Rrëzimi i ndryshimeve kushtetuese 2008 dhe i Kodit Famëkeq Elektoral janë vetingu i vërtetë i shqiptarëve

Flet Dr Majlinda Keta, Lektore e Filozofisë në UT

Zj. Keta, a mund të pohojmë se Shqipëria po kalon një krizë në prag zgjedhjesh parlamentare ?
Nuk ka më dyshim që vendit i është tronditur stabiliteti për të mos thënë i është kthyer në rrezik situata mbi shëndetin dhe kohezionin social, politik, ekonomik të shqiptarëve, pa lënë mënjanë edhe luhatjet në orientimin dhe politikën e jashtme për çështjet ndërkombëtare delikate. Do e nisja argumentin me tronditjen e kohezionit social pasi Shqipëria edhe në katër vitet e fundit të qeverisjes socialiste vijon të ketë shifra traumatike në emigrimin drejt Evropës të krahasueshëm me shtete në luftë, shqiptarët vijojnë provojnë të emigrojnë në shifra alarmante drejt SHBA ( flitet për 200 mijë aplikantë për Green Card-in e fundit); shqiptarët rriskojnë të përgjysmojnë popullatën në pak dhjetëvjecarë në vijim ndërsa burgjet mbeten në mbikapacitet, shifrat e dhunës në familje dhe mbi gruan janë në rritje; dhuna mbi fëmijët përsos formën dhe shton rastet ; vijojnë aplikimet në rritje për studime jashtë vendit në nivelet universitare e pasuniversitare; papunësia mbetet në shifra kritike sidomos ndër të rinj; pabarazia dhe polarizimi tashmë nuk është vetëm mes zonash gjeografike por edhe Brenda të njëjtit mjedis gjeografik(rasti i Farkës nga të dhënat e fundit nga INSTAT). E paralel me këtë gjendje të shëndetit mendor e emocional të shqiptarëve korrupsioni sofistikon kapjen e e financave publike edhe në petkun e reformave të reja. E gjithë kjo panoramë me tregues përkeqësimi UDHËZON për një seri ndryshimesh decizive që duhet të ndërmerren nga politikë bërësit shqiptarë duke pranuar pikë së pari dështimin e pseudoreformave në disa sektorë strategjikë në vend. Kësaj pamje shëndetligë të Shqipërisë humane i qaset një familje e lodhur dhe e sfilitur për të kryer misionin në mirëedukimin e fëmijëve, të gjeneratave të reja të cilët do jenë prematurë në gjithë rolet dhe misionet që i duhet të ndërmarrë me rritjen e moshës. Nëse do na duhet motivim për të ndryshuar këtë gjendje sociale në vend do të na duhej të shpresonim tek vizioni dhe përkushtimi i moralshëm i klasës politike në vend. Për fatin e keq të shqiptarëve jo vetëm në territorin shqiptar por edhe për ato në hapësirën shqipfolëse dhe kudo që ato punojnë e jetojnë nëpër botë, klasa politike ekzistuese është në kuotat më të ulëta të aftësisë për udhëheqësi, në kuota nën zero për moral politik, në kuotat maksimale të vënies së interesit politik të pushtetit mbi shëndetin dhe besueshmërinë e Shqipërisë përtej kufijve shqiptarë. Pluralizmi shqiptar është në koma ndërsa institucioni “ parti”, “demokraci e brendshme partiake” dhe “forume politike vendimmarrëse” janë vënë nën thundrat e Kryetarëve Zeus të partive të mëdha. Kjo mega krizë politike në vend vërtetoi tradhtinë më të madhe që i është bërë demokracisë shqiptare me ndërhyrjet në Kushtetutë nga Rama e Berisha në 2008.

 A e cenon kjo gjendje fushatën zgjedhore dhe Zgjedhjet për Parlamentin shqiptar?
Së pari, do të doja që përmes kësaj interviste, të pohonim se në mbyllje të punimeve të Parlamentit të 2013-s, Ne, si shoqëri shqiptare, si sistem drejtësie, si institucionalizim por edhe si opinion publik apo mediatik shqiptar DËSHTUAM para kriminalizimit të politikës përmes individëve me rekorde kriminale që partitë i “bashkëngjitën” VOTËS së shqiptarëve, sidomos 1 milion votuesve për maxhorancën qeverisëse. Për mua personalisht, Shqipëria nuk duhet të futet në zgjedhje parlamentare pa u ndryshuar Kodi Elektoral ekzistues, alibia dhe bunkeri më i sigurt i politikës së kriminalizuar në partitë politike. Fushata, konkurrenca, cilësia dhe siguria e votës kësaj radhe do jenë edhe më të kriminalizuar se procesi do fuqizohet nga paratë e pista të hashash-ekonomisë së Bosëve Politikë dhe Ekzekutivë që e instaluan çmendurisht në vend. Sot,ka grupe kriminale, që do zotërojnë fushatën dhe rezultatet e votës së shqiptarëve. NDAJ duhet urgjent të zhbëhen ato ndërhyrje në Kushtetutë në 2008-ën. Ne sot jemi një Republikë me pushtete të zhbalancuara dhe ku çdo ditë e më shumë po shkasim në autokraci dhe mini-diktatura, nën varësi gjithmonë e më të madhe nga klanet politike dhe oligarkia financiare në vend. Kodi i Ri Elektoral do të ishte një kusht për higjienizimin e politikës, financave të partive dhe kandidatëve nën petk politik. Ky duhet të jetë vetingu i vërtetë i shqiptarëve. 
Së dyti, fushata zgjedhore është e cenuar nga politizimi i tejskajshëm i administratës edhe i qelizave të pushteteve të pavarura në vend dhe autoritarizmi feudal i titullarëve. Administrata, për mua, njeh në maxhorancë një standard të shprishur të profesionalizmit me trend mediokritetin militantesk ose arlekinë politikë; administratë është goditur në moralin e institucioneve për së brendshmi ku një pjesë e energjive për punë harxhohen për fabula rozë titullarësh apo për mbrojtje nga të preferuarat e titullarëve që jo rrallë më “vendimmarrëse’ se ato vetë. Mjafton të shihen studimet(të pakta, por të guximshme) për ngacmimet dhe presionet psikologjike në vendin e punës apo studimit që të besosh se çfarë shëndeti ka institucionalizimi ynë. Uroj që listat zgjedhore të mos kenë “produkte” të këtij pushteti emocional të Sulejmanëve të institucioneve. Në këto shëndete kritike morale dhe politike gjendet edhe një pjesë jo e vogël e medias shqiptare. 

Së treti, fushata de facto ka filluar ndonëse de jure nuk ka kapur afatet e e datës së deklaruar nga Presidenti. Kjo parafushatë tejet konfliktuale, në llogore me snajperë ndaj sjelljes politike të partive apo individëve me mendim ndryshe, ndaj kompromisit apo konsensusit për sigurinë e Votës së lirë, të ndershme dhe transparente në numërimin e saj për shqiptarëve, ndaj transparencës së financave të partive dhe kandidatëve (ka filluar një merkato e palogjikueshme!!), ndaj raporteve dhe kërkesave të ndërkombëtarëve për dialog e bashkëveprim është më tepër epilog se sa prolog elektoral. 

Së katërti, është e frikshme gjuha politike e 2 partive të mëdha. Nganjëherë më duket se kjo gjuhë vjen nga prehistoria se edhe komunizmi nuk kishte gjuhë më të egër, më të urryeshme, me fakte kanibaleske dhe vetëvrasëse për një popull për VETEN dhe para veshëve dhe syve të të tjerëve. Dhe kjo, vjen nga shqiptari për shqiptarin. Sigurisht në një politikë të kriminalizuar dhe nën avuj të financave të hashashit KONKURRENCA E SË KEQES njeh kuotime të larta, ndaj shqiptarët preferojnë që si lumë t’i largohen këtij vendi. E ndërsa shqiptarët po vetëplaken nga pasiguria për jetë, oligarkia po sofistikon trashëgimin e pushteteve nga brezi në brez dhe Brenda oborrit financiar për të shtuar jetëgjatësinë e oligarkisë politico financiare. Ky është një fenomen shumë negative dhe shpreh qartësisht kalbëzimin e politikës së vjetër.

Së pesti, politika e marrë nuk po ka veshë as për të dëgjuar intelektualët për reformat të dështuara dhe rënkimet e shoqërisë dhe mendore dhe sociale të shqiptarëve që vetëm rendin ti ikin këtij vendi por as këshillime të të huajve për vendimmarrje emergjente në shëndetin e tyre, në moralin e tyre për interesat ë Shqipërisë.
Me këto argumente a mund të bindet njeri, që do të kemi një Votë të lirë dhe të ndershme? 
Paranojë dhe çmenduri logjike. Sot, çdo ditë e më rrallë po flitet për vlerësime nga vetë shqiptarët dhe nga të huajt për përmbushjen e standardeve për negociata për anëtarësim në BE. 

Shqetësimi i ditës për shqiptarët dhe të huajt të interesuar me çfarëdo motive për këtë vend është rendi, qetësia dhe stabiliteti I cili nuk është rrezik vetëm për shqiptarët por edhe për rajonin a më gjerë. Nën këtë shqetësim prezent janë të tepërta pallavrat e politikës nën fasada teknologjike apo demagogji bajate populiste. Shqipëria është në një udhëkryq që gjithkush që i thotë vetes “udhëheqës” apo pretendon “udhëheqësi” ti ngulisë mirë vetes në kokë e veprim faktin se përmbi karrige pushteti, përmbi financa koncesionesh politike, ekonomike apo morale të “shqiptarëve” të sëmurë nga pushteti është Shqipëria dhe e ardhmja e këtij vendi, paqja dhe stabiliteti i saj për vete dhe fqinjët. Zjarrvënësve i duhet vënë festja sipas kokës. Ky është misioni për çdo shqiptar që e do këtë vend për sot dhe si vendin ku do jetojnë pasardhësit e vet. Sot, në 5 maj, edhe të rënët për atdhe, kujtohen me dëshirën për t’i ftuar sërish nën mision, pasi neve na ka “vrarë” të gjithëve hashash-politika e konfliktit dhe luftës mes njëri tjetrit.