Ringjalljet e mëdha të Fan Nolit

Moikom Zeqo

Në 110 vjetorin e lindjes së Fan Nolit nuk paramendojmë për të thënë një frazë rutinë të zakonshme apo për të bërë një përkujtim ceremonial, gjithashtu të zakonshëm. Fan Noli është një subjekt i madh, madje i jashtëzakonshëm i kulturës shqiptare. I dimensionuar në tërë materien dhe kujtesën e kombit ai, ashtu siç pati një lindje mijëra kilometra larg Shqipërisë që në fillim parapriu edhe pavdekësinë me jetën e tij të çuditshme, pikërisht për Shqipërinë. Nëse stacionet gjenetikë të diasporës arbëreshe dhanë emra të tillë si De Rada, Serembe, Skrioi, një stacion i vogël shqiptarësh të Ibrik Tepesë, në skajimin lindor dha gjeniun Fan Noli, i cili në të vërtetë është si një shumësi personalitetesh brenda një njeriu të vetëm. Fan Noli në çdo përvjetor ka ringjalljet e tij të mëdha. Kjo është e vetëkuptueshme dhe e pranueshme për njerëzit e formatit të tij, që kanë kontribuar kaq shumë dhe skalitur testamentin e përjetshëm të kombit. Ringjalljet e Fan Nolit nuk kanë të bëjnë vetëm me aktualizimet, apo rivlerësimet e mesazheve. Koha natyrisht, që rivlerëson dhe bën ndryshime, apo retushime në këto mesazhe. Fan Noli është Marathonomaku i fjalës martire shqipe, por nuk është vetëm kaq. Analiza për këtë personalitet ka ende nevojë të plotësohet, të gjenerohet, sidomos në pikëpamjet konceptuale. Për fat të keq, kritika jonë ka bërë ende pak për këtë figurë kolosi. Nuk është puna për të plotësuar tablonë kronologjike apo për të bërë kalendarin e hollësishëm biografik të Nolit. Noli jetoi relativisht gjatë dhe në jetën e tij përjetoi ngjarje të mëdha të shekullit XX. Në këto ngjarje ai nuk është soditës, as një vëzhgues i një kabineti intelektual akademik. Jeta e tij është faustiane në kuptimin, jo vetëm të kërkimeve sfilitëse në fushën e dijeve dhe të simboleve ekzistenciale të kombit shqiptar, por edhe të mundimeve të pareshtura të jetës vetjake, të dyshimeve, kundërthënieve, shpresës dhe vullnetit të pathyeshëm për të mbijetuar. Pikërisht, sot me kalimin historik dhe Diktatura në Demokraci, figura e Nolit ndriçohet akoma më shumë, jo vetëm në sipërfaqen e saj, por sidomos në brendësinë e thellë. Noli si shkrimtar dhe poet bëri epokë në letërsinë shqipe. Cikli poetik i tij është kaq i veçantë dhe origjinal sa mund të quhet një nga subjektet më të veçanta të poezisë ballkanike dhe evropiane. Në të Noli vërteton fjalët e Juvenalit “ Ira facit poetam” (“Zemërimi të bën poet”). Fan Noli është një poet tribun. Substanca poetike e tij është prej diamanti: Edhe ndriçon, edhe pret. Ai që në vitin 1903 boton disa skica proze të shkurtër që nuk janë vlerësuar siç duhet për historinë e prozës sonë moderne. Këto proza epigramike të Nolit janë shkruar shumë më përpara prozave moderne që botoi Migjeni në vitet 1934-1936. Në prozat filozofike të Nolit fshihet profili i një prozatori të madh dhe të vjen keq, që ai nuk u mor më vonë me tregime, romane etj. Por, Fan Noli shkrimtar është i pashkëputur nga Fan Noli përkthyes, përkthyesi më i madh në kulturën tonë, mbase i të gjitha kohërave. Konvertimet gjuhësore në shqip nga gjuhët e tjera përfaqësojnë, jo thjesht poliglotin dhe filologun e mahnitshëm, po dhe arketipin e përsosur të intelektualit vigan dhe të mirëfilltë shqiptar. Fan Noli u shfaq në horizontet e kulturës ashtu si dikur një paraardhës i tij ilir, Euseb Jeronimit dhe Erazmit të Roterdamit, midis Leonik Tomeos dhe Albert Ajshtajnit. Noli ishte bir i denjë dhe i papërsëritshëm i kohës së vet. E kush ka bërë kaq shumë deri më sot në kulturën shqiptare?! Shkenca eseistike, e nisur nga Barleti dhe e konstruktuar nga Konica, me Fan Nolin gjeti kryemjeshtrin e saj. Analizat e tij janë sinoptike, sinteza të shkurtra e polivalente. Ato dallohen, jo vetëm për erudicionin e pazakontë, por sidomos për sensin e drejtë dhe frymën pararendëse të tyre. Fan Noli është një kampion i vërtetë i koncepteve demokratike, nga më të përparuarat, të lidhura ngushtë me emancipimin kombëtar dhe rilindjen përfundimtare të kombit. Fan Noli ka luftuar deri në fund për demokracinë e vërtetë, duke u tallur pa mëshirë për pseudemokracinë. Ai luftoi për integrimin dhe homogjenitetin e kombit martir. Për Fan Nolin Shqipëria ka qenë gjithmonë një Fata Morgana. Ai e deshi atë përjetësisht, për rrjedhojë dhe Shqipëria e do atë përjetësisht. Në jetën e ndërlikuar politike Fan Noli i qëndroi besnik devizës kuptimplotë dhe stoike që ka shpallur edhe Gjergj Kastriot Skënderbeu në një letër të vet të vitit 1460. Fan Noli është një konstruktor i kishës autoqefale shqiptare dhe një kryemisionar i madh i saj. Kisha shqiptare për të është një ide atdhetare e mirëfilltë. Ai është i lidhur më të jo thjesht për një “marine de raison”. Ai shikonte në organizimin kishtar një premisë kulturore dhe mëvetësie ndaj synimeve shoviniste grek, të cilat edhe sot nuk janë zbehur. Në të vërtetë fetarizmi i Nolit ishte tejet kombëtar. Në të ai kishte parasysh edhe elementin ndërlidhës që nëpërmjet kishës shqiptare mund të realizohej me kulturat perëndimore. Fan Noli dhe Amerika, ose më saktë, kultura e madhe demokratike amerikane është gjithashtu një temë e ringjalljes së tij. Jo, me dekorata honorifike me shkëlqim të jashtëm, përkundrazi të vërtetat e tij kanë të vërteta esenciale të kombit shqiptar. Dituria e Nolit është shprehje e potencës intelektuale të popullit. Një popull që e ka nxjerrë Fan Nolin është një popull, që nuk ka përse të turpërohet apo të vuajë nga komplekse inferioriteti, të imponuara nga teori shqiptarofage të armiqve të tij të vjetër dhe të rinj. Kombi sot nëpërmjet ringjalljeve të Nolit përjeton ringjalljet e veta. Nuk ka dyshim se kështu do të ndodhë përherë. 

Ersekë, 6 janar 1992