e protestës së ngritjes dhe të uljes së pengesës sinjalistike, për të kaluar nga të dy drejtimet e rrugës. Dhe nuk mund të prisje ndrydhe nga një qeverisje indiferente e mospërfillëse të interesave të qytetarëve, gjatë pesë viteve dhe jo vetëm nga pushteti qendror por dhe ai vendor. Gjithçka që ka ndodhur tregoi se slogani i “bashkëqeverisjes me qytetarët”, bashkëbisedimet me publikun të kryeministrit për këtë bashkëqeverisje, ka qenë e mbetet hipokrizi kur bënë autokritikë publike a thua se vërtetë e ndjenë veten fajtor që nuk u mori mendimin, në veçanti banorëve të Kukësit dhe të vendbanimeve të tjera pranë, sikur premtohet të korrigjohet bashkërisht në të ardhmen. Kjo ka ndodhur edhe më parë, me tarifat e energjisë elektrike, të ndihmës ekonomike dhe personave me aftësi të kufizuar, të biznesit të vogël, të konsumimit të ujit e taksës së pronës të pa hipotekuar. Në të gjitha rastet pushteti ka treguar brutalitetin e tij, pa menduar për të lehtësuar shtresën e mesme të qytetarëve, në veçanti atë të varfër. Çdo korrigjim apo ndryshim gjysmak më pas është bërë, se gjoja ka menduar për këto shtresa, kur duhej t’i kishte bërë më parë se të veprohej. Qytetari vetëm se është rënduar, asnjëherë nuk është ndihmuar. Për çfarë shtese të pensioneve bëhet fjalë në vlerën 3 mijë lekë të vjetra, ndërsa për punonjësit e administratës 10 herë më shumë? 

Të gjitha nismat e pushtetit janë marrë nisur nga idetë e fiksuara mendërisht prej kryeministrit, sikurse janë rikonstruksionet e qendrave të qyteteve ose “rilindja urbane”, në veçanti i “Sheshit Skënderbe” i kthyer tashmë në “Kodra Skënderbe”, duke transformuar identitetin e Tiranës dhe cenuar pjesë të trashëgimisë kulturore. Dhe jo vetëm kaq, por në këtë shesh janë shpenzuar aq shumë sa mund të rikonstruktoheshin mbi 100 rrugë automobilistike rurale me gjatësi 3 km, ndërsa me nismën më të fundit të 1000 fshatrave turistikë janë përzgjedhur midis personave pranë kryeministrit, si në rrethin e Tepelenës pa vlerat e duhura të trashëgimisë kulturore, dhe janë lënë vendbanime të lashtë me këto dhe vlera të tjera të natyrës. 
Sigal