Rezarta Shehu / Psikologu, një derë ku duhet trokitur…

842
Sigal

Psikologu vlerëson, analizon, trajton  dhe studion sjelljen e proceset e të menduarit të  individëve, në situata të caktuara të jetës së tij. A është  në ditët e sotme psikologu një  mit? Çfarë  mendimi kanë  individët në përgjithësi për profesionin e psikologut?  Në  fakt është  pak e vështirë  për të  arritur në  një  konkluzion përfundimtar, për më  tepër në  një  mjedis social si ky i yni, i cili nuk është  edukuar mjaftueshëm  me rolin e vërtetë  të  një  psikologu dhe me detyrat specifike të  tij. Duke qenë  se detyra  ime, lidhet kryesisht me personelin e Forcave të  Armatosura të  Republikës së  Shqipërisë, shpesh në  bisedat me ta vihet re njëfarë  ngurrimi, sa i përket shkuarjes te psikologu, pasi mendojnë  se do t’i konsiderojnë  të  marrë dhe psikologu nuk mund t’ua zgjidhë  “hallet”, problemet. Në  të  vërtetë  kam konstatuar se, ata kanë  shumë dëshirë  të  flasin dhe kur i fton në  bashkëbisedim të  lirë, kur i bën të  ndjehen komod,  por jo të  detyruar për t’u shprehur, ata flasin me shumë  dëshirë  dhe madje dëshirojnë  që  ta përsërisin këtë  eksperiencë. Pra, e gjithë  frika e gjendjes fillestare thyhet që  me bashkëbisedimin e parë. Duket se mentaliteti ka ndryshuar paksa, por përsëri ne  mbetemi një  shoqëri kolektive. Në përgjithësi ne jemi qenie sociale, takohemi pothuajse çdo ditë me miq, kolegë e të  afërm dhe kështu iu zbrazemi atyre, duke ia zbarkuar të  gjithë  ngarkesën tonë  të  së përditshmes, apo të  ditëve dhe kështu çlirohemi deri diku. Përgjithësisht, ne si shoqëri, jemi të prirur të shkojmë  te psikologu kur jemi në  një  gjendje,  e cila na ka dalë  jashtë  kontrollit, në fazën më të rënduar psikologjike.  Madje as vetë  nuk jemi më  në  gjendje ta kuptojmë, por është  dikush tjetër që,  ‘na kap per dore’ dhe na çon te psikiatri. Duhet pranuar që  të  gjithë  kemi momentet tona delikate në  jetë, e sidomos në   kushtet në  të  cilat jetojmë, në  realitetin e zymtë  me të  cilin përballemi çdo ditë, me papunësinë, varfërinë, ndotjen, thashethemet etj. Të  gjithë  jemi të  predispozuar, për t’u prekur nga simptoma të  vogla ose të  mëdha, të  stresit, ankthit, frikërave të  ndryshme dhe të  bëhemi dashur pa dashur pre e pesimizmit, duke humbur kështu shpresën për të  jetuar dhe duke humbur të  drejtën për të  funksionuar normalisht si qenie sociale. Për të  mos arritur në  gjendje të  tilla të  padëshirueshme, të  papërballueshme  për organizmin, të  dëmshme për shëndetin tonë  mendor dhe fizik, është  më  mirë  që  t’i paraprijmë  të  keqes dhe të  konsultohemi me psikologun, të  shprehemi lirshëm duke larguar nga ndërgjegjja të gjitha ngarkesat negative emocionale, në mënyrë që  të  mund të  reduktojmë  stresin, ankthin, për më  tepër  për të  shmangur depresionin madhor dhe për të  ndërtuar  jetën që  dëshirojmë, duke realizuar qëllimet që  i kemi vendosur vetes. Në  shumicën e vendeve të  zhvilluara si në Francë, ShBA, Angli etj, psikologu është  një  derë  e hapur dhe që  ndodhet pranë  dyerve të  tjera, sikurse ajo e mjekut, dentistit, onkologut, gjinekologut, etj. Jo vetëm që  është  e domosdoshme,  por edhe krejtësisht e zakonshme. Psikologu është  një  derë  në  të  cilën duhet trokitur…