Ramiz LUSHAJ/ “Dëgjojeni zërin e Dr. Bujar Leskajt”

79

Kësaj here, në këtë vjeshtë të (r)evolucionit të së Majtës të ri-ardhur në pushtet, sërish një zë kombëtar i pastër e vizionar, njëherësh profesional e autoritar, doktori i shkencave financiare, Bujar Leskaj, kryetar i sotëm i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ri-apeloi edhe në masmedia për një reformë të thellë në sistemin e Sigurimeve Shoqërore (ISSH), të cilat nga keqpërdorimi i politikës së ditës kanë mbetur “për vjeshtë” dhe po shkon drejt një “vdekjeje klinike”.

Gjithsesi, ky zë diagnozë e prognozë nga piramida e shtetit dhe bota e shkencës duhet dëgjuar qoftë edhe pa falënderime vetjake e publike ndaj tij po me veprime aktive shtetërore për t’i nxjerrë me ndërgjegje politike, ekonomike e humanitare nga “salla e reanimacionit”, ende pa e falimentuar edhe Shtetin Shqiptar në Tranzicionin e tejzgjatur dhe të futur në krizën “oktapode” që iu ka dalë njerëzve të thjeshtë deri tek buzët e sytë dhe politika po e shkelmon me këmbë. INSTAT në faqen e tij zyrtare fakton se në Shqipëri aktualisht janë 2.9 milionë banorë rezidentë dhe 722.000 familje, kurse nga ana tjetër ISSH deklaron se paguan çdo muaj 540.000 pensionistë të kategorive të ndryshme, numri i të cilëve statistikon me rritje gati dyfishe prej nga koha e “Rënies së Bllokut” afër Lanës. Vetëm në vitin 2012 do të shtohen 5.000 pensionistë. Buxheti i shtetit shqiptar për vitin 2013 kapën 4 miliardë dollarë, kurse ekspertë të njohur të financave si ish zv/ministri Haldeda bëjnë me dije (më 2 tetor 2013) se, “fatura e pensioneve për tre vitet e ardhshme pritet të arrijë në 1 miliard dollarë USD, ose më pak se 8 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto”. Alarm financiar, social e moral janë dhe shifrat që citon dr. Bujar Leskaj, kreu i KLSH, teksa flet për dy këmbët mbi varr të sistemit të Sigurimeve Shoqërore. Njëra këmbë po hidhet sot kur “deficiti i skemës së pensioneve nga viti në vit është rritur me ritme të shpejta dhe vetëm për vitin 2012, krahasuar me Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) zë 1,4 për qind të tij” dhe “55 për qind e kontributeve rurale financohen nga buxheti i shtetit” etj.. Këmba tjetër do të hidhet nesër, pasi, sipas Dr. Bujar Leskajt,  “shkalla e mbulimit të popullsisë me elementet e sigurimit shoqëror është shumë e ulët, me një pjesëmarrje në kontribute të vetëm 65 për qind të forcave aktuale të punës”…

Zëri i Dr. Bujar Leskajt duhet dëgjuar me vëmendjen e merituar nga politika institucionale, nga maxhoranca qeverisëse, qoftë edhe me një heshtje të zgjuar të shoqëruar me veprime të shpejta, sepse institucioni i kryesuar prej tij iu ka bërë shtetërisht “skaner” sistemit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH). Gjithashtu, duket se shtetari financier na e jep qartë “terapinë” e shërimit e të shpëtimit të kësaj situate emergjente, teksa diagnostikon mbledhjen e të ardhurave nga subjekte shtetërore e private, nga të (vet) punësuarit për sigurimet shoqërore dhe shpenzimet e sigurimeve shoqërore për përfitime për pensionet e ndryshme për shtetasit shqiptarë dhe na bën prognozë të këtij sistemi mbështetur në shtatë çështje si një të vetme. Dr. Bujar Leskaj nuk bën politikë me shtatë shkronja të gjuhës Shqipe: “Reformë”. Ai nuk e përdor si fjalë të vetme refreni propagandistik e demagogjik, nuk i bën plastelinë problemet, nuk i kthen në kaçimak. Ai i argumenton këto shtatë pika kryesore: Niveli i personave të siguruar. Formula aktuale e pensionit. Evazioni fiskal. Mënyrat dhe rregullat e indeksimit të pensioneve. Trajtimet e favorshme për banorët ruralë. Skemat shtetërore të veçanta dhe suplementare. Sistemi i pensioneve.  Këto “shtatë shtylla ekonomike” si i kanë pasur thanë një shprehje të moçme: “Nuk i luajnë as shtatë krajli”, po ne, shtetasit shqiptarë në tërësi e mosha e tretë në veçanti po duam t’i dëgjojë vetëm Shteti ynë Shqiptar.

Ky apeli ynë: “Dëgjojeni zërin e Bujar Leskajt” na imponohet edhe prej faktit të padëshirueshëm se deri në këtë ditën e sotme, politika shqiptare nuk po dëgjon askënd për “Reformën e Sistemit të Sigurimeve Shoqërore”, përndryshe: Reformën e Sistemit të Pensioneve në Shqipëri. Politika nuk po e dëgjon as Bankën Botërore, që ka asistuar në Tiranë edhe me platformë objektive e perspektive për Sistemin e pensioneve në Shqipëri sipas “sistemit shumëkolonësh” si “Kolona zero” (për të moshuarit e varfër, etj.), “Kolana e parë” (pay as you go – skema aktuale e bazuar në solidaritetin e brezave), “Kolona e dytë” (sigurimet shoqërore tërësisht private – një zgjedhje e zgjidhje vetjake), etj.. Politika nuk po e dëgjon as organizmin e zgjedhur prej saj: Komitetin e Planifikimit të Strategjive, që e ka miratuar këtë Platformë qysh në vitin 2008. Shqipëria i kapërcyer njëzet vite pa krye realisht Reformë në Sistemin e Pensioneve, pra që në vitin 1992 kur u themelua ISSH. Tashti ka ardhur koha për modernizim e fleksibilitet të pensioneve, për vendosjen e një sistemi të drejtë të pensioneve (rregullimi i raporteve midis kontributeve që japin të siguruarit dhe përfitimit që marrin me moshën e daljes në pension, etj.). Kjo “Reformë” nuk është çështje kartonësh, që të miratohet një ligj i ri e plotor me 84 vota në Kuvend, të cilat i ka maxhoranca e sotme qeverisëse. Patjetër duhet  vizion i qartë, debat i thellë, konsensus i plotë i pozitës dhe i opozitës, sepse kjo Reformë e madhe i shtrin efektet e saj deri në vitin 2040, përcaktohet mosha e daljes në pension, niveli i kontributeve për pension, sistemi privat i sigurimeve shoqërore etj. krijimi i mekanizmave për dalje në pension para ose pas moshës zyrtare, krijimi i skemave të pensioneve të parakohshme, stimulimi i krijimit të vendeve të punës së përshtatshme për moshat e vjetra, etj.. Politika nuk po merret vesh ndër veti. Ka mbi 4 vjet që Platforma për Sistemin e Pensioneve rrinë në dosje, pasi PS me aleatët e vet nuk jep konsensusin e saj. Tani çështja shtrohet: A do të presim edhe 4 vjet të tjera që PD me aleatët e vet nuk do ta japin konsensusin e saj. Nëse e miraton pozita e sotme e rrëzon ajo e nesërmja, diçka e tillë siç po ndodh aktualisht me disa vendime të qeverisë së mëparshme. Në Sistemin e Pensioneve do të kemi lojën “Po” e “Jo”, “në Fuqi” – Shfuqizo”(!) Ndodhemi përballë një situate që jemi tepër të vonuar dhe pritja qoftë edhe një ditë apo një vit është me mjaft pasoja për ekonominë shqiptare, vet për shoqërinë shqiptare, për brezat e sotëm e të nesërm.

Prandaj na duhen shumë zëra në istikamin e kohës politike, në veprimtarinë shtetërore, në botën akademike, në shoqërinë civile, si ky i doktorit të shkencave financiare, Bujar Leskaj, në personalitetin e tij, në profilin e karrierën e tij ndër vite, i ka të gjitha këto. Përndryshe: kur themi “Dëgjojeni zërin e dr. Bujar Leskaj” nuk kemi parasysh vetëm pozicionin e tij të sotëm zyrtar si kryetar i KLSH, i një institucioni që vet shteti shqiptar e ka ngritur për t’ia dëgjuar zërin. Nuk flet vetëm një personalitet politik e zyrtar i betuar tre herë para Parlamentit shqiptar për kryerjen e detyrave të tij me përgjegjësi të lartë si deputet, ministër, Kryekontrollor i shtetit. Dr. Bujar Leskaj, avokat, i përket botës akademike, me tri diploma universitare: inxhinier nafte në gjeologji-miniera (1990), ekonomist i degës së financës në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tiranës (1998) dhe jurist në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës; pjesëmarrës në konferenca shkencore (ndër) kombëtare, autor i disa botimeve në revista shkencore, etj.. Ka qenë deputet i Vlorës dhe anëtar i delegacionit të përhershëm të Parlamentit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s; ka qenë doganier e deri nëndrejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe pedagog i brendshëm dhe i jashtëm në Fakultetin Ekonomik të universitetit më të madh publik në vend – të Universitetit të Tiranës, në lëndët “Para dhe Banka”, “Financë”; ish-anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe ministër i Turizmit, Kulturës e Sporteve gjatë qeverisjes së saj; krye specializime në Universitetin e Nebraskës – Lincoln, SHBA, Departamenti i Menaxhimit (Diplomë për mësimdhënie në nivel master në Administrim publik) në shkurt-qershor 2003 dhe në Universitetin Bamberg në Gjermani – specializim për Financat publike në shkurt 2005; ka botime shkencore për financat si “Senjorazhi” (Punim Doktorature, 2009),  “Paraja dhe Banka” (Cikël Leksionesh, 2011), “Leksione në Financë” (Pjesa e I) (2011); për historinë “Përfaqësuesit e Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë, 1912-2009” (2009), për politikën “Brenda dhe Jashtë…PARLAMENTIT (maj 2007-maj 2009)” (2009), për letërsinë “Muzat e Qëndresës” (Nëpër libra të kryqëzuar) (Tiranë 2011), etj., kryetar i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike “Ismail Qemali”, etj..  Një personalitet i tillë si dr. Bujar Leskaj, siç e kam cek edhe herë tjetër, është prurje e Vlorës, e Parlamentarizmit, e Nacionalizmit Shqiptar dhe ka sjellë prurje risore e meritore për Demokracinë, për Kulturën, për Kombin.