Rexhep Qosja: Çka duhet të mësojmë nga arrestimi i fundit i Ramush Haradinajt?

68

Ramush Haradinaj do të na
kthehet shpejt në Kosovë dhe do të na kthehet krenar e heroik si gjithmonë.

Por, arrestimi i Ramush
Haradinajt prej Gjykatës franceze mbas lëvizjes së lirë në vendet e mëdha të
BE-së e edhe në vetë Francën, para disa muajsh na solli pezmatim të pamatshëm në
njërën anë ndaj kësaj gjykate, kurse në anën tjetër ndaj oligarkisë sonë
politike.

Ky arrestim na bën aq të
pezmatuar ndaj Gjykatës franceze me përvojë shumë shekullore sepse ajo arrestoi
çlirimtarin shqiptar Ramush Haradinaj edhe pse ai dy herë, pas dy gjykimeve, u
shpall i pafajshëm prej Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, në themelimin e së cilës
kishte marrë pjesë edhe vetë Franca.

Ky arrestim i çlirimtarit
shqiptar na bën aq të pezmatuar sepse Gjykata franceze e arrestoi Ramush
Haradinajn në baze të aktakuzës së regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe të bashkëpjesëmarrësve
të tij në krimet e shumëllojshme në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë e në Kosovë,
kryetarit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq, kryeministrit të Serbisë, Aleksandar
Vuçiq dhe ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.

Arrestimi i Ramush
Haradinajt na bën aq të pezmatuar edhe për shkak se gjykata në fjalë është
gjykatë e shtetit të Francës që me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e kjo domethënë
edhe me njërin nga komandantët e saj, mori pjesë në luftën për çlirimin e Kosovës
prej dhunës e terrorit të Sllobodan Millosheviqit, domethënë mori pjesë në luftën
për çlirimin e Kosovës prej pushtimit të Serbisë.

A mos është çudi e madhe
kuptimore dhe etike arrestimi i një çlirimtari të Kosovës prej atyre që me të
kanë marrë pjesë në luftën për çlirimin e Kosovës?!

Arrestimi i Ramush Haradinajt na shkakton pezëm të madh
edhe ndaj oligarkisë sonë e cila qe sa vite bën bisedime politike me Serbinë për
çështje të ndryshme midis dy shteteve, por asnjëherë pa kërkuar që të anulohen
aktakuzat ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dhe më tej, arrestimi i
Ramush Haradinajt na shkakton pezëm të madh edhe ndaj oligarkisë sonë e cila me
politikën e saj dritëshkurtër, servile, të frymëzuar mbi të gjitha prej
karrierizmit vetjak e formoi Gjykatën e Veçantë dhe me të deshi s’deshi i
kontribuoi edhe këtij arrestimi të Ramush Haradinajt.

Nuk është e lehtë të
kuptohet pse vendet që morën pjesë në luftën çlirimtare të Kosovës krijojnë
gjykatë të veçantë për gjykimin e çlirimtarëve shqiptarë! Dhe, është aq më vështirë
të kuptohet pse aq lehtë oligarkët tonë politikë e ndërrojnë Kushtetutën vetëm
e vetëm për të shprehur pajtimin e tyre me formimin e asaj gjykate unike në botë.

As pas sa vitesh pavarësi,
as pas njohjes nga 112 shtete, as pas aq shumë shprehjesh për “meritat” vetjake
politike e shtetërore, oligarkia jonë nuk arriti të shquajë mëvetësinë, prandaj
as dinjitetin shtetëror të Kosovës në marrëdhëniet me shtetet e tjera, madje,
po të shohim qartë  e pa ngurrim nga vetëkritika
objektive, as në bisedimet me pushtuesin e dikurshëm, Serbinë.

Arrestimi i Ramush Haradinajt
tregon se çfarë goditje i kemi dhënë vetes dhe luftës sonë çlirimtare me atë
gjykatë!

Përkushtimin atdhetar të tij dhe të familjes së tij ndaj
Kosovës, ndaj lirisë dhe pavarësisë së saj, Ramush Haradinaj po e paguan shumë
shtrenjtë: me dy gjykime në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe me dy arrestime
– herën e parë në Slloveni dhe tash në Francë.

            Por, këto janë sakrificat e shtrenjta me të cilat idealistët
jo rrallë gjatë historisë e kanë paguar idealizmin e tyre atdhetar.