“Rilindja” në ilegalitet si PKSH gjatë Luftës, po i bën mbledhjet në male, pyje, stane e bunkierë

840
Pak me kripë, pak me piper
Engjëll Musai
Ngjashmëria:
– Nga Franca u soll Enveri në Shqipëri në vitin 1938 dhe fillimisht u bë anëtar i thjeshtë i PKSH e më pas, drejtues sundimtar i saj!
– Nga Franca u soll edhe Edi në vitin 1998 dhe fillimisht u bë anëtar i thjeshtë i PS e më pas, kryetar i saj!
– Enveri, thoshte: “Pushteti buron nga populli dhe i përket popullit”
– Edi, thotë: “Qeverisjen na i dha populli dhe t’i përulemi popullit e të bashkë-qeverisim me të”
– Një të besuar kishte Enveri dhe ai ishte Qemal Stafa, që u spostua nga pushtuesit e huaj.
– Edhe Edi një të besuar ka pasur dhe ai ishte Saimir Tahiri Kryetar i Fondacionit “Qemal Stafa”, por u largua nga qeveria me urdhër të partnerëve të huaj.
Sjellja e qeverisë “Rama-2” është e tillë, sikur Shqipëria është e pushtuar dhe nuk e lënë të futet në Tiranë. Mirë gjatë 3 muajve, që derën e kryeministrisë e kishte “pushtuar” çadra e PD, po tani që PD-ja e shkretë ka afro 4 muaj nuk po ndihet, nga kush ka frikë qeveria “Rilindja”, që të “zbresë nga malet e të futet në Tiranë”?! Nuk e dimë, nëse ndoshta kjo shpërngulje e qeverisë në male ka lidhje me ndonjë monitorim të zonave të hashashit për t’ua treguar e dhënë “në dorëzim” edhe ministrave të rinj, por dimë vetëm faktin, që “Rama-2”, nuk po i zhvillon mbledhjet, takimet e konferencat në selinë e kryeministrisë, apo në salla e qendra rezidenciale pronë shtetërore, të cilat janë me shumicë e me hapësirat të mëdha! Kryeministri fut në rresht ministrat dhe ngjitet nëpër pyje e male në zona të ndryshme të Shqipërisë, ku zhvillon mbledhje qeverie e partie. Këto “takime pune” me ministra dhe me “shtabin e ngushtë të partisë”, po i bënë futur në hotele e bujtina mes shkurreve, përrenjve, shpellave, maleve e kudo ku i thotë mendja! Vërtetë, që këto janë mbledhje informale, por po bëhen sikur qeveria është në ilegalitet, si qeveria komuniste gjatë Luftës! Ndryshimi i zonave të mbledhjeve e takimeve të qeverisë “Rama-2”, na kujton daljen në skenë dhe praktikat e Enver Hoxhës. Nga Franca u soll Enveri në Shqipëri në vitin 1938 dhe fillimisht u bë anëtar i thjeshtë i PKSH e më pas, drejtues i saj! Nga Franca u soll edhe Edi në vitin 1998 dhe fillimisht u bë anëtar i thjeshtë i PS e më pas, kryetar i saj! Një të besuar kishte Enveri dhe ai ishte Qemal Stafa. Edhe Edi një të besuar ka dhe ai është Saimir Tahiri, kryetar i Fondacionit “Qemal Stafa”. Ngjashmëri kanë edhe mbledhjet e zhvilluara prej tyre! Qeveria “hije” e Enver Hoxhës, që siç thuhej “ndiqej këmba këmbës nga gjermani”, mbledhjet e udhëheqjes së PKSH, të Shtabit të Përgjithshëm, takimet me të deleguarit e Titos dhe përfaqësuesit e aleatëve, i zhvillonte maleve, pyjeve e shpellave, nëpër kasolle, stane, hane dhe shtëpi larg qendrave të banuara, duke lëvizur nga Galigati, në Helmës, Mollas, Dhëmbel, Pezë, Mukje, Frashër, Martanesh, Labinot, Tomorricë, Tragjas, në dyqanin “Flora” e kudo… Në Kasollen e Galigatit e shpalli Enveri, qeverinë e re popullore! Atje pranë oxhakut, në lëndina, nën hije pemësh e kroje uji, merrte vendime se cila do të ishte qeveria e re dhe se si do të bashkë-qeveriste me popullin! Atje u vendos të spastroheshin “shushunjat që i kishin pirë gjakun popullit”. Atje thuhej, se si zyrat e pushtetit të ri popullor, do të mbusheshin me bij e bija të besuar të partisë e të popullit, se si partia dhe qeveria e re, megjithëse do të jetonte në vila në Tiranë, do të qëndronte pranë çdo halli të popullit fukara! Në mbledhjet ilegale, të bëra në male, pyje e shpella, Enveri vendoste se si do të zbuloheshin e sekuestroheshin sarajet, tokat, bagëtitë dhe florinjtë e fshehur të bejlerëve e agallarëve dhe se si ata, do të gjykoheshin nga populli. Në pyje e male vendosej, se si Shqipëria do të “rilindte” mbi gërmadha e do rindërtohej nga themelet brenda “Planit të Dytë 4 vjeçar” dhe se si populli, “do të hante me lugë floriri”! Pas çdo mbledhjeje, Sekretari i Parë i PKSH, Gjeneral-Kolonel-Kryeministër- Nderi i Partisë Komuniste Franceze, profesori i muzikës Enver Hoxha, bënte fotografi me bashkëpunëtorët e afërt dhe hartonte e shpërndante ndonjë trakt për popullin! Kështu po vepron edhe Kryetari i PS, Kryeministër-Kryetar i Legjionit të Nderit të Francës, profesori i pikturës Edi Rama! Qeverinë “Rama-2” e shpalli në një hotel, pranë një pylli në Tiranë! Mbledhjen e parë e bëri në një bujtinë mes pyjeve në Llogara, ku tha se Shqipëria do të “rilindë” e do rindërtohet nga themelet, brenda “Mandatit të dytë 4 vjeçar”. Mbledhjen e dytë e bëri në Velipojë. Takimin me kryeministrat e Rajonit dhe të dërguarin e BE e bëri mes “kaçubeve” të Rezidencës Qeveritare në Durrës. Pas çdo mbledhjeje, bënë fotografi me ministrat dhe shpërndan komunikatë për mediat dhe kronikë në “ER-TV”! Në çdo mbledhje e takim, shfaqet tamam si Enver Hoxha, herë me mustaqe, herë me mjekër e herë pa mjekër, herë i veshur me qillota, herë si tregtar e herë si katundar, herë duke ngritur dolli e duke ngrënë bukë e gjizë në shtëpitë e popullit! Këtë model kanë filluar ta kopjojnë edhe pushtetarët lokalë, duke e nisur “kryeministri” i Himarës Jorgo Goro, i cili e bëri mbledhjen në pyjet e Kuçit! Mos i thëntë mendja, që edhe dekretimin e qeverisë, të kërkojë ta bëjë në ndonjë majë mali, apo në ndonjë bujtinë! E megjithatë për sa më sipër ishin për humor, dhe Qeverisë Rama 2 i urojmë suksese në misionin e rëndësishëm, të vështirë të drejtimit të shtetit dhe mirëqenies qytetare dhe integrimit të plotë të Shqipërisë në strukturat Euro–Atlantike. 
Ja vendet ku do të zhvillohen 15 mbledhjet e qeverisë “Rama-2”, për periudhën shtator-dhjetor 2017
1. Mbledhjen e parë të qeverisë, pas dekretimit: Në pyllin e Qafë-Mollës, prapa Dajtit
2. Mbledhjen me grupin e ri parlamentar: Në Labinot Mal
3. Mbledhjen me këshilltarët e tij: Në “Bunk-Art”
4. Mbledhjen e kryesisë së PS: Në malin e Gramozit
5. Mbledhjen me ambasadorët: Në Manastirin e Ardenicës
6. Mbledhjen e KKRT: Në malin e Shpiragut
7. Mbledhjen me ALUIZN-n: Në Bjeshkët e Namuna
8. Mbledhjen me Agjencinë e Tenderëve dhe Koncesioneve: Në Malin e Tomorrit
9. Mbledhjen me Zv/ministrat e rinj: Në pyllin e Divjakës
10. Mbledhjen me drejtorët e rinj të Inspektorateve: Në Liqenin e Prespës
11. Mbledhjen me krye-bashkiakët e PS: Në pyjet e Razmës
12. Mbledhjen me drejtorët e Turizmit: Në Karaburun
13. Mbledhjen me prefektët: Në bujtinat e Thethit
14. Mbledhjen me drejtorët e Policisë të Qarqeve: Në malin e Dukatit
15. Mbledhjen me “Taskë-Forcën Anti-Drogë”: Në jaht, në Ishullin e Sazanit
Sigal