Rrapo Danushi: Këshilli i Europës, rezolutë kundër Qeverisë Shqiptare për pronat

685
Sigal

Flet Rrapo Danushi për penalizimin e Shqipërisë nga Rezoluta e KE-së e datës 6 Qershor 2013 mbi kthim/kompensimin e pronave

 

Pas replikave të njëpasnjëshme të botuara nga gazeta “Telegraf” të z. Nesturi, z. Danushi dhe z. Boçari me znj. Lvovsky, përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri, nuk vonoi të vinte dhe letra e hapur e znj. Lvovsky, drejtuar tre përfaqësuesve të pranarëve në Shqipëri. Por gjithashtu nuk vonoi edhe reagimi ndaj letrës së znj. Lvovski, e Z.Rrapo Danushit, kryetarit të nshoqatës “Pronësi me Drejtësi”. Sot z. Danushi vjen me një deklaratë për shtyp, drejtuar opinionit publik. Sipas tij “rezoluta e Këshillit të Europës e datës 6 Qershor 2013 mbi kthim/kompensimin e pronave të shtetëzuara nga regjimi komunist, tregon se Europa e ka kuptuar dështimin PD/PS dhe se Shqipëria është në prag të denoncimit për shkelje të Konventës Europiane mbi të Drejtat e Njeriut”. Z.Danushi tregon se rezoluta e KE-së parashikon fillimin e procedurës për dënimin e shtetit shqiptar që refuzon të egzekutojë vendimet e Gjykatës së Strasburgut. Gjithashtu z. Danushi, shkon më tej dhe u bën thirrje partive politike duke u shprehur se “shoqata jonë dhe ajo “Bregdeti” kanë ofruar projektligjin dhe platformën që plotëson të gjitha kërkesat e Strasburgut dhe e zgjidh përfundimisht problemin e pronës. Ajo forcë politike që do ta kuptojë më mirë këtë situatë me siguri do të marrë vota me shumicë të cilësuar”.

DEKLARATE SHTYPI E SHOQATES PRONESI ME DREJTESI

Informojmë opinionin publik se Rezoluta e Këshillit të Europës e datës 6 Qershor 2013 mbi kthim/kompensimin e pronave të shtetëzuara nga regjimi komunist, tregon se Europa e ka kuptuar dështimin PD/PS dhe se Shqipëria është në prag të denoncimit për shkelje të Konventës Europiane mbi të Drejtat e Njeriut.

 Në mbledhjen e tij të fundit më 6 qershor 2013, Këshilli i Ministrave i Këshillit të Evropës – instanca politike që ndjek ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Europiane mbi të drejtat e njeriut (Gjykatës së Strasburgut) – adoptoi një rezolutë mbi Shqipërinë: Interim Resolution CM/ResDH(2013)115. Rezoluta i referohet moszbatimit të vendimeve të Strasburgut mbi kthimin e pronave të shtetëzuara nga komunizmi dhe shënon fillimin e denoncimit të Shqipërisë për shkelje të Konventës. Rezoluta shënon një shkallëzim të ri pas adoptimit të gjykimit pilot në korrik 2012 (rasti Manushaqe Puto etj. kundër Shqipërisë) dhe fillimin e procedurës që parashikon dënimin e Shtetit që refuzon të aplikojë (ekzekutojë) vendimet e Gjykatës (neni 46 i Konventës).

Ky paralajmërim për Shtetin, merr shkak nga 11 vendime te GJEDNJ të pa ekzekutuara dhe nga mungesa e vullnetit nga ana e shtetit shqiptar për të zgjidhur njëherë e mirë problemin e kthim/kompensimit të pronave. Këshilli i Ministrave konstaton me preokupim të thellë se me gjithë ndihmën dhe propozimet që Këshilli i Ministrave i ka dhënë Qeverisë shqiptare për zgjidhjen e çështjes së kthim/kompensimit e cila po zvarritet për një kohë shumë të gjatë, Shteti Shqiptar nuk ka paraqitur deri më sot asnjë plan të qartë dhe efikas për të zgjidhur këtë problem brenda afatit të përcaktuar. Duke u shprehur në termat më të ashpra të gjuhës diplomatike, Këshilli i Ministrave nënvizon se moszbatimi i vendimeve të marra në vitet ’90 për kthim/kompensim dhe i vendimeve të Strasburgut paraqet një rrezik madhor për shtetin ligjor dhe vë në pikëpyetje kredibilitetin e shtetit shqiptar. Rezoluta apelon instancat më të larta shtetërore shqiptare t’i kushtojnë rëndësinë më të madhe adoptimit të një plan veprimi që mundëson krijimin e një mekanizmi kthim/kompensimi efikas brenda 17 qershorit 2014 – afat ky i caktuar nga Gjykata. Ky mekanizëm duhet të përfshijë masat e identifikuara nga Gjykata dhe Këshilli i Ministrave. Gjykata e Strasburgut ka konstatuar që në 2007 se moskthimi dhe moskompensimi ose kompensimi i pamjaftueshëm i pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist është një problem sistematik që prek një numër të madh njerëzish në Shqipëri. Shumë raste të ngjashme janë dërguar në Gjykatën e Strasburgut. Një duzinë prej tyre janë gjykuar (grupi i rasteve Driza dhe Manushaqe Puto) dhe shteti shqiptar është dënuar me kthim fizik dhe/ose kompensim financiar prej qindra-mijë eurosh. Duke parë mungesën e vullnetit nga ana e shtetit shqiptar për të zbatuar këto vendime si dhe për të zgjidhur njëherë e mirë problemin e kthim/kompensimit të pronave, Gjykata Evropiane adoptoi në korrik të 2012 një hap të dytë – procedurën e “gjykimit pilot”. Rezoluta e fundit është një hap i tretë. Strasburgu kërkon masa urgjente për të garantuar zgjidhjen e problemit të pronës për të gjithë vendin dhe këtë politikanët duhet jo vetëm ta lexojnë, por dhe ta kuptojnë dhe ta zbatojnë. Zbatimi nuk bëhet me mendime dhe vendime personale, por në përputhje me Kushtetutën. Në faqen vvvvvv.defendingproperty.com shoqata jonë dhe ajo “Bregdeti” kanë ofruar projektligjin dhe platformën që plotëson të gjitha kërkesat e Strasburgut dhe e zgjidh përfundimisht problemin e pronës. Ajo forcë politike që do ta kuptojë më mirë këtë situatë me siguri do të marrë vota me shumicë të cilësuar.

Për Kryesinë e Shoqatës Kombëtare “Pronësi me Drejtësi”

Kryetar Rrapo Hajredin Danushi