Riza Bregasi/Tefik Riza Lapani, dëshmori i parë i Qarkut të Beratit në LANÇ

613
Sigal

Njeriu vdes, por vepra që lë pas e bën atë të pavdekshëm. I tillë është edhe Tefik Riza Lapani, dëshmori i parë i Qarkut të Beratit. Ai lindi më 25.07.1921, në fshatin e vogël të Lapanit, në rrethin e Skraparit. I vendosur në një kodër me rëndësi strategjike, ku kryqëzoheshin rrugët për lëvizje drejt Përmetit, Korçës, Çorovodës e Beratit, lapanllinjtë janë ndeshur me armiq të ndryshëm, në mbrojtje të Atdheut. Shtëpia e Riza Lapanit, ka qenë një bazë e rëndësishme e luftërave për liri e pavarësi dhe strehë e djemve të vatanit. I ati i Tefikut, Rizai, ishte pjesëmarrës në luftën e Vlorës, ku u plagos kundër garnizonit italian në Tepelenë, pjesëmarrës i kryengritjes së Fierit, i çlirimit të Çorovodës dhe në çdo eveniment kombëtar. Në një familje me tradita të tilla u rrit Tefik Lapani. E kaloi fëmijërinë në fshat, ku ndoqi shkollën fillore në Çepan. Por shpejt, ai do të shquhej për karakterin e tij impulsiv. Do të largohej nga fshati, për të gjetur punë në shoqëritë italiane. Fillimisht punon në një shoqëri asfaltimi në Tiranë. Më pas, Tefikun do e shohim për pak kohë, përsëri në fshatin e tij, Lapan. Ai njihej si adhurues i armëve dhe si një qitës i shkëlqyer. Në moshën 18-vjeçare, Tefiku shkon në Itali, për të studiuar në shkollë ushtarake financierësh. Italia fashiste, për të treguar se kishte ardhur në Shqipëri për ta futur atë në rrugën e përparimit e të dijes, dërgoi në vendin e vet të rinj shqiptarë nga familje të dëgjuara në vend. Interesant është edhe rasti i Tefikut. Në Luftën e Parë Botërore, Rizai ishte njohur me oficerin italian Palandri, i cili ishte me trupat e tij në Skrapar, që ishin vendosur në krahun e majtë të Osumit, Zabërzan e lart, ndërsa në krahun e djathtë, Lapan-Koprënckë, ishin trupat austriake që luftonin njëri-tjetrin. Për këtë njohje me oficerin italian, austriakët pushkatuan vëllanë e Rizait, Karafilin dhe plagosën vëllanë tjetër, Hasanin, se i kujtonin zbulues italianë. Pas okupimit, Palandri ishte bërë kolonel dhe ndërhyri duke i propozuar Rizait për Tefikun në Itali. Padyshim që ky ishte një shans i madh për Tefikun: edhe për të mësuar, por edhe për të njohur jetën italiane. Pas shuarjes së kureshtjes, ai dhe shokët e tjerë me të cilët studionte e kuptuan se fashizmi synonte që t’i kthente ata në oficerë të italianizuar, për të mbështetur politikën koloniale fashiste.

Në fund të vitit 1940, Tefiku kthehet në Shqipëri, ku qëndroi pak ditë në Lapan, pranë xha Rizait e nënë Kules, motrave e vëllezërve. Sipas zakonit, erdhën për urim miq e të afërm nga fshatrat përreth. Në mënyrë të veçantë ishin kuriozë bashkëmoshatarët e tij, të cilët krenoheshin me të. Tefiku u tregonte për Italinë e qytetërimin e saj të lashtë, por edhe për fytyrën e vërtetë të fashizmit, plagët e rënda që kishte hapur edhe për vetë Italinë. Në një nga këto ditë, i’u drejtua xhaxhait të vet, Hasanit.

-A e ke ruajtur mitralozin që u morëm grekëve?

-Nën strehë, në plevicë e kam ruajtur.

-Ruaje, Hasan, se shpejt do të na duhet. Nuk do të rrimë duarkryq!

Pas kthimit nga Italia, Tefiku u emërua roje finance në Leskovik. Por shpejt, puna nuk po e tërhiqte, në shpirt i ziente urrejtja. Kërkesat për punën binin ndesh me luftën që populli kishte filluar.

Pas gjashtë muajsh, ai do të transferohej në Berat, ku gjeti një mjedis të përshtatshëm për idetë e tij, për të vazhduar veprimtarinë e tij.  Qarkori i kish caktuar detyra konkrete Tefikut, duke e bindur se këtu i shërbente më shumë Atdheut se dalja në mal. Nisur nga cilësitë e tij, si njeri guximtar e qitës i shkëlqyer, trim e besnik, ai u bë pjesëtar i grupit atentator të Beratit, bashkë me Vasil Laçkën e Themi Bellon. Në Berat, marshall Kria ishte bërë shqetësim me tradhtitë e tij. Rinia, sidomos ajo shkollore, ndodhej në dosjet e tij të zeza. Disa prej tyre edhe ishin ekzekutuar. Qarkori i Partisë në rreth, kishte vendosur që Tefik Lapani ishte njeriu më i përshtatshëm për zhdukjen e tij.

-“Përgatitu që në një ditë pazari, ku të ketë sa më shumë njerëz, të kryesh ekzekutimin. Ky është vendimi i Qarkorit të Partisë”, i tha Kahreman Ylli.

-E more vesh?! E qëruan edhe një. Kjo thuhej në atë ditë të ftohtë dimri, të 13 dhjetorit 1942, në Berat e gjithë Shqipërinë. Ishte koha kur atentatorët trima të njësiteve guerile ishin bërë tmerr i fashistëve e lakenjve të tyre. Tefiku u ngrit herët dhe me nagantin me plumba të gërvishtur në majë zuri një nga tavolinat e pijetores në sheshin e pazarit, ditën e pazarit. Nuk vonoi dhe u dha në derë fytyra e urryer për popullin e Beratit, bashkë me një shoqërues të tij.

-Fashizmi dhe Shqipëria kanë të njëjtin fat, përparimin dhe progresin, apo jo, padron, i tha të zotit të pijetores. Armatat tona po ecin përpara. Apo jo, sinjor Lapani, iu drejtua Tefikut, që deri në këtë çast ishte treguar mospërfillës dhe marshallin e kishte prekur thellë kjo sjellje.

-Jo, marshall. Italia fashiste dhe tradhtarët si puna jote e kanë jetën e shkurtër në Shqipëri, i tha me nerv Tefiku, i ngritur në këmbë.

Marshalli që nuk e priste kurrë kundërshtimin e oficerit, aq më tepër të fliste hapur, me zë të fortë, në sy të njerëzve, u zverdh dhe iu drejtua Tefikut: “Bisedojmë në komandë me ty. Mosmirënjohës i fashizmit”! Dhe doli nga pijetorja me hapa të shpejtë, sikur ta dinte se ç’po e priste. Por Tefiku me një të shtënë e shtriu përdhe. Vdekje kishte kërkuar dhe vdekjen gjeti ky korb i zi, u tha Tefiku të pranishmëve. Turma u elektrizua, ndërsa Tefiku me gjakftohtësinë më të madhe kaloi disa kthesa dhe u fut në një nga bazat e Partisë. Shpejt, sirenat e makinave çanë qytetin. Fashistët të tërbuar filluan kontrollet në rrugë e shtëpi, ndërsa Tirana njoftonte:  “Ora 10 dt. 13 md, në Berat, në sheshin e grunit, (para kafenesë), rojtari i Financës, Tefik Bregasi, i Rizait, le në Lapan të Çepanit-Skrapar, 25.7.1920, i brigadës lokale të financës, mbasi ka përdorur pije alkoolike, ka shprehur me zë të naltë në një ushtrimtare publike, ndjenjat e tij komuniste. Me qëllim që brigadieri i sigurimit publik Nikë Kria të mos e denonconte pranë kuesturës lokale, ka dalë së bashku me të dhe në një largësi të pakët e ka gjujt me një të shtime arme lufte, tue vra vdekur. Financjeri është arratisur dhe kërkohet në aktivitet”. Gjeneral i Brigadës, Komandant Silvio Robino.

Por Tefiku, tashmë kishte marrë rrugën e malit, në Tomorr, ku mblidhen retë, ku luftonte çeta e Skraparit.

Tregonte Hetem Bakiasi, ish-luftëtar i kësaj çete: Një ditë, u mblodhëm rreth tij. Unë, si mik familje dhe i njohur me të që isha, mora guximin dhe e pyeta: Si e vrave marshallin në mes të Beratit?!

Ndërsa prisja t’ia fillonte bisedës, ai uli kokën, hoqi duart nga xhepi dhe u përgjigj: Bëra detyrën e  Qarkorit të Partisë. Kushdo që të ishte nga ju do kish vepruar si unë.

Pasi u ndamë, shoku në krah më tha: Për trimin flet vepra e tij. Fjalët e tepërta janë fukarallëk.

Në zonën Roskovec-Fier, një kriminel i rrezikshëm, Isa Toska, ishte bërë vegël e bindur e fashizmit. I armatosur prej fashizmit, ai dhe banda e tij, i ishte kundërvënë Luftës Nacionalçlirimtare në Qarkun e Beratit. Për të luftuar bashkë me fashizmin edhe këtë bandë, por edhe për të ngritur këshillat Nacionalçlirimtare dhe ndihmuar rezistencën e popullit, u dërgua në Roskovec çeta e komanduar nga Zylyftar Veleshnja, Hero i Popullit. Në përbërje çeta kishte partizanë me përvojë si Xhevahir Spathara, Tahir Murrizi, e të tjerë. Shpejt çeta u bë e dashur, për banorët e kësaj treve, që shtuan radhët e saj. Kudo ku vinte çeta do të kishte gjaqe të pajtuara, krijim këshillash, hapje të depove të bejlerëve dhe ndarje të bereqetit për të varfrit, atyre që e kishin vaditur me djersë.

Tefiku, ngado që shkonte, mitralozin grek me karikator horizontal nuk e lëshonte nga dora. Në qytë kishte vizatuar një yll dhe inicialet “T.L”.

Çeta disa herë e kishte paralajmëruar Isa Toskën e xhaxhain e vet, Hysni Toska, deputet i mbretit Zog, që me forcat e tyre të mos shkelnin në fshatrat ku ishin krijuar këshillat nacionalçlirimtare. Por banda nuk po i mbante premtimet. Atëherë, çeta më 3 mars 1943 organizoi goditjen dhe shpartallimin e saj në folenë e vet.

Hysni Toska dhe Allaman Krotia, me forca të shumta kishin zënë krahun e sipërm të Roskovecit, kurse Isa Toska me forca të tjera, krahun nën xhade. Komandant Zylyftari, që e njihte mirë terrenin, si dhe nga përvoja e fituar mendoi se pozicioni më kyç, ku do të vendosej edhe fati i betejës ishte Vau i Kënetës, në Belinë, një vend me kallamishte të mëdha. Aty do të përqendrohej armiku. Dhe kishte të drejtë, tregonin bashkëluftëtarët. Nuk vonoi dhe komandanti dha sinjalin për fillimin e betejës. Atëherë, zjarri i mitralozit të Tefikut u ndez dhe qerrja e parë u shpartallua plotësisht. Siç duket, dhelpra, Isa Toska ishte fshehur mes qerreve të tjera. Atëherë Tefiku ndërroi pozicion, buzë një ledhi me shënjestër qerret e tjera. Përsëri, kënga e mitralozit që ngrohte zemrat e shokëve e i hidhte në sulm, filloi melodinë e vet.

Ndërkohë, tre prej forcave armike, duke parë rrezikun që po u kanosej, tentuan t’i marrin krahët mitralierit. Komandant Zylyftari, sa e pa thirri me sa forcë kishte: Tefik! Tefik!

Tefiku ktheu kokën dhe një e ngjethur i përshkoi shtatin. U ngrit për tu drejtuar nga krahëmarrësit, por këmbët i ndjeu të rënduara. Mblodhi forcat dhe mbajti shkelur këmbëzën e mitralozit. Edhe një tjetër i vrarë. Veçse një plumb i kishte përshkuar tejpërtej kofshën, duke i shkaktuar hemorragji të madhe. Mitralozi nuk po dëgjohej më. Komandanti me partizanët e tjerë, finalizuan sulmin. Zjarr e tym u mbulua vendi. Banda mori shpagimin e merituar. Në mbrëmje, partizanët e çetës bënë roje nderi mbi trupin e pajetë të shokut e vëllait të tyre, Tefik Lapani. Komandant Zylyftari, ulur nën dritën e mekur të një llambe me vajguri filloi të hedhë në letër, ato ç’ka i diktonte zemra: “Në zemër të Myzeqesë,/ Te këneta në Belinë, Tefik, trëndafil me vesë,/ Re dëshmor për vegjëlinë.

Të nesërmen, u organizua ceremonia e varrimit me pjesëmarrje të gjerë nga Roskoveci e Fieri, Lushnja, Berati etj. Pas ceremonisë, Zylyftari bashkë me drejtues të Qarkorit të Partisë të Beratit, njësitit gueril të qytetit, i’u drejtuan Lapanit, për t’i dhënë mandatën xha Rizait e nënë Kules. Ishte një barrë e rëndë, një sfidë me vetveten. Tërë nata kaloi me kujtimet për Tefikun. Lufta vazhdonte. Hakmarrja për shokun e mikun e vrarë për lirinë e vendit kërkonte përpjekje e sakrifica të reja. Kjo familje i mbajti dyert e hapura për djemtë e luftës partizane. Për tre muaj shtabi i Qarkut të Beratit, me në krye komandantin Gjin Marku drejtuan luftën nga Lapani, nga shtëpia e dëshmorit të parë të Qarkut të Beratit, Tefik Riza Lapani. Pas çlirimit, Tefiku u propozua disa herë për ta shpallur Hero të Popullit, por politika dhe burokracia e atij sistemi nuk e miratuan. Megjithatë populli i Skraparit, Beratit e Myzeqesë e nderon dhe respekton si hero e shkuar heroit dëshmorin e parë të qarkut të Beratit Tefik Riza Lapani.