Reformë drejtësie pa reformimin e institucionit të avokatisë...?!

Nga Av. Serxho Mazreku

Ka dy vjet që reforma në drejtësi, me dritëhijet, dilemat dhe enigmat e saj është në agjendën e ditës të shoqërisë shqiptare, në pritje të një modeli tjetër të funksionimit të organeve të drejtësisë, që t’iu jepet fund dënimeve abuzive nga njëra anë dhe mosndëshkueshmërisë së “peshqve të mëdhenj” nga ana tjetër. Në analizë të fundit, dy janë qëllimet kryesore të reformës në drejtësi rritja e pavarësisë të sistemit, veçanërisht nga ndikimi politik, dhe çlirimi i tij nga korrupsioni e paaftësia. Reforma e propozuar është shumë e thellë dhe prek, pa asnjë përjashtim, çdo element të sistemit aktual të drejtësisë. Ndryshimet prekin, pa asnjë përjashtim, çdo kategori dhe çdo nivel të institucioneve të sistemit të drejtësisë-sistemin e prokurorisë; sistemin e gjyqësorit; dhe institucionet e tjera që sigurojnë mbarëvajtjen e sistemit, përfshi Presidentin dhe Kuvendin. Përveç ndryshimit rrënjësor të mënyrës së organizimit dhe funksionimit të sistemit të drejtësisë, reforma parashikon një sërë masash kalimtare, të cilat kanë për synim pastrimin e sistemit aktual nga individë të korruptuar dhe të paaftë. Këto masa janë përfshirë në një aneks të veçantë të draftit të reformës, nën titullin Vlerësimi Kalimtar i Kualifikimit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. Por në gjithë këtë shpalosje qasjesh, këndvështrimesh, idesh, alternativash, që gradualisht po formësohen në një produkt real reformues të organeve të drejtësisë, një institucion mjaft i rëndësishëm në këtë sistem është lënë në hije dhe në heshtje të plotë: institucioni i avokatisë. Avokati është një hallkë e rëndësishme midis prokurorit dhe gjyqtarit, është njëra nga dy palët që ballafaqohen në gjykatë, për të realizuar një mbrojtje të drejtë dhe në përputhje me standardet e një mbrojtjeje ligjore të të pandehurit. Pa një reformim të plotë të institucionit të avokatisë, nuk mund të ketë një reformë të plotë të drejtësisë në Shqipëri. Mbrojtja e të drejtave të individit, zhvillimi i një procesi gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm, do të mund të sigurohet më mirë nëpërmjet ndihmës juridike, që avokati, si përfaqësues i interesave të ligjshme të individit i siguron atij. Pavarësia e avokatit është aq e nevojshme për të besuar në procesin e drejtësisë dhe në paanshmërinë e gjyqtarit. Avokatia dhe gjyqësori, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, do të sigurojnë standarde dhe respektim të të drejtave të individit në shoqëri. Reforma në drejtësi kërkon edhe reformim të institutit të avokatisë, ku avokati në ndihmë të gjykatës, me profesionalizëm dhe ndershmëri, duke zbatuar dhe respektuar ligjet në fuqi, si dhe Kodin e Etikës së Avokatit, duhet t’i shërbejë dhënies së drejtësisë, dhe forcimit të shtetit ligjor. Vetëm një institut avokatie i reformuar sipas standardeve ndërkombëtare, do të mund të realizojë një ndihmë ligjore adekuate, dhe të mbështesë gjykatën që të gjykojë me drejtësi. Avokati, pavarësisht se do të jetë mbrojtës i interesave të individit të tij, ai duhet ta mbrojë atë në përputhje dhe brenda kuadrit ligjor të çështjes. Kodi i Etikës sanksionon se avokati duhet të udhëhiqet nga Parimi i Pavarësisë; Parimi i Dinjitetit të qenit avokat, Ndërgjegjshmëria dhe Kompetenca;etj. Pavarësisht këtyre parimeve të sanksionuara, realiteti flet ndryshe. Jo të pakta janë rastet, kur sjellje jo korrekte të avokatëve madje dhe abuzive, bëhen objekt i opinionit publik, duke diskredituar shumë figurën e tyre, dhe duke u shoqëruar me mos besimin tek sistemi i drejtësisë. Kërkojmë një sistem gjyqësor të paanshëm, që të jetë në funksion të realizmit dhe zbatimit të ligjit. Në këtë drejtim e rëndësishme është, që të evidentojmë ato probleme që e cenojnë dhe e bëjnë të diskutueshëm rolin e avokatit, në ecurinë e plotë të reformës së drejtësisë. Ne jemi dëshmitarë të një realiteti të trishtë ku kanë vegjetuar tash njëzet e shtatë vjet jo vetëm prokuroria dhe gjykatat me gjithë mekanizmat e tyre ndihmës, por dhe avokatia. Për fat të keq, avokati në këtë periudhë të ashtuquajtur postkomuniste është kthyer në një lloj sekseri dhe mbi të gjitha në një barrë të rëndë për buxhetet e familjeve shqiptare, që në një formë a në një tjetër, janë përballur me çështje të së drejtës dhe kërkimin e së drejtës në organet e drejtësisë. Në këtë artikull të parë, të një serie prej tre artikujsh. Sot nuk ekzistojnë kritere të qarta dhe ligje të sakta për të përcaktuar detyrat dhe të drejtat e avokatit. Avokatët nuk trajtohen në Shqipëri me peshën dhe funksionin që iu jep ligji, por si një soj sekserësh, që në mjaft raste kanë kryer ndërmjetësit e akteve korruptive nga prokuroria në gjykatë dhe anasjelltas, duke rënduar me barrë të rënda në gjithçka klientët dhe familjet e tyre. Sot janë mbushur burgjet me të pafajshëm, të dënuar pa asnjë provë, me opinione si në kohën e Cikaturës vetëm ngaqë personat nuk kanë të paguajnë shumat marramendëse të avokatit dhe avokati i shtetit nuk e kryen siç duhet detyrën dhe misionin e tij. Ndërkohë individë e grupe kriminale, që duhet të ishin me duart në hekura, enden rrugëve në kërkim të krimeve të radhës, vetëm ngaqë kanë pasur mundësi dhe kanë ditur ta “lyejnë qerren” e “drejtësisë” dhe avokatët janë pjesë e rëndësishme e kësaj “lyerje” dhe “grasatimi” të pushtetit të tejkorruptuar të një pseudo drejtësie, që vret fate dhe shpresa njerëzore, në këtë vend, që për më shumë se një çerekshekulli po endet në mjegull dhe udhëkryq. Dhoma e Avokatisë nuk mund të jetë një institucion i besueshëm pa një reformim të plotë të saj, pa një ligj të reformuar, që të sanksionojë pa ekuivoke dhe në mënyrë kategorike detyrat dhe të drejtave të avokatit. Ashtu sikurse në prokurori dhe në gjykatë, Dhoma e Avokatisë duhet ti nënshtrohet një vetingu të thellë, ku të kontrollohet me rigorozitet aftësia profesionale, karta morale dhe ligjore e çdo avokati që ushtron detyrën e tij në Republikën e Shqipërisë. shpjegues mbi reformën, ne po sqarojmë në mënyrë të përmbledhur ndryshimet kryesore institucionale që propozon reforma. Masat për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe luftimin e korrupsionit do t’i shpjegojmë në një artikull të dytë, ndërsa disa komente tona rreth reformës do t’i përfshijmë në një artikull të veçantë. Ashtu si për prokurorët dhe gjyqtarët, rivlerësimi i përmbushjes së kushteve e kritereve ligjore, profesionale dhe morale nga avokatët, do të ishte një mënyrë e seleksionimit të mirëve, që të punonin në një sistem drejtësie ndryshe, siç pretendohet të jenë në të ardhmen organet e drejtësisë. Avokatët duhet të kuptojnë dhe të respektojnë vendin dhe rolin që ata luajnë në sistemin e drejtësisë. Çdo ndërhyrje e tyre në mënyrë të jashtëligjshme në dhënien e vendimeve gjyqësore, duhet të shoqërohet me procedim disiplinor deri në ndjekje penale. Profesionalizmi, ndërgjegjshmëria, ndershmëria dhe kompetenca duhet të karakterizojnë çdo avokat në punën e tij, për të siguruar realizimin e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm në mbrojtje të shtetit ligjor. Por kjo nuk bëhet thjeshtë me vullnetin e avokatëve dhe me dëshirën e tyre për të qenë në unison me sistemin e një drejtësie të reformuar, por me ligje dhe paketa ligjore, që ashtu sikurse po ndodh me gjyqtarët dhe prokurorët, t’i detyrojnë avokatët të angazhohen në përballjet e vështira, por të domosdoshme të sfidave të reformës së drejtësisë. Reforma e drejtësisë nuk është një mision i pamundur. E në këtë kuadër, as reformimi i institucionit mjaft të rëndësishëm të avokatisë, që nuk mund të lihet jashtë reformës së përgjithshme të organeve të drejtësisë, se përndryshe kjo reformë do të ishte e mangët dhe do të ecte me paterica në një rrugë tejet të vështirë, për të kryer siç duhet misionin e saj në mbrojtje të shtetit të së drejtës.