Reshat Kripa/Reforma në drejtësi dhe dekriminalizimi

526
Një zhurmë e madhe po bëhet këto ditë në vendin tonë mbi këto dy çështje që kanë zaptuar opinionin e gjerë publik të vendit tonë. Madje janë krijuar edhe komisione parlamentare që, prej muajsh, po punojnë për zgjidhjen e saj. Në këto çaste na lind një pyetje: A janë, me të vërtetë këta deputetë të Kuvendit të Shqipërisë që mund ta zgjidhin këtë nyje gordiane? Kush janë ata? Na duket e pamundur përgjigjja e kësaj pyetjeje. Përse, do të thoni ju. Për t’iu përgjigjur kësaj duhet të kthehemi shumë prapa, në ato kohët e errëta të asaj periudhe mizore që kishte gllabëruar vendin tonë, viktimat e së cilës jemi edhe ne. Ata që i kanë kaluar të pesëdhjetat, e njohin fare mirë atë periudhë. Njohin diktaturën e proletariatit në përgjithësi, por njohin gjithashtu edhe ato që quheshin levat e tij, levat e diktaturës dhe pikërisht për këto leva do të flasim. Kush ishin ato? Ishin organet e Sigurimit të Shtetit dhe ato të drejtësisë. Një mori individësh si, për shembull, hetuesit dhe operativët e Sigurimit, gjykatësit dhe prokurorët, bashkëpunëtorët e ndryshëm të këtyre organeve dhe të tjerë të këtij kallëpi ishin zotrit e vërtetë të këtij vendi në atë kohë. Ishin pikërisht hetuesit dhe operativët që kurdisnin lloj-lloj intrigash të paskrupullta që i çonin njerëzit e pafajshëm para hienave të tjera, prokurorëve dhe gjykatësve, të cilët pa hezituar i syrgjynosnin nëpër burgjet e tmerrshme, madje një pjesë jo të vogël të tyre, ua prisnin fare fillin e jetës. Ishin bashkëpunëtorët e sigurimit ata që shërbenin si manekinë të ndyrë në duart e mjeshtërve të errësirës. 
Procesi gjyqësor fals
Na lejoni t’ju sjellim një shembull fare të vogël nga proceset gjyqësore falso të asaj periudhe, proces i zhvilluar në fundin e vitit 1989 kur komunizmi kishte marrë rrokullimën në të gjithë vendet e lindjes. Mendoni si kanë qenë këto procese në periudhat e mëparshme kur diktatura ishte në kulmin e saj. Bëhet fjalë për vendimin Nr. 261, datë 16.11.1989 të Gjykatës Rrethit Durrës. Po e japim të plotë këtë vendim: “Gjykata e rrethit Durrës më 15-16.11.1989, shqyrtoi në seancë gjyqësore me dyer të hapura çështjen penale nr.253 që i përke të pandehurve:
1. Adnan Balla, i biri i Tasimit dhe Dritës, datëlindja 1963, lindur e banues në Durrës, pa parti, i pa dënuar, i pa dekoruar, me arsim të mesëm profesional, beqar, me punë në Portin Detar “Enver Hoxha”, i arrestuar (ndaluar) më 25.7.1989.
2. Kastriot Mara, i biri Halitit dhe Lumes, datëlindja 1960, lindur e banues në Durrës, pa parti, i padënuar, i padekoruar, me arsim të mesëm profesional, me punë në NI Goma, i arrestuar më 27/7/1989, mbrojtur nga këshilltarja ligjore Vasilika Sotiri.
3. Agron Fico, i biri Avdullajt dhe Meremes, datëlindja 1961, lindur e banues në Durrës, me origjinë e gjendje punëtor, i pa dënuar, pa parti, i pa dekoruar, me arsim të mesëm profesional, i martuar me një fëmijë, me punë në NIQ Durrës, arrestuar më 16.8.1989, mbrojtur nga këshilltari ligjor Rustem Syziu.
Të akuzuar:
* I pandehuri Adnan për moskallzimin e krimit të tradhëtisë ndaj atdheut, neni 11/2 K.Penal.
* Të pandehurit Kastriot dhe Agron për krimin e tradhëtisë ndaj atdheut kryer në 
bashkëpunim neni 47/gj – 31/b K.Penal
Gjykata pasi shqyrtoi materialet e denoncuara nga hetuesia, provat e marra gjatë zhvillimit të gjykimit dhe prokurorin që kërkoi:
* Të deklarohet fajtor i pandehuri Adnan Balla për veprën penale të moskallëzimit të një krimi kundër shtetit dhe sipas nenit 112/2 K.Penal të dënohet me një vit heqje lirie
* Të deklarohet fajtor i pandehuri Kastriot Mara për nenin 47/gj, 31/b K.Penal, dhe të dënohet me gjashtë vjet heqje lirie.
* Të deklarohet fajtor i pandehuri Agron Fico për veprën penale të tradhëtisë ndaj atdheut në formën e arratisjes dhe sipas nenit 47/gj, 31/b K.Penal, të dënohet me shtatë vjet heqje lirie. Gjithashtu gjykata vendosi: 
Të deklarojë fajtor dhe të dënojë për veprën penale të tradhëtisë ndaj atdheut në formën e arratisjes kryer në bashkëpunim:
* Të pandehurin Agron Fico, sipas nenit 47/gj, 31/b, 32 të Kodit penal me 5 (pesë) vjet heqje lirie duke filluar vuajtja e dënimit nga data e arrestimit 16.8.1989.
* Të pandehurin Kastriot Mara sipas nenit 47/gj, 31/b, 32 të Kodit penal me 3 (tre) vjet e 6 (gjashtë) muaj heqje lirie, duke filluar vuajtja e dënimit nga data e arrestimit 27.7.1989.
* Të pandehurin Adnan Balla për veprën penale të moskallëzimit të një krimi kundër shtetit dhe në bazë të nenit 112/2 të Kodit Penal e dënon atë me një vit heqje lirie duke filluar vuajtja e dënimit nga data e arrestimit 25.7.1989.
Por ky proces nuk ishte i vetmi. Një numër i madh prej tyre zhvillohej në atë kohë në vendin tonë. Midis tyre ka patur edhe nga ato procese që përfundonin me likuidimin fizik të viktimës, siç ndodhi me rastin e poetit martir Havzi Nela në gushtin e vitit 1988 që e çoi atë në litar. Por ne nuk do të zgjatemi më me to por duam të përqendrohemi në ditët tona, ku realiteti është krejt ndryshe nga i së kaluarës. Ku ndodhen shkaktarët e këtyre masakrave të përbindshme në ditët tona. Mos u çudisni por, jo pak prej tyre dhe midis tyre edhe gjykatësi që dënoi tre të rinjtë e sipërpërmendur, i gjen në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, gjykatat e apelit, gjykatat e shkallës së parë, Prokurorinë e Përgjithshme dhe prokuroritë e rretheve, madje edhe deri në Ministrinë e Drejtësisë dhe funksione të tjera të larta të vendit. Kanë kaluar 25 vjet nga përmbysja e sistemit diktatorial dhe politika shqiptare vazhdon të mbështetet ende në elementet më famëkeq të asaj periudhe. Përse? A nuk ka kuadro të reja, qofshin ata socialistë apo demokratë që mund t’i zëvendësojnë? A mos vallë janë të paktë të rinjtë tanë që kanë mbaruar shkollat më të mira të botës perëndimore duke fituar madje edhe tituj shkencorë? Nuk janë të pakta rastet kur universitete të njohura të botes perëndimore u ofrojnë bursa falas studentëve shqiptarë të shkëlqyer. Bota perëndimore po thith trurin shqiptar. Po politika shqiptare kur do të kujtohet të thithë rininë shqiptare?
Apeli i të përndjekurve për politikanët
Mendojmë se përgjegjësia më e madhe në këtë drejtim u përket pothuajse të gjithë udhëheqësve të forcave kryesore politike që aktualisht janë relativisht të rinj por që ruajnë ende mentalitetin komunist dhe që vazhdojnë ta mbajnë peng vendin me politikanë të ardhur nga bota totalitare. Të tillë politikanë kanë depërtuar në të gjitha sferat e politikës shqiptare dhe madje edhe në komisionet e ngritura për reformën e drejtësisë dhe në atë të dekriminalizimit, ndaj e bëmë pyetjen në fillim të kësaj shkrese: Çfarë reforme mund të bëjnë tipa të tillë? Kë do të gjykojnë? Kë do të dekriminalizojnë? Mos vallë veten e tyre? Pasi janë ata që, në radhë të parë, duhej të dilnin në bangën e drejtësisë. Ndaj iu bëjmë thirrje atyre që kanë marrë përsipër reformimin e drejtësisë dhe dekriminalizimin e shoqërisë shqiptare, të shkëputen nga mentaliteti i vjetëruar komunist që vazhdon ende dhe të përqafojnë frymën e re demokratike të perëndimit, të gjejnë forca për të hedhur në koshin e plehrave të gjitha mbeturinat e atij sistemi të përmendura më sipër. Një gjë e tillë mund të bëhet vetëm me ligj. Kjo nuk është një shkelje e të drejtave të njeriut. Është vendosja e një drejtësie bashkëkohore. Ata individë nuk po i burgos apo eliminon njeri, siç kanë vepruar ata me viktimat e tyre. Sistemi i sotëm i lejon të merren me çfarë ta shohin të përshtatshme. Le të ushtrojnë profesionet e tyre ose çdo lloj aktiviteti që mendojnë, por kurrë nuk duhet të jenë në organet drejtuese të shtetit shqiptar. Le të pastrohet administrata shtetërore nga hienat e së kaluarës! Kjo është “A”-ja e një demokracie të vërtetë.
Sigal