Reshat Kripa/ Çfarë duhet të ndryshojë Partia Demokratike?

656
Sigal

 Reshat  Kripa


  Kjo është një
pyetje që kërkon përgjigje dhe pikërisht këtë dua të shtjelloj unë në këtë
shkrim. Jam i mendimit se Partia Demokratike duhet të shkëputet nga mentaliteti
komunist që shfaqet herë pas here në veprimtarinë e saj. Ajo, detyrimisht,
duhet të kalojë më djathtas. Është një krah i majtë që vepron brenda saj, ndonse
i kamufluar nën spektrin demokratik dhe është pikërisht ky krah që nuk e lejon
Partine Demokratike të fitojë simpatinë e një pjese të shoqërisë shqiptare të
djathtë. Para disa vitesh kam  dëgjuar
intervistën që zoti Gabriel Partosh i 
dha televizionit Top Channel. Midis të tjerave ai tha: ”Në Gjermani dhe
në Francë dënohen po deklaruan se nuk është zhvilluar holokaust  gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më bëri  përshtypje të madhe ky fakt, sidomos për  Gjermaninë, kombi i lindjes dhe zhvillimit të
nazizmit, ku pothuajse pjesa me e madhe e popullsisë dhe sidomos ushtria
gjermane e mbështeti me besnikëri atë regjim, gjeti kurajon të hedhë poshtë të
keqen e madhe që e vuri në armiqësi me popujt e 
tjerë të botës.
Ku
e gjeti ky popull këtë forcë? Ai e hodhi poshtë të keqen e tij dhe vazhdoi të
jetonte me të mirën, duke bërë denazifikimin e plotë të vendit.  Është gjenialiteti i këtij kombi që e bëri
një gjë të tillë dhe  brenda pak viteve,  e shpuri Gjermaninë në nivelet ku ndodhet sot.
Po në vendin tonë çfarë po ndodh? A keni dëgjuar ndonjë funksionar
të kërkojë falje per krimet e kryera nga regjimi komunist? Papa Gjon Pali i Dytë
kërkoi falje për krimet e kryera nga kisha në periudhën e mesjetës. Kancelaria
Merkel kërkoi falje për krimet e kryera nga regjimi nazist. Së fundi edhe
qytetari gjerman kërkoi falje për krimet e kryera nga i ati në masakrën e
Borovës. Në Shqipëri nuk njihet nocioni i kërkimit të ndjesës dhe është
pikerisht mentaliteti i majtë komunist që e pengon një gjë të tillë. Asnjë
President, asnjë Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, asnjë Kryeministër, asnjë Kryetar
Partie nuk kërkoi falje për krimet e kryera nga regjimi komunist. Shqipëria nuk
e bëri dekomunistizimin e vendit. Këtë falje unë nuk e kërkoj nga funksionarët
e Partisë Socialiste pasi jam i bindur se ajo është e njëjtë me Partinë e Punës
prej së cilës u krijua në kongresin e fundit të saj. Por, çuditërisht, kjo nuk
u bë as nga Partia Demokratike. Përse? Jam, i mendimit se është pikërisht kjo e
majtë brenda gjirit të saj që e pengon një gjë të tillë. Vihet re një garë e
shfrenuar e disa organeve të njohura të shtypit dhe televizionit, madje edhe të
një pjese të politikanëve, për të hymnizuar figurat dhe ngjarjet makabre të
regjimit të përmbysur në fundin e vitit 1990. Zyrtarisht të gjitha partitë janë
distancuar nga regjimi komunist. Por 
praktikisht, në të gjitha veprimet e tyre, veprojnë me metodat e atij
sistemi. Lufta civile e periudhës së Luftës së Dytë Botërorë që pas vitit 1945
u kthye në luftë të egër klasash, tashti është shndërruar në luftë të vërtetë
psikologjike kundër së djathtës së mirëfilltë. Kush është kjo e djathtë e
mirëfilltë? Janë ish fisnikëria   e   vjetër  
shqiptare,  ish   pronarët 
e  tokave,  ish tregëtarët dhe borgjezët e përmbysur me
dhunë, ish  të përndjekurit e djathtë politikë
nga regjimi totalitar e të tjerë. 
Si  po trajtohen këto shtresa? Për
të thënë të vërtetën, po shihen me syrin e njerkës nga të gjitha partitë. Një
gjë e tillë ka sjellë një ndjenjë mosbesimi në radhët e tyre. Çfarë duhet të bëjë
Partia Demokratike për të arritur majat? Për t’i dhënë  përgjigje  kësaj pyetjeje dua të bëjë analizën e kësaj
partie  qysh nga themelimi saj në
dhjetorin e vitit 90-të dhe deri më sot. Mendoj se periudha e parë ishte
periudha  e  artë  e
saj. Ajo pati meritën të përmbysë sistemin totalitar dhe të fillojë ndërtimin e
shoqërisë kapitaliste. Në këtë drejtim një ndihmesë të madhe dhanë edhe të
përndjekurit politikë. Për këtë edhe u shpërblyen. Një pjesë e tyre arritën
sferat më të larta në parti, qeveri, parlament, presidencë apo në shkallë
lokale. Një prej tyre është edhe shkruesi i këtyre radhëve. Pati me qindra të
punësuar dhe të strehuar. Dyert e shkollave u hapën dy kanatash për këtë
shtresë.  U miratuan edhe shumë ligje që
përmirësonin gjendjen dhe kërkonin rehabilitimin e tyre. Por jo gjithçka shkoi
mirë. Një krah i majtë i kësaj partie vepronte në prapaskenë për pengimin e
kësaj ecjeje përpara.  Shembull për këtë
do të sjell grevën e urisë së të përndjekurve politikë në vitin 1994.
Personalisht e kam të qartë se ajo grevë u përgatit nga elementë ultra të
djathtë, të nxitur edhe nga e majta, por kam të qartë gjithashtu edhe qëndrimin
aspak parimor të Partisë Demokratike ndaj saj. Kështu, në  vitin makabër të 1997, ndodhën   ngjarje
që do ta kthenin Shqipërinë vite prapa në bashkimin me popujt e tjerë të botës
perëndimore. Pasojat   tashmë  dihen. 
Po  kush  e 
pagoi  më  shtrenjtë? Përsëri të përndjekurit politikë.
Kush u vranë në ato ditë të zeza dhe pas tyre? Ishin të përndjekurit politikë
Bujar Kaloshi dhe Besim Çerra, Lekë Çoku dhe Besnik Hidri, Besim Manoli dhe
Gëzim Shabani, Valter Harizaj dhe Viron Rapaj, Bashkim Shkurti dhe Fredi Shehu,
Skënder Kalenja dhe Adem Shehu, Kujtim Frangu dhe plot të tjerë që ranë në krye
të detyrës. Kush më tepër se të përndjekurit i qëndroi pranë Partisë Demokratike
në ato ditë të vështira të 1997-ës? Edhe më prapa në periudhën 1997-2005 kush e
ndoqi hap pas hapi Partinë Demokratike në protesta, mitingje, greva urie, deri
sa arriti fitoren e njohur të vitit 2005? Gjithmonë të përndjekurit politikë. Çfarë
ndodhi pas marrjes së pushtetit? Një mjegullnajë e pashpjegueshme mbuloi
politikën e ndjekur. Pritej qe të përndjekurit politikë të zinin vendin që u
takonte brenda gjirit të kësaj partie. Por nuk ndodhi kështu. Në tetor 2006
Kuvendi i Shqipërisë miratoi  rezolutën
“Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri” mbështetur në
rezolutat e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të viteve 1996 dhe
2006, rezolutë që po të ishte zbatuar, me siguri, Shqipëria do të kishte hedhur
një hap të sigurtë në zhdukjen e mentalitetit komunist. Ndër pikat e kësaj rezolute
do të veçoja  ato mbi dënimin zyrtar të
figurës së diktatorit Enver Hoxha, bërjen publike të dokumentave që dëshmojnë
krimet komuniste, rishikimin e historisë së Shqipërisë dhe librave shkollore,
kthimin në muze të burgjeve dhe kampeve më të tmerrshme si dhe ngritjen e një
memoriali për nder të viktimave të rëna në luftën kundër totalitarizmit, dhënien
e dëmshpërblimit financiar jo si lëmoshë por si detyrim ligjor e të tjera. Çfarë
u bë për zbatimin e këtyre pikave? Çdo gjë pothuajse u barazua me zero. Kaluan
tetë vjet  dhe nuk u gjet kohë për
zbatimin e tyre dhe kjo për shkakun e asaj të majte që vepronte brenda Partisë
Demokratike dhe ishte pikërisht ndikimi i kësaj të majte që në vitin 2009 të
krijohesh aleanca me një parti ultra të majtë  cila, me katër deputetë, mori gati 30% të
pushtetit që i dha mundësinë kësaj të fundit në zgjedhjet e vitit 2013 të
rriste dukshëm rradhët e saj duke fituar 16 mandate dhe të kalonte në kampin
prej nga kishte ardhur. Shenjat për këtë ishin dhënë.
Më 14 dhjetor 2010 me nismën e Ministrit te Jashtëm të
Lituanisë, zotit Audronius Azubalis gjashtë ministra  të  jashtëm  të  Europës  lindore  dhe  pikërisht
 ata  të  Lituanisë,  Letonisë,  Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë i
dërguan një letër zyrtare Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës
Vivian Reding, ku kërkohej dënimi i krimeve të komunizmit, e cila u mor
përsipër për t’u shqyrtuar me seriozitetin më të madh nga ana  e këtij 
komisioni të BE-së.
Do të kishim dashur që krahas firmave të ministrave në
fjalë të kishte qenë edhe ajo e ish-Ministrit 
të Jashtëm, zotit Ilir Meta, si përfaqësues i shtetit me përndjekjen më
mizore, por ajo mungoi. Edhe për këtë njoftim çdo gjë kaloi në heshtje. Nuk u
dha asnjë lajm, as nga qeveria dhe as nga mediat. Përse? Kush të mundet le të
përgjigjet.Në Partinë Demokratike vihet re një qëndrim jo shumë i qartë në marëdhëniet
e saj me të përndjekurit politikë. Duket sikur sundon tendenca që ngjarjet e së
kaluarës dhe veprimtarinë e kësaj shtrese t’i kalojnë në heshtje në mënyrë që
me kalimin e kohës të harrohen fare. Një gjë e tillë u shfaq edhe kohët e
fundit. Më 26 korrik 2016 ishte 20 vjetori i rënies së Martirit të Demokracisë,
të paharruarit Bujar Kaloshi, një personalitet i shquar i viteve të para pas përmbysjes
së madhe. A dëgjuat për ndonjë aktivitet për nder të këtij përvjetori jubilar? Aspak.
Madje Departamenti i të Përndjekurve Politikë njoftoi se një ceremoni e tillë
do të zhvillohej pasi të kthehej Kryetari i Partisë nga vizita në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës. Por edhe kjo  nuk
ndodhi. Përse?
Më 12 shtator 2016 u përkujtua 18
vjetori i rënies së Heroit të Demokracisë Azem Hajdari, madje është bërë zakon
që kjo datë të përkujtohet për çdo vit dhe shumë mirë që veprohet kështu. Përse
një gjë e tillë nuk bëhet kur martiri i përket shtresës së të përndjekurve
politikë? Përse ky dallim ndërmjet dy të rënëve për demokraci aq më tepër kur për
rastin e Bujar Kaloshit ishte një vit jubilar ? Më 23 janar 2016 ishte 71
vjetori i kryengritjes antikomunste të Malësisë së Madhe, e para kryengritje në
vendet e Europës Lindore. Për kremtimin e saj nuk u kujtuan as organet e
pushtetit lokal dhe as ato te partive politike. Mund të pretendohet se po në të
njejtën ditë ishte mbyllja e fushatës elektorale për zgjedhjet ne Bashkinë Dibër.
Nuk bëhet fjalë për funksionarët që ishin pjesmarrës të kësaj fushate por
Partia Demokratike ka edhe plot kuadro të tjera të cilët mund të ishin dërguar
në përvjetorin e Postribës. Atëherë përse kjo nuk ndodhi? Mos vallë edhe këtu është
krahu i majtë që vepron në fshehtësi. Partia Demokratike ndryshon nga Partia
Socialiste edhe nga nje fakt tjetër. Ndërsa në Partinë Socialiste militojnë vetëm
elementë me prejardhje të majtë, në Partinë Demokratike ekzistojnë të dy krahët
e politikës. Ndaj një gjë e tillë kërkon që kjo parti duhet  të ndjekë një politikë afrimi midis këtyre dy
rrymave pa bërë dallim nga njera tjetra.Rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme
të vitit 2013, atyre për pushtetin lokal të vitit 2015 dhe zgjedhjet e fundit në
Dibër treguan se Partia Demokratike duhet të bëjë një kthesë të fortë në
politikat e ndjekura. Duhet të ringjallë frymën e pajtimit kombëtar ndërmjet
shtresave të ndryshme që janë brenda saj, në mënyrë që të mos përsëriten më defektet
e përmendura më sipër dhe të dalë fitimtare në zgjedhjet e ardhshme. Në të
kundërt kjo do të jetë një katastrofë për të dhe për të ardhmen e vendit.
Ndaj  Partia Demokratike, siç e kam
theksuar edhe ne fillim të këtij shkrimi, duhet të kalojë më djathtas.