Reforma në avokati, eliminon zvarritjet e gjyqeve

104

Ministri Halimi:

 -Çdo javë po flasim për reformën në drejtësi.

 -Reformuam noterinë, hipotekat dhe përmbarimin.

 -Po digitalizojmë drejtësinë dhe reformojmë sistemin gjyqësor.

-Ligjet për gjykatat janë në parlament, presin votën e opozitës.

-Reforma e avokatisë.

-Profesioni i avokatit, më i zhvilluari këto vite.

 -Reforma të eliminojë zvarritjet e gjyqeve.

 -Drafti t’i japë fund abuzimit nga avokatët.

 -Kjo situatë duhet të marrë fund.

-Me dhomën kombëtare, kemi vullnet të hekurt për të ndërprerë këtë situatë.

 -Ministria portal të ri për gjykatat dhe kalendar digital për seancat.

 -Reformat tona thelbësore për sistemin e drejtësisë.

Pothuajse çdo javë po flasim për Reformën në Drejtësi, të bindur dhe të vendosur se kjo reformë duhet të vijë nëpërmjet një procesi të gjerë konsultimesh, por dhe të prekë e përmirësojë çdo aktor të sistemit të drejtësisë.

Gjatë vitit të kaluar dhe fillimit të këtij viti ne reformuam aktorë të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë. Hartuam dhe po implementojmë paketa të rëndësishme ligjore të sistemit të drejtësisë që reformuan sistemin e dënimeve, dënimet alternative, mbikëqyrjen elektronike të të dënuarve, reformuam sistemin e përmbarimit në Shqipëri duke kaluar në privatizim të këtij shërbimi, reformuam tërësisht regjistrimin e pronave, duke digitalizuar gjithë procesin, reformuam noterinë, duke e kthyer sistemin “One Stop Shop” në një sistem lider në rajon, por edhe në dobi të jashtëzakonshme për qytetaret.

Këto muaj ka ardhur radha të reformojmë pjesët më të rëndësishme të mozaikut të sistemit të drejtësisë – aktorët kyç që marrin pjesë në dhënien e drejtësisë. Shumë shpejt pas miratimit të ligjit “Për gjykatat administrative”, në një tryezë të ngjashme diskutuam projektligjin për Konferencën Gjyqësore dhe më pas për atë për Gjykatën e Lartë. Me ndihmën e ekspertëve të Misionit Euralius, kontributit të dhënë në tryezat publike, këto projektligje, janë duke u diskutuar aktualisht në Parlament dhe unë shpresoj që opozita të japë konsensusin për këto projektligje, që kërkojnë 3/5 e votave për miratim.

Sot, kam kënaqësinë, që së bashku të diskutojmë mbi një iniciativë ligjore që synon të reformojë një aktor që është pothuajse në qendër të sistemit të drejtësisë dhe i shpërndare ne gjithë mozaikun e saj, që siguron mirëfunksionimin e shtetit ligjor, avokatinë.

E vërteta është që profesioni i avokatit është nga profesionet me te zhvilluara në Shqipëri. I konsoliduar për më shumë se 20 vite avokati i sotëm ka rol të përforcuar në sistemin e drejtësisë. Forcimi i rolit dhe figurës se tij, është padyshim, fryt i punës dhe profesionalizmit të atyre mijëra avokatëve që punojne sot në Shqiperi, por padyshim dhe kontributi i jashtëzakonisht pozitiv i drejtuesve të Dhomës së Avokatisë, të cilët e kanë shndërruar atë në një organizatë të fuqishme dhe me pozitë dominuese në drejtësi, pse jo edhe për t’u marrë model nga profesionet e tjera të lira. Por, sigurisht që edhe ky aktor i rëndësishëm i sistemit të drejtësisë ka probleme, tek të cilat  jo rrallëherë vëmendja e publikut, e medias por absolutisht dhe vëmendja e Qeverisë është fokusuar shpesh.  Zvarritja e pajustifikuar dhe e përsëritur e seancave gjyqësore si pasojë e mungesës së avokatëve, sjellja joprofesionale në disa raste e tyre, veçanërisht kur këto kanë pas sjellë ose mund të sjellin pasoja për të drejtat kushtetuese të palëve në gjykim apo për dhënien e drejtësisë, janë të papranueshme në një shtet ku sundon ligji. Ato janë të papranueshme për mua në cilësinë e Ministrit të Drejtësisë dhe duhet të jenë të papranueshme edhe për çdo avokat profesionist dhe të përgjegjshëm.

Kam diskutuar shpesh këto kohë edhe me avokatë, gjyqtarë e prokurorë në lidhje me këtë çështje.  Kam diskutuar edhe me vetë Presidentin e Dhomës, z. Haxhia, dhe besoj se biem dakord të gjithë që ky është një problem, i cili duhet të marrë fund. Ne nuk duhet të lejojmë, që publiku dhe  ndërkombëtarët ta identifikojnë këtë çështje si problem tipik i Shqipërisë dhe as të përshkruhet si defekt i shtetit ligjor në Raportet e Progresit të Shqipërisë, që pengon integrimin europian. Zvarritja e proceseve gjyqësore për shkak të avokatëve, duhet të marrë fund. Askush nuk mund të nënvlerësojë rolin e gjykatës, të nëpërkëmbë drejtësinë, gjykatën, ligjin. Askush nuk duhet të sillet në kundërshtim me procedurën e parashikuar me ligj për një proces të rregullt.  Imazhi i Dhomës Kombëtare të Avokatëve nuk mund të prishet as nga 10 dhe as nga 20 avokatë, ndër pothuajse 5 mijë avokatë që janë në Shqipëri.

Veprimet apo mosveprimet në kundërshtim me ligjin dhe misionin e avokatisë në një shtet të së drejtës, nuk i shërbejnë gjykimit sipas standardeve kushtetuese për një proces të rregullt gjyqësor dhe për këtë arsye duhen eliminuar. Qytetarët gëzojnë të drejtën themelore të mbrojtjes ligjore dhe për pasojë mosparaqitja e përsëritur e avokatëve mbrojtës nëpër seanca gjyqësore përbën një abuzim me funksionin në çdo sistem drejtësie. Taktikat me vizion të shkurtër që i shërbejnë një interesi të izoluar në një çështjeje për të përfituar thjesht zvarritjen e gjykimit nuk duhen përkrahur dhe toleruar sepse dëmtojnë të gjithë sistemin në tërësi dhe humbasin besimin publik.

Ky nuk është vetëm konstatim i Ministrisë së Drejtësisë, por është një shqetësim i bërë prezent në mënyrë të vazhdueshme nga të gjitha gjykatat në vend, ku më shqetësuese situata paraqitet në Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Trupa gjyqësore në mënyrë të vazhdueshme njofton Ministrinë e Drejtësisë për mungesat e pajustifikuara të avokatëve, të cilat shkaktojnë vonesa të papranueshme të proceseve gjyqësore. Gjithashtu, trupa gjyqësore paraqet evidenca të vazhdueshme për njoftimet e shumta drejtuar strukturave përkatëse pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë për marrjen e masave disiplinore ndaj avokatëve, të cilat për fat të keq mbeten pa përgjigje në të shumtën e rasteve, edhe pse ligji aktual parashikon afate të prera për shqyrtimin e ankesë/kërkesës dhe njoftimin e ankuesit/kërkuesit mbi rezultatin e këtij shqyrtimi. Drejtuesit e dhomës më kanë informuar se kërkojnë ndryshime ligjore për ta zgjidhur këtë ccështje.

Edhe ata janë të mendimit se kjo është një situatë, e cila  duhet të marrë fund! Duhet të marrë fund, jo vetëm për shkak se është një praktikë në kundërshtim me ligjin, por mbi të gjitha sepse është një praktikë që dekurajon avokatët e ndershëm dhe profesionistë, si dhe dëmton në mënyrë të pakthyeshme interesat e qytetarëve shqiptarë, duke cënuar parimet themelore të një shteti ligjor. Çdo propozim për ndryshime në një ligj të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë, kërkon para së gjithash një analizë të thellë të ecurisë së deritanishme të zbatimit të tij, çështjeve që janë gjetur problematike gjatë zbatimit në praktikë dhe evidentimit të standardeve më të mira europiane që duhen aplikuar në atë fushë. Këtë analizë, Ministria e Drejtësisë e ka realizuar në bashkëpunim me Misionin EURALIUS dhe Dhomën Kombëtare të Avokatisë, duke përfshirë në një draft të përbashkët shqetësimet e secilës prej këtyre organizmave, të prezantuara edhe në takime të mëparshme të organizuara për këtë qëllim. Ministria e Drejtësisë ka një vullnet të hekurt, për të ecur më tej me këtë reformë, për ta realizuar atë në kohë të shpejtë dhe për ndalur abuzimin e mëtejshëm me funksionin nga avokatët. Por, për të pasur sukses në këtë reformë, nevojitet edhe vullneti i hekurt i strukturave përgjegjëse të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, dhe unë kam bindjen se ky vullnet ekziston, dhe se objektivi për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, është një objektiv i përbashkët i Ministrisë së Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Unë jam i bindur se me ekspertizën e partnerëve tanë ndërkombëtare, me vullnetin e përbashkët për këtë reformë, do të arrijmë që në fund të kësaj tryeze përmbyllëse të kemi një draft final i cili do t’i japë fund një serie problematikash që ka ky aktor i drejtësisë, por mbi të gjitha çështjen e zvarritjeve të proceseve. Ne po punojmë dhe me sistemin gjyqësor, dhe përfundimi i sistemit të digitalizmit do të sjellë dhe një modul te ri – kalendarin digital të gjyqtarëve duke mos lënë asnjë hapësirë me shtyrje, por teknologjia nuk mund të cenojë të drejtat e qytetarëve që marrin shërbimin. Ndaj dhe unë jam i bindur se në përfundim të këtij takimi, sipas traditës së mirë të krijuar tani në Ministrinë e Drejtësisë, të gjitha projektligjet pasi diskutohen gjerësisht në tryeza, i kalojnë për të mbledhur komentet Misionit Euralius dhe më pas ato i nënshtrohen procedurave parlamentare për miratim.

Unë ju garantoj, në emër të Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë Shqiptare, se do të bëjmë gjithçka që është e mundur për t’iu mbështetur dhe për të qenë së bashku partnerë të padiskutueshëm në rrugën e vështire të reformimit të sistemit të drejtësisë.

*Ministri i Drejtësisë