Pushteti i pa merituar dhe paraja e pistë, zullumi më i madh në jetë. Dëgjesat me publikun si ‘Çezma e Thatë’

847
Sigal

Nga Agim JAZAJ

Pushteti i pa merituar dhe paraja e pistë, janë zullumi më i madh në jetë. Ndërsa litari këputet duke u holluar, zullumi këputet duke u trashur!

Shqiptarët në harkun kohor të gati 28 viteve, të sistemit pluralist-pularist, kanë shkuar shpesh përpara kutive të votimit me synimin: “Për të ndryshuar qeverisjen, politikat qeverisëse”, për të rritur nivelin ekonomik etj. Por në fakt kanë ndërruar qeveritë, barinjtë e “tufave” të zgjedhur nga e njëjta “tufë e zgjebosur dhe brenda stallës së pistë” e politikës! Për rrjedhojë zgjedhjet nga zgjebjet nuk kanë ndryshuar aspak qeverisjet, politikat qeverisëse, por i kanë përkeqësuar edhe më.

Bilanci i zgjedhjeve deri më tani rezulton: Janë zhvilluar shumë zgjedhje dhe janë korrur (as) pak zgjidhje, nuk kanë sjellë ndryshimin e synuar dhe të kërkuar! Qeveritë e radhës kanë akuzuar dhe anatemuar njëra-tjetrën deri në “kupë të qiellit”, për t’i vënë përpara përgjegjësisë shkaktarët: “Për abuzimet, krimet dhe rrënimet e shkaktuara”.

Nëse do të bëhet një krahasim i thjeshtë, me një vend fqinj, ku ish-kryeministri i Maqedonisë, tashmë e Veriut, u akuzua dhe u penalizua me burgim për abuzimin e një autoveture dhe u arratis nga vendi duke kërkuar azil në një vend të Evropës, përballë këtij abuzimi që ndodh dhe ndëshkimi që mungon, i bie që qeverisësit tanë, nga i radhës të penalizohen shumë më rëndë se sa ish-kryeministri i vendit fqinj, të cilët kanë rrënuar edhe më shumë vendin dhe ardhmërinë e tij, kanë vrarë deri për vdekje shpresën për të nesërmen, të tyre, të brezave sa dhe i mallkojnë: “Mos gjetshin as vend varri!”- si i thonë llafit të moçëm. Dhe kjo dukuri duket sheshit, ditën me diell, nga gjithkush me dy gramë mend dhe sytë në ballë, përveç të verbërve nga trutë dhe qorra nga sytë, që nuk duan ta shohin greminën e sotme dhe hatanë e nesërme!…Kjo skotë e verbër, po mban jo vetëm të sotmen tonë peng, por edhe të ardhmen e brezave, që po marrin arratinë nga sytë këmbët nëpër botë!

Ngushtohen rrugët, shqyhen trotuaret…

Marrëzia me pushtetin ka këputur frerët- thonë e dhe qytetarët e Vlorës teksa shikojnë tam-tamet edhe të “ndërtimit”, shkatërrimit pas tre viteve, ngushtimin e rrugës Vlorë- Skelë, ku është ngushtuar rruga kryesore dhe janë zgjeruar, shqyer trotuaret! “Më gjej modelin zotëri, ku është në botë një projekt marrëzi i tillë- ulërinte një socialist i thekur, ish-drejtues i pushtetit vendor në Vlorë. Edhe ish-shoferi i eksportit, në Parkun automobilistik të Vlorës; Bego Sinani, i cili ka gjezdisur botën përpara 60 viteve habitet me këtë marrëzi. “Nuk kam parë në asnjë vend më të zhvilluar me këtë projekte rruge, ngushtim të rrugëve dhe zgjerim, shqyerje të trotuareve!” Ku është ky model që kërkojmë të futemi”- shton me habi edhe afro 90-vjeçari, po edhe gjithë qytetarët dhe bizneset që janë ndan kësaj rruge të falimentuar? A janë pyetur qytetarët, a është marrë mendimi, vendimi paraprak i tyre dhe në vijim për t’i kthyer në projekte këto marrëzi?! Kryeneçësia dhe mangësia qeverisëse shkel e dhunon edhe këto të drejta elementare të qytetarëve. Vitin e kaluar kryebashkiaku i Selenicës, pasi u kthye nga një vizitë pune në SH. B. A, prej andej erdhi me një mesazh mbresëlënës: “Atje, në SH.B.A, nuk mund të bëhej asnjë vendimmarrje pa diskutuar e pa marrë së pari mendimin dhe pëlqimin e komunitetit. Pa pëlqimin e tyre nuk merrej asnjë vendim”. Kjo është demokracia, ky është shtetit i së drejtës që ëndërrojnë dhe po kërkojnë me pishë shqiptarët.

Dëgjesat me publikun dhe Portalet@Pordhalet, janë demagogjia e radhës e qeverisë-rilindëse, ku dhe nga pordhalet verifikohet, provohet dhe merren vendime me numër e datë dhe pinë ujë te çezma e Thatë. Kjo është demagogji- demode e radhës-rilindëse! Shteti i manikyrit, nuk nis nga nevojat jetike të qytetarit, por nga luksi…Sepse i mungon ndjeshmëria njerëzorë, nuk ndjen dhimbjen e qytetarit pa bukë, pa ngrohje, i pa veshur, i prish shtëpinë në palcën e dimrit, nuk i çliron qytetarët nga pushtimi, rrethimi e terrorizimi, nga muret e gurit, të hurit dhe ushkurit! Sepse mendojnë për parajsën e tyre, i quajnë të gjithë sikur janë si ata dhe mendojnë për luksin.

Të ndjesh dhimbjen tënde do të thotë se ke ndjeshmëri, ndërsa të ndjesh dhimbjen e tjetrit do të thotë se je Njeri. Njerëzit janë të përkohshëm në jetë,

po qeveritarët tanë ata kujtojnë se janë të përjetshëm në pushtet…

Pasuria pa djersë, mëkati më i madh

Etja, për pushtet dhe pasuri, kjo pangopësi për të kapërcyer ende “Lumin“ tashmë dallgë rënë, për të përfituar pa mend e mund, pa djersë, po mbetet: Mëkati më i madh në jetë. Ende po mban në bregun e tij, kontingjente të shumtë, nga ata që nuk dinë as tabelën e shumëzimit, dhe as “not qeni”, po shëtisin me kabrioleta, dhe “bukuroshet” përpara, krekosen nëpër lokale, me këmbët përpjetë, mbi tavolina, nga ata të kollarisurit e veshur me pushtet, të pa njohur as në mëhallë, por zgjidhen dhe përzgjidhen nga stalla: Është i biri i filanit, le të jetë edhe UFO, i lidhur me tezet, hallat, baxhanakët, Xhesikat me minifund në palcën e dimrit! “Po ti nënshtrohen testimit, qoftë dhe në polici për të shkruar, a formuluar shqip, apo dhe tabelën e shumëzimit, pa kopje e celular, do të rezultonte një produkt trishtues”, thonë me trishtim njerëz të haberosur edhe brenda atyre radhëve…

Rezultatet e këtij “sprinti” e rendisin vendin tonë në shifra më të larta si ”modelin” e drogës, prostitucionit dhe të korrupsionit! Atë kohë nuk ishte i formuluar me ligj droga, prostitucioni e korrupsioni etj. Gjithkush është i ndërgjegjshëm se ata më “të shkathtit” e kohës, i shfrytëzuan këto “resurse”, si dhe vakuumin ligjor në kapërcim të tranzicionit shoqëror e politik të vendit, vunë një grusht para, e bën goxha “prokopi”, pushtuan terrene, rrëmbyen pasuri dhe toka bregdeti, u graduan në administratën shtetërore, tunden me spaleta edhe para mikrofonave. “Toka i takon atij që e pushton”, ishte dhe mbetet ende aksioma e tyre. Ngritën vila dhe i legalizuan mbi pronën publike dhe të të tjerëve. Një shprehje e popullit thotë: “Sa të matet i mençuri, është sosur i marri”. “Të shkathtit” e kohës e kishin spunton, doemos nga politika e ditës dhe komunikimi me celular. Dinakëria e pushtetit, këtë kontingjent me kufizim intelekti, e ndërsen, shfrytëzon, e keqpërdor, deri dhe e sakrifikon…

Nga kontingjenti i “pasunarëve të pa shkollë”, fluturues e pa me nder b…në b…radhiten edhe pasanikët e kollarisur, dinakë të politikë – pushtetit të lidhur mes njeri tjetrit me ushkur e me poture.

Palët janë në akord dhe në konflikt. Në akord për të mbrojtur interesat; për t‘i shpëtuar taksës së zullumit!

Ndërsa është larguar nga bota e të gjallëve, poeti i famshëm vlonjat: Ali Asllani, vargjet e tij i ndjekin edhe në botën e përtejme zullumqarët:

Koha dridhet e përdridhet,

prej gradimit katër shkallë,

Nuk do mbetet gjë në dorë,

veçse vul’ e zezë në ballë!…