Rajna Kovaçi / Barazia gjinore, një flamur për ta tundur fushatave

657
Sigal

Sigurisht filloi të flitet sërish për gratë dhe vajzat, tani që jemi në fushatë elektorale. Madje do të dëgjojmë edhe sa të rëndësishme e sa të zonjat jemi në të gjitha sferat e jetës, sepse përqindja e lartë femërore është votuese dhe duhet të dalë të shprehë vullnetin me votë. Madje do të duhet edhe entuziazmi ynë në mitingjet e zhurmshëm, që nuk ka të sosur, si çdo herë që ka fushatë dhe zgjedhje. E më pas çdo gjë do të harrohet prapë e prapë, bashkë me premtimet për rritjen e përqindjes femërore në Parlament, vendimmarrje dhe qeveri, në organet drejtuese të partive tona, që “modernizohen” nga dita në ditë.

Por ajo që shohim realisht është vërtet zhgënjyese. Megjithëse ekziston edhe një ligj për përfaqësimin e grave me 30%, burrat shqiptarë nuk duan t’ia dinë për ligje të bëra nga gratë e për gratë. Nga 140 deputetë që kishte Kuvendi, 24 vende u mbajtën nga gratë ose 17,4% janë zonja, pa përmendur zgjedhjet e pushtetit lokal, ku përfaqësimi i grave ishte i padukshëm. Në tryezën e mbledhjeve qeveritare, për të parë një zonjë, duhet të presësh, që ministrat të jenë për vizitë zyrtare jashtë atdheut.

Ndërsa flitet e flitet për barazi e shanse të barabarta, zonjën që drejtoi Kuvendin u munduan ta grisin pak e nga pak, një tufë e madhe burrash lloje-llojesh, që preferuan të lënë karriget e tyre për grumbullime, me dhe pa kuptim. Me apo pa zor e duruan burrat shqiptarë në krye të Parlamentit këtë zonjë. Në të vërtetë ajo e vazhdoi punën e saj me të njëjtin ritëm, korrektesë, autoritet, seriozitet e besimplotë. E vendosur për të luftuar me të gjitha forcat e saj për një demokraci të pastër e të vërtetë. E bindur them se është një shembull i vërtetë i gruas së suksesshme bashkëkohore. E në fakt edhe vetë kryeparlamentarja, gjithmonë e më pak dhe me shumë vështirësi mundi t’i ruajë, e ca më pak t’i shprehë hiret femërore në atë “Kuvend Burrash”. Sa burra e kanë pranuar të jenë nën drejtimin e saj? Sa prej tyre e kanë nderuar në heshtje të qenit femër dhe jo parlamentare?

Si do të jetë përfaqësimi i grave në Parlamentin e ardhshëm?

Përfaqësimi i pakët femëror në sferat drejtuese të nivelit më të lartë, nuk është një problem thjesht shqiptar. Në këto 10 vitet e fundit diskutimet janë të shumtë, por faktet tregojnë të kundërtën. Në 9 vendet e Europës Qendrore e Lindore, ky mbetet një problem shqetësues. Në Turqi, vetëm 1 nga 22 ministrat dhe 4,4% e ligjvënësve prej 550 vendesh janë gra. Në Rumani pas zgjedhjeve parlamentare te vitit 2004, gratë zunë 10% të vendeve në Kuvendin dydhomësh, ndërsa më lart paraqitet Bullgaria, ku femrat përbëjnë 27.1 % të anëtarëve të Parlamentit 240 vendesh dhe posedojnë 5 portofole, nga 20 gjithsej në kabinetin qeveritar. Gjithashtu në krye qëndron Kosova, por edhe Maqedonia, ku 30.9% e Parlamentit maqedonas janë gra. Diskriminimi nuk shfaqet vetëm në përfaqësim. Në Bullgari, Estoni dhe Sllovaki, gratë paguhen 25%-30% më pak se sa burrat, kur mesatarja e BE-së për këtë fenomen është 15%.

Kjo është e vërteta e shifrave, që lë pak vend për koment, por në Shqipëri, problemi është më i thellë, e shkaqet janë të panumërta. Edhe vetë femrat e kanë të vështirë të integrohen në këtë shoqëri, që shpesh u kujton Kanunin, hakmarrjen, zakonin, traditen dhe “sjelljet e mira”.

Lëvizjet e pakontrolluara demografike kanë krijuar gjithashtu, jo vetëm diversitet vlerash e nivelesh, por edhe diferenca tronditëse kulturash. Nuk mund ta harrojmë atë vajzën, e cila u vra nga i ati, sepse kaloi orarin duke u dëfryer në një lokal nate me bashkëmoshataret. Fqinjët e përshendetën aktin, në emër të një morali, që mohon të drejtën e jetës. Sipas statistikave, për vitin 2011 janë bërë 1355 denoncime nga gra të dhunuara, vetëm për muajin janar-Shkurt 2012 janë bërë 400 padi në Gjykatën e Tiranës dhe çdo ditë në gjykatë bëhen padi nga gratë që dhunohen nga burrat. Tashmë ka një ligj që i jep dhunuesit dënim penal të përjetshëm. Pra tashmë gratë duhet të ndjehen më të sigurta që ka një ligj që u jep dënimin e merituar kriminelit.

Pa folur për amnistitë që bëhen me raste të caktuara që në përgjithësi e për çudi pjesa më e madhe e të falurëve kanë qenë burra e në minorancë mbeten gratë. Jam e bindur që këtë vit do të bëhet një e tillë. Presidenti Nishani do ta bëjë amnistinë këtë herë në dobi të grave. Ato të gjorat nuk kanë as avokatë mbrojtës, sepse nuk kanë ta paguajnë. Pra edhe drejtësia i harron… Diskutohet nga ferexhetë e ekstremeve të mbuluara, e deri tek veshjet ekstravagante e kubistet me topless që kanë mbirë së fundi pub-eve të Tiranës. S’ka standarde.

Është tronditëse, por pa bezdi! Ndodhemi në mes të fushatës dhe të gjitha problemet e vërteta do të harrohen, në kërkim të buzëqeshjeve femërore dhe punës me kualitet të lartë e pa interes që dimë ta bëjmë vetëm ne, ndërsa burrat e bëjnë në këmbim të postit, gratë veprojnë në këmbim të kërkesës te vota, sepse ne gratë mbetemi më idealiste dhe në fushatë japim shpirtin tonë pothuajse pa interes personal. Ato “allishverishet” në përgjithësi i bëjnë burrat. Ne besojmë kur na premtojnë barazi gjinore e përfaqësim femëror, kudo ku drejtohet. Tashmë në krye të KQZ-së kemi një grua të nderuar znj. Lefteri Lleshi, të cilën fjalët e liga, të gojëve të liga, të burrave të ligë, as edhe një ditë nuk përmbahen pa e fyer.

Me kohën që rrjedh, sidomos burrat politikanë, duhet të mësojnë dhe të ndajnë me gruan, dashurinë, dhembjen, përpjekjen, ambicien, shpresën dhe sakrificën. Një nderim për femrën që bën të mundur përditshmërinë e qetë dhe plot gëzime. Që fal dashuri dhe lejon të pushtohet nga dashuria që më pas të jetë e plotësuar për të lindur jetën. Lufta për t’u ndjerë grua në barazinë gjinore po vazhdon. Ajo  duhet të vazhdojë në përpjekjen e saj. Le të përpiqemi të ndërrojmë steriotipet e shoqërisë femërore, trashëguar brez pas brezi.

Po me deputetet e PS-së çfarë po ndodh?

Sa shumë i përzgjedhin gratë që i përfshijnë në politikë, po me përzgjedhjen e burrave kështu ndodh? Nuk e besoj. Po të marrim liderin e Partisë Socialiste, z. Rama. Po të ishte grua, megjithë ato histori të trishtueshme që ka me 6 gratë, a do të bëhej lider i Partisë Socialiste? Çuditem si shoqëria shqiptare po i pranon bëmat e tij dhe nuk i diskuton fare. Megjithatë për t’u bërë lider i një partie duhet të ketë standarde, sepse ekzistenca e këtyre historive flet shumë për karakterin e tij dhe  për punën që bën ai. Nëse duam të mësojmë nga SHBA, nga vendi me demokracinë më të vjetër në botë, atëherë nuk është e lehtë të  jesh njeri publik. Po të ishte lideri i Partisë Socialiste, një lidere, a do ta pranonte shoqëria shqiptare me tërë këto histori, bëma dhe aventura me 6 burra? Nuk e besoj, por të qenurit burrë, tek ne të privilegjon më shumë.

Njëkohësisht më shqetësoi niveli i ulët i performancës së hapjes të fushatës elektorale të Partisë Socialiste. Mes ulërimash zonjash dhe zotërinjsh, që të them të drejtën na tronditën për mënyrën “e veçantë” dhe pa nivel të të shprehurit, tonit që tregonte një mungesë të theksuar respekti dhe edukate ndaj mbështetësve tyre, por edhe ndaj gjithë popullit. Dua t’u jap një shembull. Kam qenë e pranishme në disa fushata elektorale në disa vende të botës. Kam qenë e pranishme në një fushatë presidenciale në një nga këto shtete që kanë këtë folklor. Nuk ekzistonin as ulërimat, as belly- dance. Vendet ku luhen këto kërcime janë të veçanta e nuk kanë lidhje me fushatat elektorale. Më vjen keq edhe për ato zonjat që pretendojnë të bëhen ministre të arsimit, shkencës, integrimit apo nuk e di se çfarë…. Me atë performancë, me ato ulërima! Të them të drejtën kam dyshim për edukatën dhe mësimin që ato do t’i përçojnë brezit të ri dhe popullit. O kulturë ku je fshehur? Një anarki e paparë…

Të dashur mikesha dhe miq mendohuni mirë, mos bëni eksperimente me veten dhe me fëmijët tuaj. Shikoni djathtas. Lideri i Partisë Demokratike, në profilin e tij politik, ka më shumë pluse. Ka një familje dhe martesë të lumtur, ka një përgatitje të gjithanshme të politikanit të kompletuar, një rregullsi dhe korrektesë në punën dhe jetën e tij. Me një fushatë me performancë shumë të rregullt e shumë të përzgjedhur, bashkëkohore, me standarde dhe sipas rregullave dhe me shumë respekt për popullin. Lideri i të djathtës, është doktor dhe jo piktor. Megjithë respektin më të madh që kam për artistët, sepse rrjedh nga një familje artistësh me shumë vlera e jo pseudoartistësh apo të dështuar, kurrë nuk do ta rekomandoja një piktor si kryeministër. I respektoj për shpirtin e revoltës, ndjenjat e mëdha e të fuqishme, shpirtin krijues, avangardizmin, për mesazhet që i japin të parët shoqërisë njerëzore, nëpërmjet artit të tyre. Deri tani Rama ka qenë piktori i vizualitetit dhe jo i përmbajtjes, por këtë herë ai solli tallava e karikaturën e kopjuar keq. Më vjen keq, por Edi Rama ka ardhur në rënie, në degradim edhe nga ana estetike. Dua të përgëzoj doktor Florin për këngën e tij “Zemërthyer”, guximin qytetar, ndershmërinë, sinqeritetin dhe talentin e veçantë, artin në realizimin e asaj kënge, që jep hapur revoltën e një artisti përballë padrejtësisë që po i bëhet.