Roland Jahn: Shqipëria duhet të hapë dosjet

586
Roland Jahn, i lindur në Jena, në vitin 1953, ka qenë një nga disidentët më të shquar të periudhës së diktaturës në Gjermaninë Lindore. Sot ai është shefi i entit që ruan dosjet e ish-sigurimit të RDGJ-së.

DW: Zoti Jahn, Gjermania feston sërish ditën e rënies së murit të Berlinit. Ku ishit ju më 9.11.1989?
Roland Jahn: Unë punoja si gazetar në televizion, në Berlinin Perëndimor, dhe e komentova rënien e Murit në studio. Me të mbaruar emisioni u nisa menjëherë te prindërit në vendlindje.

Zoti Jahn, ju keni qenë disident në RDGJ. Për çfarë luftonit ju atëherë?
Ne donim liri dhe vetëvendosje. Donim që të vendosnim vetë për jetën tonë. Por nuk na lejonte diktatura komuniste. 

Dikur u arrestuat dhe më pas u liruat. Kishte paguar Gjermania Perëndimore për lirimin tuaj?
Për mua nuk u pagua. Por Gjermania Perëndimore angazhohej gjithmonë për të burgosurit politikë dhe arrinte t’i lironte nga burgjet duke paguar për ta. Mua më liruan, sepse pati jehonë të madhe në shtypin perëndimor. 

Gjermania Lindore ju ekstradoi në Perëndim të lidhur me zinxhirë në një vagon mallrash. Kur ju patë që ndodheshit në Perëndim, ju u sulët drejt kufirit për t’u kthyer në lindje. Përse?
Ishte atdheu im, doja të jetoja aty ku isha rritur, doja ta transformoja shoqërinë e atjeshme, por ajo nuk më lejoi, më nxori jashtë me dhunë. Bëja herë pas here përpjekje për t’u kthyer, por kjo u bë e mundur vetëm kur u rrëzua Muri.

Si e përjetuat rënien e Murit?
Rrëzimi i Murit ishte një ndjenjë shpërblimi. Ishin vetë njerëzit, lëvizja qytetare, që e rrëzuan me një revolucion paqësor.

Nëse do të bënim një krahasim mes kushteve të punës suaj si disident në Gjermani dhe një disidenti në Shqipëri, cila do qe përparësia e disidencës në Gjermani? 
Kushtet e disidencës në Shqipëri ishin specifike, sepse Shqipëria ishte krejtësisht e izoluar nga pjesa tjetër e botës. Ne, në Gjermaninë Lindore, kishim përparësinë që kishim Gjermaninë Perëndimore që paguante për lirimin e të burgosurve, që informonte opinionin. Sidomos informacionet që fusnin mediat gjermano-perëndimore në Lindje, ishin shumë të rëndësishme për ne. Ato e çuan përpara revolucionin.

Pra, ju nuk ishit heronj?
Jo. Ne ishim të rinj dhe donim të vetëvendosnim.

Keni qenë asokohe vetë i persekutuar, çfarë raporti keni sot me persekutorët tuaj të dikurshëm?
Mendoj se më e rëndësishmja është zbardhja e periudhës së diktaturës dhe e emrave të personave përgjegjës. Askush nuk duhet të lirohet nga përgjegjësia. Por personat përgjegjës nuk mund të dënohen përjetësisht. Edhe atyre duhet t’iu jepet mundësia të bëhen pjesë e kësaj demokracie. E rëndësishme është që të zbardhim të shkuarën, që të njohim mekanizmat e kësaj diktature, për të kuptuar se si disa njerëz arrijnë t’u rrëmbejnë të drejtat të tjerëve.

Disa përfaqësues nga institucionet që merren me zbardhjen e së kaluarës në Shqipëri aktualisht ndodhen në Gjermani. Cila është këshilla juaj për ta? 
Ne duam t’i japim Shqipërisë nga përvoja jonë e përballjes me diktaturën komuniste. Kohët e fundit shqiptarët kanë nisur të përballen më mirë me të shkuarën. Por një gjë është e rëndësishme: Hapja e Dosjeve. Hapja e dosjeve të sigurimit, që të mos na mbysë më helmi i tyre.

Mendoni se Shqipëria e ka më të vështirë se Gjermania përballjen me të shkuarën?
Secili vend ka kushtet e veta konkrete, por është e rëndësishme që të mësojmë nga përvojat. Ne, gjermanët, mund të themi se dosjet duhen hapur, duhet zbardhur e shkuara, në mënyrë që të vihet në vend e drejta dhe të rehabilitohen viktimat. Dhe mendoj se edhe në Shqipëri ekziston një shans për ta zbardhur të shkuarën, sado e largët qoftë.
Sigal