Rënia e arsimit shqiptar në gropën e ferrit

123
Ilirian Demiri
Ne shqiptarët i jemi bindur fatit tonë. Duke jetuar në një shoqëri të përfshirë plotësisht në një kolaps, fundin e të cilit askush nuk e di se ku është dhe kur mund të dalë nga rrjeta ku ka rënë. Tashmë edhe jemi qartësuar se pasojat do t’i ndjejmë ndër vite, ndoshta edhe ndër breza. Është kjo arsyeja që me hidhërim i themi njëri tjetrit: e keqja na ka kapur për fyti dhe duket se nuk do të na lëshojë për breza me radhë. Asgjë nuk po na sjell ndonjë ndryshim. Bile as lukunia e reformave që nuk dihet në fund të fundit, çfarë mund të sjellin. Kështu po ndodh edhe me reformën në arsim. Ka nisur prej vitesh. Sa ishte PD në pushtet (2005 – 2013) reforma në sistemin arsimor na u dha si një sukses i paimagjinueshëm. Por shqiptarët e shkretë e shihnim me sy dhe e preknim me dorë se, kjo reformë ishte thjesht një treg i stërmadh fitimesh për një grup oligarkësh të pangopur që “kishin pushtuar” sistemin arsimor. PS, pas vitit 2013 u përpoq të minimizojë pasojat negative të me nder reformës. Po as ajo me reformën e saj nuk po mundet të mbyllë të gjitha vrimat e stërmëdha që po e shkatërronin dalëngadalë sistemin. Në arsimin universitar dhe parauniversitar. Se çfarë arsimi kemi ne, e tregon edhe fakti se oligarkët dhe pushtetarët të gjithë fëmijët i dërgojnë për studime jashtë vendit. Bile edhe ndonjë varfanjak detyrohet të marrë kredi që ta dërgojë fëmijën me studime jashtë vendit. Po janë vetëm pak shqiptarë që e realizojnë kësisoj ëndrrën e fëmijës së tyre. Edhe pse ky numër është në rritje. Këtë vit nga Shqipëria arritën të nisin studimet e larta jashtë vendit rreth 8000 studentë, më shumë se çdo vit tjetër. Ndodh kështu se, tashmë të gjithë shqiptarët e kanë të qartë se universitetet në Shqipëri u ngjajnë klubeve, ku të rinjtë kalojnë kohën. 

1. Shqiptarët e mësuar me varfërinë nuk po dinë si t’ia bëjnë me fëmijët. T’i dërgojnë në universitet shqiptare, që të punësohen kamerierë, apo t’i dërgojnë në universitetet e botës, ku të mësojnë rrugën e dijes e të shkencës? Se askush në Shqipëri nuk i përfill universitetet shqiptare e tregojnë vetë pohimet e vazhdueshme të drejtuesve të lartë të shtetit që pohojnë: Në vendet kyçe të vendosen ata që kanë mbaruar studimet jashtë dhe çfarë të mbetet të punësohen ata që kanë mbaruar me nota shumë të larta në universitetet brenda vendit. Një pohim të tillë e kemi dëgjuar të gjithë. Është kjo arsyeja që këtë vit janë mbi 8000 të rinj e të reja që po nisin studimet e larta jashtë vendit. Thuajse të gjithë fëmijët e oligarkëve e të ashtuquajturës klasë politike studiojnë jashtë vendit. Puna ka arritur deri atje sa edhe disa të shtresës së varfër t’i dërgojnë jashtë me studime fëmijët duke marrë për këtë qëllim kredi bankare. I kanë nisur dhe i kanë porositur: “Studioni sa më shumë matanë dhe pas mbarimit të studimeve, mos u ktheni më këtej, po punësohuni andej!” Një porosi që çdo administratori të këtij vendit duhet t’ia ngrejë flokët përpjetë. Sepse kësisoj Shqipëria po shpopullohet me ritme shumë të shpejta. Sa nuk është e largët dita, kur në këtë vend të mos mbetet as edhe një shqiptar. Pse po ndodh kështu? Universitetet publike tashmë haptazi janë braktisur nga të gjithë. E para, nga vetë shteti. Edhe pse gjithçka e këtyre universiteteve paguhet nga shteti, nga taksapaguesi i varfër shqiptar, profesorët e tyre e kanë universitetin publik si karamelen e fundit. Vijnë aty, pasi kanë mbaruar të gjitha punët te universitetet private. Sepse privati nuk u paguan as qindarkën, nëse shkelin edhe me një sekondë rregulloren e tyre. Tani që po nis viti i ri akademik, studentëve u duhet treguar ashiqare, orari i mësimeve. Jo, si deri tani, një orë mësimi në mëngjes, një pasdreke dhe një tjetër në mbrëmje. Janë vetë studentët që më shumë se një herë kanë kërkuar që pedagogëve të mos u lejohet më dy apo tre punësimi. Qesharake është fakti se, edhe për t’u regjistruar në universitet, fëmijët e taksapaguesve të varfër detyrohen të paguajnë çdo vit 45 mijë lekë. Ata paguajnë, po as ata e as fëmijët e tyre studentë nuk e dinë se ku shkojnë dhe në ç’xhepa hyjnë ato para? Është kjo situatë groteske ku është zhytur universiteti publik që i detyron fëmijët e shumicës së shqiptarëve të vërdallosen gjithë ditën nëpër lokale, ndërsa kur u vjen provimi, japin disa para për një pesë të qelbur që ua jep pedagogu, ndoshta pa hapur as kapakun e dispensës. Është bash kjo arsyeja që tashmë Universiteti i Tiranës zë vendin e fundit në rankimin e kryer nga Agjencia britanike “Quality Assurance Agency”. Është bash kjo arsyeja që universiteti më i vjetër shqiptar ka pjerdhur me të tëra. Sepse është kthyer në një skllav të universiteteve private, të cilët ndihmohen rregullisht edhe nga vetë ky “me nder me thënë, shtet” që ne kemi. E keqja është se në horizont nuk duket se mund të ndryshojë diçka për mirë. Kjo i ka detyruar oligarkët dhe pasanikët e familjes në pushtet t’i dërgojnë fëmijët e tyre nëpër universitetet e Evropës e të Amerikës. Ndërsa universitetin e Tiranës ua kanë lënë peshqesh fëmijëve të shumicës së shqiptarëve varfanjakë. 
2. Me ligj në Shqipëri vazhdon të jetë i detyruar arsimi 9 vjeçar. Edhe pse tashmë edhe arsimi i mesëm, edhe ai i lartë vijohet pa ndërprerje nga të gjithë, madje edhe nga gjysmë analfabetët që kundrejt një pagese marrin diploma si në universitetin publik, ashtu edhe në lumin e universiteteve private. Ne të gjithë jemi të bindur se, e ashtuquajtura “reforma” çfarë synoi ia ka arritur. E ka kthyer arsimin në një biznes fitimprurës për tregun e teksteve mësimore, apo për punësimin e shumë mësuesve të papunë, numri i të cilëve sa vjen e rritet, për shkak të rënies së numrit të nxënësve, po edhe të numrit në rritje të mësuesve të rinj që mbarojnë studimet e larta në universitetin publik dhe në ato private. E keqja është se në këtë vend reformat ndryshojnë sa herë ndryshojnë partitë në qeverisje. Sa herë ato ndryshojnë, gjithçka nis nga e para, madje me një të rënë të lapsit nga i pari i partisë dhe i vendit. Një reformë që është a s’është vërtetë e tillë. Bie fjala, askush nuk e di shkakun se, pse tashmë ekzistojnë dy regjistra, njëri shtetëror dhe tjetri personal i mësuesit? Të gjithë thonë: “Nuk e dimë se kush është strumbullari i këtij modeli me dy regjistra njëherësh. Dimë vetëm se është një punë e lodhshme për mësuesin, por edhe një mundësi efikase për të tregtuar notën sipas pagesës së prindit”. Dhe më tej vazhdon paradoksi. Në regjistrin e parë shënohet tema e mësimit. Po edhe në regjistrin e dytë shënohet tema, krahas notës që vendos mësuesi. Qesharake është se në zonat rurale, jo rrallë ndodh që ky lloj regjistri i mësuesit plotësohet vetëm në fund të çdo tremujori. Duke qenë dokument që e mban vetëm mësuesi, ai mund ta ndryshojë sa herë i do menderja. Tashmë arsimi është zhytur në një llum nga e ka vështirë të pastrohet si duhet. U shtuan orët e fizkulturës që më shumë kanë shërbyer për të shtuar ndonjë mësues të afërm të drejtuesve. Pasi tashmë dihet se në shkollat tona të zonave rurale nuk ka një top, pale më, kënde sportive. Edhe topin e blejnë vetë nxënësit apo mësuesi për të mbajtur vendin e punës. Paradokset janë të pafundme në këtë arsimin tonë! Ndërsa askush nuk e di tamam se pse u shtuan orët e fizkulturës? Tjetër: Në shumicën e shkollave tona të arsimit të mesëm dhe 9 vjeçar mungojnë plotësisht kabinetet. Të paktën në shkollat e rajoneve rurale kjo është e ditur për këdo në Shqipëri. Në këto kushte, për çfarë niveli të mësimit mund të bëhet fjalë? Apo në shkolla ku nuk ka, as për farë, një libër të letërsisë artistike për t’ua treguar nxënësve, që nuk kanë dëgjuar as për Ismail Kadarenë, as për Dritëro Agollin. Pa le për shkrimtarë të tjerë më pak të dëgjuar të këtij vendi evropian. Ndërsa flasim për reforma, ende shkollat tona nuk janë të elektrifikuara, të paktën rreth 30 për qind e tyre jo. Përse nuk zgjidhet ky problem që në kohë të internetit e bën qesharak arsimin? 

3. Në këtë situatë të rënduar për sistemin arsimor nuk duhet lënë mënjanë edhe tregu i diplomave dhe i notave në shkollat e arsimit para universitar dhe universitar. Në këtë Shqipërinë tonë, tashmë e dimë të gjithë se si blihen votat në treg, ashtu blihen edhe diplomat në treg. Problemi është për ta luftuar, për të mos e lënë të mahiset më tej. Të paktën të mos heshtim si deri tani. Pasi dihet se, në vjeshtën e vitit vitin 2013, nga një kontroll i ushtruar nga Ministria e Arsimit u evidentuan disa gjimnaze që ishin kthyer në treg të diplomave të arsimit të mesëm për të rinjtë që prej vitesh ishin larguar në emigracion. Por ende edhe sot vazhdohet të heshtet se çfarë u bë me rezultatet e këtij kontrolli ? Pasi ato vazhdojnë të mbahen të fshehura dhe deri tani asnjë i ndëshkuar. Pse hesht Ministria e Arsimit për këtë fakt ? Pasojë e këtij lloj tregu të çuditshëm, kemi sot një administratë shtetërore që është mbushur me lloj lloj administratorësh, që dinë vetëm të tërheqin paratë në fillim muajit, pa ditur se për ç’punë u jepet paga. Përmendëm vetëm pak prej palaçollëqeve që kanë mbushur sot sistemin arsimor që është kthyer në një sektor grotesk, ku mësuesit janë të vetmit që vlerësohen si skllevërit e vetëm të fillim shekullit XXI. Pavarësisht vazhdimit pa ndërprerje të reformave që në jo pak raste vihen në lojë nga vetë mësuesit, të cilët janë të fundit që pyeten për çfarë po ndodh në sektorin e braktisur të arsimit. 
Sigal