Pushteti i sotëm dhe brezi i ardhshëm

696
Nga Feti ZENELI
Marrëveshja, që lideri demokrat, Lulzim Basha, arrit me kreun socialist, Edi Rama, ndërkohë që militantët e dy krahëve ishin përgatitur për luftë të ashpër e pa kompromis midis tyre, rezultoi shpëtimtare, jo më për “zgjedhjet e ardhshme”, por për “brezin e ardhshëm”, siç thotë James Clark, kur tenton të bëjë dallimin midis një politikani dhe një burri shteti. “Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, -thotë ai, -kurse një burrë shteti mendon për brezin e ardhshëm”. U desh këmbëngulja dhe largpamësia e z. Basha, nëpërmjet “Çadrës” apo protestës stoike të demokratëve, për 90 ditë me radhë, që të kthjellonte edhe kundërshtarin e tij politik, lidhur me këtë problematikë të trashëguar në votimin dhe ndërtimin e institucioneve qeverisëse me llogari, pa zgjedhjeve të drejta e të lira. Lideri demokrat ka meritën e padiskutueshme, që e detyroi kundërshtarin e vet drejt një zgjidhjeje degoliane, ku për hir të interesave kombëtare mund t’i “tradhtosh” disi edhe ato elektorale. U bën plotë 27 vjet që politikanët shqiptarë mendojnë vetëm për pushtetin e tyre të ardhshëm, pa menduar si duhet për brezin e ardhshëm të vendit tonë, pavarësisht programeve dhe sloganeve politike që linçojnë herë pas here. Po të mendonin për brezin e ardhshëm, sigurisht nuk do të mblidheshin “grusht bashkuar rreth partisë”, por do ishin krah për krah për interesat e Shqipërisë. Të gjithëve, besoj, na kujtohen debatet politike që shpërthyen kohët e fundit në Parlamentin shqiptar, pas deklaratës së pakujdesshme të një deputeti të majtë, që përbetohej për PS-në, më shumë se për vendin tonë. Po kështu kemi dëgjuar edhe retorikën e Ben Blushit, ndërtuar mbi këtë artikulim militantesk, që iu drejtohej shpesh të vetëve me shprehjen: “Këta vënë partinë mbi Shqipërinë”. Partitë politike janë një komponent mjaft i rëndësishëm i demokracisë. Me pjesëmarrjen në zgjedhje, përmes punës së tyre në legjislativ dhe ekzekutiv, si dhe me mobilizimin e qytetarëve rreth koncepteve të veçanta politike, partitë u ofrojnë qytetarëve platforma të rëndësishme për qeverisjen, si dhe mundësi për pjesëmarrjen e tyre lidhur me ndryshimin e së ardhmes së vendit. Giovanni Sartori, që është një nga hulumtuesit më të spikatur të shoqërisë së hapur, pra dhe i partive politike si pjesë përbërëse e saj, i ka përcaktuar ato si: “… grup politik i identifikuar me një emërtim zyrtar, i cili paraqitet gjatë zgjedhjeve dhe ka aftësi që nëpërmjet zgjedhjeve të vendos kandidatët për zyrën publike.” Me krijimin e Partisë Demokratike në dhjetor 1990 dhe ndryshimet strukturore që pasuan një akt të tillë historik, filloi epoka e re e pluralizmit politik edhe në Shqipëri. Shumë shpejt, spektri i djathtë u shtua edhe me disa parti të tjera si Partia Republikane, Lëvizja e Legalitetit dhe Balli Kombëtar. E majta u ngrit mbi themelet e Partisë së Punës, duke ndryshuar vetëm emrin në qershor të vitit ‘91. Me tepricat e kësaj anëtarësie u krijua edhe Partia Socialdemokrate e Skënder Gjinushit, megjithëse në zgjedhjet parlamentare të 22 marsit ’92 hyri për pak kohë në koalicion qeverisës me demokratët e Sali Berishës. Pak a shumë, ky qe konfigurimi partiak i legjislativit shqiptar në 2-3 vitet e para të pluralizmit, i cili në periudhat e mëvonshme do të pësonte një mutacion të paparë politik me mbirjen e partive si kërpudhat pas shiut. Sipas të dhënave të Gjykatës së Tiranës, nga viti ‘90 e deri më sot janë regjistruar mbi 115 parti, duke shënuar kështu shifrat më të larta se në çdo vend tjetër të Evropës. Madje, sipas statistikave të zgjedhjeve të 2011-ës rezulton, se çdo partie i takonin 28 mijë votues, që si shifër përkon me sipërfaqen territoriale të vendit tonë. Nga ana tjetër, po të kemi parasysh numrin e ligjvënësve shqiptarë në Parlament, rezulton që çdo deputeti, i përket afërsisht një parti politike (115 në raport me 140). Ajo që bie në sy në listën e partive të regjistruara është fakti se përveç emrave të pa dëgjuar të disa partive, midis tyre ka edhe shumë emra të çuditshëm si: “Forza Albania”, “Partia Lidhja Fshatare”, “Partia e Biznesit Shqiptar”, “Partia Ideali Komunist”, “Rrugës së Vërtetë Shqiptare”, etj. Siç dihet, brenda çdo shoqërie ekzistojnë opinione, nevoja, pikëpamje dhe pritmëri reale për problemet e përditshme. Gjithashtu ekzistojnë pikëpyetje të “mëdha” për normat dhe procedurat mbi organizimin e shoqërisë. Këto janë disa arsye të mundshme që çojnë në krijimin e partive të reja, gjë e cila në realitet nuk ka ndodhur me partitë shqiptare. Faktet tregojnë se duke përjashtuar 5-6 partitë e para të pluralizmit shqiptar, “njëqind lulet dhe njëqind shkollat” e mëvonshme, përfshi edhe vetë LSI-në, kanë lulëzuar në trungun e partive të vjetra, kryesisht të PD-së dhe PS-së. Që të gjitha këto parti janë krijuar, jo si të mira kombëtare, por si inate personale. Megjithatë mëmat e tyre politike; pra dy partitë e mëdha, jo vetëm s’u kanë mbajtur mëri, por i kanë përfshirë herë pas here në qeveri, duke i dhënë ndonjërës prej tyre mundësi, të fryhet si “bretkosa që u bë sa një ka”, me pushtet dhe para.

Natyrisht, diçka është bërë, në gjithë këto vite, por nuk mund të vazhdohet pa fund kështu, me hapin e breshkës. Nëse do të referohemi sërish filozofisë maoiste, nga politikanët tanë të deritanishëm në pushtet, janë bërë “tre të mira dhe dy të këqija”. Dhe këtë duhet ta themi më zë të lartë, sidomos kur jemi në pozicione politike të kundërta. Më kujtohet, që kur Edi Rama erdhi në pushtet, pas zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës, është shprehur një çast në Parlament për paraardhësin e tij në krye të ekzekutivit shqiptarë se “Sali Berisha, ka bërë jo një, por disa punë të mira”. Mendova për momentin se ai do të ishte një kryeministër ndryshe, që nuk do t’i shihte gjërat bardhë e zi, si paraardhësit e tij, por kur filloi me “gropën e buxhetit” dhe “rrugët e mbetura rrugëve”, etj., ndryshova tërësisht mendim. Pastaj kur donte “të ndërtonte shtet” vetëm mbi kurrizin e kundërshtarëve të tij politikë, mbeta pa fjalë. Megjithatë, pavarësisht gjërave të këqija edhe Edi Rama “ka bërë jo një, por disa punë të mira”. Pa u ndalur më tej në “tre të mirat dhe dy të këqijat” punë të Ramës, gjëja që ai nuk arriti të bënte dot fare, është ndërtimi i shtetit. “Shteti” dhe “vetingu” janë thjesht dy fjalë, që atij i kanë mbirë në majë të gjuhës si justifikim për injorantët dhe militantët. Natyrisht, në krijimin e një koncepti të tillë, Ramën e kanë mësuar keq jo pak këshilltarë e gazetarë, që i dhanë atij “formulën e dështimit”, duke i bërë qejfin nga mëngjesi deri në darkë, thjesht, nga që ky “shtet imagjinar” apo “diktatorial” çonte ujë në mullirin e interesit të tyre personal. Kështu që, ndonëse grumbulloi rreth vetes media, biznese, parti e vota pa fund, ndërtimi i shtetit donte mend dhe mund. Zakonisht, kështu ndodh kur të mungon vizioni perëndimor për ndërtimin e shtetit mbi themelet e parimeve demokratike. Nga ana tjetër, si mund të bënte Rama shtet, kur po t’i tërhiqte pak karrigen Meta, ia kthente qeverinë me këmbë përpjetë?!Megjithatë, pavarësisht mundësisë që i ofroi Basha në këtë drejtim, nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjes PD-PS, ai ende s’ka nxënë plotësisht mend për të bërë shtet, derisa del sërish e kërkon “71 deputet”. Ai kishte rreth 90 deputetë në Parlamentin që sapo mbylli punimet, por nuk arriti të çonte deri në fund të mandatit qeverinë e vet, jo më të bëjë shtet. Nga ana tjetër, kreun socialist nuk e ndihmoi për të bërë shtet, as mbështetja e gjerë ndërkombëtare, që siguronte sa herë i duhej për të rrahur gjoksin, duke e shndërruar atë në “Molotov” për liderin demokrat. Pastaj për mbarëvajtjen e reformave strukturore, investimeve apo çështjet e tjera ekonomiko-sociale, as që bëhet fjalë. Ato pak reforma që do mbahen mend nga pushteti absolut i Ramës, si dekriminalizimi, reforma në drejtësi apo krijimi i një qeverisje teknike në prag të zgjedhjeve, etj., janë ideuar dhe realizuar me mbështetjen e lidershipit opozitar të Bashës. Sidoqoftë, duke i njohur Ramës, 50 përqindshin e aksioneve, që ka në arritjen e një marrëveshje politike me liderin demokrat, për përmirësimin, sa lejonte koha dhe mundësitë praktike, të kushteve zgjedhore; dhe sidomos të parashikimit në këtë marrëveshje edhe të bashkëpunimit midis tyre në të ardhmen, për disa reforma të rëndësishme që e afrojnë vendin në gjirin e familjes së përbashkët evropiane, le t’i trajtojmë si slogane elektorale, deklaratat e tij “për të marrë i vetëm timonin e qeverisjes së ardhshme” dhe “të bëjë shtet me 71 deputet”. Edhe pse e ka djegur shansin apo e ka humbur të drejtën morale për të bërë shtet për katër vjet në pushtet, ai ka gjithë të drejtën e Perëndisë për të kërkuar një mandat të dytë qeverisës. Por këtë herë, jo si timonier…Timoni i qeverisjes pas zgjedhjeve të 25 qershorit duhet t’i takoj liderit demokrat, i cili gjatë gjithë kohës në krye të Partisë Demokratike, më shumë se sa “për zgjedhjet e ardhshme” ka menduar për “brezin e ardhshëm”, duke “tradhtuar” edhe elektoratin për interesat e qytetarëve shqiptarë. Që kur, ish ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu e cilësoi liderin demokrat, “yll në ngjitje”, ai s’ka reshtur së kontribuar politikisht “për brezin e ri”, gjë të cilën e ka reflektuar, së fundi, edhe tek listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike, 80 për qind e të cilëve zgjidhen për herë të parë. Bash synon të bëhet shumicë duke ecur pas njerëzve, pasi siç thotë filozofi i shquar kinez, Alo Tuz, “për të udhëhequr njerëzit, ec pas tyre”. Gjithçka buron nga bindja e tij, se partnerët tanë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian nuk do të pranonin kurrë për shqiptarët, asgjë më shumë dhe asgjë më pak se standardet, normat dhe parimet që i kanë bërë për shoqëritë dhe individët e tyre. Shqiptarët, ashtu si çdo komb tjetër i botës së qytetëruar, meritojnë një standard perëndimor në të gjitha aspektet e qeverisjes së tyre, ndaj çdo forcë politike në pushtet nuk mund të bëjë për Shqipërinë, asgjë më pak se ç’mund të bëjë për Evropën dhe për Amerikën. Ndonëse ka kaluar më shumë se një çerek shekulli demokraci, Shqipëria vazhdon të jetë ende e mbërthyer nga një tranzicion i pafund, ndryshe nga sa ka ndodhur me të gjithë vendet e tjera të ish kampit socialist. Ky tranzicion unik vazhdon të sjell pështjellime të shumta politike, sociale dhe ekonomike në jetën e vendit. Varfëria, papunësia dhe mungesa e shpresës janë shtruar këmbëkryq në shumicën e familjeve shqiptare edhe për shkak të përkeqësimit të qeverisjes së vendit gjatë këtyre viteve të fundit. Ekonomia shqiptare është momentalisht në zgrip. Dikush e krahasonte atë në mënyrë figurative me një “mumie egjiptiane”, të cilës “…i është tharë lëkura dhe i ka ndalur zemra”. Situata tejet e vështirë që po kalon sipërmarrja private, mungesa e investimeve, kreditimi në rënie i ekonomisë, kanabizimi i bujqësisë, pakësimi i remitancave, tendenca e forcave aktive të punës për të emigruar dhe reduktimi i kërkesës së brendshme e kanë dhënë të plotë efektin e tyre negativ në situatën e krijuar. Në këto kushte varfëria, papunësia dhe mungesa e shpresës në radhët e qytetarëve tanë janë shtuar jashtë çdo parashikimi. Por cilësia e jetës dhe zhvillimi i qëndrueshëm tek ne, ka kohë që janë vënë në pikëpyetje, kryesisht për shkak se pikëpamjet për ekonominë në përgjithësi, dhe ato për modelin ekonomik në veçanti kanë qenë dhe janë të gabuara apo të mangëta. Siç dihet, këto pikëpamje vihen në jetë nga njerëzit që na drejtojnë, të cilët ne i zgjedhim rregullisht me votën tonë të lirë, sepse zhvillimi i ekonomisë së një vendi është veç të tjerash përgjegjësi politike dhe standard i lartë qeverisjeje. Në thelb qeverisja, përtej rendit dhe sigurisë, nuk është gjë tjetër veçse krijim dhe rishpërndarje e të ardhurave buxhetore. Zgjedhjet parlamentare të radhës zhvillohen pas pak ditësh, ndaj duhet të fillojmë sa më shpejt të zhvishemi nga emocionet politike, me qëllim që të zgjedhim njerëzit e duhur për t’na qeverisur. Është momenti që të shkëputemi njëherë e mirë nga pengu i deritanishëm i qeverisjeve të paafta dhe të papërgjegjshme, gjë që në fushatat zgjedhore duket tek programi që çdo forcë politike u ofron qytetarëve të vet. Parë në këtë këndvështrim, ka ardhur koha që të shihet me skepticizëm çdo lloj programi qeverisës i tipit “made in Albania”, i cili bazohet kryesisht mbi batuta apo premtim-mashtrime elektorale, duke shfrytëzuar tinëzisht indoktrinimin dhe mungesën e kulturës qytetare të njerëzve tanë, siç ka ndodhur në mjaft raste deri tani, ku më i freskëti është ai i zgjedhjeve më të fundit parlamentare në Shqipëri. Vetëm në këtë mënyrë nuk do të tentohet më për aleanca imorale që synojnë marrjen e pushtetit me çdo kusht e më çdo çmim, por para qytetarëve shqiptarë do të shpaloset programi dhe alternativa më e mirë. Fjala vjen, shefi i opozitës shqiptare, ka deklaruar gjithnjë, se nën pushtetin e demokratëve, “tatimet dhe taksat do të përbëjnë gjithmonë pjesën më të vogël të kostos së qytetarëve dhe të sipërmarrjeve për t’u kthyer tërësisht në shërbim të tyre”, por besueshmëria e një deklarate të tillë rritet së tepërmi , po të kemi parasysh se ajo është pjesë e programit të hartuar me mbështetjen e CDU-së gjermane. Vetëm në kontekstin e një platforme të tillë ekonomike mund të besohet se taksa e sheshtë në masën 9 për qind apo TVSH-ja prej 15 për qind, etj., mund të sigurojnë rritjen dhe zhvillimin e duhur ekonomik, për t’i dhënë fund tranzicionit tonë të mundimshëm. Ky program, nëpërmjet rikthimit të besimit dhe psikologjisë së të menduarit pozitivisht të njerëzve, që Ludvig Erhard e quan “gjysmën e një suksesi ekonomik”, pretendon t’u përgjigjet me “standarde dhe eksperienca gjermane”, sfidave me të cilat përballet sot vendi ynë .
Sigal