Reza Zarrab: Erdogani Ndihmoi Turqit Të Shmangnin Sanksionet Ndaj Iranit

Nga Benjamin Weiser

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan personalisht ka urdhëruar dy banka turke që të lejohen të marrin pjesë në skemën “naftë në këmbim të arit”, e cila ishte krijuar për të shmangur sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Iranit. Kështu u shpreh të enjten, Reza Zarrab, një tregtar ari turko-iranian në dëshminë e tij para gjykatësve federalë në Manhatan. 

Reza Zarrab, ndihmoi në organizimin e një skeme disa miliardë dollarëshe, dhe kohët e fundit u deklarua fajtor për shkeljen e sanksioneve ndaj Iranit dhe pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë dhe të dëshmojë para prokurorëve amerikanë. 

Të enjten, zoti Zarrab pohoi se në vitin 2012, një zyrtar i lartë turk i tha atij se zoti Erdogan - tani presidenti i Turqisë, në atë kohë kryeministër, dhe një tjetër zyrtar i lartë, ministri i thesarit, kishin urdhëruar bankat që “të fillonin transaksionet”. 

Në dëshminë e tij, Zarrab përmendi për herë të parë implikimin e Erdoganit në shmangien e sanksioneve ndaj Iranit, ndërsa hetimet u bënë publike për herë të parë nga policia turke, e cila zbuloi prova që në vitin 2013, por që hetimet u anulluan nga qeveria e z. Erdogan. 

Z. Erdogan ka dënuar vazhdimisht hetimet e drejtësisë amerikanë për çështjen në fjalë, duke e diskutuar këtë çështje në mënyrë të përsëritur në takimet e tij me zyrtarë të lartë amerikanë, përfshi edhe Presidentin Trump në shtator të këtij viti. Të enjten, para se z. Zarrab, 34 vjeç, të dëshmonte versionin e tij para jurisë në Gjykatën Federale në Nju Jork, Erdogan tha se “ne nuk i kemi shkelur sanksionet”. 

“Cilido qoftë vendimi, jam i bindur që kemi bërë gjënë e duhur”, u shpreh ai gjatë një takimi me dyer të mbyllura me vartësit e tij, njoftoi media shtetërore turke. “Nuk kemi ndërmarrë asnjë angazhim apo premtim ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për lidhjet tona me Iranin në fushën e energjisë”. 

“Bota nuk është vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai. “Kemi marrëdhënie tregtare dhe marrëdhënie në sektorin e energjetikës dhe me Iranin”.

Dëshmia e zotit Zarrab për Erdogan ishte relativisht e shkurtër, dhe vetëm një javë para seancës gjyqësore ndaj një bankieri turk, Mehmet Hakan Atilla, 47 vjeç, i cili akuzohet si pjesë e skemës.

Z. Zarrab pohoi se ishte Zafer Çaglayan, ministri i ekonomisë turke në atë kohë, i cili tha se Erdogan kishte urdhëruar dy bankat, Ziraat Bank dhe Vakif Bank, që të ishin pjesë e skemës. Z. Caglayan “më tha se zoti Kryeministër kishte dhënë miratimin për këtë punë”, tha Zarrab përmes një përkthyesi, duke iu referuar tregtisë me iranianin.

Të mërkurën, z. Zarrab dëshmoi se kishte paguar dhjetëra milionë dollarë ryshfete ndaj z. Çaglayan; dhe shtoi se z. Caglayan i ka kërkuar 50 për qind të fitimeve nga skema, e cila sipas prokurorëve është menaxhuar nëpërmjet bankës shtetërore turke, Halkbank. Të enjten, Zarrab tha se kishte paguar edhe ryshfete për menaxherin e përgjithshëm të Halkbank, Sulejman Asllan, të cilin e përshkroi si kritik ndaj marrëveshjes.

Z. Caglayan dhe Asllan, të cilët gjithashtu akuzohen për të njëjtën çështje, janë ende të lirë, thonë prokurorët. 

Z. Zarrab dëshmoi se ai kurrë nuk kishte paguar rryshfet ndaj z. Atilla, një tjetër i akuzuar për këtë çështje, i cili në atë kohë mbante postin e Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm të Halkbank.

Në Turqi, reagimet ndaj akuzave të zotit Zarrab kanë gjetur shumë pak hapësirë. Televizionet dhe agjensitë kryesore të lajmeve kanë mbajtur gjerësisht të njëjtin qëndrim me qeverinë, duke theksuar se gjyqi në fjalë ishte një komplot kundër Turqisë dhe nuk kanë raportuar akuzat kryesore për përfshijen e Erdoganit në këtë skemë. 

Shumë turq janë informuar përmes rrjeteve sociale, të cilat gumëzhinin për dëshminë e z. Zarrab. Por, disa u qetësuan pasi z. Zarrab dukej se e implikoi presidentin. Një përdorues i rrjetit social Twitter tha se ai nuk guxonte të shkruante atë që po dëgjonte - dhe pastaj fshiu atë që kishte shkruar në twitter. 

Z. Zarrab reagoi plot respekt gjatë dy dëshmive të tij, por ajo që ndryshonte ditën e dytë të dëshmisë, ishte vetëm veshja e tij. 

Të mërkurën, zoti Zarrab dëshmoi i veshur me rrobat e burgut. Por, pas pushimit gjyqtari Richard M. Berman pyeti nëse kishte ndonjë arsye që dëshmitari nuk mund të vishej në rroba civile.

“Është e vështirë të dalësh para gjykatësve”, tha gjykatësi Berman. “Sigurisht që nuk ka arsye qët'i vështirësojë gjerat dhe të mos sigurojë, për shembull, një këmishë, një kollare, apo një xhaketëçfarëdo”. Ai tha se do të nënshkruante një urdhër për këtë qëllim.

Edhe z. Atilla, i pandehuri tjetër, i cili po mbahet në paraburgim, iu dha leja për të veshur një kostum, një praktikë e zakonshme në sallën e gjyqit.

Të enjten, z. Zarrab dëshmoi i veshur me një xhaketë sportive dhe këmishë të bardhë, edhe pse nuk kishte veshur kravatë.

Kur prokurori, Sidhardha Kamaraju, e pyeti pse i kishte ndryshuar rrobat e tij, Zarrab tha se kjo ishte bërë “me lejen e gjyqtarit”.

Gjyqtari Berman ndërhyri pastaj. “Mund të jem tepër i ndjeshëm ndaj çështjes së veshjeve”, tha ai me zë të lartë. “Dhe arsyeja është që gjithmonë dëgjoj pas meje gruan time që më pyet: “Çfarë do të veshësh”.