Rilindja Socialiste: 20.000 familje të varfra i nxjerr nga Ndihmesa Sociale

489
Jakup B. Gjoça
Rilindja Socialiste: 20.000 familje të varfra i nxjerr nga Ndihmesa Sociale, 120 milionë Euro në vit paguan koncesionet korruptive
Partia Socialiste në 2013, si parti e vetëtiketuar e Majtë, premtoi në fushatën elektorale parlamentare, edhe Ndihmesë Sociale për familjet e varfra,edhe punësim për të papunët, edhe taksa të ndershme, që secili do të paguajë progresivisht taksa, sipas të ardhurave. Tani, pas 5 vjetëve në qeverisjen e Rilindjes Socialiste, Partisë Socialiste nuk i ka mbetur as boja si Parti e së Majtës, derisa premtimeve elektorale u ka rënë edhe …suvaja politike. Këto ditë, ministria e Shëndetësisë dhe e Ndihmesës Sociale, miratoi urdhëresën, që të hiqen nga lista e Ndihmesës Sociale edhe 20.000 familje, që jetojnë në mjerim të plotë. Së pari, kjo ministri u “përkujdesur” që të shtrëngojë kriteret e përfitimit të ndihmesës sociale, për familjet në nevojë. Arsyeja e vetme, nuk është se u rrit mirëqenia, se familjet tashmë përfitojnë të ardhura më të mëdha nga muajt e kaluar. Qeveria e Rilindjes Socialiste qëllimisht nuk përcakton me ligj nivelin minimal të jetesës, mbi bazën e së cilës do të përcaktohen me ligj kriteret e dhënies së ndihmës sociale. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, që ende nuk përcakton nivelin minimal të jetesës. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që Instituti i Statistikës INSAT, është nën kompetencën ligjore të Kryeministrit, dhe jo institucion kushtetues i pavarur. Kësisoj, çdo statistikë e INSTAT kurrsesi nuk mund të ketë besueshmëri, derisa publikon statistika që miraton vetëm kryeministri.
E vetmja arsye që detyron këtë ministri, është se qeveria e Rilindjes Socialiste nuk ka më fonde në buxhetin e shtetit për të paguar familjet në nevojë me ndihmesë sociale. Kjo ndodh për 1001 e një shkaqe. Qeveria e Rilindjes Socialiste detyrohet të paguajë 120 milionë euro në vit për koncesionet që ka dhënë në qeverisjen e saj. Dhe ajo që i bën këto koncesione të jenë tejet korruptive është fakti, që qeveria e Rilindjes Socialiste ka dhënë me koncesion shërbimet shtetërore, të cilat janë detyrim i shtetit. Kështu, për ironi, Ministria e Shëndetësisë, që tashmë është edhe ministri e Ndihmës Sociale, ka dhënë me koncesion shërbimet e shëndetësisë publike, sikurse disinfektimin e pajisjeve kirurgjikale, laboratorët e spitaleve publike, Chek Up-in, kur ndërkohë në spitale nuk ka material shëndetësore dhe ilaçe, nga mungesa e fondeve….Koncesionet e dhëna nga qeveria e Rilindjes Socialiste nuk kanë bërë deri më sot asnjë investim publik, nuk kanë hapur vendet e punës të detyrueshme në kontratë, ndërkohë që qeveria u paguan koncesioneve çdo vit 120 milionë euro. Në 5 vitet e qeverisjes së Rilindjes Socialiste 350.000 shqiptarë janë detyruar të braktisin Shqipërinë dhe të katandisen azilantë ekonomikë nëpër Evropë, pikërisht për shkak të mjerimit të plotë ekonomik, derisa janë humbur mijëra vende pune, mijëra biznese falimentojnë, për shkak të konkurrencës joantagoniste, sepse qeveria e Rilindjes Socialiste lufton këdo biznes që nuk financon ekonomikisht Partinë Socialiste, dhe inkurajon vetëm klientët ekonomikë të PS-së, koncesionet jepen në mënyrë korruptive dhe jo sipas ofertës, bizneset e huaja që kishin investuar më parë në Shqipëri largohen, pikërisht për shkak të korrupsionit qeveritar, ndërkohë që asnjë biznes i huaj nuk ka investuar në Shqipëri, për shkak të mungesës së Ligjit të konkurrencës. Në qeverisjen e Rilindjes Socialiste biznes mund të bësh vetëm, nëse ke lidhje nepotike me qeveritarët.
Sigal