Ramiz LUSHAJ/ Beau Joe Biden, guxim, premtim dhe nderim amerikan

590
1.
Beau Biden i përngjante shumë babait të tij në gene jete e në hapa udhe, aq sa ata të cilët e kishin njohur nga afër si dhe ata që ia kishin dëgjuar famën prej nga larg, e shihnin dhe e prisnin si një “Joe Biden i ri”. Kaherit, qyshse në korrik 2003, e pohonte një fakt të tillë Shannon Canton tek gazeta “Delaware Today”. Presidenti Amerikan Barak Obama, në maj 2015, e cilësonte “Beau Biden, njësoj sikur baba i vet, njeri i mirë, zemërgjerë, katolik i devotshëm, me besim të madh fetar”, që i kreu të njëjtat shkolla si i ati, iu përkushtua veprimtarisë publike si i ati, etj. Beau Biden ishte e mbetet një realitet i mirë amerikan, një profil i lartë i politikanit, juristit e ushtarakut bashkëkohor amerikan, një udhëtar i përjetshëm i idealeve amerikane, një ëndërr e madhe amerikane. Erin McPike, në nji shkrim më 9 nëntor 2012, e cilësonte Beau Biden: “një tjetër yll Biden në ngjitje në Partinë Demokratike” i cili “po shkëlqen në politikën kombëtare”. Ai, Beau Biden, ndonëse ndërroi jetë 445 ditë ma herët, nuk është një meteor politik, por ende mbetet një yll në horizont të kohërave, ende vjen drejt nesh i nderuar, i paharruar, guximtar, qëndrestar, shembëlltarë.


2
Vjet 18 dhjetori ishte e premte, por Nënpresidenti Amerikan Joe Biden e bani pushim. Si gjithmonë në këto 43 vitet e fundit. Kjo datë, kjo ditë, i kujton tragjedinë e parë ma të madhe në jetën e tij. Ishte 18 dhjetori 1972. Gruaja e tij 30 vjeçare, Neilia Hunter Biden me tre fëmijët e saj, po shkonin për të marrë në treg dhurata e shumçka tjetër për Krishtlindje. Rrugës pësuan aksident të randë. Fatal. Vdes nana e re Biden me vajzën e saj të vogël, Naomi mbi një vjeçare, ndërsa dy djemtë e saj, Beau Biden – rreth 4 vjeç e Hunter Biden rreth 3 vjeç morën plagë të rënda. Në Konventën Kombëtare të Demokratëve, në fundgushtin 2008, në Denver – Kolorado, kur u shpall Joe Biden Nënpresident i Amerikës, ishte aty dhe 39 vjeçari demokrat Beau Biden – një nga përfaqësuesit premtues të brezit të dytë të politikanëve të Amerikës, Prokuror i Përgjithshëm në Delaware, një nga ushtarakët rezervë vullnetarë për të shkuar atë vit në Irak. Ai, Beau Biden, në atë Konventë, foli për aksidentin familjar tragjik të vitit 1972, për humbjen e nanës e të motrës së tij, foli për virtytet e vlerat e larta të babës së tij, Joe Biden, si një prind i rrallë, i përkushtuar, njerëzor e gjithçka tjetër ndaj fëmijëve të tij në rritje jetimë, foli për humanizmin e “nanës së dytë” të tyre (prej vitit 1997) dr. Jill Jacobs Biden, Zonja e Dytë e Amerikës. Gazetari John M. Broder, në një shkrim në “The New York Times” të gushtit 2008 theksonte se fjala e Beau Biden i përloti shumicën e delegatëve në sallën e Konventës të Demokratëve. Joe Biden, i nominuar për Nënpresident i Amerikës, ky njeri i dimensioneve të mëdha amerikane e simbol i vlerave të larta amerikane, foli aq mirë në Konventën e gushtit 2008 sa që delegatët mbetën shpeshtas me duartrokitje e brohoritje, salla e madhe dukej e përflakun. Ai iu drejtua djalit të tij të madh, politikan në rritje i kohës amerikane: “Beau, të dua. Jam shumë krenar me Ty. Jam krenar me Ty për burrërinë që ke brenda teje. Jam shumë krenar me Ty, je baba i përkryer!” Ai iu drejtua familjes së tij të mbetur e zonjës së tij të madhe, akademikes, Jill Jacobs Biden: “Jam po aq krenar edhe me birin tim, Hunter, dhe me bijën time, Ashley’n. Dhe me gruan time Jill, e vetmja që më lë edhe pa frymë edhe pa fjalë në të njëjtën kohë”. Ai foli dhe për dy prindërit e tij, babën Joseph Robinette Biden, Sr. (1915-2002) dhe nanen e tij, Catherine “Jean” Eugenia Biden (1917-2010): “Babai im kishte një shprehje. Ai thoshte: Një baba e di që ka pasur sukses, kur e kthen kokën prapa, dhe e sheh të birin e të bijën e tij dhe e di se ata ia kanë dalë në jetë më mirë se ai. Jam një sukses… Do të doja që ta kisha babain këtu, por ai s’është më me ne. Por jam mirënjohës që nëna ime, Catherine Eugenia Finnegan, është këtu me mua. Të dua nënë”. Kur Joe Biden doli për të dytën herë Nënpresident i Amerikës, në Konventën Kombëtare të Demokratëve, në Charlotte të Karolinës së Veriut, në atë fillim shtatori 2012, ishte aty delegat dhe djali i tij i madh, Beau Biden, 44 vjeçar, i cili kësi herit mbante dhe statusin e lartë “Veteran i Luftës”. Ai, në atë Konventë, me një fjalë të pazakontë foli për Amerikën e idealeve e shanseve të mëdha, për babain e tij të jashtëzakonshëm, për Presidentin Barak Obama në mandatin e dytë dhe me misione presidenciale të traditës e të reja. Ai, si major i luftës e paqes në Irak, i dha vlerësimet e tij për vizitën e papritur dhe nderuese të babës së tij, Joe Biden – Nënpresident i Amerikës, me 4 korrik 2009, në kampin e atyshëm amerikan “Victory”. “The Huffington Post” e 6 shtatorit 2012 e botoi të plotë fjalën në atë Konventë të politikanit me të ardhme, Beau Biden, e cila përmbyllej me thanien nderim madhor: “Babai im, Heroi im, Joe Biden!”
3
E cekëm në kryeradhë se, Beau Biden, sikurse i ati i tij, Joe Biden, i ndoqi Archmere Academy të Universitetit të Pensilvanisë dhe Syracuse University College of Law në New York. Emrat e të dyve, babë e bir, janë të skalitur publikisht e përhershëm në historinë e këtyre shkollave. E, nuk kishte si të ndodhte ndryshe për të mos ecur në gjurmët e tij, pasi i ati, senatori Joe Biden, e merrte shpesh me vehte në udhëtime e veprimtari të ndryshme në Delaware e shtete të tjera të Amerikës, qyshse kur Beau Biden ishte mbi 4 vjeç. Çdo prind e do fëmijën e vet, por Joe Biden e shihte me plot besim djalin e tij të madh, Beau Biden, se ai do të ecte shpejt, larg e lart në karierën e tij politike, juridike e ushtarake. Beau Biden në moshën 25 vjeçare filloi detyrën e gjyqtarit në qytetin Concord në New Hampshire të Amerikës, në vitet 1994-’95. David Brooks teksa shkruan tek “The Telegraph” i Amerikës, citon fjalët e gjyqtarit të njohur Steven Mcaliffe: “Ai ishte djalë i veçantë, e donin të gjithë pa përjashtim, me të vërtetë. Edhe ata që nuk pajtoheshin me të, nuk mund ta urrenin atë”. Beau Biden, më 1995-2004, punoi në Departamentin e Drejtësisë të SHBA në Filadelfia, fillimisht si këshilltar i Zyrës të Politikave të Zhvillimit dhe më pas si prokuror federal në Zyrën e atyshme të Prokurorit të SHBA. Gjatë kësaj kohe, Beau Biden, shkoi nga Filadelfia e Amerikës në Europë, në Kosovën euro-atlantike të pasluftës, si këshilltar i lartë ligjor i Departamentit Amerikan të Drejtësisë, ku shërbeu me dinjitet e efektivitet, la gjurmë e mbeti emër i nderuar. Beau Biden në vitin 2004 ishte një partner dalëzotas në studiot ligjore të njohura “Bifferato”, “Gentilotti”, “Biden & Balick”, derisa u zgjodh në detyrën e lartë të Prokurorit të Përgjithshëm të Delaware. Kjo përvojë e gjatë në Filadelfia i shërbeu atij gjatë gjithë jetës së shkurtër e me kontribute të mëdha. Gjithnjë, i ati, senatori Joe Biden, e shihte djalin e tij – Beau Biden, si dhe zonja akademike Jill Biden e shihte nipin e vet – Beau Biden, si guxim amerikan, si premtim amerikan.
4.
Beau Biden ishte një ushtarak i mirë, në rezervë, i përkushtuar, i guximit, i aksionit, i sakrificës. Në 2003 ai iu bashkua Gradës Kombëtare në Delaware. Ai e shihte se që të jesh një politikan i aftë në udhën e tij për të ardhmen amerikane duhej medoemos të ishte dhe një jurist i zoti, të mësonte për historinë amerikane, kontinentale e atë globale, por dhe të çmohej si një ushtarak i mirë. Ndaj shkoi për rreth dy vite në front, në Irak nga tetori 2008 deri nga fundi i vitit 2009, ndonëse ishte djali i madh i Joe Biden, Nënpresidentit të Amerikës, ndonëse kishte angazhime të mëdha politike, juridike e civile në Delaware, duke lanë gruan e tij të re, zonjën e nderuar e të përkushtuar Hallie Olivere Biden (2002-2015) në Delaware të përkujdesej e vetme si nanë e çmuar për dy fëmijët e tyre të vegjël Natalie – katër vjeç dhe Hunter Biden II – dy vjeç. Majori e juristi i njohur Beau Biden shërbeu në Brigadën Signal 261. Ai dha atje në Irak dhe me fjalimet e tij në Konventën e Demokratëve Amerikanë, në disa veprimtari në SHBA, një shembull frymëzues për Amerikën, për të gjithë ata që shkonin në Irak. Ai ishte guxim e premtim amerikan. Një shembull i mirë i traditës ushtarake amerikane. Pjesëmarrja e major Beau Biden nga fronti i Irakut në Betimin e të atit, Joe Biden si Nënpresident i SHBA më 2009, ishte një nderim amerikan për babë e bir, për kontributet e atributet e tyre të larta. Beau Biden, për kontributet e tij në Irak mori vlerësime të larta meritore. U nderua nga vendi i tij, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Medaljen Ylli i Bronxtë për merita e arritje heroike në shërbimin e tij në Irak. Departamenti Amerikan i Mbrojtjes në SHBA i dha majorit Beau Biden dekoratën “Legjioni i Meritës” për arritje të randësishme dhe sjellje meritore gjatë veprimtarisë ushtarake në Irak. Shefi i Shtabit të ushtrisë së SHBA, gjeneral Raymond Thomas “Ray” Odierno, pjesmarrës në Luftën e Gjirit Persik e në Irak, duke e dorëzuar dekoratën “Legjioni i Meritës” deklaroi botnisht se “Beau Biden zotëronte tiparet që i dëshmojnë vetëm liderët e mëdhenj”.
5
Beau Biden (Joseph Robinette “Beau” Biden III) “si jurist me përvojë të begatshme dhe i përgatitur gjithanshëm, kishte shprehur dëshirën për të shërbyer në Kosovën e pasluftës, ende pa u shpallur Pavarësia e saj. Ai qëndroi mbi një vit në harkun kohor 2001-’2002. Këso kohe, pas studimeve në Hollandë, shkoi në Kosovë për disa vite dhe i riu jurist e politikan, Lulzim Basha, kryetari demokrat i Opozitës së sotme Parlamentare, i cili shërbeu në detyrën Këshilltar Ligjor në Departamentin e Drejtësisë së Administratës së Kombeve të Bashkuara, Zëvendës Shef i Kabinetit të Drejtorit të Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut, Këshilltar Special për Tranzicionin në Departamentin e Drejtësisë së UNMIK-ut drejt një Ministrie të Drejtësisë të Kosovës dhe është “Qytetar Nderi” i Prishtinës, i Mitrovicës e Deçanit. Kryeministri aktual Isa Mustafa në mbledhjen e Qeverisë (8 qershor 2016) dha vlerësime të larta për juristin e ri amerikan Beau Biden, duke theksuar se: “Ai shërbeu si këshilltar i lartë në OSBE, konkretisht u mor me ndërtimin dhe menaxhimin e institucioneve juridike të Kosovës, me ç’rast ka trajnuar shumë gjyqtarë dhe prokurorë të rinj dhe me punën e tij ka ndihmuar dhe mundësuar themelimin e sistemit të ri penal në Kosovë”. Beau Biden, si jurist, ushtarak e politikan klas, si rrallëkush, ndonëse pati një jetë të shkurtër 46 vjeçare, kontribuoi në tri kontinente: në Amerikë, në Kosovë dhe në Irak. Beau Biden është nderuar me dekoratën ma të lartë të shtetit Delaware, me dekoratën e kryqit për shërbime të veçanta, për kontributet e meritat e tij, për heroizmin e tij, për kryerjen e detyrave në lartësitë e kohës. Beau Biden, më 4 nëntor 2015, u dekorua (pas vdekjes) me Çmimin e Lidershipit “Albert Schweitzer”, nderimi ma i lartë i dhanun nga Hugh O’Brian Youth Leadership (HOBY) për aftësitë e tij si lidership, “për shërbimet e tij për njerëzimin”. Beau Biden edhe vdekjes i qëndroi si një hero i vërtetë në mbi dy vite të përballjes me sëmundjen e fshehtë, me kancerin në kokë. Ai ishte një hero i heshtur dhe mbetet i tillë. Si heroi të tyre e shihnin dhe vëllai Henter Biden dhe motra e tij nga baba, Ashley Biden. E kanë pohuar dhe në masmedia një fakt të tillë. Si hero e ka vlerësuar shumëkush që e ka njohur gjatë jetës së tij në gjallje, si kur kryente detyrat juridike në Amerikë, në Irak e në Kosovë, në gjitha ato raste, në vazhdimësi. Vdekja e parakohshme e Beau Biden ishte një tjetër tragjedi, e dyta, tejet e randë, fort e madhe, që e goditi Jo Biden dhe Familjen e Tij Biden dhe, njiherash, ishte një humbje e ndjeshme dhe për vet Amerikën pasi humbi një nga njerëzit premtues të saj në fill shek. XXI, në politikën amerikane, për kohën amerikane. Kosova e ka nderuar Beau Biden duke i dhënë emrin e tij rrugës nacionale Gjilan-Ferizaj, në afri të Kampit amerikan paqeruajtës Bandsteel, çka është një nga vlerësimet meritore për veprën e tij në tre kontinente, dhe në Kosovë. Pjesëmarrja në ceremoninë e 17 shkurtit 2016 të babës së tij, Joe Biden – Nënpresident i Amerikës, mik i madh i Shqiptarëve, i dr. Jill Biden – Zonja e Dytë e Amerikës dhe e familjes së nderuar e të çmuar Beau Biden – dy fëmijët e tij, Natalie e Hunter, është një nderim amerikan për Kosovën dhe për krejt Kombin Shqiptar
6
Beau Biden ishte një investim amerikan genetik familjar e shtetëror ndër breza të kaluar e të tijët, një premtim amerikan në kohën amerikane e për brezat e rinj të Amerikës. Ai pati një jetë të shkurtër, por emri e veprimtaria e tij do të jetojnë gjatë. Si histori. Si mirënjohje. Si frymëzim. Si kujtim. Si nderim. Ai lindi e u rrit në një familje amerikane aristokrate, kombëtare, politike. Nga të dy krahët, nga linja e gjakut dhe e qumështit, prej kryehere, në shek. XVIII, janë anglo-sakson, të origjinës irlandeze, të cilët kanë ngritur dhe biznese, kanë bërë karrierë në strukturat politike, ushtarake, ekonomike e shoqërore në disa shtete të Amerikës si Maryland, Pennsylvania, New York, Delaware, Filadelfia, e deri në Washington D.C. Historia e Biden-ëve është si vet Historia e Amerikës në shekujt e fundit. Këta, Biden-ët, erdhën në Amerikë, Baltimore (MD), në shek. XVIII, aty nga viti 1790, me të parin e tyre shtetas amerikan, William Biden. Në shek. XIX vijnë në vargni breznitë e tyne genetike: Joseph J. Biden, George T. Biden, Joseph H. Biden. Në shek. XX: Joseph Robinette Biden Sr. (1915-2002), Joseph Robinette “Joe” Biden Jr. (1942, përndryshe: dy vite ma i madh se ish presidenti e ish kryeministri shqiptar, Sali Berisha) dhe Joseph Robinette “Beau” Biden III (1969-2015). Në shek. XXI kemi dy fëmijët e Beau Biden: vajzën Natalie (Natalie Paige Biden) 12 vjeç dhe djalin Hunter ( Robert Hunter Biden II) 10 vjeç, të cilët janë shpresë e mirë në udhën amerikane lavdiplote të të atit (babait) dhe të gjyshit të tyre. Aristokracia e Familjes të Madhe të Biden-ëve të Amerikës duket dhe tek emrat e tyre trashëgimtar. Emra fisnikësh. Dinastor. Joseph Robinette Biden Sr. (gjyshi i Beau Biden), Joseph Robinette “Joe” Biden (babai i Beau Biden) dhe Joseph Robinette “Beau” Biden III apo siç thirrej ndryshe “Joe i riu”, për nga pamja fizike, shkollimi, udha politike, etj. Beau Biden ishte politikan amerikan i të ardhmes, për të ardhmen amerikane. E parandienin të tillë të gjithë ata që e njihnin, kushdo që kishte nuhatje politike, gjithsecili që synonte lartësitë federale në politikën e lartë amerikane. Sigurisht, të jesh Prokuror i Përgjithshëm i Delaware, i një shteti amerikan me 6.452 km2 e rreth 1 milionë banorë, nuk është pak, pasi dhe historia, kultura, ekonomia, turizmi, etj. e tij kishin një peshë e rëndësi të veçantë. Beau Biden u lind më 3 shkurt 1969 në qytetin Wilmington, që është në afri të kryeqytetit Dover të të parit shtetit amerikan federal Delaware. Përndryshe, qyteti Wilmington, për nga sipërfaqja, është mbi dy herë ma i madh se territori etnik shqiptar që Kosova po don me ia dhanë Malit të Zi me Marrëveshjen e keqe të Demarkacionit. Në kulminacionin elektoral të Zgjedhjeve Presidenciale Amerikane – 2008, kur senatorët Barak Obama dhe Joe Biden po ecnin drejt fitores së sigurtë, Beau Biden u konsiderua si kandidatura ma e mirë për të zënë vendin e të atit senator në shtatë mandate (1973-2009). Shkroi dhe gazeta prestigjioze “The New York Tajms” e gushtit 2008. Asokohe, Ted Kaufman doli senator i përkohshëm (16 janar 2009 – 15 nëntor 2010). Në tetor 2009 Beau Biden lëshoi një deklaratë për mundësi konkurrimi si senator i SHBA në shtetin Delaware. Po Beau Biden u tërhoq, pasi iu kushtua çështjeve të drejtësisë dhe rikandidoi më 2010 për Prokuror i Përgjithshëm i Delaware dhe fitoi me 79.8 për qind të votave. Beau Biden, Prokuror i Përgjithshëm i Delaware, dy vjet ma herët e kishte shfaqur objektivin e tij politik vizionar për të kandiduar në nëntor 2016 për guvernator i shtetit Delaware. E kjo ishte mjaft e rëndësishme, pasi Delaware ishte një nga 13 kolonitë e Revolucionit Amerikan, e për ma tepër, ishte shteti i parë që e ratifikoi Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 7 dhjetor 1787. E, prej kësaj, qysh atëherë, Delaware e fitoi statusin e shtetit të parë të Amerikës. Ai e kishte të sigurtë fitoren. E para, ishin kontributet e atributet e tij disa dekadore dhe në dy mandate (2007-janar-2015) Prokuror i përgjithshëm i Delaware. E dyta, aktualisht, shteti Delaware është bastion i fortë i demokratëve të Amerikës, si bashkia e Tropojës për demokratët e Shqipërisë. Aty, guvernatori Markell, në dy elektoriada mandatore ka fituar me dy e deri trefishin e votave, si më 2012 me 69.1 për qind ndaj 28.6 për qind ndaj kandidatit republikan. Aty, kanë fituar senatorët demokratë Joe Biden, Tom Carper e Chris Coons, kongresmeni demokrat John Carney. Aty pritet të fitojë dhe kandidate demokrate për Presidente e Amerikës, Hillary Clinton, mike e madhe e shqiptarëve. E treta, komuniteti ma i madh në Delaware është ai i irlandezëve, etj. Pra, sikur Beau Biden të ishte i gjallë fizikisht, ai pa mëdyshje, prej nëntorit 2016 do të ishte Guvernator i shtetit Delaware. Jo vetëm kaq. Përndryshe, ai do ia niste karrierës së lartë politike kombëtare në legjislativ apo ekzekutiv nga Delaware , sikurse dhe i ati, Joe Biden, që hyri në politikë nga senator në senatin e shtetit Delaware (1972) dhe po në Delaware u zgjodh në shtatë mandate (1973-2009) senator i Senatit të Amerikës.
7
Prognoza politike parashihnin se në elektoriada të ardhshme (ndoshta) Beau Biden do të ishte një konkurrent dhe rival dinjitar për postin lidership botëror të Presidentit të Amerikës. Ndoshta, do ia kalonte të atit, Joe Biden. E, kësisoj, familja e tyre politike, në brezni karriere politike, do t’iu përngjante dinastive politike amerikane Ruzvlet, Bush, Clinton. Do të ishin Dinastia Biden. Presidenti amerikan Barak Obama është shprehur me vlerësime të veçanta në maj 2015 për figurën e lartë të Beau Joe Biden, si njeri i mirë, i vërtetë, që bani gjithçka mundi për Amerikën kur të tjerë nuk arrijnë t’i bajnë as në 146 vjet. Askush ma mirë nuk e ka portretizuar Beau Biden në udhën e tij politike, juridike, ushtarake, në gjallje të tij fizike, se sa Matt Miller, me shprehjen aksiometrike: “Qielli është kufiri i tij”. I shquari jurist, ushtarak, politikan amerikan, Beau Joe Biden, mik i mirë i shqiptarëve, me kontribute në tre kontinente, ishte e mbetet investim, guxim, premtim e nderim amerikan, i kohës amerikane.
Sigal