Rasti “Ford”, caqet e shkelura të lirisë si prag kaosi dhe jo alternative

862
Sigal

Nga Marjana Bulku

Prej ditësh në mediat amerikane dhe jo vetëm po ndiqet maratona Ford – Kanavaugh që më shumë sesa një rrëmim drejt të vërtetave paraqitet si një instrument politik që vë përballë njerëzit, fatet e tyre, historitë e tyre të vërteta a të pavërteta por me një konfrontizëm antagonist gati të papajtueshëm që e bën shoqërinë e sotme, post-moderne më agresive se kurrë. Të rizgjosh të kaluarën e hidhur që paska ndenjur zgjuar, nuk do të thotë ta bësh më të bukur të tashmen apo të ardhmen tënde, përkundrazi, trazon plagë që, nëse kanë qenë reale do ta bëjnë aktuale dhimbjen duke e agravuar atë. I ngjan një dhimbjeje që ti nuk e kallëzove kurrë, askush nuk e dinte, vështirë të ta besojnë, ta paragjykojnë, kthehesh në viktimë, viktimizon të tjerë etj.,etj.

Duke qenë se besoj fort tek forca e reagimit, ajo e reflektimit dhe e dënimit të së keqes gjithmonë analizoj:

  1. Ndodhinë;
  2. Arsyet dhe rrethanat;
  3. Shkaqet pse ndodhi;
  4. Veten;
  5. Të tjerët;
  6. Efektet.

Rasti “Ford” dëshmon egoizmin politik që ndan dhe përçan, sundon dhe dëmton jetët, familjet, edukimin. Rasti “Ford” dëshmon, se asgjë nuk ndodh pa shkak, dhe pas një apo dy pijesh me alkool mundesh të gabosh, madje edhe të abuzohesh. Në fakt, ky rast është një moment ku mund t’iu mësohet të rinjve se alkooli është i ndaluar për jo adultëve. Dhe të kërkosh të drejtën kur ke abuzuar me të është pragu i një gabimi që mundet të kushtojë. Është një moment çlirimi për predikuesit që sot, më shumë se kurrë, kanë rastin të shfrytëzojnë lirinë e tyre që vërteton ca të vërteta mbi moralin, familjen dhe marrëdhëniet me veten dhe të tjerët në shoqëritë e lira. Është gjithashtu një moment që i ka trazuar shoqëritë e jo të lira që abuzojnë sistematikisht me liritë, duke i degraduar ato si akte dhune të lira. Efektet e kësaj përballjeje janë edhe më negative sesa vetë përballja e cila në thelbin e vet është një leksion amerikan për drejtësinë si momenti suprem i orientimit të një shoqërie të lirë ku politika ka rolin kyç. Zgjimi i viktimave, reale, jo reale, lëvizja “Me too” , duket se e ka trazuar këtë botë që ka vërtet nevojë të shkundet dhe të kuptojë të vërtetat që e mbajnë peng, ato që duhen besuar dhe treguar, ato që vërtet edukojnë dhe e bëjnë të sotmen shpresë për të ardhmen. Prej vitesh e konsideroj individin si “Një jetë …disa histori”, dhe kam rrëmuar në të kaluarën e shumëkujt që faktorë të shumtë ia kanë penguar të ardhmen por rasti “Ford”, doktor në karrierë, dhe e plotësuar në familje është hakmarrja e pastër që viktimizon jo një jetë, por disa jetë, të cilat nuk janë pjesë e kësaj historie që na lexohet, kur në fakt historitë e përjetuara i rrëfen shpirti, loti, dhimbja, ato nuk kanë nevojë për copëza letrash apo arena politike, por ky është fati i së drejtës qysh në antikitetin e lashtë e deri në post-modernizëm. Është një moment që përtej zhurmës mediatike duhet t’i japë lirinë institucioneve për të gjykuar me maturi e në mënyrë të pavarur nën lirinë e arsyes së të vërtetave.