Reforma që po rilind Memaliajn

1115
Vjollca KUTA

Kryebashkiaku Durim Rroshi: Reforma territoriale, mbështetja e qeverisë dhe puna jonë, po rilindin Memaliajn
Qyteti që vuajti shpërfilljen, tashmë ka vëmendjen e plotë zhvilluese të qeverisë, bashkia po menaxhon ndryshimet, në bashkëpunim eficient me banorët e çdo zone
Memaliaj, kjo qendër banimi e ngarkuar prej 20 vitesh me shumë shqetësime social-ekonomike e administrative, për shkak të mbylljes së minierës dhe shërbimeve publike lokale që ishin në vartësi të saj, në 2 vitet e qeverisjes prej alternativës lokale socialiste, ka nisur të rilindë në shumë drejtime. Këtë rilindje në Memaliaj dhe në krejt territorin e kësaj bashkie të re, me shtrirje të madhe gjeografike e numër banorësh, po e drejton me pasion, vizion dhe eficiensë të plotë, kryebashkiaku socialist Durim Rroshi, i cili ka evidentuar, projektuar, referuar, kërkuar dhe garantuar në qeverisjen qendrore dhe direkt tek kryeministri Edi Rama, ato zgjidhje që duan banorët, bizneset, fermerët, pensionistët, shtresat në nevojë, të rinjtë, arsimi, shëndetësia, kultura e deri tek futbolli, aktivitet që në Memaliaj po mbahet ende aktiv si traditë e përvojë brezash dhe po konsolidohet, me mbështetjen e bashkisë. Kryebashkiaku Durim Rroshi, me vullnetin dhe dëshirën për të sjellë ndryshimin në këtë qytet, ka krijuar një ekip pune të aftë e të përkushtuar, me të cilin po jep provën e plotë të efektshmërisë së drejtimit të punëve, në zbatim të reformës territoriale rilindëse. Punët në këtë bashki, tregojnë se nëpërmjet zbatimit korrekt të kësaj reforme, janë krijuar mundësi të shumta e premtuese, për një zhvillim të ri investues, social-ekonomik të qytetit Memaliaj dhe zonave e qendrave të banuara, që përbëjnë këtë njësi vendore. Për bilancin e 2 viteve të qeverisjes socialiste të kësaj bashkie nën drejtimin e tij, për problematikat në proces zgjidhjeje, për punët e bëra gjatë vitit 2017 dhe për “Projektet-2018” e në vazhdim, biseduam me kryebashkiakun Durim Rroshi. 
– Zoti Roshi, prej dy vitesh me alternativën e PS, ju po drejtoni bashkinë Memaliaj sipas hartës së re territoriale, sa ka qenë e efektshme në zonën tuaj?
Bashkia Memaliaj si qytet, si numër banorësh dhe si hartë e re territoriale, që ka brenda administrimit edhe disa ish-komuna (njësi administrative), ka përfituar shumë mundësi zhvillimi, prej futjes në zbatim të kësaj reforme. Sot pas dy vitesh zbatim, faktet kanë treguar se kjo reformë duhej bërë. Bashkia jonë, ka përfituar shumë nga reforma territoriale, në investime urbane e zgjidhje konkrete sociale në shërbim të qytetit Memaliaj dhe të zonave. Ballafaquar me modelin e qeverisjes vendore të para “Reformës-2015” ka një ndryshim të madh, natyrisht duke pasur mbështetjen e plotë të qeverisë qendrore, të institucioneve e strukturave të pushtetit rajonal, pa harruar “kontaktin ditor” që ka bashkia me komunitetin, që duhet theksuar se ka qenë mirëkuptues e mbështetës në investimet kemi bërë dhe po vazhdojmë të bëjmë. Një gjë duhet mbajtur parasysh: Vështirësia e kontrollit dhe menaxhimit të territorit, mbasi bashkia jonë ka një sipërfaqe territoriale 372.07 kilometër katrore, me qendra e njësi banimi në terrene të vështira fizike dhe si largësi nga njëra-tjetra dhe nga qendra dhe bashkisë, madje edhe larg njësive administrative. Kjo strukturë qendrash banimi, duhet thënë se “na ka lodhur” disi, por nuk na ka penguar ta bëjmë pjesë të mbështetjes së qeverisjes së bashkisë dhe me këtë rast, dua të shpreh mirënjohje për gjithë stafin qendror të bashkisë Memaliaj dhe të njësive administrative Memaliaj Fshat, Luftinjë, Buz, Krahës e Qesarat. Fakti është ky: Reforma Territoriale në bashkinë Memaliaj, ka ecur shumë mirë. Ka ofruar dhe garantuar zhvillim dhe stabilitet në menaxhimin e buxhetit, të aseteve e burimeve njerëzore, në evidentim-trajtimin e problematikave të çdo lloji që kanë banorët, bizneset, fermerët dhe subjekte private të cilët ushtrojnë aktivitete në territorin e bashkisë tonë. 
– Cilin problem ka “pikë të dobët”, bashkia juaj dhe si ka menduar ta zgjidhë?
Kemi papunësinë! Dhe kur themi mungesë pune, duhet të kuptojmë plagët sociale që shkaktohen prej saj brenda familjeve dhe komunitetit. Ky problem është shkaktuar prej mbylljes së minierës, nga e cila edhe u krijua ky qytet me njerëz të mirë e punëdashës. Në ish-komuna, punësimi është me vetë-zgjidhje, të cilën banorët e shikojnë si burim jetese i të ardhurave financiare, mbasi punojnë për familjet e tyre, ndërsa bashkia i mbështet me zgjidhjet që i ka detyrim si qeverisje vendore, detyrime që po i zbatojmë, duke u bërë partnerë social-ekonomikë e infrastrukturorë me komunitetin. Shqetësim është papunësia në qytetin Memaliaj, problem për të cilin jemi në kontakte për projekte konkrete me qeverinë qendrore dhe me bizneset me natyrë shërbimesh. Konfirmoj, se këto biznese kanë pranuar të futen në bisedime me ne si bashki, nëpërmjet këmbënguljes së ministrive të linjës dhe deputetëve socialistë të zonës, por edhe me porosi të posaçme të kryeministrit Edi Rama, si mbështetës i projekteve tona lokale. Kemi besim, se do ta realizojmë jo politikisht, por si nevojë jetike të banorëve, që na kanë besuar qeverisjen e bashkisë, të cilëve nëpërmjet gazetës “Telegraf”, po u dërgoj edhe urimet për festat e fund-vitit. 
– Cilat janë disa nga ndryshimet, me çfarë investimi krenohet bashkia Memaliaj?
Investimi me të cilin krenohemi dhe vlen që të përmendet publikisht është ndërtimi i Pedonales, një vepër arti që ka përfshirë gjithë qendrën e Memaliajt. E quaj “vepër arti”, sepse është e tillë, ndërtuar me pasion, cilësi dhe me çdo element që kërkon qendra e një qendre bashkie e zone banimi, e cila shtrihet përgjatë aksit të rrugës kryesore internacionale Veri-Jug. Bashkia u përkujdes për këtë investim që të kryhej sa më dinjitoz e cilësor, bashkëpunoi me firmën ndërtuese-zbatuese “Çaushi”, për të kompozuar një vepër të tillë urbanistike e komunitare funksionale, tërheqëse, çlodhëse, për raste eventesh dhe burim shfrytëzimi për biznese. Ndërtimi i Pedonales, u realizua me mbështetjen e qeverisë “Rama-1”. Kam detyrimin institucional dhe shoqëror, që për ecurinë dhe cilësinë e realizimit të investimeve dhe projekteve të tjera infrastrukturore, të falënderoj dy bashkëpunëtorët që kam në bashki: Të talentuarën dhe përkushtuarën Violeta Kanushi, me detyrë Përgjegjëse e Sektorit Urbanistik dhe specialistin e investimeve, të palodhurin dhe korrektin Andrea Çoka. 
– Cilat janë prioritete të tjera, në punë tuaj? 
Në fazën përfundimtare, të zbatimit të projekteve të tjera në infrastrukturë, me synim zhvillimin ekonomik të zonës dhe aktivizimin e resurseve turistike natyrore që janë lënë në harresë! Po mendojmë, të nisim një projekt për rehabilitimin e breg-gjatësisë së lumit Vjosë, për ta kthyer në zonë të zhvilluar turistike. Prioritet është rehabilitimi i rrugëve, i objekteve shkollore e parashkollore. Kemi një objektiv: Investim funksional dhe afatgjatë, në shërbim të banorëve dhe biznesit! Në praktikën time të punës, ka vetëm një qëndrim, që e dinë gjithë banorët: Jam në kontakt në çdo kohë me banorët dhe bizneset, për çdo shqetësim, kërkesë, ankesë, propozim, bashkëpunim, praktikë që ua kam bërë pjesë të punës edhe vartësve, sipas sektorëve!
Disa investime të realizuara
1. Projekti i Ansamblit Arkitektonik të sheshit “Minatori” në Memaliaj
2. Rikonstruksion ndërtimi i rrugëve të Njësive Administrative
3. Rikonstruksione në shkollat e mesme, 9-vjeçare dhe Cikli i Ulët, në Njësitë Administrative
4. Rikonstruksion i shkollës 9-vjeçare “Nimete Progonati”. 
5. Rikonstruksion i rrugës në Njësinë Administrative Buz, në segmentin e Komarit. 
Probleme që janë në vëmendje bashkisë
1. Përmirësimi funksional, i rrugëve rurale që janë mjaft të rëndësishme për të nxitur dhe garantuar zhvillim në sektorin bujqësor, blegtoral e agro-ushqimor. Siç dihet, blegtoria është një nga sektorët prioritarë të bashkisë Memaliaj, për vetë natyrën që ka zona. 
2. Rikonstruksioni i dhe mirëmbajta e varrezave publike
3. Pastrimi i qytetit dhe instalimi i këtij shërbimi edhe në zonat e njësive administrative (ish-komunat)
4. Monitorimi dhe krijimi i mundësive për një shërbim mjekësor të shpejt e cilësor në Memaliaj, duke ofruar edhe shërbimin e urgjencës për banorët e zonave.
5. Krijimi i mundësive për konsolidimin e Sport-Klub “Memaliaj”, sidomos të ekipit të Futbollit
6. Vlerësimi dhe nderimi i moshës së tretë, me mundësitë që disponon bashkia.
7. Shërbimi i Transportit të Punonjësve Arsimorë që punojnë dhe të nxënësve që mësojnë jashtë vendbanimit për Bashkinë Memaliaj.
8. Nxitja e bizneseve të reja, nëpërmjet politikave mbështetëse financiare që ofron qeveria qendrore. 
Sigal