Replikë e detyruar me zotin Ago Nezha

747
Sigal

Në përgjigje të shkrimit tënd me titull “A është territori  i Dukatit i dukatasve”, publikuar në media në muajt nëntor –dhjetor të vitit 2013. Ti, zoti Ago bëje një analizë për problemin e pronave në territorin e Dukatit, për padrejtësitë  e shkaktuara nga Ligji 7501. Në shkrim, ndër të tjera  shprehje edhe shqetësimin se, zgjidhja e këtij problemi është “thembra e Akilit” jo vetëm për sot, por edhe për të ardhmen, si dhe vije një theks të veçantë përpjekjeve të bëra nga shoqata “KA Dukati”, ndër vite, për korrigjimin e kësaj padrejtësie.

Por,  përveç sa më sipër,  ti shkruaje fjalë për fjalë: “Ka pasur edhe disa veprime anarkiste të disa prej shoqatave Dukati të qyteteve të qëna e të paqena që janë zgjuar me vonesë, si ato “sythat e fjetur” e duan të bëjnë protagonizmin e shpëtimtarit të fshatit nga mohimi i pronave. Atyre do u thosha: “Ku ishe ti, o Brut” kur Dukati ka vite që lufton për këtë padrejtësi shtetërore e shoqërore. Është detyrë e të gjithë dukatasve të mençur, ta ruajnë shoqatën nga individë të depersonalizuar moralisht, që për ego personale duan të mbjellin përçarje. Problemet e mëdha nuk zgjidhen duke u përçarë, por duke u bashkuar në një front unik”.

Zoti Ago, ti duhet të jesh më konkret, që ta marrë vesh i madh e i vogël në Dukat e më gjerë, kush janë “sythet e fjetur”, kush janë këta “protagonistë” shpëtimtarë të fshatit nga mohimi i pronës. kush është ose kush janë “Bruti”, kush janë e çfarë turpi kanë bërë këta dukatas që i quan  të “depersonalizuar moralisht”, kush janë këta që “për ego personale kërkojnë të përçajnë fshatin” e të tjera, e të tjera.

Për të gjitha këto ti je shprehur me fodullëk dhe mendjemadhësi të pashoqe, por edhe me mendjelehtësinë që në fakt të karakterizon, duke fyer në grup bashkëfshatarët e tu me epitetet e mësipërme !

Dhe ja po ta themi se kush janë këta anëtarë e  kryetarë të degëve të shoqatës “Dukati”  që ti i quan të depersonalizuar moralisht: Merko Bozhani, Vitri Zyka, Seri Allushi, Berdo Kulluri, Skënder Gjoleka, Enver Lazemete, Nuro Dhima, Sezai Kurti, Xhemil Vela, Nevzat Bozhani, Luftar Petoshati, Fatjon Merko, Ariz Bitri, Tomorr e Hodo Zeqiri, Kastriot Mëhilli, Shaban Kuteli, Nuro Kulluri e të tjerë me dhjetëra. Sa mirë do ishte që të dilje ballë për ballë apo të vije një herë të vetme në mbledhjet e përbashkëta që kanë zhvilluar e zhvillojnë për pronën degët e shoqatës “Dukati” në Durrës, Tiranë e Vlorë! Dini ju ndonjë nga këta që është i depersonalizuar moralisht, kush janë përfaqësuesit e grupit që kërkojnë të përçajnë fshatin, kush është ndonjë “Brut”. Ne nuk i dimë, por na i mësove ti që të forcojmë unitetin. Ti, zoti Ago i quan “të depersonalizuar moralisht” tërë këta intelektualë që janë shquar e shquhen edhe sot për kulturë, profesionalizëm, e përgjegjësi shtetërore e shoqërore, që mjaft prej tyre  kanë drejtuar  institucione të rëndësishme e kanë mbuluar e kontribuar në fusha e sektorë të rëndësishëm të ekonomisë e të jetës politike e shoqërore te vendit, që kanë ndihmuar e mbështetur, jo me bejte e hartime, por  konkretisht fshatin e tyre, prandaj gëzojnë edhe respektin dhe dashurinë e tyre. Këta, por edhe gjithë ato qindra familje dukatase nuk mund të etiketohen e të fyhen në atë mënyrë, sepse kërkojnë pronat e tyre.

Mesa duket, kur ke shkruar këto epitete për ne, bashkëfshatarët e tu intelektualë në Tiranë, Durrës e Vlorë nuk duhet të kesh qenë mirë emocionalisht ose të ka shtyrë deliri dhe lehtësia që të karakterizon.

Ago, ne nuk kemi qenë “sytha të fjetur”. Ne kemi mbështetur gjithë veprimtaritë që janë bërë për kthimin e pronave tek i zoti. Ne kemi qenë pjesëtarë edhe në protestat e dhunshme të djemve të Dukatit, që kërkonin zbatimin e Nenit 181 të Kushtetutës, i cili detyron qeverinë që  “ligjet dhe amendamentet për pronën, të miratuara para datës së miratimit të Kushtetutës, të anuloheshin brenda një periudhe 2-3 vjeçare. Kemi bërë ankimime në Komisionin e Kthimit të Pronave të Vlorës dhe në atë qendrore në Tiranë, nga të cilët kemi marrë vendime me shkrim që nuk na takon prona e trashëguar gjysh-stërgjyshi. Pas kësaj, i shkruam letër ish Kryeministrit Berisha dhe 11 ambasadorëve. I kemi bërë peticion Kryeministrit Rama, Presidentit, Kryetarit të Kuvendit, Komisionit të Ligjeve, Gjykatës Kushtetuese, Avokatit të Popullit, kryetarit të Bashkisë Orikum,  ambasadorëve kryesorë dhe do vazhdojmë përpjekjet me çdo mënyrë, deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit. Por, ty Ago të kemi kërkuar bashkëpunim në këto përpjekje tonat, por ti nuk ke pranuar ndërkohë që çirresh lart e poshtë për unitetin e shoqatës e të fshatit.

Ago, ne nuk na ha meraku për protogonizëm, sepse shkopin e dirigjentit e ke marrë ti, madje po ndikon mjaft duke përdorur Shoqatën për qëllime klienteliste që cenojnë e komprometojnë cilësinë e saj. Në fakt, ti përpiqesh që të marrësh rolin e “plakut të urtë e udhërrëfyes të fshatit”, por më kot , sepse ata që  e kanë bërë këtë rol që në krye të herës, siç thua edhe ti, kanë qenë tjetër standard. Ndërsa ne, jo për protogonizëm, por, kërkojmë pronat që na i kanë lënë të parët, mos duhet të kërkojmë leje ty a e ndonjë tjetri për këtë?

Zoti Ago, edhe të tjerë që janë me ty, pas teje ose përpara teje, nuk duhet të shkruajnë për fasadë apo për t’u dukur. Ata që mendojnë e deklarohen në shtyp se për abrogimin e Ligjit 7501 nuk ndërhyn as Perëndia, për arsyet e tyre, synojnë që të zhvlerësojnë përpjekjet për kthimin e pronave të trashëguara nga prindërit tanë, ndërkohë që në pjesën më të madhe të Shqipërisë, prona me hir apo me pahir ka shkuar tek i zoti.

Ne nuk jemi hipokritë e nuk kërkojmë as mëshirë e as lëmoshë, por reagojmë ndaj një ligji antikushtetues (Neni 41 dhe 181), ogurzi, vëllavrasës e antinjerëzor që nuk është zbatuar në asnjë vend të botës, por vetëm në Shqipëri dhe me propozimet që bëjmë nuk e përçajmë, por e bashkojmë fshatin. Nëse uniteti i fshatit dhe i shoqatës kondicionohet nga pronat, atëherë ai (uniteti) është bërë copë e thërrime, qysh në vitin 1991, kur disa nga bashkëfshatarët tanë pranuan që të marrin tokat e të tjerëve, por prona është trualli (atdheu) i të parëve tanë, prandaj do ta mbrojmë me çdo çmim.

Ago, sot shtypi është i lirë, madje mund të shkruash edhe “kodra mbas bregut”, ose siç i thotë populli “korr e mos lidh”, por njeriu duhet të dijë se sa e ka të drejtën për të etiketuar e fyer të tjerët individualisht, p.sh siç bën ti në shkrimin tënd, duke i quajtur një grup intelektualësh, që përfaqësojnë rreth 800 familje dukatase, “individë të depersonalizuar moralisht”, sepse kërkojnë pronat e tyre. Ti gjithashtu duhet të kujtohesh para se të shkruash se mjaft prej tyre kanë një background dhe karrierë mjaft dinjitoze, që rrethi i tyre intelektual e shoqëror i vlerëson e respekton. Që dikush të marrë guximin për të vlerësuar  një grup intelektualësh si të depersonalizuar moralisht, përveç se duhet të ketë arsye shumë të forta, duhet që të jetë edhe vetë me personalitet e integritet shumë të lartë e ti Ago nuk e ke këtë tagër.

Për shkak të karakterit tënd, përgjithësisht të paqëndrueshëm, por edhe të pathelluar e konfliktual, pra, për këtë mënyrë sjellje tënden, ndaj teje ka patur edhe  reagime e replika të tjera në shtypin e shkruar e deri libra të veçantë, që për etikë nuk po i përmendim. Gjithashtu, ti ke deklaruar se nuk do të jesh pjesë e degës së shoqatës “Dukati” të Tiranës, për arsyet që i di ti dhe këtë e ke bërë realitet, duke mos marrë pjesë, për gati 3 vjet, në asnjë aktivitet të kësaj dege. Atëherë, për çfarë uniteti flet e kërkon ti?

Së fundi, ne kemi gjithë të drejtën të reagojmë ashpër me ty, sepse një sjellje e tillë nuk mund të vlerësohet veçse si një mendjelehtësi delirante. Ne për hir të respektit ndaj gjithë bashkëfshatarëve tanë e me qëllim që të mos bëjmë shou, kësaj here të kthyem këtë  përgjigje modeste, por duke të bërë thirrje që ti të kërkosh falje publikisht, ose të vish të ballafaqohesh, të marrësh përgjigje drejtpërdrejt, ose dhe t’u gjesh vendin atyre që ke shkruar për ne. Në këtë mënyrë do të sqarohej se kush është “Bruti” dhe kush është bruto apo neto. Në rast se nuk e bën këtë, ne kemi gati një paketë tjetër të hollësishme e konkrete për ty, për atë që ti e quan “personalitet moral”, por që kur ta lexosh nuk do ndihesh mirë.

Merko Bozhani, Kryetar i Shoqatës “KA Dukati”, Dega Durrës

Vitri Zyka, Kryetar i Shoqatës  “KA Dukati”, Dega Vlorë

Nevzat Bozhani, Kryetar i Shoqatës  “KA Dukati”, Dega Tiranë