Rilindja Socialiste është sot Fashizëm për shqiptarët

1192
Jakup B. GJOÇA
Armir Shkurti, është një nga aktivistët më aktivë të Shoqërisë Civile, dhe në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se “Unë jam luftëtar në formim.” 
Në Shqipëri i vetmi ligj që sundon është Ligji i Darvinit. Nuk mbijeton më i forti, as më i zoti, por ai që përshtatet më mirë. Kujto atë peshkun pilot që jeton me peshkaqenin. I vjen rrotull, i pastron parazitët, i ha ushqimet e mbetura nëpër dhëmbë. Kështu është përshtatur që peshkaqenit t’i shërbejë dhe që ai të mos e hajë. Nëse doni që të lexoni të VËRTETËN e pseudodemokracisë në Shqipëri, lexojeni intervistën me Armir Shkurtin te gazeta “Telegraf”.
-Zoti Armir, drejtësia jonë e reformuar, nuk ka “tiganin”, apo nuk ka zjarr që të ngrohë “vajin”, për të skuqur “peshkun”?
– Thjesht nuk ka koqe! E kam fjalën për ato të kandarit të drejtësisë. Dikur dënuan për agjitacion e propagandë një hidraulik. Rridhte ujë në banjat e Komitetit Qendror të PPSH. I thanë se janë shpuar nja dy bërryla. Kur vjen ai i shkreti, hap e gërmo e më në fund thotë: “Po ktu s’qeka pun’ brrylash mor jahu! Ktu qeka kalb krejt sistemi”. Kjo ka ndodhur edhe me drejtësinë tonë. Janë pjesë integrale e sistemit. Që kur e di planin e dënimeve dhe arrestimeve një ambasador e kur kryeministri u tund në Kuvend prangat deputetëve të opozitës, nuk është më as punë peshku…aq më pak ngjale. Është çështje ESTABLISHMENTI. Një oligarkie që lindi me tranzicionin dhe duket të zhduket bashkë me të.

– Në cilin biznes punojnë gratë e qeveritarëve dhe politikanëve tanë, derisa ata vetëdeklarojnë që pasuritë përrallore të familjes së tyre i kanë pajë nga …gratë?
– Për motive parimore nuk preferoj të merrem me gratë e botës. Por një përgjigje e kam, po me anekdotë nga koha e komunizmit. Në një nga këto vendet lindore, kur e shoqja e udhëheqësit shkonte në dyqan, i njëjti shitës e pyeste gjithmonë: – A ke p*** ti? – ajo heshtte dhe ikte e sikletosur. Dikur vendosi t’i rrëfehet të shoqit. “I thuaj kam maskarait dhe shih ç’do të të përgjigjet” – e porositi udhëheqësi. Dhe ajo kështu bëri. Kur, si përditë, shitësi e pyeti: – A ke p**** ti – ajo u përgjigj ballëlartë: – Po! Kam! – shitësi iu kthye – Po atëherë, ai burri yt, pse s’të q** ty por na shkep ne?

– Çfarë është vetting-u për gjyqtarët e prokurorët?
– Është kapistalli që i lidh të gjithë tek huri i Edi Ramës. Qeveria do të qërojë gjyqtarët e prokurorët si orizi, për të zgjedhur më të pastrit, të cilët më pas do të hetojnë qeverinë? Po ta tregosh për humor në Perëndim të marrin për budalla, se as dyshemenë e inteligjencës nuk arrin kjo logjikë si dhe prova e gjallë me Arta Markun. Mënyra se si u zgjodh ajo PPPSH (Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme e Shqipërisë) apo testimi i gjykatësve si tek show “Kush do të bëhet milioner”, me Quizz të tipit “Kur u vra Katani”, janë prova. Asnjë kirurg deri më sot nuk ka operuar dot zemrën e vet. Nuk ka gjasa as që sistemi ynë i gangrenizuar deri në palcë të vetëshërohet me operacione të tilla plastike.

– Pse askush nuk përmend Vetting-un për politikanët e qeveritarët?
– Askush nga ESTABLISHMENTI i sotëm. Sepse ne e përmendim përditë. Meqë kjo metafora e peshkut sikur është në modë, le të themi se ne kërkojmë pastrimin nga koka. Nuk është e vështirë! Sa rrogë kanë marrë, që kur kanë dalë në punë, sa merr gruaja, sa është trashëgimi? Pastaj, numëron me radhë makinat, shkollat e fëmijëve, shtëpitë e dyta e të treta e dalin vetë.

– Sa liri kanë realisht shqiptarët sot në Shqipëri?
– Sot shqiptarët janë të lirë ta shesin votën pa i vrarë ndërgjegjja fare, janë të lirë të thonë, edhe në kafene, “ky vend s’bëhet”, janë të lirë të tentojnë fatin në bingo, kazino, loto sport, madje edhe në lotarinë Amerikane. Shqiptarët janë të lirë gjithashtu të ëndërrojnë. Kanë 28 vjet që ëndërrojnë të futen në BE dhe me të njëjtin pasion vazhdojnë të jenë të lirë të ëndërrojnë me këmbëngulje të njëjtën gjë. Edhe pas 28 vjetësh shqiptarët janë të lirë të shesin e të blejnë në tregun e zi bono thesari, herë me 18% herë me 12% të vlerës, janë të lirë të bëjnë check-up falas, përndryshe nëpër ambulanca nuk u shërbejnë me dokumente që u duhen, për shembull, për patentë…..se mos u zgjata?

– Kush e ushqen frikën e shqiptarit ndaj keqqeverisjes?
– Lulzim Basha! Edi Rama është një e keqe e madhe për vendin. Me “rilindjen” e tij ia doli të instalojë një regjim totalitarist dhe pushtet të ekzagjeruar personal. Me një opozitë normale (pale të ashpër) nuk do kishte pasur shans ta kryente. Por sistematikisht kryetari i forcës kryesore të opozitës, Partisë Demokratike, ka mpirë, përgjumur deri ngordhur çdo energji opozitare apo tentativë lëvizjeje. Kini parasysh ata luanët e egër që u lëshojnë shiringa me anestezikë. Kur mbretin gjigant të xhunglës e zë narkoza, afrohen serbes veterinerët e i vendosin çipe, matrikuj, i tredhin a i vaksinojnë, si të jetë puna. Bashkë me mpirjen e së tashmes Basha ia ka dalë të ngordhë edhe shpresën, se Ai dhe forca që Ai drejton, mund ta cenojë sadopak “rilindjen”.

– Sipas jush, pse janë kaq të bindshëm shqiptarët ndaj …’Qeveriut’, sa nuk guxojnë të reagojnë, edhe kur shteti i dënon për qindarka të papaguara?
– Sepse ndjehen të tradhtuar e të keqpërdorur nga të gjitha pushtetet. Që kur ka lindur, shqiptari i sotëm, plak a fëmijë, ka duruar sistematikisht pushtet që ia ka futur. Natyrisht edhe ne kemi gjetur hera – herës të çara e na është dukur se ia kemi futur, por bilanci është ky. Kështu që, nga tradita shekullore kemi mësuar se, kur s’ke mundësi tjetër, më mirë dridhe e mbaje mirë me qeverinë. Urtësinë tonë popullore: “Me ujin, zjarrin, qeverinë mos u kruaj!” nuk e kam hasur në kultura të tjera….
– Ju, çfarë ndjeni, si qytetar, kur kryeministri përmend në mënyrë të përsëritur publikisht fjalën “burg”?
– Ndjej mëshirë! Kushedi ç’fëmijëri të trishtuar e të frustruar do ketë pasur ai djalë. Kushedi se sa e kanë ndëshkuar e trembur të ziun, saqë ka mbledhur kaq urrejtje për njeriun dhe që beson – nuk di nga naiviteti apo vreri – se gabimi ndreqet duke të të mbyllur në banjë, në burg a ku di unë. Ndoshta kur të bëjë pak burg vetë, besoj se do ta rishohë ndryshe këtë koncept. – Sa shtet kemi sot? – Shumë më shumë se ç’mund të mbajë një popull. Ashtu si fashizmi, ky pushtet e ka kthyer shtetin si qëllim në vetvete e jo si shërbim, ashtu siç është koncepti demokratik i shtetit. Siç ka qenë nga Perandoria otomane, siç vazhdoi me diktaturën e proletariatit edhe sot shteti sillet si sundimtar. Një sistem i burokratizuar, i mbushur me të paaftë me qëllim që të binden pa fjalë, me militantë që sjellin e mbajnë pushtetin dhe ustallarë që prodhojnë para përmes vjedhjes e korrupsionit. Nuk i them unë këto. As ata për njëri- tjetrin në TV a kuvend. I thonë gjithë raportet ndërkombëtare për Shqipërinë.

– Cili është Ligji në Shqipëri?
– Ligji i Darwinit. Nuk mbijeton më i forti, as më i zoti, por ai që përshtatet më mirë. Kujto atë peshkun pilot që jeton me peshkaqenin. I vjen rrotull, i pastron parazitët, i ha ushqimet e mbetura nëpër dhëmbë. Kështu është përshtatur që peshkaqenit t’i shërbejë dhe që ai të mos e hajë.
– Çfarë duam ne shqiptarët? Demokraci? Qetësi? Rehat? Punë? Apo…Mercedez?
– Këto dhe shumë të tjera! Dhe kjo është e moralshme në një sistem të lirisë, demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Të bësh pasuri është nder dhe kënaqësi. Ta shijosh pasurinë gjithashtu është kënaqësi. Por ende sot shqiptarët, për krim të këtij establishmenti, ende janë në vitin 1990, duke kërkuar liri dhe demokraci. Tranzicioni thjesht krijoi një oligarki të kompozuar nga politika, paratë e fituara lehtë dhe krimi i organizuar që bëjnë lekë për të blerë pushtet, blejnë pushtet për të shtuar paratë me të cilat shtrëngojnë gjithnjë e në më pak duar si pasuritë ashtu edhe pushtetin.

– Sa të varfër janë dhe jetojnë sot shqiptarët?
– Mendoj se sot janë më të varfër se kurrë. Kur flas për varfëri nuk u referohem as atyre që nuk shesin dot lakra as atyre që nuk blejnë dot lakra. Më e madhja pasuri ndodhet në zemër e mendje. Kur ti sheh masivisht rininë që planifikon t’ia mbathë pa kthyer kryet, diku në Perëndim, kur sheh si ka vdekur njerzillëku, solidariteti, dinjiteti, besimi, morali, mendoj se kupton mjerimin e vërtetë. Kur sheh se Perëndi është vetëm paraja, percepton se sa i varfër po bëhet përditë e më shumë ky vend.
– Sa të sigurt duhet të ndjehen tashmë shqiptarët, që kryeministri Rama e ka i vetmi Timonin?
– Besoj shumë të sigurt! Një gjë e dinë edhe shqiptarët, se nuk ia dhanë kot atë kodosh timoni vetëm. Rama u tregua i sinqertë në fushatë e ua kërkoi copë. Kështu që ata që ia dhanë, besoj se për t’u ndjerë të sigurt e bënë. Unë i përkas atyre që ndjehem më i sigurt përballë dhe jo në mjetin e tij me timon.
– Përse në Shqipëri nuk ka Shoqëri Civile, aktive në shërbim të së Mirës së Shoqërisë?
– Nuk pohoj dot se nuk ka shoqëri civile, por e vërtetë është që ka probleme me organizimin. Sa herë forcohet aktivizmi qytetar, politika e të gjitha krahëve futet me të gjitha mjetet, ose për ta shpërdoruar, ose për ta minuar. Por ekziston edhe qytetaria edhe aktivizmi edhe mundësia e organizimit dhe reagimit. Ka plot çështje që pa shoqërinë civile as nuk do të ishin marrë vesh në këtë vend. Kujtoj , sa për shembull, mobilizimin për armët kimike…
– Ju faleminderit!
Sigal